Gati 60 vjet më parë, më 1 janar 1951, Eqremi 42-vjeçar i dhuron Shyhretit 28-vjeçare (dhuratë për Vit të Ri?) një fletore me tetëmbëdhjetë sonete shkruar për të. Ishin njohur rreth dy vjet më parë, në pranverë 1949, kur ajo sapo ishte liruar nga burgu politik e punonte në Bibliotekën Kombëtare.
Kjo fletore, dorëshkrimi i pastër i librit që keni në dorë, bashkë me një fletore tjetër thuajse identike, e cila përmban kopjen e parë të dorëshkrimit, kanë fjetë më gjatë se gjysmë shekulli larg syve të botës, ashtu si donin ata të dy, dhe botohet sot për herë të parë.
Sonetet e Eqremit për Shyhretin unë i zbulova për herë të parë aty nga mesi i viteve ‘70, në fund të dollapit të tyre, duke rrëmuar me kureshti, si bëjnë shumë bij, tek rreken të zbulojnë fshehtësira nga e shkuara prindërore, të kohëve kur vetë ende nuk qenë. Nga skaji më i errët i dollapit dora më nxjerr një fletore të kaltër, me shkrimin e pangatërrueshëm të Eqremit! Fletorja e vjetër, e kaltër, përmbante vjersha dashurie! E pabesueshme! Natyrisht kisha zbuluar shumë më tepër se ç’ shpresoja me gjetë! E nxjerr në dritë, e shfletoj, dhe me paturpësinë e bijve ndaj prindit, me t’u kthyer Shyhreti nga Biblioteka ku kishte rifilluar punë pas vitit të gjëmshëm 1970, ia tund përpara: “Po kjo, ç’është?” E alarmuar dhe e çuditur që e kisha gjetur, sepse ishte e bindur që e kishte fshehur fort mirë, Shyhreti më kërkoi prerë ta ktheja sërish fletoren në vend të vet ekurrsesi mos ta merrte vesh Eqremi që e kisha parë.
Pikërisht për këtë arsye, që “mos ta shihnin fëmija”, për vite me radhë Eqremi e kishte hequr nga shtëpia atë fletore: Ia kishte dhënë ta ruante mikut të tij Odhise Paskali, i cili e kishte mbajtur nja njëzet vjet, dhe ia kishte kthyer vetëm pak kohë më parë. Pa mundur as ta lexoja mirë, fletorja e ndaluar hyri sërish në skutat e errëta nga kish dalë.
Kurrë nuk e zura ngoje ekzistencën e saj me Eqremin.
Me ikjen e tij kësaj bote, më 13 gusht 1980, nevoja jetike për të forcuar lidhjen e këputur aq herët me të, më shtyu t’i lexoj e rilexoj pa fund këto sonete. Shyhreti nuk më ndaloi më, por më tha veç se, qysh në krye të herës, kishin vendosur të dy që ato sonete mos dilnin në gjallje të tyre. “Një ditë kur të mos jemi ne mundet edhe të botohen”,- i kishte thënë Eqremi.
Me kalimin e viteve, nga frika e bjerrjes i kisha radhitur sonetet në kompjuter: Shyhreti i kishte sjellë me vete në Paris, bashkë me dorëshkrimin e dy soneteve aq të rralla e të shtrenjta që Eqremi kishte shkruar për Artanin pas vitit 1970, kur Artani vendosi të ikte prej nesh e të nisej drejt qiejsh të tjerë, shpresoj më të kthjellët.
I kisha bërë madje dhe gati për shtyp sonetet, e me kalimin e kohës, sidomos këto vjetët e fundit të “pleqërisë së thellë”, si thoshte ajo vetë, kisha edhe lejen e Shyhretit për t’i botuar.
Mirëpo një frikë bestyte më ndalonte ta bëja këtë: kisha një si bindje se po t’i botoja, do të më ikte dhe ajo…
Poezia besoj ka qenë lidhja më e thellë mes prindërve të mi. Shyhreti qysh shumë e re e kishte lexuar me pasion poezinë, sidomos poezinë frënge, dhe dinte përmendësh shumë perla të saj. Them se dashuria e përbashkët për poezinë ka qenë nxitja që Eqremi t’i shkruante e t’i blatonte Shyhretit këto sonete. Shpesh në bisedat e tyre në shtëpi citoheshin vargje poetike, krejt natyrshëm, sidomos të poezisë frënge, si referenca të sublimes në jetë, të fjalës së naltë, fisnike, që e ngre shpirtin njerëzor në maja që s’kapen dot pa magjinë e saj. Poezia besoj u fali atyre atë lidhje të rrallë, unike, atë dashuri e respekt të pashoq e të pabesueshëm që kishin për njëri-tjetrin. “30 vjet me Eqremin si 30 ditë”, përsëriste Shyhreti thuajse përditë pas ikjes së tij.
Poezia deri në vdekje.
Fjalët e mbrame të Eqremit në këtë jetë, drejtuar Shyhretit në spitalin e Romës – vetëm të dy, ai dergjur në shtrat të vdekjes, pak minuta para se të jepte shpirt, ajo te kryet e tij, krejt vetëm, e paepur:
Si ka thënë ai poeti frëng, Shyhret: “Tout lasse, tout casse, tout passe”.
Mundet vërtet gjithçka ikën e shkon kësaj bote, poezia nuk tretet kurrë.