Lavdie Nela, e veja e poetit të ekzekutuar me varje më 10 gusht 1988, deklaron se po i keqpërdoret në shtyp letërkëmbimi që pati me Havzi Nelën nga qelitë dhe vendet e internimit
Më 1993, Lavdie Nela nxori nga arkiva personale letërkëmbimin 20-vjeçar që pati nga qelitë dhe vendet e internimit me bashkëshortin e saj, Havzi Nela, i ekzekutuar me varje në qendrën e qytetit të Kukësit, më 10 gusht 1988. Ato letra që ranë në duart e një grupi të Televizionit Publik Shqiptar, që përgatiste një dokumentar me qëllim “që njerëzit të njihnin emrin, figurën, vuajtjet dhe torturat e Havzi Nelës”, Lavdies nuk iu kthyen deri vitin e kaluar. Megjithatë, letrat janë shumëfishuar dhe përdoren në shtyp nga njerëz që gruaja mund t’i kishte denoncuar për cenim të jetës private, por nuk e ka bërë deri tani.
Ky fond letrash do të jetë së shpejti në dorë të lexuesit, por në formë të ligjshme.
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka mbështetur botimin e një monografie dhe një vëllimi poetik të Havzi Nelës. Mësohet se janë në proceset e tipografisë.
Gruaja që zbret rrallë nga Kukësi në Tiranë, ka dashur prej kohësh të shprehet për ata njerëz dhe ato raste që kanë botuar pa lejen dhe pa dijeninë e saj letrat personale, qoftë edhe atëherë kur mund të jenë nisur nga “dëshira e mirë”.
“Në vitin 1993 unë i kam dhënë në mirëkuptim, për një orë, për të bërë emisionin dhe për të m’i kthyer. M’i mbajtën gjithë këto vite. Kam pasur mall t’i lexoj një natë se, kur i lexoj, ndihem më e qetë, qaj, mërzitem, dëshpërohem, çlirohem. Janë letra që m’i ka shkruar bashkëshorti im në vitet më të vështira.”
Letërkëmbimi është 20-vjeçar, që prej vitit 1967 kur çifti u arrestua në arrati dhe në vitet e burgut. Lavdia ka qenë e burgosur në Qytetin Stalin. Ishin letra që i vinin nga burgu në burg dhe më pas në Kollovoz. “Në burg kemi qenë të kufizuar, na lejonin letra një herë në muaj, dhe jo nga të dyja anët. Mund të dërgonte vetëm ai ose vetëm unë. Ato letra i jepeshin gardianes në zarf të hapur, lexoheshin se çfarë kishin brenda dhe pastaj i nisnin nëpër rrethe.”
Letrat kanë një përmbajtje shumë të thjeshtë, por intime. I shoqi i shkruante që të mbante kokën lart, të mos mërzitej shumë dhe kishte dëshirë që emri i saj t’i përmendej për mirë. Në një letër i shkruan se ka dëgjuar fjalë të mira, ka dëgjuar të thonë: “Havzi Nela kishte grua”, dhe “kjo më kënaq shumë, kur të çmojnë të tjerët.”
Letërkëmbimi i çiftit Nela ka qenë i rregullt deri në vitin 1975, kur gruaja, që të mos i rëndonte njerëzit e burrit, u kthye tek e ëma, të jetojë me të vetët, e re dhe pa fëmijë, e sulmuar nga lufta e klasave. Lavdia e mban mend Shishtavecin, fshatin e lindjes, të tërbuar, me komunistë të flaktë. Prej aty ka shkruar letra që Havziut nuk i mbërrinin. As letrat e tij nuk i vinin.
Në arkivin personal ruan afro 47 letra, fotografi, vendime gjyqësore, dosje hetimore të “familjes Nela”. Gruaja, e mbetur e vetme, “me duart në gji”, e quan, megjithatë, veten “familja Nela”. Ruan prej tij një gotë qelqi, një lugë alumini, një shall grash me trëndafila, një radio dore që ai e pat përdorur në kampin e Spaçit, aparatin fotografik që e kishin me vete kur kaluan kufirin jugosllav – “zorrët”, filmat që kishte brenda, u konfiskuan – tani i ka mbetur korja bojëkafe. I ka mbetur kapela dhe kostumi dok i burgut. Ndoshta një ditë do t’i duhen një muzeu për të dëshmuar për njeriun që u ekzekutua më 10 gusht 1988, një vit para se komunizmi të rrëzohej në Evropën mbarë, por në Shqipëri jo.
Atë ditë ndodhej në Kalimash, e internuar disa km larg familjes, në presionin e përbuzjes, e përçmimit që shprehej me fjalët që asaj vazhdojnë t’i zhurmojnë në vesh: Havziu nuk vlen asgjë, do ta vrasin, do ta pushkatojnë. “Nuk ka fotografi nga ekzekutimi i tij, përveç njerëzve që u ka mbetur në kujtesë.
Një vdekje... ai boll i bukur është dukur në litar, në trekëmbësh në mes të Kukësit, në vendlindjen e tij. Por u ka mbetur në kujtesë njerëzve, gra, burra e fëmijë që i ka detyruar Komiteti i Partisë së Punës, atje në Kukës, që të shkojnë ta vizitojnë, të marrin tmerr dhe t’iu jepet mësimi: Ja, njeriu i rrezikshëm.”
Duke shkuar para syve atë kohë, Lavdia e quan të drejtë njerëzore që, shkrimet që ka lënë Havzi Nela dhe letrat mes tyre, të mos shkojnë më dëm. Ka njerëz që interesohen “kur s’ju takon”, për të gërmuar për materiale që çifti ka lënë edhe gjatë arratisë në Jugosllavi ku, për të shpëtuar kokën të dy, gruaja i është lutur dikujt t’i mbante dhe t’i ruante. “Këta njerëz duan të shkojnë dhe t’i marrin atje”, - thotë Lavdia. Dy janë rastet flagrante të keqpërdorimit pa leje të letërkëmbimit.
Më 2004-n dhe më 30 shtator 2008, kur “doktori i shkencave, Shefqet Hoxha, u ka bërë koment letrave pa më marrë leje. Letrat e mia nuk ia kam dhënë kujt që t’i përdorë e t’i shesë nëpër gazeta. Nuk kam dëshirë të fusin hundët në familjen Nela, dhe as në emrin tim personal. Janë letra që, mirë apo keq, burri im i ka shkruar me dashuri e dhimbje. Pa lejen time, jo çdo gjë mund të shkruhet. Dua vetëm të mos i përdorin, të mos i bëjnë publike. Ka diçka më shumë për të shkruar për Havziun. Unë nuk i ndaloj njerëzit të shkruajnë për të, por letrat janë personale, janë vuajtjet tona.”