Premte, 29 Gusht 2008 01:34:44

Lexoni versionin Print

Historia e varkave që krijuan tregtinë në Pogradec

Pogradeci nuk do të kishte kuptim pa liqenin e tij pasi do të ishte si një qytezë pa zemër. Shëtit nëpër rrugë dhe ndjen llokoçitjen e valëve, kërcitjen e peshkut dhe klithjen e pulëbardhave. Fle natën dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk, si një ninullë të bukur hipnotizuese.

Bardhyl Berberi
Merkure, 23 Korrik 2008 08:26:00

 

Varka e parë mbërriti nga Ohri e më pas ustallarët vendas “i vodhën” zanatin fqinjëve për të krijuar mjetet lundruese

POGRADEC- Pogradeci nuk do të kishte kuptim pa liqenin e tij pasi do të ishte si një qytezë pa zemër. Shëtit nëpër rrugë dhe ndjen llokoçitjen e valëve, kërcitjen e peshkut dhe klithjen e pulëbardhave. Fle natën dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk, si një ninullë të bukur hipnotizuese. Por nuk ke si ndan nga ky liqen peshkatarët, varkat e tyre dhe mjetet e peshkimit me të cilat ata kanë jetuar në shekuj duke siguruar të ardhura për familjet e tyre.

Në vitin 1662 kronikani turk Evilha Çelebiu, në librin e tij të shkruar “Udhëtimet” ndër të tjera thotë “Pogradeci një qytet i ëmbël buzë gjolit (liqenit) me katër lagje dhe katër xhami, një medrese dy shkolla fillore një teqe, tre hane një banjë e 600 shtëpi me tjegulla e me kopshte”. Çelebiu thotë se në atë periudhë në Pogradec kishte 150 dyqane dhe në breg të liqenit ishin tabakët që regjeshin lëkurët .Vendasit merreshin me gjuetinë e peshkut me disa gjemi si kore. Peshkimi dhe tregtia ishin mjetet e jetesës së këtyre banorëve.

Peshkatarët e vjetër tregojnë se jo gjithmonë mjetet e lundrimit kanë qenë këto që shihen tani. Inxhinieri Vladimir Peshkatari, djali i Kolo Peshkatarit, një nga mjeshtrit e peshkimit që njihej nga pogradecarët si “Ujku i Liqenit, tregon se gjemia(varka) e parë ka ardhur aty rreth viteve 1919 nga gjyshi i tij Maxhari. Ajo është sjellë nga Ohri dhe ishte rreth tetë metra e gjatë, rreth 2.5 metra e gjerë dhe 1.2 metra e lartë. Atë varkë e punonin katër njerëz, tre lopataxhinj dhe një tjetër që mbante drejtimin. “Xha Kolua më ka treguar se Maxhari solli dhe rrjetat e para të peshkimit nga Ohri. Por sjellja e kësaj varke kaq të madhe dhe funksionale filloi të përdoret përveç peshkimit edhe për transport mallrash në vijën ujore nga Pogradeci në qytetin e Ohrit”,- tregon ai. Ustallarët e Ohrit filluan të prodhojnë gjemi e varka edhe për fqinjët e tyre pogradecarë Këta të fundit iu çonin dërrasa prej gështenje ndërsa ndërtimin e bënin mjeshtërit në Ohër.

Tashmë varkat që prodhoheshin në Ohër, jo vetëm që përdoreshin për peshkim dhe transport mallrash, por dhe shumë pogradecarë shkonin me këto varka të mëdha nëpërmjet liqenit në Ohër dhe Strugë për tregti. Po me këto varka pogradecarët shkonin në manastirin e Shën Naumit në Ohër në Strugë edhe për festa familjare apo fetare. Varkat përdoreshin edhe për piknik në liqen apo festa familjare për argëtime të ndryshme.

Por varka e parë në qytetin e Pogradecit nga vendasit është prodhuar rreth viteve `20. Ka qenë inxhinieri francez Albert Gariku, i cili solli fillimisht projektin dhe mjetet e ndërtimit të varkave. Zbatuesi dhe prodhuesi i parë i varkës në Pogradec është mjeshtri Sotir Shkurti, i cili më vonë këtë zanat ia trashëgoi djalit të tij Koços.

---------------------------------------

Ana e errët e liqenit tregon dhjetëra njerëz të mbytur ndër vite. Historitë e atyre që mbetën në fund të liqenit

Tragjeditë e liqenit të Pogradecit

Ky liqen me bukuritë e tij të pafund prej shumë vitesh numëron shumë tragjedi me varkat në liqen që nga kohët më të lashta kur një princeshë Ilire është mbytur në këtë liqen me një varkë gjatë një shëtitjeje në liqen në afërsi të Shën Naumit (vendi quhet Zaum që do të thotë për mend). Tragjeditë e liqenit me varka kanë vazhduar deri në ditët tona por ato më të bujshmet të cilat mbahen mënd kanë qenë më të mëdha ndonëse kanë kaluar shumë vite ato janë të veshur me një mister dhe shumë prej tyre kanë ngelur me shumë enigma. Adhon Polena është djali i kirurgut Kristaq Polena, i cili ende mban mend historinë e ngjarjes tragjike të xhaxhait të tij Niko Polenës.

“Ka qenë ditë e diel më 30 mars 1930. Me katër makina të vogla janë nisur herët në mëngjes në drejtim të Pogradecit, konsulli grek në Korçë, Joan Lazarou së bashku me bashkëshorten e tij, konsulli serb, doktor Aristidhi ,doktor Nikollaq Polena së bashku me të fejuarën e tij Julia Fundo dhe disa persona të tjerë. Rreth orës 9 e 30 minuta ata mbërritën në Pogradec dhe prej andej u nisën për në manastirin e Shën Naumit. U futën në kishë dhe pasi shëtitën manastirin ujin e bekuar dhe varrin e Shën Naumit duke kryer ritualet fetare dhe afër drekës u ulën për të drekuar por në çast marrin një njoftim nga qyteti i Ohrit se është nisur me një varkë me motor prefekti i Ohrit si dhe një kolonel i ushtrisë”,- tregon Polena. Sipas tij, Nuk vazhdoi as një orë dhe tek manastiri mbërritën nga Ohri, prefekti dhe koloneli i ushtrisë Jugosllave.

Në një nga ambientet e manastirit u shtrua dreka rreth orës 13 dhe nuk zgjati shumë. Disa nga gratë propozuan që të bënin një shëtitje në liqen dhe rreth orës 14 e 30 minuta nëntë persona u vendosën tek kabina e motobarkës. Por vetëm 100 metra larg bregut gjashtë persona bien nga barka. Asnjë prej tyre nuk dinte not dhe situata është bërë tepër kaotike. Përpjekjet e tyre për tu rikthyer në varkë bënë që edhe njerëzit e tjerë të binin prej saj. Nga të gjithë personat që ishin në varkë me not doli vetëm prefekti i Ohrit, i cili sapo doli në breg hoqi rrobat dhe u fut për të shpëtuar konsullin serb të Korçës, i cili doli me anën e një kamerdare emergjence që kishte motor varka.

Ndërkohë që kambanat e manastirit binin pa pushim konsulli serb rifutet në liqen për të shpëtuar gruan e sekretarit të konsullatës por sapo i afrohet asaj edhe ai zhduket nën ujë. Pas 20 minutash iu vjen një barkë nga Shën Naumi por ishte tepër vonë pasi gjithçka kishte mbaruar dhe nëntë persona ishin mbytur. Të mbyturit shqiptarë u nxorën në breg të liqenit dhe u lanë aty ndërsa serbët dhe grekët u vendosën në një nga dhomat e manastirit. Autoritetet jugosllave e fshehën përgjegjësinë e hoqën gjatë natës motobarkën e prishur nga vendngjarja.

Ata ishin katër shokë klase që ishin bërë miq që në gjimnaz dhe tashmë kishin profesione të ndryshme. Mjeku Gjergji Topalli që në fëmijëri kishte pasion gjuetinë e peshkut dhe enkas para pak ditësh kishte ndërtuar një varkë për të gjuajtur peshk. Ai takon paraditen e 27 prillit të vitit 1993 tre shokët e klasës së gjimnazit inxhinierin e ndërtimit Koço Ruvina, doganierin Qazim Zgjani dhe inxhinierin Nuçi Icka. Pasi pinë një kafe Gjergji i fron të gjithë për të parë varkën e tij, të sapo ndërtuar që e kishte ankoruar fare pranë hotel turizmit. Të gjithë vendosën që të futen pasdreke në liqen për gjueti korani më tepër për tu argëtuar.

Por në orët e pasdites kur kanë qenë në drejtim të fshatit Hudënisht, varka ka filluar të fusë ujë dhe me gjithë thirrjet e tyre në drejtim të bregutjanë mbytur në liqen mjeku Gjergji Topalli, Koço Ruvina dhe Qazim Zgjani. Të nesërmen është gjetur mbi bazamentin e varkës të kthyer përmbys Nuçi Icka. Ai ndodhej në mes të liqenit, i traumatizuar dhe i ngrirë por pa asnjë pasojë. Që nga ajo ditë ai nuk ka mundur të tregojë asgjë në lidhje me ngjarjen. Ka dhënë shpjegime në prokurori por me gjithë interesimin e familjarëve të personave të mbytur, ai nuk ka treguar asgjë. Por tragjedia u bë edhe më e rëndë pasi trupat e tyre nuk u gjendën në liqen dhe vetëm pas një muaji bashkia e qytetit organizoi një promemorie duke hedhur tufa lulesh në liqen.

Mister i dy djemve të Linit

Erio Bice, student në ekonomik në Elbasan dhe gjimnazisti Klarent Qyshko, mbytjen e tyre e kanë të veshur vërtet me një mister që i kalon përmasat e një tragjedie. Ai dhe varka e tij me jastëkë anash ajri dhe motorë të fuqishëm dhe konstruksion metalik kishte dhënë prova se nuk mund të mbytej. Në verë të atij viti, Erion Bice ndodhej duke gjuajtur për peshk në liqen së bashku me gjimnazistin Klarent Qyshko por nuk janë kthyer më. Banorët tregojnë se atë natë në liqen kishte të shtëna dhe është mbytur një maqedonas, ai që bënte “tregtinë” e koranit me pogradecarët. Ai sapo mori peshkun në varkën e tij është përplasur nga një dallgë dhe është mbytur. Së bashku me të thuhet se janë mbytur Erion Bice e Klarent Qyshko por edhe pse kanë kaluar tetë vite, prindërit e tyre nuk binden se fëmijët janë mbytur në liqen.

Një kafkë njeriu në rrjetat e peshkatarëve

Në 24 shtator të vitit 2003 disa peshkatarë pogradecarë gjatë mbledhjes së rrjetave të peshkimit në liqen midis peshqve të kapur u gjet edhe një kafkë njeriu, e cila kishte vetëm pak flokë në pjesën e pasme dhe i mungonte nofulla e sipërme e krahut të djathtë. Tek të gjitha familjet që kishin humbur të afërmit në liqen u krijua një ankth i paparë madje një pjesë prej tyre kërkuan me ngulm identifikimin e saj dhe të paktën ai qëkishtenjë shenjë prej të afërmit apo një varr ku të qante. Por policia kriminale nuk mund të identifikojë kafkën me anën e fotove në kompjuter pasi mungonin nofullat dhe ADN-ja nëpërmjet flokëve nuk iu bë pasi kushtonte shumë dhe kështu kafka ngeli në frigoriferët e kriminalistikës në Tiranë. Por përveç personave të mbytur aksidentalisht në liqen ka pasur në vitet 1980 që liqeni ka nxjerrë pjesë trupi të dy personave njëri nga fshati Potgorie, i cili punonte në Pogradec dhe një i ri nga qyteti i Pogradecit që ende nuk janë zbuluar.

Varkat në diktaturë edhe për arratisje nga liqeni

Por varkat në kohën e diktaturës komuniste janë përdorur edhe për arratisje nëpërmjet tyre në shtetin fqinj nëpërmjet liqenit .Kuptohet në vitet e diktaturës varkat ishin jo vetëm në inventar dhe vetëm për ndërmarrjen e peshkimit dhe ruheshin tek moli i qytetit nga policia. Por në 3 korrik të vitit 1975, ishin16 persona të familjes Fezollari që i bënë një sfidë diktaturës komuniste pikërisht në atë kohë ishte me pushime Enver Hoxha në këtë qytet. Ata u arratisën me një varkë primitive nëpërmjet liqenit dhe sot varka ndodhet në muzeun e Shkupit dhe ruhet aty si relike e veçantë që ka është realizuar një nga arratisjet më të mëdha me varkë primitive që u kalua liqeni nga që nga dy fëmijë të vegjël gjashtë muajsh dhe tre vjeç deri tek një plakë e moshuar, nënë Kushja dhe djemtë e saj me nuset dhe fëmijët e tyre. Sot numrii varkave ka arritur shifra marramendëse. Vetëm në qytetin e Pogradecit janë mbi 400 varka dhe po kaq edhe në fshatin Hudënisht dhe Lin të cilat përdoren për gjuetinë e peshkut. Sot liqeni shfrytëzohet barbarisht dhe pa kriter duke dëmtuar rëndë peshkun duke e gjuajtur edhe në kohën e shumimit.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

PERDORIMI
Për motive sigurie është shtuar edhe imazhi i konfirmimit të komentit. Duhet që në kutinë përkatëse të shkruani imazhin që shikoni poshtë saj, nëse një gjë e tillë nuk bëhet komenti nuk do të shtohet. Gjithashtu nga redaksia komentet më të mira botohen ne gazetë. Faleminderit për mirëkuptimin
Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Template Page


Kosova si shembull për njohjen e Osetisë Jugore dhe Abkazisë?

Presidenti rus Medvedev i referohet Kosovës për të justifikuar

Gruevski përsërit idenë e referendumit

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka përsëritur qëndrimin e

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML