SHËNIM I REDAKTORIT - Artur Agolli është sot 34 vjeç, baba i dy fëmijëve. Ka lindur në Suharekë të Kosovës dhe jeton në Francë që prej shtatorit të vitit 1995. Gruaja e tij është franceze, punon si edukatore, ndërsa vetë Arturi punon si magazinier. Kanë qenë një çift i lumtur me një jetë normale, deri në momentin që autoritetet franceze i kanë kërkuar Arturit të largohet. Por Arturi e ka të pamundur të kthehet në Kosovë. Historinë e tij jo fort të zakontë ai e ka treguar edhe në një letër drejtuar autoriteteve franceze, të cilën e ka dërguar edhe për Shekulli-Kontakt.
“...Ngritja e çerdhes familjare këtu në B... (shën.red.: emri është fshirë për arsye sigurie) me një grua franceze si dhe ekzistenca e dy fëmijëve tanë, e bën Francën për mua një atdhe të dytë. Eshtë e vërtetë që kam ardhur këtu si klandestin, por u detyrova nga kushtet dhe rreziku për jetën time. Të njëjtat kushte dhe i njëjti rrezik ma bëjnë të pamundur largimin edhe sot. Pas adoleshencës sime atje, jam gjetur në një mjedis ku kishte nisur një lëvizje për pavarësi. Në Skenderaj, Deçan, Gjakove e në malësitë e Dukagjinit edhe në Suhareke ishte krijuar një bërthamë luftarake e cila organizonte rezistencën ndaj serbeve që qeverisnin në atë kohë. Disa të afërm të mi më aktivizuan edhe mua në aksione dhe në shpërndarjen e trakteve. Në përgjithësi jam tip që nuk më pëlqen anarkia. Me kalimin e kohës, fillova që të distancohem dhe të nxjerr një mijë enjë arsye për të mos qenë pjesë e kësaj. Drejtuesit më caktuan që të dal në ilegalitet të plote. Unë nuk pranova, se kjo gjë ishte në kundërshtim me karakterin tim si dhe me ligjin ekzistues. Ishte një vendim personal, por pavarësisht kësaj, nisën të qarkullonin fjalë se unë u shërbeja serbeve që kishin pushtetin administrativ. Kjo gjë që nuk është aspak e vërtetë, por gjithsesi jeta ime u vu në rrezik.
Një i afërmi im që bënte pjesë në këto struktura deri në ato udhëheqëse dhe që sot është dëshmor i Kosovës, më njoftoi për rrezikun që më priste. Mora vendimin për t’iu larguar vendit tim edhe pse isha në një moshë fare të re. U shkëputa nga familja dhe erdha u vendosa këtu në Francë. Zgjodha Francën, sepse gjithmonë kam respektuar demokracinë e këtij vendi. Në Kosovë kisha mësuar edhe frëngjisht. Nuk e fsheh që kisha frikë se do ekzekutohesha pa të drejtë, si spiun. Ka gjithmonë një dozë patriotizmi kallp i cili i bën të rrezikshëm njerëzit në këto situata. Në Francë, gjykova se nuk ekziston ky lloj rreziku. Zgjodha që të bëj jetën e një ilegali edhe këtu, në mënyrën më të ndershme, me punë dhe sistemim, pikërisht në këtë zonë, e cila është si të thuash ekstremi i Europës. Ndjehem mirë dhe falënderoj nga zemra shtetin tim francez që më mbrojti dhe më mbështeti fuqimisht. Ky është një obligim madhor imi dhe qe do t’ia shpërblej me pune dhe me jetë të ndershme, si një qytetar.
Edhe pse tashmë Kosova ka fituar pavarësinë, kthimi im është pothuajse një aventurë. Aty më konsiderojnë tashmë si dezertor apo si spiun, dhe për këtë, nuk ka falje. Aktualisht, kam frikë nga ndonjë hakmarrje, që mund të ideohet dhe të realizohet edhe këtu. Jetoj pothuajse në një ilegalitet të plotë. Kjo ndjenjë dhe fëmijët e mi janë arsyeja që nuk mundem ta braktis këtë vend...”