Nga linja e fluturimit te marrëveshja hekurudhore. Tre iniciativa që do të lidhin Kosovën me Serbinë

I Dërguari Special i presidentit Amerikan, Donald Trump, për negociatat Kosovë-Serbi Richard Grenell u takua sot veçmas me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si pjesë e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Me anë të nënshkrimit të tre marrëveshjeve ekonomike, Richard Grenell përcaktohet si njeriu kyç që do të afrojë Kosovën me Serbinë. Në një shkrim në rrjetin social Twitter, Ambasadori Richard Grenell, shkruan se: “Falenderime për direktivat e vërteta të Donald Trump, ne kemi nënshkruar 3 marrëveshje ekonomike brenda 4 muajve. Një marrëveshje është për linjën ajrore, një për hekurudhat dhe një për autostradat.

Ekonomia do të afrojë Kosovën me Serbinë

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për bisedimet, tha sot se është bërë njëfarë përparimi në dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, por të dy palët janë të interesuara vetëm për rregullimin e marrëdhënieve ekonomike.

“Ajo që kam mësuar në bisedimet me të dy palët dhe sektorin privat është se ata duan vetëm të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike”, tha Grenell.

Ai theksoi se të dy palët kishin një rrugë të gjatë përpara në përpjekjen për të normalizuar të gjitha marrëdhëniet duke shtuar se administrata e Trump në mënyrën e saj të zakonshme po përpiqet t’i shtyjë të dy palët drejt pajtimit, pa imponuar idetë e tyre mbi to.

Thaçi: Grenell dha një dinamikë të re në dialog

Në llogarinë e tij në Twitter, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar, se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka marrë një dinamikë të re dhe falënderoi angazhimin e SHBA-së dhe emërimin e Ambasadorit Richard Grenell si të Dërguarin Special të Presidentit Trump për procesin.

“Ne do të kalojmë në marrëveshje të reja pas asaj në fluturimet Prishtinë-Beograd. Do të kemi angazhime të tjera për linjën hekurudhore. Ne do të punojmë si institucione për të arritur një marrëveshje përfundimtare si dy shtete të pavarura. Është një fakt që ne kemi një dinamikë të mbështetur nga SHBA, gjëra që nuk u imagjinuan para dy dekadave që po ndodhin”, tha Thaçi.

Thaçi iu drejtua në mënyrë kritike BE-së për mosdhënien e liberalizimit të vizave të Kosovës. “Kosova ndjehet e zhgënjyer dhe tradhtuar nga BE sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj dhe nuk ka asnjë hap për liberalizimin e vizave. BE nuk ka asnjë vendim politik për shkak të mungesës së unitetit midis shteteve të BE-së”, tha Thaçi.

Vuçiç: SHBA ka insistuar për heqjen urgjente të taksave të Prishtinës

Pas takimit me Richard Grenell, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se SHBA po insiston shumë fuqishëm dhe me vendosmëri për heqjen urgjente të taksave të Prishtinës për mallrat serbe.

“Fakti që Amerikanët po insistojnë shumë fuqishëm dhe me vendosmëri që taksat të hiqen menjëherë, urgjentisht dhe që diskutimet midis nesh dhe Prishtinës të vazhdojnë, është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha Vuçiç.

Ai njoftoi se Shefi i Zyrës së Qeverisë Serbe për Kosovën, Marko Gjuriç do të nënshkruajë një marrëveshje kornizë për një linjë hekurudhore midis Beogradit dhe Prishtinës në Mynih.

Ai theksoi se marrëveshja është shumë domethënëse pasi do të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet