Në rreth 7 kilometër bregdet nga Golemi e deri në fshatin Karpen të Kavajës, deti ka përparuar rreth 300 metër në drejtim të tokës. Është dëmtuar dukshëm rëra e kësaj zone bregdetare. Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme, duke vendosur barriera dhe mbushur zonën me rërë të re
Kur mediat italiane dhe britanike bëjnë me dije një marrëveshje të mundshme mes Italisë dhe Shqipërisë, për marrjen e rërës nga vendi ynë, e cila mendohet se do të mbushë brigjet e Leçes, banorët e brigjeve shqiptare thërrasin “SOS” për zonat e dëmtuara dhe nevojën e mbushjes së tyre me rërë. Rreth 7 kilometër bregdet shqiptar, duke nisur nga Golemi e duke përfunduar në Karpen të Kavajës është dëmtuar nga përparimi i detit drejt tokës. Futja e Detit Adriatik rreth 300 metër në drejtim të tokës shqiptare ka dëmtuar rërën e plazheve por njëkohësisht rrezikon çdo ditë e më shumë jetën e banorëve që jetojnë fare pranë tij.
***
Në Qerret-Stan i Ri, të Komunës së Golemit, shkojmë me topografin e Komunës së Golemit, Nazim Kërçuku, njëkohësisht banor i fshatit. Pas 10 minutash me makinë nga rruga kryesore Golem-Kavajë (qyteti) nëpërmjet një rruge të shtruar me asfalt deri në gjysmë, mund të dalësh në breg të Detit Adriatik. Fare qartë mund të shohësh se sa ka përparuar deti. Rëra e shkrifët e plazhit, që dikur ishte i vizitueshëm, duket si e ngrënë prej një fuqie më të madhe: detit. Nazimi na thotë se deti ka bërë kërdinë në këto anë. “Ku më shumë e ku më pak, por gati 300 metër është futur këtej”,- thotë topografi. Por topografi Kërçuku shton se ky fenomen ka ndodhur për rreth 7 kilometër bregdet. “Ky është një fenomen natyror, por ama ka prishur rërën e 7 kilometrave a më shumë në bregdet”,- thekson 55-vjeçari.
Dhe në fakt, deti ka krijuar cepa, ku ka rrëmbyer rërën e ku vazhdon të rrëmbejë. Edhe pse ndonjë banor fare afër tij është munduar të ngrejë prita të thjeshta, ku thasët e bardhë me rërë janë vendosur njëri pas tjetrit, sërish asgjë nuk është penguar. Madje edhe pallatet e ndërtuar rishtas në këtë zonë ndodhen thuajse 15 metra larg dallgëve të detit. “Duhet menjëherë të vihen prita me studim që të thyhen dallgët dhe të riparohet e gjithë rëra e marrë. Këtu dikur ishte një plazh i qetë dhe që shumë njerëz e pëlqenin, por tashmë askush nuk vjen”,- jep alarmin e tij topografi Kërçuku.
BUNKERËT TREGOJNË
Bunkerët, “dëshmitarët” e asaj që ka ndodhur, shfaqin hapur gjithçka. Brezi i parë i tyre, ndodhet rreth 300 metër në det dhe ndonjë prej tyre duket me sy të lirë. Por pas brezit të parë të bunkerëve, relike të ish-regjimit komunist, në ujin e kripur kanë hyrë edhe bunkerët që vijnë pas tyre. Nga një llogaritje e thjeshtë, topografi Kërçuku thotë se deti i ka marrë tokës 300 metër ranishte. “Bunkerët, para 40-50 vjetësh, janë ndërtuar 100 metër nga deti dhe pas brezit të parë, po 100 metër larg është ndërtuar brezi i dytë i tyre. Ju e shikoni që brezi i dytë i bunkerëve ndodhet në det 70 metër a më shumë”,- tregon me detaje topografi. Sipas tij, tashmë ka mbetur shumë pak plazh i pajisur me rërën e shkrifët të Adriatikut. “E shikoni sa afër është kjo toka e gjelbëruar këtu? Dhe sa afër ka për të qenë kur të kalojnë edhe ca vjet të tjerë”,- vazhdon topografi. Thënë nga ai do të ishte më mirë që të gjithë këto bunkerë, të çmontoheshin dhe të përdoreshin si pritë me beton, të cilat do të ishin shumë të vlefshme. “Duhet të mendojmë për prita të forta me beton dhe pasurimin e këtij bregdeti që ka mbetur me rërë të re, para se të jetë vonë. Këtu afër jetojnë shumë banorë, të cilët çdo ditë e më shumë po ndjehen të rrezikuar”,- përfundon topografi Kërçuku.
