Shtune, 30 Gusht 2008 06:51:59

Lexoni versionin Print

Rrëfimi i Ismetit, që vendosi të bëhet katolik

Pas fshatit Kravasari, epidemia e përqafimit të krishterimit i ka prekur edhe disa dhjetëra banorë të fshatit Llapushnik, në komunën e Drenasit. Ata nuk dëshirojnë as ta pranojnë se kanë ndryshuar religjion, sepse veten e konsiderojnë gjithmonë si katolikë "të fjetur".

Marrë nga gazeta e Kosovës, EXPRESS
Merkure, 14 Maj 2008 08:18:00

SHËNIM I REDAKTORIT - Artikulli i mëposhtëm dërguar në Kontakt nga lexues Flamuri nga Kosova, është marrë prej shtypit kosovar, gjegjësisht prej gazetës "Express". Botohet me redaktime të vogla.

 

DRENAS, LLAPUSHNIK - Pas fshatit Kravasari, epidemia e përqafimit të krishterimit i ka prekur edhe disa dhjetëra banorë të fshatit Llapushnik, në komunën e Drenasit. Ata nuk dëshirojnë as ta pranojnë se kanë ndryshuar religjion, sepse veten e konsiderojnë gjithmonë si katolikë "të fjetur".

Thjesht, për disa dekada, ata nuk kanë dashur të bëhen me shenjë prej komunitetit, por, përndryshe, njëri prej të pagëzuarve më 1 maj në Kishën e Zojës së Bekuar, pretendon se gjatë gjithë kohë, - tinëz - kanë thënë urata dhe lutje të krishtera.

Të konvertuarit, (32 gjithsej), gjatë ceremonisë së zhvilluar në Letnicë, i kanë ruajtur emrat myslimanë. Ismet Sopi, njëri prej 32-ve, Letnicën, vendin e konvertimit, e konsideron si shumë të rëndësishëm për historinë e tyre. Ai thotë se edhe të parët e tyre shpeshherë kanë marrë pjesë në lutjet e bëra në këtë Kishë. Sopi konsideron se tash kishte ardhur momenti që të dilet prej ilegalitet religjioz dhe njerëzit duhet t'i bëjnë publike ndjenjat e tyre fetare.

Ngjashëm me këta banorë të Llapushnikut, muaj më parë kishin vepruar edhe banorët e fshatit Kravasari, të komunës së Malishevës. Ata qenë konvertuar dhe madje e kishin ndërtuar edhe një kishë në fshat.

"Duam ta bëjmë publike atë që kemi qenë dhe jemi", - thotë Ismet Sopi për "Express", duke kërkuar që të mos fryhet ky rast për së tepërmi. Sopi tregon se shumica e bashkëfshatarëve që i takojnë besimit mysliman, e kanë ditur edhe më parë që disa familje i takojnë besimit katolik, sado që edhe më tutje, të rikthyerit në besimin e tyre të parë nuk janë shumë të gatshëm që të diskutojnë shumë hapur këtë çështje. Njëri prej banorëve të fshatit, i pyetur nga "Express" nëse kishte dëgjuar që disa bashkëfshatarë janë pagëzuar në kishë, është shprehur me dyshim. "Diçka kam digju, ama, ishalla nuk është e vërtetë...".

Sopi ka thënë për "Express", se njerëzit janë frikësuar të deklarojnë publikisht besimin, për shkak të mentalitetit dhe pasojave që kanë mundur t'i presin. "Ndoshta janë frikësuar prej diskriminimit, si bie fjala, kanë mundur të mos na i japin vajzat për nuse",- tregon Sopi, duke shpresuar se megjithatë te shqiptarët kjo nuk ka qenë problem asnjëherë.

Në rajonin e Drenicës, nuk ka asnjë familje katolike. Sipas Sopit, kjo është edhe një arsye më tepër, që këta banorë nuk kanë guxuar t'i tregojnë bindjet e tyre fetare. Ata madje, thotë ky bashkëbisedues, deri dje, varrimin e të vdekurve e kanë bërë me hoxhë, ndërsa para vdekjes së tyre, të sëmurëve ua kanë kryer ritet sipas traditave të krishtera. Ua kanë bërë kryqin dhe janë lutur për shpirtrat e tyre.

Sopi thotë se numrit 32 shumë shpejt do t'i shtohen edhe banorë të tjerë, sepse më 1 maj u konvertuan vetëm disa anëtarë të familjes Sopi dhe Gashi. "Mundet që brenda një kohe të shkurtër, të bëhen 320 apo 3200. Dikush është me punë në Ulqin, dikush ndoshta akoma e ka frikën e reagimit të të tjerëve",- shton ai. Ismet Sopi për një kohë të gjatë ka qenë i burgosur politik. 14 vjet.

"Tri gëzime i kam pasur në jetë: kur jam liruar nga burgu; kur Kosova e shpalli Pavarësinë dhe kur më 1 Maj kemi deklaruar publikisht bindjet tona fetare dhe jemi regjistruar në Librin e Kishës",- thotë Ismeti.

Një pjesë e familjes Sopi dhe Gashi kanë menduar madje edhe për ndërtimin e një Kishe në fshatin Llapushnik. Një kërkesë të tillë, ata e kanë bërë para tri viteve në Kuvendin komunal të Drenasit. Për këtë kërkesë është e njoftuar edhe Kisha Katolike në Kosovë.

"Besojmë që shumë shpejt do ta kemi një kishë në Llapushnik",- shton Sopi. Shumica e fëmijëve të këtyre familjeve që janë regjistruar në kishë, me vete mbajnë kryqin. Vetëm kur të shkojnë në shkollë e heqin atë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML