Premte, 29 Gusht 2008 23:52:44

Lexoni versionin Print

“Eksperienca ime me mjeken franceze dhe puna vullnetare”

Teksti i mëposhtëm është dërguar në një forum online nga lexuese Laura. Aty tregohet një eksperiencë interesante për lexuesit e “Kontakt” dhe jepen vlerësime për një nga fenomenet më të përbuzura në Shqipëri pas vitit 1990: puna vullnetare.

Dërguar nga LEXUESE, LAURA
Marte, 17 Qershor 2008 08:13:00

 

SHËNIM I REDAKTORIT: Teksti i mëposhtëm është dërguar në një forum online nga lexuese Laura. Aty tregohet një eksperiencë interesante për lexuesit e “Kontakt” dhe jepen vlerësime për një nga fenomenet më të përbuzura në Shqipëri pas vitit 1990: puna vullnetare.

Puna vullnetare vlerësohet jashtëzakonisht shumë në vendet e zhvilluara. Kjo dihet mirë nga emigrantët shqiptarë, ndërsa në Shqipëri s’do të të shkonte mendja dhe aq shumë se në vendet kapitaliste njerëzit paskan nge akoma të bëjnë punë vullnetare.

Në Amerikë për shembull, të thyerit në moshë i japin aq shumë vendit të tyre duke kontribuar vullnetarisht, ku të mundin, por edhe studentëve u kërkohet që të bëjnë punë vullnetare në profesionet që kanë zgjedhur gjatë kohës së studimeve. Në Shqipëri, të kërkosh punë vullnetare, nuk do të ishte e lehtë. Para se të shtroj pikëpamjet e mia desha të jap një shembull.

*****

Në vitin 2002 u punësova për një organizatë franceze, në Maternitetin e Durrësit, si përkthyese për një doktoreshë dhe një infermiere franceze. Ndër të tjera, ato kishin për qëllim të trajnonin mjeket dhe infermieret shqiptare se si të respektonin rregullat themelore të punës.

Që ditën e parë u përballa me konfliktin në mes palëve:

Maria, doktoresha franceze, 73 vjeç, vullnetare, më tha:

- Unë s’e marr vesh, këto i dinë të gjitha rregullat, të gjitha kërkesat bazë të punës, por nuk duan! Sa kthejmë shpinën ne, ato prapë në të tyren!

Kur mbeta vetëm me mjeket dhe infermieret shqiptare, ata ndanë me mua menjëherë indinjatën e tyre:

- Çar u duket vetja këtyre të huajve! Trajnimi i këtyre! Këto i dimë që në kohën e Enverit...!

- Po tani?- pyeta për të kuptuar…

- Po tani është ndryshe, s’jemi në komunizëm!

Maria ishte shumë kryeneçe, nuk kishte asgjë për të humbur. Projekti i dytë, kishte të bënte me ndërgjegjësimin e nënave të reja durrsake në fshatra të afërta e të largëta se si të rrisnin fëmijët e vegjël. Maria i jepte makinës rrugë e parrugë, dhe me energjinë e saj mundohej të ndryshonte diçka. Të gjithë që takonim, mendonin se kushedi sa paguhej Maria e që normalisht kot shtirej si vullnetare, se ajo për veten e saj e bënte…

Maria, vërtetë punonte vullnetarisht nga mëngjesi në darkë, por gjithashtu ajo punonte për vete... Si do të thoni ju? Se puna që bënte i jepte kuptim jetës së saj: - Ku s’kam punuar deri tani, në të gjitha kontinentet. Kjo është jeta ime. Kjo më bën të lumtur. Kam takuar kaq njerëz të mrekullueshëm. Kushedi, mbase kam ndihmuar diku dhe kam akoma kohë për të ndihmuar, kjo më jep forcë.

*****

Në Shqipëri, të moshuarit jemi mësuar t’i trajtojmë gati si të sëmurë. Ata mund të ndihmojnë me fëmijët e vegjël, nipërit, mbesat, për të bërë gjellët, për të luajtur me letra. Po mendoja krejt papritur, sikur të gjithë ata të papunë në Shqipëri, përfshirë edhe pensionistët, t’u kërkohej kontributi i tyre aty ku nevojitet. Mbase jam e marrë, por kam një bindje që numri i atyre që do të ngriheshin nga divanet e kuzhinës, nga karriget e kafenesë, apo nga stolat e parqeve, do të ishte i habitshëm.

Ne nuk jetojmë kurrë për vete. Nuk jemi programuar të tillë, jetojmë në shoqëri e prandaj njeriu gjithmonë kërkon të jetë i vlefshëm në atë shoqëri ku jeton. Gjithçka varet nga botëkuptimi. Nëse dikush do të fitonte një lotari, ai mbase do të planifikonte që me ato para të blinte një pallat për veten dhe familjen e vet. Dikush tjetër mbase do të ndërtonte një bibliotekë për qytezën e varfër, dhe do ia bënte dhuratë të gjithëve. Meqë jam te biblioteka, edhe unë e kam menduar shpeshherë, sikur të fitoja një lotari, do të shkoja të ndërtoja Universitetin më të madh në Shqipëri, me një bibliotekë si në vendet e tjera, me… Mirëpo, unë lotarinë mbase s’do ta fitoj kurrë, por mbase… Sikur t’i bëhej thirrje gjithë komunitetit shqiptar, kudo në botë, se Shqipërisë i duhet një bibliotekë e arrirë, me kushte të shkëlqyera, ku të gjithë shqiptarët të përfitojnë nga dija, çfarë do të ndodhte vallë?

Xhejms Belushi thotë se është krenar se është shqiptar, sikur ta kontaktonim edhe atë, se mbase edhe ai do të kontribuonte? Kam bindjen se nëse të gjithë shqiptarët e duan Shqipërinë, nuk kanë pse ankohen, ata janë aq me fat, ata kanë aq shumë mundësi për t’u treguar brezave që vijnë sa shumë kanë kontribuar për jetën, sa shumë e kanë dashuruar jetën.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML