Premte, 29 Gusht 2008 23:58:31

Lexoni versionin Print

Rrugëtim mes "mbretërisë" së flakëve

S'ka njeri në botë që t'ia mbushë mendjen shoferit me të cilin udhëtojmë, se ajo që mbulon horizontet dhe nuk të lejon të shohësh panoramat e luginave të Matit dhe Drinit të Zi, nuk është mjegulla e mëngjesit

Vladimir Karaj
Premte, 31 Gusht 2007 08:33:00

BULQIZË- S'ka njeri në botë që t'ia mbushë mendjen shoferit me të cilin udhëtojmë, se ajo që mbulon horizontet dhe nuk të lejon të shohësh panoramat e luginave të Matit dhe Drinit të Zi, nuk është mjegulla e mëngjesit, por tymi i zjarreve që të shoqëron përgjatë gjithë rrugës, nga Tirana deri tek ura e Topojanit, aty ku Bulqiza ndahet me Dibrën. Veç vonë në orët e pasdites, kur "mjegulla", edhe pse me një kohë të bukur e me diell nuk është davaritur ende, ndërsa ajo që më parë na dukej si tymnajë e paformë fillon e veçohet në shtëllunga tymi, që u bien mbarë e prapë vargmaleve nga të dy krahet e rrugës. Kuptojmë që për rreth 150 kilometra, kemi udhëtuar mes tymit. "Po u digjka e gjitha",- thotë, duke u mërzitur që nuk kishte të drejtë për mjegullën. Anash nesh, përpara nesh, gjithkund rreth e rrotull, ndërsa tenton të kullosësh sytë mbi shkëmbinjtë që bien thikë mbi liqenin e Shkopetit apo fushat e zverdhura pas korrjeve që duken si të lara në flori, nuk mund të shpëtosh pa u fiksuar në shtëllungat që thuajse mbulojnë krejt horizontet rreth e rrotull. "Nc.nc.nc",- bën shoferi, duke mbajtur sytë nga dritarja dhe duke bërë njëkohësisht akrobaci mes gropave dhe gungave të rrugës...

***

Jemi duke udhëtuar për në Topojan, atje ku ndodhet familja e varfër e minatorit që humbi jetën së fundmi në minierën e Bulqizës. Destinacioni është larg dhe në mos qoftë aq e gjatë në kilometra rruga, kthesat e frikshme buzë humnerave pa mure mbrojtëse e me shumë lapidarë, gropat dhe gungat e rrugës, mungesa e tabelave dhe fakti që ne nuk e njohim mirë zonën, janë të mjaftueshme për të vonuar edhe nja një orë më shumë, nga sa zgjat në të vërtetë udha. Por fakti që makina nuk ecën aq shpejt, nuk është krejt negativ. Ndërsa përkundemi në gropa, në të vetmen përkundje që të ndjell gjumë mund të shohim ndër ato gjëra që ndoshta nuk do kemi shans të dytë për t'i parë, siç është gjelbërimi që përthyhet mbi Shkopet, duke i dhënë ujit ngjyrën jeshile të maleve rreth e rrotull apo skalitës guri, goditja e çekanit të të cilave dëgjohet krejt qartë ndërsa ende nuk i je afruar hidrocentralit. Mund të të duket i çuditshëm edhe një mekanizëm hekuri i ngjashëm me një rrotë mulliri, që nxjerr ujin nga një kanal vaditës, për ta hedhur në një ulluk, i cili përmes tubave po prej hekuri e përcjell ujin kush e di ku. Kjo rrugë mund të jetë ndër të rrallat ku mund të shohësh nga fare afër frengji kullash, që mund të jenë po aq të vjetra sa malet që i rrethojnë e ku ende banojnë njerëz, ku fëmijë gjysmë të zhveshur zgjasin duart para makinave për të shitur misra të pjekur.

***

Peisazhi është ndër gjërat e rralla që të falet me bujari nga një natyrë thuajse e paprekur nga njeriu. Shkëmbinj të gërryer prej ujit me forma të çuditshme dhe ngjyra nga më të ndryshmet, lugina të gjëra me rrapishta e kodra të mbuluara me pemë arre apo pishe, lisa të vetmuar ndanë rrugës dhe kanione që të marrin frymën. Por të mërkurën, ndërsa ne shkundeshim në sediljet e makinës dhe hanim pa dashur pluhurin e rrugës, gjithë këtij peisazhi i ishte shtuar tymi i zjarrit, që nuk na u nda për asnjë moment, që nga Tirana, ku digjej kodra mbi Priskë e deri në Topojan, ku zjarri shkrumbonte shpatet e maleve të kanionit të Drinit të Zi. Ndalesa e parë është buzë hidrocentralit të Shkopetit, ku duhet të hamë mëngjesin në një restorant të thjeshtë popullor, që u servir pilaf dhe tasqebap udhëtarëve të shkërmoqur prej rrugës që vijnë ose ikin prej Tiranës. Pak metra prej këtu shtrihet liqeni i Shkopetit, ku pluskojnë barka të vetmuara peshkatarësh dhe fotografojnë turistë të thinjur që ecin si përgjumësh dhe lëkunden nën çanta shpine. Panorama këtu është e rrallë, një ndërthurje e shkëmbit të bardhë thuajse të latuar prej kohës dhe pyjeve të dendura mes të cilave rrallë sheh ndonjë kullë të vetmuar të ndërtuar po ashtu prej gurësh në përputhje të plotë me mjedisin që e rrethon.

***

Pas Shkopetit dhe pas kthesave të njëpasnjëshme dhe të lodhshme, arrijmë një pjesë rrugë së shtruar. Makina fillon të rrëshqasë në asfalt, edhe pse asgjëkundi nuk ka një tabelë që të paralajmërojë për kthesat dyshe a treshe, për urat e ngushta apo për momentin kur përnjëherësh gjendesh sërish në rrugë të pashtruar. Si kemi kaluar larg Ulzës, e cila duket se ka humbur mjaft metra nga shterpësia e qiellit, duke krijuar një si brazdë të zverdhur në vendin ku dikur ka qenë uji. Në Bulqizë arrijmë aty nga ora 10 e ditës. Qyteti i minatorëve është i gjithi në lëvizje, i ndarë në një mënyrë të çuditshme, ku pjesa e re dhe e vjetra, ndahen me nja 2 kilometra nga njëra -tjetra duke lënë në mes një fushë me një si gjysëm liqeni dhe pellgje të tjera uji. As parafabrikatet, as mbetjet e kromit dhe as kafenetë e mbushura vetëm me burra, e ku gratë duket se shfaqen vetëm në postera pijesh, nuk janë fort tërheqëse. Ndërsa udhëtojmë për në Topojan, të rrethuar tashmë nga një fushë e verdhëme dhe në shoqërinë e përhershme të tymit, një nga udhëtarët që ndalemi të pyesim nëse duhet të udhëtojmë edhe më gjatë, na thotë se fusha në të cilën ndodhemi pak kilometra nga Bulqiza, është një nga fushë-betejat e Skënderbeut në luftë me Osmanët. E vetmja shenjë që përkujton betejën është një lapidar, mbi të cilin nuk ka më asnjë gërmë, ndërsa vetë fusha sepse është ndarë në copa të vogla me mure guri rreth 50 centimetra mbi tokë.

***

Destinacioni ynë përfundon në Drin. I vetmi lum që na duket me bollëk uji. "Maqedonia, hap zakonisht pasditeve digën",- na thonë banorë të zonës, ndërsa lugina e mbushur me shelgje dhe gur zalli është ndër të rrallat në këto anë që pret plazhistë. Kryesisht të rinj të zonës të shtruar në breg të lumit e tek- tuk edhe makina me të ardhur, për të bërë plazh në Drin. Buzë lumit ka lokale të fshehura mirë mes shelgjeve,por edhe baraka endacakësh. Por këtu ne na duhet të bëjmë një kthesë të fortë për tëudhëtuar andej nga kemi ardhur, gjithmonë në shoqëri të tymit diku i dendur e diku i vagullt, pa dëgjuar asnjëherë zhurmën e ndonjë aeroplani që duhej të shërbente për fikjen e flakëve.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

PERDORIMI
Për motive sigurie është shtuar edhe imazhi i konfirmimit të komentit. Duhet që në kutinë përkatëse të shkruani imazhin që shikoni poshtë saj, nëse një gjë e tillë nuk bëhet komenti nuk do të shtohet. Gjithashtu nga redaksia komentet më të mira botohen ne gazetë. Faleminderit për mirëkuptimin
Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML