Premte, 29 Gusht 2008 23:40:03

Lexoni versionin Print

Pogradeci, "telashe turistike" dhe një gënjeshtër me Enver Hoxhën

Materiali i mëposhtëm është përgatitur nga korrespodenti i “Shekullit” në Pogradec, gazetari Bardhyl Berberi, si përgjigje për disa pyetje lexuesish që na kanë kërkuar hollësi rreth situatës në qytetet turistike, përfshirë Pogradecin.

Shekulli
Enjte, 10 Korrik 2008 08:54:00

 

SHËNIM I REDAKTORIT: Materiali i mëposhtëm është përgatitur nga korrespodenti i “Shekullit” në Pogradec, gazetari Bardhyl Berberi, si përgjigje për disa pyetje lexuesish që na kanë kërkuar hollësi rreth situatës në qytetet turistike, përfshirë Pogradecin.

Kjo verë ka sjellë jo pak ndryshime në Pogradec. Ai që njihet si “projekti gjerman” i ka siguruar qytetit 24 orë ujë të pijshëm pa ndërprerje. Nga muaji gusht i vitit të kaluar ka filluar edhe një projekt i ujërave të zeza, i cili do të shmangë plotësisht derdhjen e tyre në liqen. Rrugët e qytetit po shtrohen me një pllakë dekorative, duke i dhënë qytetit një pamje të këndshme. Ka filluar të funksionojë edhe plazhi i ri nga rezidenca qeveritare, deri në fshatin turistik të Tushemishtit. Në fakt, vapa përvëlonjëse ka sjellë në Pogradec një numër të konsiderueshëm adhuruesish të ujit të ëmbël dhe freskut.

Por sapo sezoni ka filluar pushuesit kanë konstatuar disa dukuri shqetësuese…

1 - Në parkun e madh të qytetit, janë hapur një numër i madh lokalesh ambulante. Tregtojnë qofte maqedonase dhe birrë. Lokalet janë vendosur në park pa asnjë kusht higjenik. Drejtori i Qendrës Sanitare, Selami Jahupi thotë se ata e njohin gjendjen dhe kanë vendosur shumë gjoba, por leja është dhënë nga Bashkia. Një qytetar na thotë (jo me shaka!) se “këto lokalet ambulante po na ndajnë nga gratë”. Historia duket disi komike, por është reale. Pasi kishte pirë birrë nga një gotë e palarë, atij i kishin mbetur në buzë, shenja buzëkuqi grash. Sherri me gruan u zgjidh vetëm pasi shkuan të dy tek lokali dhe konstatuan se gotat e përdorura rimbusheshin fare pa u pastruar.

2 - Ku janë rojet e liqenit? Një fëmijë i vogël nga Elbasani ka shpëtuar mrekullisht para dy ditësh nga një mbytje. Liqeni i Pogradecit njeh shumë tragjedi njerëzore. Vetëm verën e kaluar janë mbytur në liqen, në plazhin e Pogradecit, 8 persona, 7 prej tyre nga 18 deri në 25 vjeç dhe një tjetër 55 vjeç. Skafet e shumtë dhe gomonet që ka policia kufitare, deri tek një skaf i ardhur para pak kohësh, (ka kushtuar 180 mijë euro) qëndrojnë të ankoruara tek moli i qytetit. Vitin e kaluar janë përdorur vetëm për nxjerrjen e kufomave nga fundi i liqenit. Shefi i Rendit, Kujtim Isa, thotë për gazetën se skafet komandohen nga Drejtoria e Kufirit, të cilët janë të ndarë nga policia. Sipas një logjike të thjeshtë, do të jetë më mirë që skafet të përdoren dhe të patrullojnë për të shpëtuar jetë njerëzish sesa të nxjerrin kufoma.

3 - Në Drilon takova Kujtim Bajraktarin, i cili mbante në dorë një guidë: “Pogradeci, çelësi turistik”. Më thotë se ka ardhur në Drilon të flejë një natë tek dhoma që ka fjetur Enver Hoxha. Ngela i habitur. I them që Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjë natë në Drilon. Ai këtu qëndronte disa orë dhe më pas shkonte flinte tek vilat te Rezidenca Qeveritare në Pogradec. Kujtimi hapi guidën në faqen 73, ku shkruhej: “Në dhomën e Enver Hoxhës (citojmë pikë për pikë faqen e guidës):

“…Enver Hoxha kalonte këtu (në Drilon) pjesën më të madhe të periudhës së nxehtë të vitit dhe për të ishte ndërtuar një vilë prej guri dhe druri. Vendi i preferuar i udhëheqësit komunist tani është shndërruar në një hotel privat, ku janë bërë pak ndryshime. Falë një pagese që shkon deri në 40 euro, mund të shijoni një natë në dhomën dyshe ku flinte Enver Hoxha ... Natën, pylli rreth hotelit krijon një atmosferë të magjishme. Heshtjen e thellë e prish vetëm zhurma e ujit që vazhdon të rrjedhë drejt liqenit. Një natë në vilën e Enver Hoxhës, me të vërtetë që ia vlen…”.

Ky ishte teksti i guidës. Ngela i shtangur. Hoteli është ndërtuar pas vitit 1998 dhe Enveri ka vdekur në vitin 1985 (13 vjet diferencë). Miku im shtangu, por shtanga edhe unë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML