Kryeqyteti në një burim! 30 minuta, udhëtim për në fshatin Lanabregas, në guvën që shuan etjen e tiranasve. Radhë të gjata kilometrike, që mbyllen netëve vonë.
Burra, gra, fëmijë që shkëmbejnë zorrën e ujit me njëri-tjetrin, në pritje për të furnizuar familjet me lëngun jetik. Gjithçka vetëm 10 kilometra larg metropolit, në maloren e Dajtit të quajtur Gurore.
Dhjetë kilometra për të lagur fytin. Kaq është distanca që kryeqytetasit duhet të përshkruajnë për të mbërritur në burimet e pasura ujore të Lanabregasit, fshatit të vogël, në këmbët e malit të Dajtit. Mbajnë radhë, sikur të jetë dita e fundit e ujit në Tokë. Ca me 20 bidonë 5 kilësh, ca me 50 e kusur, ata vijnë pothuajse nga të gjitha lagjet e Tiranës. Fundjava në kthesën e frikshme të Lanabregasit, pak mbi Gurore, ngjan me pelegrinazhet. Me dhjetëra njerëz parkojnë makinat buzës rrugës. Burra, gra, fëmijë, rreshtohen në muranën që ndan rrugën nga humnera, për të pritur radhën e ujit. Vetëm se pelegrinazhi i tyre, nuk është si ai në Mekë, apo në kishën e Shna Ndoit, në Laç, por kalvar mundimi, për të siguruar ujin e pijshëm që mungon në rubineta. Gjindjen që i ngjitet malores së fortë të Dajtit nuk e ndal dot as rritja e tejskajshme e naftës. Për t’u ngjitur deri në Lanabregas, duhen ca shpenzime të mira. Po kjo pak rëndësi ka. Uji është jetik për çdo frymë. Vera sa vjen e po bëhet edhe më e nxehtë. Njerëzit janë ngopur me fjalë dhe premtime boshe.
Zijai, burrë te të 50-at, më thotë se uji në banesën e tij nuk është i mirë. Ai ka gati 2 vite që vjen për të mbushur ujë në Lanabregas. Për fat, ka makinë, pasi në të kundërt, thotë se do të duhej ta blinte në dyqan. Me vete merr gjithmonë djalin e vogël. Malorja për në Lanabregas, për babë e bir, është kthyer si rruga që i çon për në shtëpi. Aq shumë herë e kanë rrahur kohët e fundit. “Shtëpinë e kam te “21 Dhjetori”. Ujë herë kam, herë nuk kam. Por edhe kur ka, nuk është i mirë. Ka një aromë që të ligështon fytin. Më shumë e përdorim për të larë rrobat, sesa për konsum vetjak”,- rrëfen Zijai, pa i shkëputur sytë nga zorra jeshile në grykën e bidonit 50 kilësh. Tani, Zijai çoç i ka rralluar vajtje-ardhjet në burim. Nafta është ngritur sërish. Nëse më parë vinte çdo tre ditë në burim, tani e bën këtë rrugëtim vetëm për fundjavat. “Tani, ardhja në Lanabregas na është kthyer edhe si sport. Mërzitemi në shtëpi; nuk kemi ku të shkojmë dhe vetëm kur marrim makinën për të shkuar në Dajt”,- qesh Zijai.
Ca të tjerëve u ka ardhur shpirti në majë të hundës, aq sa as nuk duan të bisedojnë fare për këtë punë. Si për të të hequr qafe, thonë se kanë ardhur për qejf, paçka se edhe vetë e dinë se nuk është ndonjë gëzim i madh të mbash ujë mbi supe, si të parët tanë qëmoti. “Aman ore çun, kot që merresh me këtë punë? Ja shkruajte ti, çfarë do ndryshojë? Po njësoj do jetë. Unë do iki në shtëpi. Ujë nuk do ketë prapë, ose edhe po pati, nuk pihet dhe me kaq mbaron filmi”,- na thotë një syresh që as ka ndërmend të ngrijë kurrizin dhe të të shohë. Familjarët që nuk kanë mundësi të kenë makinë personale, e kanë zgjidhur punën ndryshe. Për të mos blerë ujë në dyqan, ata porosisin komshiun për të mbushur ujë në Guroren e Lanabregasit. Një rrugë e dy punë. Ndryshe nuk i dilet. Afrimi përfaqëson lagjen “Porcelan” në radhën e ujit në Lanabregas. Për të shmangur disi pritjen e gjatë, i riu ka gjetur si rrugë më të shkurtër për të mbushur ujë, një lokal aty pranë. “Vijmë këtu se uji në pallatin ku unë banoj është i pakonsumueshëm.
Depozita kryesore që furnizon pallatin, ka kohë që nuk pastrohet, kështu që detyrimisht uji është i ndotur. Edhe kur vjen uji, familjarët janë në gjumë, kështu që nuk na ngelet gjë tjetër, vetëm se të marrim rrugën për të mbushur ujë në Lanabregas”. Afrimi ka ngarkuar të gjithë bagazhin e makinës së tij tip “Benz” me bidona. Është uji që familja e tij do konsumojë përgjatë gjithë javës, para se kryefamiljari të marrë rrugën sërish për të ngjitur maloren e Lanabregasit. Me këtë rast, ai bën një shërbim të vogël edhe komshinjve, apo të njohurve të tij. “Në Lanabregas, vij njëherë në dy javë. Përgjithësisht zgjedh ditët e javës, pasi ka më pak fluks. Uji këtu është shumë i mirë. As që nuk krahasohet me atë që vjen në rubinetet e shtëpive tona”,- thotë Afrimi, ndërsa bidonët në radhë nuk kanë të mbarur. Ai do të kthehet sërish në burim. Uji është kthyer në avaz të vjetër për tiranasit, aq më shumë tani që është verë. Në fund të fundit, nuk kanë çfarë të bëjnë; pa ujë nuk rrihet, kështu duan apo jo, përsëri burimi i Lanabregasit do jetë shpëtimi i tyre i vetëm, derisa problemi të shkojë drejt zgjidhjes.