Materiali i mëposhtëm është pjesë nga shënimet e një zyrtari të lartë të Shërbimit Informativ Ushtarak për Flotën i cili ndodhej në Vlorë gjatë ditëve tëtrazirave të vitit 1997. Rrëfimet e këtij dëshmitari okular janë botuar në një forumin edsh.org, disa vite më parë, por megjithë informacionet që ai sjell, në fakt nuk ëhstë thirrur asnjëherë të deponojë për këto ngjarje. Materiali vjen i redaktuar nga emra dhe disa rrethana që redaksia nuk mundi ti verifikojë.
Fillimi i shënimeve..
...Italianët e pikasën kohë më parë se çfarë do të ndodhte. Që më 15 janar 1997, zëvendës- komandant i bazës detare të Brindizit bëhet nënkoloneli Baliçia, oficer i SISDE-s, Shërbimit Sekret Ushtarak Italian. Baza Detare italiane po merrte kështu masa për një dyndje të madhe të hrefugjatëve nga bregu i Vlorës. Shërbimi sekret italian po u paraprinte trazirave, që i parashikonte shpërthyese.
Më 4 shkurt mbahet aktivi i PD-së në Vlorë. Tritan Shehu deklaron se "Gjallica falimentoi". As një karrocier nuk mund ta bënte këtë gafë dhe jo më një kryetar partie. Me këtë deklaratë aludohej një ngatërrim i PD-së me firmat piramidale. Për të më njoftoi shefi i seksionit të SHIK-ut në Vlorë. Ende nuk e kuptoj pse duhej ta deklaronte këtë. Po atë natë, Fitim Gërxhalliu, president i Gjallicës thotë në televizion se nuk kishte falimentuar. Dy ditë më pas, Fitim Gërxhalliu deklaroi falimentin, në kushtet e gjysmë arrestit. Më 7 shkurt, fillojnë protestat e para. Ato ishin të paorganizuara dhe nëpër mitingje dëgjoheshin vetëm thirrje sporadike. Kërkesat ende ishin ekonomike, si parrulla "Duam paret tona". Përsëri gafë e madhe, por kësaj radhe, e policisë. Ajo ndërhyn kundër turmës, e cila nuk ishte armiqësore me të. Përballë komisariatit të policisë, digjen dy makina IFA të policisë. Më 8 shkurt, në mëngjes, pas sulmit të bërë në komisariat, “zhduket” pa gjurmë Sokol Mulosmani, shef i komisariatit të policisë. Në vend të tij, vijnë të komanduar nga Tirana, gjeneral Agim Shehu dhe Arben Prrenjasi, drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
***
Më 9 shkurt duken politikanët e parë, por ata nuk priten ngrohtë në Vlorë. Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, Paskal Milo, Anastas Angjeli takohen me protestuesit. Në mbrëmje më vjen informacioni se të nesërmen do të bëhej një protestë e madhe. Në zyrë më mbërrijnë të dhëna se përveç atyre që dilnin me dëshirë në protesta, kishte edhe nga ata që nxitnin të tjerët për të dalë. Në godinën e SHIK-ut, vjen Xhahit Xhaferri, i dërguari i Qendrës. Ai u prit nga shefi i SHIK-ut të Vlorës, Shkëlqim Agolli, i cili ishte i emëruar në atë detyrë vetëm në 15 janar, pra dy javë më parë. Ai do të vritej më pas në Athinë. "Shkoj në komisariat rreth orës 3 e 30 minuta të mëngjesit të datës 10. Shikoj Agim Shehun të strukur në kolltukun e zyrës me jakën e ngritur dhe që po dridhej. Arben Prrenjasin e pashë tek ziente disa kokrra vezë, që po i hante me bukë. Dëgjoj Agim Shehun të thotë: "Sot është tmerr. Do të bëhet qameti. Kam prurë 750 forca policie, të gjithë të paarmatosur. Do t'i mësoj vlonjatët se ç'është ligji". Ndërkaq, i drejtohet Arbenit: "A janë në rregull valët e radios"? Ndërhyj dhe i them: "Ti s'paske rregulluar akoma valët e radios, do të shpartallohesh... Lërini të protestojnë". Pas kësaj dal dhe shkoj në godinën e SHIK-ut...
***
Po gdhihej data 10 shkurt. "Dal të shikoj se çfarë po bëhej në qytet. Shkoj në rrugën në drejtim të Sheshit të Flamurit. Në të gjitha anët, madje edhe në akset e rrugëve lidhëse, shikoj grupe të ndryshme me nga 5-6 policë. Banorët, mblidhnin në heshtje gurë, pa bërë as zhurmën më të vogël. Armatosja me gurë dhe sende të tjera të forta zgjati për rreth 45 minuta. Shkoj në rrugën në drejtim të Kuz Babait. Shikoj të goditet grupi i parë i policëve me gurë. Në këtë çast unë isha tek xhamia, mbi trotuar, në krahun tjetër të rrugës. Fillon një sulm si rrufe, i cili përhapet deri tek Kali i Trojës. Rrebeshi i goditjeve ishte i pandërprerë për rreth 7 minuta. Policia ishte e armatosur vetëm me shkopinj gome. Vërej policët e parë që gjakosen në kokë, në fytyrë, në trup. Po ai popull që i godiste, i merrte dhe u jepte ndihmën e parë. Pashë disa prej tyre të shoqëruar nga grupe banorësh që dërgoheshin dhe ndihmoheshin të laheshin në një çezmë aty afër. Shkoj pranë Kishës katolike. E njëjta pamje. Turma dukej se nuk ishte krejtësisht armike. Shikoj policët të shpërndahen. Atëherë vendos të shkoj në komisariat. Një grumbull i madh njerëzish qëndronte përballë komisariatit. Plagoset një fëmijë i vogël me gurë. Turma elektrizohet dhe hyn në komisariat. Thërrasin në emër Sokol Mulosmanin, sepse nuk e dinin që ai kishte ikur që para dy ditësh. Dëgjoj të thonë nga turma: "Godina është jona. Paskan ikur qenërit"! Në darkë, afër xhamisë, marr vesh se ishte vrarë Artur Rustemi. Më vonë doli se "ai ishte vrarë në orën 8 të mëngjesit" Unë kam bindje të plotë se deri në orën 9 të mëngjesit nuk ishte vrarë asnjë njeri..
***
Në datën 10, funksiononte vetëm SHIK-u. Kërkoj të takohem me pushtetarët lokalë, por nuk gjej asnjeri. Në rrugë fillojnë të shfaqen njerëz me prirje kriminale. Në duar kishin armë Zastava, Tomson, çifte. Në mbrëmje, në Gjiun e Vogël të Radhimës, i cili ndodhet rrugës për në Pashaliman, skafistët sulen dhe rrëmbejnë 130 skafe të sekuestruara. Që atë natë fillon trafiku klandestin. Po në datën 11 vritet një polic, i cili u tha se u vra për hakmarrje. Shfaqet Zani Çaushi, i cili ishte i dënuar në Greqi dhe ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Larisa. Kush e kishte sjellë në Vlorë? Në datën 12, shfaqet i dyti. Ky ishte Albert Shyti, i ardhur po nga Greqia. Po në këtë datë dalin politikanët e parë... Dalin në krye të turmës dhe shkojnë në drejtim të prefekturës. Ata thërrisnin: "Duam paret tona." Por pjesa dërrmuese e turmës vetëm sa i shoqëronte në heshtje. Dikush më njeh dhe më thotë: "Edhe SHIK-u ka filluar të protestojë?"
Më 13 shkurt fillon djegia e gomave dhe ngritja e barrikadave nëpër rrugë me makina të prishura dhe mjete të tjera. Qytetarët vlonjatë filluan të rralloheshin. Në datën 15 fillojnë letrat poshtë derës dhe vënia e gjobave ndaj familjeve vlonjate. Hidhet parrulla e parë: "Poshtë qeveria", "Të mbyllen dyqanet", "Vetëm furrat e bukës hapur". Filloi të ndihej një varfëri fizike në dollapet ushqimorë. Njerëzit filluan të thonin se "dyqanet i mbylli qeveria dhe maloku". "Më vjen informacioni se u krijua Komiteti i Shpëtimit Publik. Përfaqësues të këtij Komiteti shkojnë në port dhe urdhërojnë të ndalohet ankorimi i anijeve. Qëllimi ishte që i tërë qyteti të kalonte në një grevë urie masive.. Në datën 17, më vjen informacion se në Jug është përhapur një hartë e Vorioepirit...
***
Në datën 18, një grup studentësh nga Universiteti i Vlorës takon kryeparlamentarin, Pjetër Arbnorin. Data 19 studentët takohen me presidentin Berisha. Skafet në këtë datë ishin në kulmin e tyre, duke nxjerrë miliona. Në krye të komisariatit, nga turmat vihet një "shef" me mbiemrin "Kordha." Rreth orës 11 organizohet një miting tek Prefektura. Skënder Gjinushi i flet turmës.. "Studentët kanë vajtur tek Arbnori..” Në këtë çast nga turma del një djalë me maskë, i cili imiton Arbnorin: "Le ta bajnë vlonjatët Vlorë-Skelë e Skelë-Vlorë, se mirë u ban!" Aty dëgjohet edhe parrulla "Poshtë parlamenti"! Hartat e Vorioepirit të shpërndara nëpër qytet ndërkaq kishin irrituar popullin, megjithë pakënaqësinë e përgjithshme kundër shtetit për firmat piramidale. Njëri nga turma thërret: "Nuk jemi me grekët. Vlora, qytet italian." Ky zë nuk përkrahet nga turma. Unë në këtë çast isha tek vendi, ku më parë kishte qenë përmendorja e Hysni Kapos. Ndërkaq vendoset, që të hyhet në grevë urie. Hyjnë në sallë, ndërsa të tjerët shpërndahen. Pas kësaj unë shkoj në port. Më kishte ardhur informacion që Komiteti i Shpëtimit Publik ishte drejtuar për atje. Ata urdhërojnë të mbyllet porti. Ia bëj me shenjë oficerit të shërbimit, që ta mbyllë dhe ai zbaton atë, që unë i them me shenjë. Kthehem. Shikoj se në vendin ku ishin futur studentët në grevë kishin dalë 20 persona të armatosur. Në qytet shfaqen fytyra të reja. Ishin të veshur keq dhe të vrarë në fytyrë. Më vijnë të dhëna se shumica e tyre ishin nga fshati Lumë-Vlorë dhe nga fshatrat përreth, të gjithë të armatosur. Ata filluan të flinin nëpër bunkerë dhe shanin qeverinë dhe Berishën për gjendjen në të cilën ndodheshin. Nervat e tyre ishin të tendosura për shkak se ishin të pangrënë, kishin ftohtë dhe flinin jashtë. Drejtohem për në godinën e SHIK-ut. Ngjitur me të ndodhet vila e një politikani. Aty shoh tre motoskafë. Më vjen informacion se plani përfshinte "çlirimin" e qyteteve Tepelenë-Gjirokastër-Vlorë-Përmet-Sarandë. Instalohet një radiotransmetuese e blerë me një vlerë prej 26 mijë dollarë. Njëri nga informatorët tanë më tregoi një fotokopje të faturës...
***
Data 22 shkurt. Në qytet ndihej që po fillonte uria, e cila kishte treguar shenjat e para që në datën 16 dhe 17. Lajmëroj Zhulalin për të hapur portin. Ai në fillim më thotë "po", pastaj nuk më del më në telefon. Deti ishte 9 ballë. Pavarësisht nga kjo, kapiteni italian i anijes në Brindizi më thotë në shqip se do të nisej. Nuk kalon shumë kohë dhe mua më vjen sinjali se trageti kthehet në Durrës. Në orën 7 e 30, turma mblidhet përpara prefekturës, por nuk vjen në port. Trageti italian rrinte me motorë ndezur. Shkarkohen 14 trajlerë dhe 6 tragete të tillë.
Po në atë datë, Shefi i Shtabit të përgjithshëm, gjeneral Sheme Kosova, heq gatishmërinë e reparteve ushtarake në të gjithë vendin. Asnjë kapter nuk mund të vepronte kështu, e jo më një gjeneral. Të gjitha repartet ku ushtarakët ikën, digjen dhe vidhen. Në të tjerat, jo.
***
Në datën 23 shkurt më vjen sinjali se në Himarë ishte ngritur flamuri grek. I hipi makinës dhe shkoj së bashku me shoferin tim atje. Rrugën e bëjmë për afro 2 orë e gjysmë. Mbërrij në Himarë rreth drekës. Në qendër shikoj një shtizë dhe në të të varur një flamur grek. Aty afër ishte një kafene, lokal i ndërtuar me llamarina. Hyj në të dhe pyes gruan që shërbente. E pyes; e paskeni zbukuruar Himarën?!" Gruaja më thotë: "Eh, na e kanë "zbukuruar ata atje! Të ishte për mua nuk e lija atje, jo". Ajo tregon me gisht në drejtim të një lokali poshtë pallateve. Ajo më pohon se flamurin e ngriti Leksi. Unë i them se nuk është e mundur, pasi ai është nga Vunoi. Gruaja e lokalit më thotë se "nuk merrej më vesh se çfarë ishim." Futem në lokal dhe i them Aleksit se ç'donte ai flamur atje. "Ti je nga Vunoi dhe je shqiptar", - i them atij.
***
Data 24, nisem për në Fier, tek njerëzit e mi. Në janar më kishte vdekur nëna, dhe mendova që të dilja njëherë andej nga të afërmit e mi. I bie nga rruga e Nartës dhe po atë ditë kthehem në zyrë. Njëri nga "shokët" më sjell një vendim të Komitetit të Shpëtimit Publik me një listë emrash. Të gjithë ata ishin të dënuar me vdekje. Në këtë listë dalloj emrin tim. Isha i 17-i. Data 25, në mëngjes. Më vjen informacion se do të goditej godina e SHIK-ut.
***
Data 26, bie një shi i tmerrshëm dhe bën një kohë shumë e keqe. Siç duket, plani shtyhet për më pas. Data 27, në mbrëmje vjen gjeneral Bujar Rama. I paraqes situatën. I thashë që të largohemi, duke i treguar edhe dënimin me vdekje që na kishte ardhur tashmë në duar. Gjatë kësaj kohe, shoferi dhe shoqëruesi i Bujarit shkojnë tek të afërmit e tyre në Vlorë, por rrihen barbarisht... Shpëtojnë në fije të perit, vetëm kur ndërhyn kunati vlonjat i shoferit të Ramës. Bujari nuk e merr parasysh mendimin tim për t'u larguar. Ai nuk merr asnjë vendim. Besnik Hidri, vartës i Bujarit, një nga oficerët më të shkëlqyer të SHIK-ut, organizon nxjerrjen e nënkryetarit të SHIK-ut nga zona e rrezikshme. Lajmëroj në telefon policinë që të marrë në mbrojtje nënkryetarin e SHIK-ut, por, nga ana tjetër, ne e kishim nxjerrë Ramën me kohë nga një drejtim tjetër nga Vlora. Nuk mund të kishim besim tek ajo polici që kishte zëvendësuar të parën...
Ora 1 pas mesnate. Data 28 shkurt. Besnik Hidri kthehet në zyrë dhe më thotë se e kishte përcjellë gjeneral Ramën. ...
***
Ngjitem në Kuz Baba. Lidhem me godinën brenda, ku kishim 16 vetë gjithsej. Përgjegjës turni ata kishin Lekë Qokun. I them: Lekë, turmat po vijnë drejt godinës, më shpjego se çfarë po bëjnë?" Leka më përgjigjet se ata po afronin një makinë vetëshkarkuese riportabël me karrocë të ngritur. Siç dukej, donin ta përdornin si mburojë nga frika e ndonjë goditjeje nga ana e SHIK-ut. Unë raportoj lart për gjendjen. Nga Leka më vjen informacioni se bëhej fjalë për rreth 80 vetë të armatosur me "Tomsonë", "Zastava", kallashnikovë, "çifte", dhe me granatahedhës. Hapet zjarr kundër godinës. Pyes Lekën se çfarë shihte. Ai më përgjigjet: "Në dhomë shoh vetëm flakë dhe tym. Jashtë shikoj vetëm gra dhe fëmijë. Ata që qëllojnë janë fshehur pas grave dhe ne nuk mund t'i godasim dot. Shikojmë vetëm flakët e armëve të tyre." Marr në telefon "shokët" që ndodheshin tek Ujët e Ftohtë. Ata më raportojnë se nuk mund të vijnë në ndihmë, sepse gjithçka ishte llahtarë. Një qytet i tërë i armatosur.
Leka më thotë: "K... jam plagosur!" Zëri i tij po vinte duke u shuar. Ai shton: "Këtu është tym e flakë. Shikoj vetëm dy trupa të shtrirë. Më ka hyrë një plumb në krahun e djathtë e më ka dalë matanë." Efektivi kishte edhe bomba dore, por asnjeri prej tyre nuk dinte t'i përdorte...
***
Ora 12 e 15. SHIK-u goditet me granatahedhës. Gati tërë kati i dytë shembet. Në këtë çast ndërpritet komunikimi me telefon. Mbeten 6 të vrarë, ndërsa 10 të tjerët shqyejnë një nga dritaret e siguruara me hekura dhe dalin duke iu kacavirur kodrës. Atje u dalin disa nga banorët vlonjatë të cilët i strehojnë nëpër shtëpia. Evakuimi i tyre për në Tiranë, një e nga një, do të fillonte vetëm pas dhjetë ditësh.
Nuk kalojnë shumë minuta dhe më vjen një tjetër telefonatë nga jashtë, ku më njoftohej se Besnik Hidri ishte hedhur nga kati i dytë dhe ndodhej tek oborri i shkollës së marinës, e cila është ngjitur me ndërtesën e SHIK-ut. Në të vërtetë Besnikun e kishte hedhur atje presioni i goditjes nga granatahedhësi. Kolegu ynë e kishte gjetur të shtrirë në bar. Marr në telefon X... e marinës, një pusht djalë. Ai më përgjigjet se nuk mund ta ndihmonte se kishte hall se mos e vrisnin.
Kolegu im e merr në makinë për ta çuar atje ku i thashë unë, në spital, po rruga ishte plotësisht e bllokuar. Atëherë e urdhëroj ta dërgonte në Pashaliman, ku më pas do të çoja një infermiere. Pas ndërtesës së SHIK-ut u vjen radha depove dhe reparteve afër ndërtesës. Goditet komanda e marinës dhe shkolla e Marinës. Për 2 orë shkatërrohet gjithçka.
Ora 2 e mëngjesit. Rrethohem në Kuz Baba. Nuk sulmohem pasi ndërhyjnë disa oficerë vlonjatë. Numëroj 4 herë tentativë për sulm kundër zyrave që kishim në Kuz Baba. Më në fund, me një makinë të një oficeri vlonjat, largohem fshehurazi në drejtim të fabrikës se çimentos, në Pallatin e Sportit dhe mbërrij tek "Kulaçi". Sapo arrij atje më ndalon një grup i armatosur, rreth 20 veta gjithsej. Ata kishin ngritur një barrikadë në rrugë dhe kishin lënë vetëm një shteg të vogël për të kaluar. Një burrë me një hu të madh në dorë më urdhëron të zbres poshtë. Shikoj 4 trupa të shtrirë... Ai që kishte hurin më duket se më njeh dhe më thotë të largohem. "Ikni, frikacakë", - thotë ai. Hyj në Pashaliman. Shoh 14 oficerë dhe kapterë. Takoj oficerin që kishte sjellë aty Besnik Hidrin. Trupi i tij ishte buhavitur krejtësisht, ndërsa gjysmën e krahut dhe syrit të majtë e kishte krejtësisht të shpartalluar. E pyeta: "Besniku je?" Ai më përgjigjet vetëm me një lëvizje qerpikësh. U lutem oficerëve të nxjerrin anijet. Ata më përgjigjen: "Ik edhe ti që këtej, se po të gjetën këtu, do të na vrasin edhe ne." Lajmëroj për ardhjen e një helikopteri. Ai vjen në orën 4 e 15, por Besniku nuk gjen më shpëtim. Ai vdes gjatë rrugës. Po në datën 1 mars. Sulmohet pika sinjalo-vrojtuese e Bazës Detare dhe Baza Rezervë e Flotës që shërbente për riparimin e nëndetëseve. Kapterit F.Koka i mbarojnë të 4 karikatorët me fishekë, pasi i kishte zbrapsur për 40 orë rresht. E kapin rob, e masakrojnë... Në tunelin e nëndetëseve 630 metra të gjatë, vidhet gjithçka, me një vlerë qindra milionë dollarë.
***
Shkoj për në Sarandë. Në zyrën e SHIK-ut mbërrij në orën 9.00. Takoj të parin Alfred Dulen. Marr në telefon Zhulalin dhe pas disa replikash të ashpra ai më thotë të nisem për në Tiranë. Mbërrij në Gjirokastër në orën 11:00. Lidhem me Sheme Kosovën. Rruga Gjirokastër-Tepelenë ishte e bllokuar dhe unë kërkoj të sjellin dy helikopterë. Të 22 vetët sa ishim, nisemi për në Tiranë. Në Ministri të Mbrojtjes paraqitem në orën 5 pasdite. Aty më del sekretari i ministrit, Robert Ligorama, i cili më thotë se "ministri nuk të pret ty". Pas kaq kohësh kthehem në shtëpi, ku më dinin të vdekur. Të nesërmen në datën 2, të gjithë kishin dhënë dorëheqjen, qeveria dhe Shemja. Për mua u mor vendim që 4 ditë të qëndroja në zyrë në gjendje arresti, madje dhanë urdhër të fillonte çështja penale. Prokurori i çështjes, në fund të hetimeve, më shpall të pafajshëm. Lirohem në 20 shtator 1997, pasi kisha shërbyer në këtë detyrë që nga 20 korriku i vitit 1993".
Vijon neser......