Shënim i redaktorit - Autori/a është Anonim. Kjo "Letër" erdhi me email edhe në adresën Kontakt, por është një nga ato që pasohen miqësisht. Është një letër drejtuar të lindurve në fillimvitet '80. Një udhëtim pas në shtegun e kujtimeve…
Qëllimi i kësaj letre është drejtësia që duhet t'i kthehet një brezi. Brezit që na përket ne, të lindurve në fillim të viteve '80 (një vit më shumë, një vit më pak, nuk ka rëndësi). Ne, që shtëpitë e blera nga prindërit tanë i shohim sot të kushtojnë tridhjetë apo dyzet herë më shumë. Tani që ka hyrë në modë financimi nëpërmjet bankave, jemi aq të zgjuar sa ta kuptojmë që kush guxon ta blejë këtë shtëpi do paguajë interesat ndaj bankës, të paktën deri sa ai vetë të jetë bërë gjysh…
Luftën partizane, ne, nuk e kemi bërë, as zbritjen në Hënë nuk e kemi parë, nuk kemi jetuar miqësinë me popullin rus ose kinez, dhe kujtesa jonë historike fillon pak a shumë me Botërorin USA 1994. Duke qenë se nuk kemi bërë ndërtimin e hekurudhave dhe aksionet e zboret shpesh na thonë që s'dimë se çfarë është lodhja…askush nga ne nuk mërzitet se na thonë edhe që nuk kemi ideale, sepse lexojmë shumë më pak libra se prindërit tanë. Gjithsesi e kuptojmë politikën shumë më mirë se prindërit tanë (të paktën ne nuk shkojmë më për të votuar).
Të shumtën e rasteve, Plaku i Vitit te Ri nuk na sillte çfarë dëshironim, por sot e kësaj dite më të mëdhenjtë na përsërisin se ne i kemi pasur të gjitha, edhe pse janë ata më të vegjlit se ne, që me të vërtetë i kanë të gjitha (por atyre asnjeri nuk ju thotë gjë).
Jemi brezi i fundit që luajtëm me peta, me karroca me kushineta, e ka kush e ka, pas-spres dhe në të njëjtën kohë të parët që mësuam të luajmë me Play-station, Nintendo (kush nga ne nuk i ka urryer të paktën një herë mustaqet e Mario Bross.)dhe në të njëjtën kohë të parët që panë kukullat me ngjyra në televizor dhe shkëmbyen makinat "Turbo".
Kemi veshur pantallona të gjëra, të ngushta, kauboj, të grisura dhe të zhubrosura (sepse moda kështu urdhëronte). Tutat e para që kemi veshur ishin blu me vija të bardha, por në rrugë s'para i vishnim, edhe pse ishin të rehatshme, sepse kjo donte të thoshte se ti ishe fshatar.
Etiketa që kemi pasur pas shpine ka qenë ajo e "Brezit të shthurur" dhe për shumë kohë kemi qenë viktima të telenovelave dhe telebingove. Ngushëlloheshim pak duke parë Beverly Hills (atëherë, se po ti shohësh tani vë duart në kokë).
Jemi të parët që i pamë prindërit tanë të fusnin para nëpër firmat piramidale dhe mesa duket jemi po ne që u habitëm (ata e morën me qejf) sesi mund të fitohen kaq shumë lekë pa punuar fare. Për faj të më të mëdhenjve, ata që na përsërisin se ne nuk lexojmë aq sa duhet, përjetuam '97, pamë sesi digjej atdheu jonë dhe mësuam që i trembim kaq shumë popujt e tjerë, sa shpesh herë na lenë të mbytemi në det. Ishim ende të vegjël dhe na përsërisnin se paraja çan kudo, kur na dhanë makinat e para dhe filluam të falsifikojmë patentat.
Të fundit që pushimet e verës i shijonim nga qershori në shtator dhe të parët që e kuptuan se vera e vërtetë është 15 ditët e para të gushtit. Të parët që panë Durrësin e pushtuar nga vëllezërit kosovarë gjatë verës dhe të fundit që i mbajnë mend kabinat prej kompensate në plazhet e Jugut. Të fundit që mbajtëm përparësen në fillore dhe të parët që e kuptuam se veshja e bukur dhe sidomos makina të japin tjetër pamje përpara një vajze.
Po t'i kthejmë sytë prapa, pyesim veten si kemi mbijetuar vallë? Nuk kemi pasur celularë dhe msn. Iknim në shkollë me çanta plot me libra dhe askush nuk na jepte më shumë se një byrek 200 lekësh në drekë. Mjeti jonë i komunikimit ishte telefoni i shtëpisë dhe kur e bllokonim për orë të tëra, të paktën një herë në muaj kishte sherr në shtëpi për faturën telefonike. Ndonjëherë mbyteshim me ëmbëlsira, por nuk ndiheshim mbi peshë dhe as që e kishim idenë se ç'ishte dieta. Më e shumta që mund të ndodhte ishte që dikush të ishte pak topçe, po puna merrte fund atje.
Nga e njëjta shishe pinim 15 veta dhe asnjeri nuk u infektua ndonjëherë. E vetmja gjë që ndodhte, ishte që t'i hidhnim morrat njëri-tjetrit në shkolla e kopshte, por mamatë rregullonin gjithçka me ato krehrat e tmerrshëm. Kur lidheshim me dikë, pak si me turp, ecnim rrugës dorë për dore, ndonjëherë edhe putheshim, edhe pse po t'na shihte ndonjë vëlla ose baba thuhej se do t'na vriste. Po ja që mbetëm gjallë dhe të dashuruar…dikush sot edhe është martuar.
Kemi pasur liri, dështime, suksese dhe përgjegjësi…pak e nga pak edhe ne jemi rritur!
Ti je njëri prej nesh? Urime atëherë! Sot papritur u bëre i madh! Dërgoja bashkëmoshatarëve të tu këtë letër, te gjithë bashkë kënaqemi më shumë.