DETI PO U AFROHET SHTËPIVE
Banorët e 500 shtëpive në fshatin Qerret-Stan i Ri, ku disa ndodhen shumë afër detit, ndjehen të rrezikuar. “Deti po përparon shumë drejt nesh dhe ne jemi në merak për këtë gjë. Rëra është ngrënë nga deti dhe këtu duhet vënë dorë nga dikush që merret me këtë punë”,- thotë për gazetën “Shekulli” një nga banorët e zonës, Sadri Krasniqi. Treguar nga ai, edhe ajo pak rërë që ka mbetur, nuk është aq e mirë sa më parë. “Rëra e paktë ka edhe papastërtitë që deti sjell dhe kjo ua vështirëson plazhin pushuesve. Edhe ne si banorë të zonës, bëjmë më pak plazh se më parë”,- vazhdon të thotë 70-vjeçari. Ndërkohë që ai shton se kjo punë duhet marrë seriozisht, nga ata që merren me këtë gjë. “Shteti duket se mendon vetëm për veten e vet dhe e ka lënë vendin në mëshirë të fatit”,- përfundon Krasniqi.
Ndërsa Skënder Kërçuku, 62-vjeçari që banon po në të njëjtën zonë, thotë se deti ka hyrë shumë e ka marrë çdo gjë që ka gjetur para, por askush nuk mund të bëjë asgjë. “Kanë kaluar shumë vite e tani, deti nuk mund të mbahet më. Pritat duhet të ishin bërë që para 20 vjetësh dhe jo tani”,- shprehet 62-vjeçari. Sipas tij, tashmë është vonë për të mbrojtur edhe atë pak plazh që ka mbetur. “Por ajo që po mendojmë tani është rreziku që mund të kemi ne si banorë, sepse disa prej nesh janë shumë-shumë afër”,- thekson Skënderi.
Shqipëria, tashmë me sipërfaqe më të vogël
Po të zbresësh sipërfaqen që deti ka marrë, të paktën në 7 kilometra bregdet, rezulton që sipërfaqja e vendit tonë nuk është më 28 mijë kilometra katrorë. 1,5 deri në 2 kilometra katrorë më pak mbetet të jetë vendi ynë, të paktën duke zbritur sipërfaqen e humbur nga Golemi në Karpen. Sigurisht që mbeten për t’u verifikuar edhe pjesë të tjera të bregdetit, të cilat në shumë raste, ashtu si kjo zonë, mbajnë në ujë bunkerë-sinjalizuesit kryesorë të fenomenit. Specialistët duhet të verifikojnë gjithashtu nëse në zona të ndryshme bregdetare, toka mund të ketë fituar ose jo përparësi ndaj detit.
Përparimi i detit, fenomen natyror
Fenomeni i përparimit të detit është një fenomen i njohur, sipas koncepteve të gjeografisë. Çdo vit, deti mund të marrë 1 deri në 3 centimetër nga rëra që ndodhet në brigje. Kështu, në gati 80 vjet, në vendin tonë deti ka fituar rreth 300 metër nga rëra. Por ajo që mbetet për t’u bërë në kësi rastesh, është kontrolli dhe kujdesi që duhet të tregohet nga specialistët që trajtojnë dhe mbajnë përgjegjësi për pasojat e këtij fenomeni. Vetëm specialistë të kualifikuar mund të kontrollojnë dhe të llogarisin me saktësi se sa mund të përparojë deti në vitet që do të vijnë, por njëkohësisht edhe se si mund të mbahet nën kontroll kjo gjendje.
Çdo ditë e më pak pushues
Mungesa e rërës dhe tepria e papastërtive në këtë zonë ka ndikuar edhe tek ulja e numrit të pushuesve që dikur kanë vizituar plazhin. Tashmë banorët numërojnë shumë pak prej tyre. Edhe ndonjë bar-kafene që është ndërtuar në breg, duket se nuk ka shumë punë për të bërë. Ndërkohë që pallatet e sapondërtuara ende nuk kanë nisur të popullohen nga banorët. Por, ajo që kanë mundur të bëjnë banorët e fshatit Qerret-Stan i Ri nëpërmjet pritave të thjeshta, nuk ka mundur të ndalojë përparimin e detit drejt ranishtës shqiptare. Tashmë lind nevoja jo vetëm e pritave të reja por njëkohësisht e riparimit të plazhit nëpërmjet prurjes së rërës nga të tjera zona, të cilat mund të kenë me tepri.
Sadri Krasniqi
“Deti ka hyrë shumë”
“Deti po përparon shumë drejt nesh dhe ne jemi në merak për këtë gjë. Rëra është ngrënë nga deti dhe këtu duhet vënë dorë nga dikush që merret me këtë punë. Rëra e paktë ka edhe papastërtitë që deti sjell dhe kjo ua vështirëson pushuesve plazhin. Edhe ne si banorë të zonës, bëjmë më pak plazh se më parë. Shteti duket se mendon vetëm për veten e vet dhe e ka lënë vendin në mëshirë të fatit”.
Skënder Kërçuku
“Duhet mbushur plazhi me rërë”
“Kanë kaluar shumë vite e tani, deti nuk mund të mbahet më. Pritat duhet të ishin bërë që para 20 vjetësh dhe jo tani. Është vonë për të mbrojtur edhe atë pak plazh që ka mbetur. Por ajo që po mendojmë tani është rreziku që mund të kemi ne si banorë, sepse disa prej nesh janë shumë-shumë afër”.
Shefi i Urbanistikës, Astrit Berati
“Është ndaluar Master-Plani”
Shefi i Urbanistikës në Komunën e Golemit, Astrit Berati shprehet për gazetën “Shekulli” se për shkak të këtij fenomeni natyror Master-Plani i zonës së Golemit është pezulluar. “Deti ka hyrë shumë dhe ka ndryshuar tërësisht hartat ekzistuese. Kjo gjë kërkon harta të reja, që ne të vazhdojmë me studimin e zonës”,- thotë shefi i Urbanistikës në Komunën e Golemit. Problematike, sipas tij, mbeten 7 kilometrat më në jug të plazheve që administron kjo komunë. “Në 7 kilometër, deti ka hyrë diku më shumë e diku më pak, madje aty ka rrezik edhe për disa shtëpi të zonës”,- thekson specialisti i komunës. Ai shton se duhen marrë menjëherë masa për të rregulluar situatën e krijuar. “Duhen vendosur menjëherë prita me gurë, me qëllim që të ndalohen dallgët”,- shprehet Berati. Thënë nga ai, ndalimi i një Plani të madh për sistemimin e të gjithë zonës, ka krijuar jo pak probleme. “Ne kemi vënë në dijeni specialistë të Institutit të Gjeologjisë në lidhje me të gjithë situatën e krijuar, dhe presim ndërhyrjen e tyre. Por me sa duket, shkrirja e instituteve ka ndikuar në vonesën e një përgjigjeje. Tani presim ndërhyrjen e qeverisë”,- përfundon specialisti i Urbanistikës në Komunën e Golemit.