Kryeministri Berisha e premtoi në gusht si një vizitë të afërt
Ambasada gjermane: "Takimi Merkel-Berisha, jemi duke konsideruar mundësi të ndryshme"
Një kancelar gjerman sërish në Tiranë? Kryeministri Berisha kishte premtuar "së shpejti", në fund të gushtit 2007-të, pra ndoshta për punë muajsh. Një "së shpejti" e dyshimtë, kur agjenda e kancelares gjermane është e zënë deri në mes të nëntorit dhe nuk dihet ende nëse zyrtarisht Tirana do të hyjë në agjendën zyrtare të kancelares gjermane.
Më 30 korrik 2007-të zyra e shtypit e qeverisë shqiptare njoftonte me gëzim se Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shpreh dëshirën e saj për të vizituar Shqipërinë. Sipas saj, zonja Merkel gjatë takimit me Berishën i premtoi një vizitë në Shqipëri, pas takimit të kryeministrave të Evropës Juglindore, në Salcburg, me ftesë të kancelarit austriak Alfred Gusenbauer, kryeministrat ndoqën premierën e operës "Armida", të kompozitorit Haydn. Në premierë ishte e ftuar edhe kancelarja gjermane, Anxhela Merkel.
Një muaj më pas Berisha premtoi me gojën e tij se "Kancelarja gjermane, Angela Merkel së shpejti do të vijë në Shqipëri". Lajmi publikohej më 22 gusht 2007-të, në qytetin e Pogradecit. Kryeministri Berisha duke folur në krah të ambasadorit të ri gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, e vlerësoi vizitën e saj si një ngjarje të rëndësishme në rritjen e nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Kreu i qeverisë së Tiranës e publikoi ardhjen e Merkelit në Tiranë gjatë inaugurimit të projektit të fazës së fundit të projektit të financuar nga GTZ-ja për pastrimin e liqenit të Pogradecit. Ardhja e zonjës Angela Merkel do të ishte vizita e dytë e një kancelari gjerman në Tiranë, pas vizitës që ish-kancelari Gerhard Shrëder bëri në Tiranë tre vite më parë.
Por nëse ky i fundit erdhi pas sinjaleve pozitive dhe inkurajuese që qeveria e Tiranës i dha bizneseve të fuqishme gjermane për investuar në Tiranë, mosardhja e kancelares Merkel, apo shtyrja e vizitës për një kohë të pacaktuar, mund të lidhet shumë qartë me disa vendime që kanë zhgënjyer biznesin gjerman, lidhur me shpresat për të hyrë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare.
Ish-kancelari Shrëder e rriti mbështetjen e qeverisë së tij për qeverinë shqiptare, pasi gjermanëve iu besua ndërtimi i të vetmit aeroport ndërkombëtar të vendit, "Nënë Tereza" në Rinas, një koncesion 20-vjeçar i cili përbëhet në shumicë nga dy firma të njohura gjermane për ndërtimin e aeroporteve.
Angela Merkel, mund ta refuzojë ftesën e katërt radhazi të kryeministrit të Shqipërisë për të vizituar "vendin e shqiponjave", sepse Tirana zyrtare po i jep shumë pak hapësirë bizneseve të superfuqisë ekonomike të BE-së, një vendi që për shumë vite është një donator i rëndësishëm i zhvillimit të Shqipërisë, duke synuar pikësëpari përmirësimin e cilësisë së jetës së shqiptare, me projekte në dukje të parëndësishme, si ujësjellës, impiante pastrimi.
Pak ditë më parë gazeta "Shekulli" kërkoi sqarime nga ambasada gjermane në Tiranë për vizitën e premtuar të kancelares gjermane në Tiranë, si dhe nivelin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Nisur nga axhenda e ngjeshur e ambasadorit Bernd Borchardt, ambasada kërkoi disa ditë kohë. Përgjigja e zëdhënëses së ambasadës, Irene Eidemüller, ishte se nuk ka një kohë të caktuar për vizitën e kancelares në Tiranë. "Ne jemi duke konsideruar mundësi të ndryshme, kur mund të zhvillohet takimi, për të cilin është folur ndërmjet Kancelares gjermane Merkel dhe kryeministrit Berisha", u shpreh zëdhënësja e ambasadës.
Agjenda qeveritare sipas faqes personale të kancelares
Agjenda e Angela Merkel thotë se kancelarja është e zënë me aktivitete brenda dhe jashtë vendit të paktën deri në mes të nëntorit 2007. Sipas faqes personale "on-line" të kancelares gjermane (www.angela-merkel.de), kryetarja e qeverisë federale sot do të vijojë takimin e nisur dje me presidentin rus, Putin. Pastaj do të marrë pjesë në takime brenda vendit, ndërsa më 29 tetor do të nisë turrin në Indi, deri më 1 nëntor. Pas pesë ditësh një vizitë tjetër e rëndësishme në SHBA, nga data 7 deri më 10, ku do të jetë e ftuar në fermën e presidentit Bush në Teksas.
Kalendari
14-15 tetor takimi me presidentin rus në Vizbaden (Gjermani).
22 tetor pjesëmarrje në takimin politik të CDU-së në Berlin
26 tetor pjesëmarrje në konferencën "Gjermania, Evropa dhe Azia" në Berlin
27 tetor pjesëmarrje në Unionin e grave gjermane
29 tetor-1 nëntor, vizitë zyrtare në Indi
6 nëntor pjesëmarrje në ndarjen e çmimit Leo-Baeck 2007-të në Berlin
7-10 nëntor takim në fermën e presidentit Bush në Krauford (Teksas).
Ndihma
Gjermania, donator i dytë më i madh i Shqipërisë
**Gjermania është donatori i dytë më i madh në nivel dypalësh në kuadër të ndihmës për zhvillim, veçanërisht në sektorët me rëndësi qendrore të furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, dhe të mbështetjes në ndërtimin e demokracisë, si dhe kanalizimeve.
Pikë kyçe e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe vazhdon të jetë bashkëpunimi për zhvillim. Në nivel bilateral, Gjermania është një nga donatorët më të rëndësishëm të Shqipërisë. Sektorët parësor të miratuar nga dy Qeveritë në vitin 2001 në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim janë furnizimi me energji elektrike, administrimi i ujësjellës-kanalizimeve, eliminimi i mbeturinave të ngurta, si dhe nxitja e ekonomisë private.
**Që prej vitit 1988 Gjermania i ka vënë në dispozicion Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh për zhvillim më shumë se 367 mln euro. Kësaj i duhet shtuar edhe pjesa e Gjermanisë në nivel donatorësh shumëpalësh së bashku më BE, Bankën Botërore ose Kombet e Bashkuara. Llogaritur për person, Shqipëria radhitet ndër të parët në grupin e vendeve që përfitojnë asistencë gjermane për zhvillim.
**Me një kontribut prej 26,15 milionë euro, në kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim 2004/2005, Republika Federale radhitet ndër një nga donatorët më të rëndësishëm për Shqipërinë. Pikat kyçe të punës janë sektori i energjisë, i furnizimit me ujë të pijshëm dhe kanalizimeve, si dhe mbështetja e sektorit ekonomik privat.
Projektet e mëdha dhe shumë të mëdha drejtohen nga Banka për Rindërtim (KFË) dhe Shoqëria për Bashkëpunim Teknik (GTZ). Këto projekte plotësohen më së miri nga projekte të vogla, të cilat organizohen direkt nga Ambasada. Kontributi i tyre qëndron tek marrja e masave për luftën kundër varfërisë dhe përmirësimin e kushteve të jetës për popullsinë.
(Marrë nga faqja "on-line" e ambasadës gjermane në Tiranë)
Pasardhësit e ish-kryeministrit bavarez ofruan investime në energjetikë
Shqipëria refuzon sërish ofertën Shtraus
Ambasada: "Angazhimi i "Axos"do të kishte qenë një sinjal i mirë"
Shqipëria ka përsëritur historinë me dinastinë "Shtraus". Më 1987 qeveria komuniste e drejtuar nga ish-kryeministri Adil Çarçani refuzonte ofertën për ndihmë financiare dhe hapje të Shqipërisë të ofruar nga ish-kryeministri i Landit të Bavarisë, Franc Jozef Shtraus. 20 vite pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Republikën Federale të Gjermanisë, pinjollët e ish-kryeministrit kanë paraqitur ofertën ekonomike për të investuar në ekonominë shqiptare, por sërish janë refuzuar, kësaj here nga qeveria e drejtuar nga z.Sali Berisha.
Max Josef dheFranz Georg, dy djemtë e ish-kryeministrit ishin disa herë në Shqipëri gjatë muajve të shkuar. Ideja: investime të rëndësishme, pikësëpari në energjetikë, sektorin më nevralgjik të ekonomisë shqiptare, me një propozim për të ofruar ndërtimin e disa hidrocentraleve.
Pinjollët e familjes së shquar bavareze ishin dukur disa herë në Tiranë, madje kishin dhënë edhe prononcime për mediat, duke shprehur optimizmin për të investuar në ekonominë shqiptare, në sektorë si energjetikë dhe turizmi. Bëhej fjalë për pjesëmarrjen e koncesionet e rëndësishme që po jep qeveria aktuale e Shqipërisë për të ngritur një sërë hidrocentralesh, me anë të të cilave tejkalohet kriza energjetike, e pranishme vit pas viti në vend.
Vëllezërit Shtraus, mësohet se paraqitën ofertën e tyre për një tender që shkon deri në 1 miliard euro, që konsiston në një vepër të madhe hidrike në juglindje të Shqipërisë. Por në gusht 2007-të, qeveria zyrtarisht shpalli fituese të tenderit një firmë tjetër, duke eliminuar ofertën "Shtraus" për këtë investim gjigant.
Albtelekomi
Ky nuk është as i pari dhe as i fundit refuzim. Pak muaj më parë qeveria refuzoi futjen në garën për shitjen e Albtelekomit, kompaninë gjermane AXOS. Z.Berisha, pas ardhjes në pushtet, kishte përsëritur mosnjohjen e privatizimit të "Albtelekomit" dhe fituesit të tenderit të majit 2005, turqve të "Calik". Por muaj pas muaji qëndrimi i palës shqiptare erdhi duke u zbutur. Pikërisht në këto kohë erdhi edhe oferta e kompanisë gjermane "AXOS" që premtonte 200 milionë euro më shumë se turqit që e blenë kompaninë për vetëm 120 milionë euro.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kompania "AXOS", çmimi i shitjes së Albtelekom, prej 320 milionë Euro, nuk ka qenë në asnjë rast i propozuar nga kjo kompani dhe se ajo kishte ofruar çmim blerje140 milionë Euro (pa iu referuar mënyrës së pagesës) dhe investimeve në 5 vjet prej 160 milionë euro. Sipas METE-s, kompania AXOS nuk e përmbushte kushtin e investitorit strategjik për një privatizim të tillë, duke mos qenë kompani që vepron në fushën e telekomunikacionit.
Por nuk është e këtij mendimi ambasada gjermane në Tiranë. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetës "Shekulli", nëse ka ndonjë problem mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, pas eliminimit të pjesëmarrjes së kompanisë "Axos" në blerjen e "Albtelekomit", zëdhënësja e përfaqësisë diplomatike, Irene Eidemüller u shpreh: "Jo, vendimi i palës shqiptare nuk ndikon negativisht në marrëdhëniet dypalëshe. Për marrëdhëniet ekonomike një angazhim i firmës "Axos" dhe "Deutsche Telekom" me një kapital prej rreth 4 miliard€ do të kishte qenë natyrisht një sinjal i mirë"
A.Rrozhani
Qeveria kërkoi rishikimin e kontratës për fluturimet ndërkombëtare
Telashet me aeroportin "Nënë Tereza", PD-ja kundër koncesionit
Ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Hans-Peter Annen, nuk e ka pasur të lehtë në dy vitet e fundit të tij në drejtim të ambasadës në Tiranë. Diplomati nuk e fshihte shqetësimin e shtetit që përfaqësonte, për qëndrimin e qeverisë së re të Tiranës për koncesionin 20-vjeçar të dhënë për Konsorciumin "Tirana Airport Partners", përbërë nga Hochtief AirPort, Deutsche Investitons- und Entëicklungsgesellschaft dhe Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve, dhe që kishte të drejtën ekskluzive për fluturimet ndërkombëtare. PD-ja ishte kundër kësaj, që pas nënshkrimit të kontratës së konçensionit me qeverinë shqiptare në vjeshtën e vitit 2004 në Berlin, ku merrnin pjesë edhe krerët e qeverive të asaj kohe nga të dyja palët, përkatësisht, Gerhard Shrëder dhe Fatos Nano.
Pas ardhjes në pushtet në shtator 2005 qeveria e z.Berisha kërcënoi disa herë se do të rishikonte kontratën me firmën konçesionare. Aeroporti i Rinasit është një kopje e vogël e aeroporteve që ka ndërtuar firma nëpër botë, me një kapacitet prej një milion pasagjerë në vit, që përfundoi pas dy viteve punë për t'u për përuruar më 21 mars 2007. Konsorciumi "Tirana Airport Partners", përbëhet nga Hochtief AirPort, Deutsche Investitons- und Entëicklungsgesellschaft dhe Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve dhe për aeroportin modern "Nënë Tereza" u deshën50 milionë Euro investime, si dhe shumë kokëçarje me qeverinë e z.Berisha.
Tërhiqen investimet, por konferencat vazhdojnë
Biznesi serioz gjerman ka mbetur vetëm me një investim në aeroportin "Nënë Tereza", ndërsa kompanitë e tjera nuk po gjejnë mundësinë të futen në Shqipëri. Megjithatë kjo nuk i ka dekurajuar palët të vijojnë konferencat me temë investimet ekonomike. E tillë është ajo që do të mbahet më 23 tetor: "Shqipëria – me perspektivë për të ardhmen", e dyta radhazi, me synim për të rritur perspektivat për kontakte dhe bashkëpunime dypalëshe mes kompanive shqiptare dhe atyre gjermane. Sipas organizatorëve ajo është një shans shumë i mirë për të dhënë informacione të plota rreth kuadrit ligjor dhe mundësive të investimit. Gjithashtu do të paraqiten dhe mundësitë e bashkëpunimit për modernizimin e infrastrukturës dhe tregtinë dypalëshe, sidomos për biznesin e vogël dhe të mesëm. Pala shqiptare do të përfaqësohet nga kryeministri Berisha dhe disa ministra, ndërsa pala gjermane nga z.Hartmut Schauerte, Sekretar Parlamentar i Shtetit pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë dhe i ngarkuari i qeverisë federale për biznesin e vogël dhe të mesëm, si dhe zoti Anton F. Börner, President i Shoqatës Gjermane për Tregtinë e Jashtme.