Tirana u themelua më 1614 nga Sulejman Pasha, me origjinë nga fshati Mullet. Fillimisht ai ndërtoi një xhami, një furrë dhe një hamam. Dy shekuj më vonë, drejtimin e qytetit e mori familja Toptani nga Kruja.
1- Tiranë mendohet se vjen nga fjala Theranda, e përmendur në burimet e lashta greke dhe latine, që vendasit e quanin Të ranat, meqë fusha ishte formuar si rezultat i materialeve të ngurta që sillnin ujërat nga malet përreth.
2- Tirana vjen nga Tirkan. Tirkan ka qenë një kështjellë në shpat të malit të Dajtit. Akoma ekzistojnë rrënojat e kësaj kështjelle të lashtë që daton fillimin e shekullit të parë para lindjes se Krishtit, e cila mendohet të ketë qenë kështjella që historiani bizantin, Prokop, (shek.VI) e quan kështjella e Tirkanit.
3- Tiranë, vjen nga Teheran, kryeqytet i Iranit, në kujtim të një fitoreje të korrur nga Sulejman Pasha, (themeluesi i qytetit) në krye të ushtrisë turke gjatë fushatës në Persi.
4- Një gojëdhënë tiranase thotë se emrin e qytetit, Sulejman Pasha e mori nga një plakë që takoi në vendin ku do të ngrinte qytetin. Pyetjes së Sulejman Pashës se çfarë po bënte, plaka iu përgjigj: “Po tir an...!”, (an d.m.th., mëndafsh).
*****
Xhamia në qendër të Tiranës, e quajtur Xhamia e Et’hem Beut, filloi të ndërtohej më 1789 nga Molla Beu i ardhur prej Petrelës dhe u përfundua më 1821 nga i biri, Haxhi Et’hem Beu, stërnipi i Sulejman Pashës. Për të punuan mjeshtërit më të mirë të Shqipërisë.
*****
Kulla e Sahatit u fillua nga Haxhi Et’hem Beu rreth vitit 1821-1822, dhe u përfundua me ndihmat e familjeve të pasura të Tiranës. Montimi i Sahatit u bë nga familja Tufina. Më 1928 u ble në Gjermani nga shteti shqiptar një Sahat modern dhe kulla u ngrit në lartësinë 35 m. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Sahati u dëmtua, por u rivu në punë në korrik të vitit 1946.
*****
Godina ekzistuese e Parlamentit u ngrit më 1924 dhe fillimisht ka shërbyer si Klubi i Oficerëve. Aty, më 1 shtator 1928 Ahmet Zogu shpalli Monarkinë.
*****
Qendra e Tiranës është projektuar nga arkitektët të njohur italianë të periudhës musoliniane, Florestano de Fausto dhe Armando Brasini. Pallati i Brigadave (ish-Pallati Mbretëror), godinat e Ministrive, Banka Kombëtare dhe Bashkia janë vepra të tyre.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është ndërtuar në vitin 1930, me emrin Bulevardi “Zogu I”. Në periudhën e komunizmit, pjesa nga Sheshi “Skënderbej” deri tek Stacioni i trenit u quajt Bulevardi “Stalin”.
*****
Pallati i Kulturës, ku ndodhet Teatri i Operas dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare, u përfundua më 1963. Ai u ndërtua mbi ish-Pazarin e Vjetër të Tiranës dhe tulla e parë u vendos nga Hrushovi më 1959.