Ngacmime seksuale dhe sherr te Ekonomiku

Dhunë fizike dhe ngacmime seksuale ndaj studentëve të vitit të tretë të Fakultetit të Ekonomisë. Studentët tregojnë ngjarjen. Dy të rinj hyjnë në leksion, si të “deleguar” nga dekanati dhe shkaktojnë konflikt brenda dhe jashtë auditorit. Tre studentë përfundojnë në Spitalin e Traumës.  

Enida Vërça

Një sherr mes disa të rinjve ka ndodhur dy ditë më parë në Qytetin Studenti, me pasojë plagosjen e tre studentëve. Burimet për “Shekulli”-n konfirmojnë se ngjarja është shënuar në orën 17:20, në ish-mensën e Qytetit Student, ku viti i tretë i degës së Financës ishte duke zhvilluar seminar me pedagogen e lëndës, Ermelinda Mulaj. Studentët tregojnë se në sallën ku ata ishin duke zhvilluar mësimin, kanë hyrë dy djem të cilët nuk i përkisnin fakultetit dhe kanë ngacmuar vajzat e klasës. Si fillim i kanë sharë dhe ofenduar dhe më pas, kanë tentuar t’i prekin ato fizikisht. Pavarësisht ndërhyrjeve që kanë bërë në orën e mësimit me ofendime dhe konfrontime fizike mes njeri-tjetrin, pedagogia Mulaj ka vazhduar e qetë mësimin, deri në përfundim të orëve, duke mos ndërhyrë në shuarjen e këtij sherri të nisur prej tyre në këto ambiente. Andi Varrosi, student i fakultetit të Ekonomisë, sqaron për “Shekulli”-n me detaje të gjithë ngjarjen, duke e vënë theksin te mungesa e sigurisë në të cilat zhvillohen orët mësimore. “Unë kam kontaktuar me të gjithë studentët, të cilët kanë qenë të pranishëm në auditor. Dy persona të paidentifikuar ende nga policia, kanë hyrë në klasë dhe kanë nisur të ofendojnë dhe ngacmojnë vajzat. Në atë moment, djemtë kanë reaguar në mbrojtje të shoqeve të tyre, pasi kanë qenë vetëm 4 djem të atij grupi. Kanë qenë student të vitit të tretë, drejtimi Financë. Pedagogia e klasës nuk ka bërë tentativë për t’i nxjerrë jashtë sepse në fillim studentët kanë deklaruar se kanë ardhur me urdhër të dekanatit. Kanë qëndruar në klasë orën e parë, më vonë pas pauzës në orën e dytë kanë vazhduar sërish duke ngacmuar vajzat. Po ashtu ka pasur edhe një konfrontim fizik mes dy djemve të ardhur dhe studentëve të klasës. Kur pedagogia i ka lënë të lirë, pas përfundimit të seminarit, janë pritur në ambientet e jashtme nga një grup djemsh, të cilët kanë qenë në mbështetje të këtyre dy personave. Në momentin që studentët kanë dalë jashtë, i kanë sulmuar të gjithë. Kanë shtyrë dhe ofenduar vajzat dhe më pas kanë qëlluar tre studentët të cilët janë në spitalin e Traumës. Njëri prej tyre është në gjendje kritike”, thotë ai.

Siguria

Me tej, studenti deklaron se për shkak të rikonstruksionit që është duke u bërë në fakultetin e Ekonomisë, mësimi zhvillohet në disa godina, të cilat nuk kanë asnjë siguri dhe nuk janë në juridiksion të këtij fakulteti. “Mësimi është zhvilluar një godinë pranë Qytet Studentit. Për shkak të rikonstruksioneve që nuk po bëhen, studimet janë transferuar në këtë godinë, e cila nuk ka asnjë siguri fizike. Nuk ka roje, madje nuk është as në juridiksionin e fakultetit të Ekonomisë. Ajo që mua më intereson si student e i fakultetit është fakti që në këtë fakultet ka ndodhur një skandal i madh, janë rrahur student. Nuk ka asnjë siguri. Behët mësim për shkak të keqmenaxhimit të fondeve, si nga fakultetit si nga ministria, bëjmë mësim në tre apo katër godina të ndryshme, pa asnjë siguri. buxheti për sigurinë fizike është i tej fryrë. Nuk është marrë asnjë përgjegjësi, as nga personat që drejtojnë fakultetin, as nga policia e shtetit, e cila në momentin që ka kontaktuar me Spitalin e Traumës ka deklaruar se nuk nisin hetimet, pasi fakulteti ruhet me siguri fizike. Kjo është e papranueshme. Policia nuk ka pranuar që të hetojë ngjarjen, sepse fare mirë mund të hapen kamerat e sigurisë së lokaleve ngjitur dhe të identifikohen autorët”, përfundoi ai. Edhe studenti Dardan Almetaj thotë se siguria në shkolla lë mjaft për të dëshiruar, duke rrezikuar jetët e tyre. “Në universitet shqiptare, hyjnë dhe dalin njerëz pa asnjë lloj kontrolli. Nuk e di kush është pedagogu, kush është studenti dhe kush është roja. Është një situatë e frikshme dhe kaotike. Prindërit na dinë se jemi në shkollë dhe një ditë të bukur na gjejnë në spital”, thotë ai.

Dekani

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dhe dekani i fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule. Ai thotë për “Shekulli”-n se ngjarja ka ndodhur jashtë ambienteve të fakultetit dhe se ka kërkuar nga policia të zbardhet ngjarja dhe të identifikohen autorët. Dy djem që nuk ishin pjesë e grupit të studentëve kanë hyrë në klasë ku zhvillohej mësim dhe kanë nisur të grinden me djemtë e grupit. Gjatë kohës që pedagogia vazhdonte mësimin, këta dy djem grindeshin me djemtë nga grupi. Me insistimin e grupit pedagogia i nxori jashtë dy djemtë e panjohur. Pasi ka mbaruar mësimi ka ndodhur një grindje jashtë klase ku një grup të rinjsh ka goditur studentët. I kemi thënë studentëve të denoncojnë ata që i kanë goditur. Kemi informuar në mëngjes strukturat e policisë. Dy djem që nuk ishin pjesë e grupit të studentëve kanë hyrë në klasë ku zhvillohej mësim dhe kanë nisur të grinden me djemtë e grupit. Gjatë kohës që pedagogia vazhdonte mësimin, këta dy djem grindeshin me djemtë nga grupi. Me insistimin e grupit pedagogia i nxori jashtë dy djemtë e panjohur. Pasi ka mbaruar mësimi ka ndodhur një grindje jashtë klase ku një grup të rinjsh ka goditur studentët. I kemi thënë studentëve të denoncojnë ata që i kanë goditur. Kemi informuar në mëngjes strukturat e policisë”, deklaroi ai.

Deklaratë

Nëpërmjet një deklarate për mediat, fakultetit i Ekonomisë shprehet se dënon dhunën e ushtruar ndaj studentëve, duke kërkuar nga organet kompetente zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Drejtues dhe pedagogë të Fakultetit, kanë mbajtur kontakte me strukturat e Policisë së Shtetit dhe institucione të arsimit të lartë për ngjarjen e pa precedentë dhe të shëmtuar, ku kanë mbetur të lënduar studentë të Fakultetit të Ekonomisë, nga disa persona të panjohur jashtë ambienteve ku zhvillohej mësimi. Dekani i FE-UT, dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj studentëve dhe bën thirrje se askush nuk mund të guxojë dhe as të shkojë nëpër mend, të cenojë studentët në ambientet universitare dhe përreth tij. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë solidarizohet dhe mbështet Studentët dhe kërkon nga organet e Policisë së Shtetit të vërë para përgjegjësisë personat përgjegjës të kësaj ngjarjeje”, shprehet fakulteti.

Ngjarja

Pedagogë dhe studentë protestojnë para fakultetit

Në mënyrë simbolike, studentët e fakultetit të Ekonomisë organizuan një protestë ditën e djeshme në orën 14:00 pranë ambienteve të këtij institucioni. Pedagogë dhe studentë të bërë së bashku shprehën shqetësimin për mungesën e sigurisë në shkollë dhe kërkuan që të ndërhyhet sa më parë për shqetësimin e tyre. Pedagogu i këtij fakulteti Rezart Prifti, u shpreh për “Shekulli”-n se studentët e kursit janë kërcënuar nga grupi i cili realizoi këtë sherr, duke i detyruar këta të fundit që të mos flasin. Më tej ai kërkoi që policia të marrë masa ndaj akteve të tilla. Ne jemi njerëz të penës, jo të pistoletës. Jemi pak a shumë në situatën “më jep notën, se të çaj gojën”. Kjo është një çështje e shtetit, jo thjesht e institucioneve. Siguria në institucione është zero. Studentët kanë qenë viti i tretë Bachelor, ndërsa ata horrat kanë qenë moshë më të madhe. Ata nuk e kanë nisur fare fakultetin. Kjo është një situatë banale. Organizimi i sotëm (dje) ishte spontan dhe unë mendoj se duhet të vazhdojë, derisa të dalin horrat, sepse gjashtë vajza rrinë aty, pasi kanë frikë të dalin. Vajzat fatmirësisht nuk kanë rënë pre e dhunës”, deklaroi ai. Pedagogia Iirjana Kuçana, deklaroi se situata është e frikshme duke mos pasur asnjë siguri në ambientet e fakultetit. “Shteti duhet të zbardh menjëherë ngjarjen dhe të vendos para përgjegjësisë personat të cilët shkaktuan një dëme të madh te studentët. Dëmi ishte sa moral edhe fizik. Një nga djemtë e shtuar në spitalin e Traumës, nuk është në gjendje fort të mirë. Si ai djali mund të ishte kushdo tjetër. Ndaj duhen marrë masa dhe duhet të zbardhet ngjarja, është e pa tolerueshme”, tha ajo. Ndërkohë studentët u shprehën se kjo protestë ishte simbolike për të treguar që janë pranë kolegëve të tyre në spitalin e Traumës dhe për të kërkuar prej autoriteteve një reagim sa më të shpjet. “Siguria në shkolla është zero, kërkojmë ndërhyrjen e instancave përkatëse, duke garantuar që ky rast nuk do të përsëritet më”, deklaruan ata.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet