Premte, 29 Gusht 2008 01:40:39

Lexoni versionin Print

“Unë i burgosuri, kam një mesazh për bashkëmoshatarët e mi”

Shënimi që po botojmë më poshtë, është dërguar për rubrikën “Kontakt” nga një lexues jo i zakontë. Ai quhet Sokol Biba dhe është pas hekurave të qelisë në Burgun e Peqinit. Letra e tij, që na ka mbërritur me postë, është një apel për bashkëmoshatarët.

Shekulli
Merkure, 02 Korrik 2008 08:09:00

 

SHËNIM I REDAKTORIT: Shënimi që po botojmë më poshtë, është dërguar për rubrikën “Kontakt” nga një lexues jo i zakontë. Ai quhet Sokol Biba dhe është pas hekurave të qelisë në Burgun e Peqinit. Letra e tij, që na ka mbërritur me postë, është një apel për bashkëmoshatarët.

Kjo letër ju drejtohet të gjithë atyre të rinjve që kanë lindur në vitet ’80-të. Atyre të rinjve të cilët kanë filluar ta ndjejnë vështirësinë e jetës që kanë përpara. Atyre që kanë marrë rrugët e emigrimit. Ju drejtohet të gjithë atyre të rinjve që janë diplomuar dhe presin të fillojnë punë. Por kjo letër ju drejtohet edhe atyre të rinjve, që ashtu si unë presin të festojnë 23 vjetorin nëpër burgje.

Të nderuar bashkëmoshatarë! Varfëri dhe mjerim ky vend nuk ka vetëm brenda qelive, por edhe jashtë tyre. Flitet këto ditë për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Duket si tallje, në kushtet kur të gjithë e dimë që rrogat e një shqiptari të thjeshtë nuk dalin as për bukën e gojës, dhe papunësia është masive.

Jemi në vitin 2008 por në krahasim me fqinjët tanë më të afërt ndodhemi me dekada larg. Familja ime dhe familjet e shumë prej nesh e kaluan dimrin pothuaj në errësirë të plotë, ndërsa Kryeministri jonë sheh ëndrra me centrale bërthamore. Para pak javësh Kryeministri tha se nuk do kishte më ndërprerje të energjisë elektrike. Gënjeu sërish. Kriza energjetike ka zbritur sërish deri në lagjet kryesore të Tiranës.

Zyrtarët dhe një pjesë e vogël e shoqërisë venë vetëm dhjamë me llogari bankare prej miliona dollarësh, pjesa më e madhe e popullit nuk arrin dot, të sigurojë as një jetesë minimalisht normale. Kërkojmë të kemi pjesë në organizmat e Bashkimit Europian dhe prodhojmë Gërdece duke u marrë jetën njerëzve të pafajshëm.

Zgjedhim deputetë që i shohim çdo katër vjet, vetëm për fushata elektorale. Shohim se si çdo ditë vidhen taksa paguesit shqiptarë me tendera fantazmë që nuk përfundojnë kurrë. Shohim se si çdo ditë e më shumë zhytet në borxhe shteti shqiptar duke marrë fonde që përfundojnë në xhepat e qeveritarëve. Qeveritarët predikojnë për luftë kundra korrupsionit, si dhe reforma në drejtësi, ndërsa gjykatat dhe prokuroritë po bëhen me bursa valutore. Pretendojmë për drejtësi dhe burgjeve kalben vetëm ata që nuk kanë lekë për të dhënë ryshfete. Por për këto nuk është vetëm një fajtor. Peshën e fajit duhet ta ndjejë çdo njeri nga ne, pasi një fjalë e urtë thotë: “Tufën e drejton ai bari që ajo meriton”. Ndoshta ne e meritojmë këtë qeveri që kemi, si dhe të jemi në këtë gjendje.

Por anija e shtetit shqiptar e ka ndezur alarmin SOS dhe është gati për t’u mbytur përsëri. Shpesh, brenda qelive ke kohën dhe mundësinë t’i kuptosh gjërat qartë. Prandaj timoni i kësaj anijeje duhet të jetë në duar të njerëzve të rinj, me vizione të reja, pasi dielli i nano-berishëve ka perënduar shumë kohë më parë. E pra, duhen njerëz të rinj që dinë të lenë pas vepra dhe jo premtime boshe. Duhen njerëz që të ndërtojnë një vend ku mund të jetohet dhe jo një vend nga ku të gjithë të ndershmit duan të ikin. Një vend ku të mos rraset në burg ai që vjedh një celular, dhe të bëhet qeverisës ai që shpërthen Gërdecët.

Të nderuar bashkëmoshatarë! Themi shpesh që duhet të ndihemi krenarë që jemi shqiptarë. Por a ndihet krenare Shqipëria me ne? Me mirënjohje për këtë rubrikë të “Shekullit”, Sokol Biba, Burgu i Peqinit.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML