Qindra banorë kanë kërkuar nga qeveria që të mos nxirren jashtë banesave më datë një qershor. Policia tenton t’i ndalojë
DURRËS- Banorët e Gërdecit, të cilët janë strehuar në mjediset e kovaleshencës në Durrës, kanë protestuar dje për vendimin më të fundit të qeverisë që i detyron të largohen prej andej pas dy ditësh. Por policia ka tentuar që të shuajë menjëherë protestën duke ndaluar zhvillimin e saj në mjediset e brendshme të kovaleshencës. Pas një konfrontimi të shkurtër me policinë, protestuesit kanë arritur të dalin në hyrjen e repartit, aty ku ndodheshin edhe përfaqësues të Lëvizjes Mjaft e shoqërisë civile, që kishin udhëtuar nga Tirana për të mbështetur protestën.
***
Nën thirrjet “Ne jemi këtu”, banorët e strehuar tek kovaleshenca janë hedhur në një protestë masive. Protestuesit kanë lënë hotelet dhe kanë vërshuar në drejtim të portës për tu bashkuar me mbështetësit e tyre që kishin shkuar nga Tirana. Nën gardhin policor, dhjetëra fëmijë, gra dhe burra i kanë kërkuar qeverisë dhe kryeministrit Berisha që të mos luaje me jetën dhe fatin e tyre. Protestuesit pasi nuk janë lejuar të protestojnë në ambientet e brendshme kanë dalë jashtë rrethimit për të bllokuar rrugën, por janë ndalur nga policia, e cila nuk ka lejuar krijimin e kaosit në rrugë. Ata e kanë cilësuar vendimin e qeverisë si një goditje e dytë pas shpërthimit të Gërdecit. “Fondi i qeverisë për dëmshpërblimet është i pamjaftueshëm. Tani po na nxjerrin edhe nga banesat”,- thanë disa prej banorëve. Ata shtuan se do ta vazhdojnë protestën e tyre çdo ditë madje kërcënojnë se do të hyjnë në grevë urie. Aktualisht në kovaleshencën Durrësit strehohen 370 banorë, të cilët rrezikojnë të flaken në rrugë këtë fundjavë.
***
Protesta e djeshme u mbështet edhe nga Lëvizja Mjaft, aktivistë të së cilës u kanë qëndruar pranë këtyre banorëve. Përfaqësuesit e Mjaftit pohuan se pjesëmarrës në këtë protestë kanë qenë shumë fëmijë, të cilët kanë frikë të shkojnë në Gërdec. “Duam shkolla! Kemi frikë të shkojmë në Gërdec! Kemi edhe ne të drejta”, janë disa nga thirrjet e dhjetëra fëmijëve që kanë humbur shtëpitë në Gërdec, e disa prej tyre edhe të afërmit më të dashur. “Ky akt i turpshëm nuk është regjistruar as në një vend demokratik, madje as në diktaturë. Ky është një turp që vetëm këta psikopatë të paskrupullt mund ta shpikin”,- thanë aktivistët e Mjaftit. Sipas tyre, vendimi i qeverisë është i papranueshëm, absurd dhe kriminal.