Premte, 22 Gusht 2008 00:53:31
    

Lexoni versionin Print

Fenomeni, 8-vjeçarja që pikturon dhimbjen në muret e spitalit

Di të hedhë në tablo, çdo detaj interesat që i bën përshtypje në jetën e saj. Mendimet i qëndis aq bukur mbi fletën e bardhë, me bojërat që i kanë blerë vetë mjekët e Pediatrisë në QSUT. Madje, këta të fundit, janë habitur kur muret e dhomës së saj në spital janë gjendur të pikturuara me figura që flasin për dhimbjet e jetës së saj.

Eglantina Bardhi
Marte, 10 Qershor 2008 08:30:00

 

Pacientja 8-vjeçare në Pediatri, pikturon në muret e dhomës detaje nga jeta e saj. Mjekët: Na ka habitur, është fenomen

 

Di të hedhë në tablo, çdo detaj interesat që i bën përshtypje në jetën e saj. Mendimet i qëndis aq bukur mbi fletën e bardhë, me bojërat që i kanë blerë vetë mjekët e Pediatrisë në QSUT. Madje, këta të fundit, janë habitur kur muret e dhomës së saj në spital janë gjendur të pikturuara me figura që flasin për dhimbjet e jetës së saj. Kjo është 8-vjeçarja Indisa Sheqi, nga Shkodra, e cila është e shtuar në Pediatri së bashku me vëllanë e saj pasi vuan nga një sëmundje e rëndë. Të gjithë e kanë pagëzuar me emrin Gjeniu i Pediatrisë pasi Indisa ka vullnet jo vetëm të pikturojë, por të mbledhë të gjithë pacientët e vegjël rreth vetes dhe t’i mësojë ata të pikturojnë. Mjekët pohojnë se ajo është një ndër fëmijët me aftësi të rralla që është shtuar në spital. Sa i takon sëmundjes nga e cila vuan ajo dhe i vëllai, mjekët pohojnë se nuk duan ta bëjnë publike por premtojnë se me mjekimin dhe ndihëm e specializuar që po u jepet, do të shërohen shpejt. Ndërsa nëna e saj, Afeida pohon se ka mbaruar Akademinë e Arteve për Pikturë dhe se është e papunë, duke siguruar mbijetesën me shitjen e pikturave.

Gjeniu

Fytyra e saj engjëllore mund t’i bëjë përshtypje çdo njeriu që e shikon, por ajo që ka habitur më shumë njerëzit që e rrethojnë, është talenti i saj. “Çdo ditë që futesha te dhoma e saj, shikoja ndonjë pikturë që as dora e një të rrituri nuk e realizon dot. Ajo që më habit më shumë, është fakti se pikturat e saj shprehin një kuptim që bashkëmoshatarët e saj e kanë të vështirë ta interpretojnë”,- thotë mjekja e cila po ndjek kurimin e Indisës. Ndërkohë ajo pohon se Indisa nuk është mjaftuar me fletët e bardha për të pikturuar por ka preferuar që mendimet e saj t’i hedhë edhe mbi muret e spitalit, të cilin duket që nuk e ka fort për zemër. “Ky pëllumbi këtu te muri, tregon se do të jetë i lirë. Në fakt, këtu mjekët janë shumë të mirë, por unë nuk dua të bëj gjilpëra çdo ditë, ndaj dua të dal nga spitali e në njëfarë mënyre, pëllumbi jam vetë unë”,- thotë Indisa. Madje 8-vjeçarja tregon se vetëm mjekët i kanë dhuruar bojëra për të pikturuar, por ata nuk kanë harruar t’i blejnë as fletore, pasi muret e dhomës së saj pothuajse janë mbushur me piktura. “Në fakt, jemi habitur të gjithë me talentin e vogëlushes, ndaj dhe bluzat e bardha e kanë shumë për zemër”,- pohon zonja infermiere në Pediatri duke shtuar se Indisa është një fëmijë shumë i mbarë dhe i kuptueshëm. Ajo nuk përton aspak të merret edhe me vëllanë e saj, që është 1 vjeç e gjysmë, i cili di të mbajë penelin shumë mirë në dorë. Ndoshta kjo tregon se edhe ai do të ketë aftësisë e nënës dhe të motrës së tij.

Indisa: Do shes pikturat, që të ndihmoj nënën

“Mendoj të shes edhe unë piktura si nëna. Ndoshta nuk vlejnë shumë por do të jetë një ndihmë për të, se ajo lodhet shumë për ne”. Këto janë fjalët e 8-të vjeçare, ku duket se varfëria e ka rritur përpara kohe. Kështu, sëmundja nuk është e vetmja që po e mundon Indisën e vogël. Në fakt, është edhe varfëria që është bërë pjesë e jetës së saj dhe po i shkakton dhimbje gjithnjë e më shumë. Ajo është në gjendje të kuptojë dhimbjet e nënës së saj që përveçse dashurisë prindërore, nuk mund t’u falë asgjë më shumë fëmijëve të saj, pasi jeton vetëm me pikturat që shet. “Kam mbaruar Akademinë e Arteve për Pikturë në vitin 1997 dhe jam ende pa punë. Jetoj me pikturat që shes dhe mundohem që t’u siguroj fëmijëve një jetë sa më normale, por duket që qenka tepër e vështirë”,- pohon Afeida, nëna e Indisës. Vogëlushja e kupton shumë mirë gjendjen e saj ekonomike ndaj ajo, jo vetëm që nuk bëhet kapriçioze për të kërkuar si bashkëmoshataret e saj kukulla barbi dhe plot gjëra të tjera, por ajo është e gatshme për të ndihmuar nënë e saj. “Nuk kam pse kërkoj shumë, se nëna nuk ka. Kënaqem edhe me bojërat që më blejnë, se me to vizatoj çfarë të dua”,- thotë vogëlushja, e cila duket se mjaftohet me mendimet e saj që hedh mbi letër.

Indisa pikturon fytyrat e pacientëve të vegjël

I mbledh të gjithë shokët e saj rreth vetes dhe mundohet t’u mësojë atyre se si pikturohet. Sigurisht që nuk mund të jenë aq të zotë sa Indisa, por të paktën ajo i ndihmon ata. “I pamë rreth tavolinës në fund të korridorit, me Indisën që u rrinte mbi kokë duke u treguar se si pikturohet. Fëmijët dukeshin të kënaqur pasi nuk u ndodh të mblidhen të gjithë. Indisa ishte argëtim për ta”,- kështu thotë zonja infermiere në Pediatri. Ndërkohë fëmijët e tjerë tregojnë se u pëlqen shumë të rrinë me Indisën, pasi ajo u pikturon fytyrat sikur të ishin të vërteta. “Indisa më pikturoi shumë bukur. Të gjithë i lutemi të na pikturojë”,-thotë Lensi, njëri nga pacientët e spitalit ku është e shtruar edhe Indisa.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

PERDORIMI
Për motive sigurie është shtuar edhe imazhi i konfirmimit të komentit. Duhet që në kutinë përkatëse të shkruani imazhin që shikoni poshtë saj, nëse një gjë e tillë nuk bëhet komenti nuk do të shtohet. Gjithashtu nga redaksia komentet më të mira botohen ne gazetë. Faleminderit për mirëkuptimin
Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML