Përgjatë një jave pianoja e Markelian Kapedanit shoqëron netët e publikut italian. Nga 24-31 korrik zhvillohet edicioni XVI i festivalit "Fano jazz by the sea". Edhe këtë vit yje të muzikës botërore performojnë në Marina dei Cesari dhe Corte Malatestiana në Itali. Ky festival është një nga takimet më të rëndësishme të muzikantëve të xhazit. Koncertet nën regjinë artistike të Adriano Pedinit, zhvillohen në një skenë të improvizuar mbi ujë. Çdo ditë ka koncerte që zgjasin deri në mesnatë ku do të luhet muzikë xhaz nga të gjitha ngjyrat, që nga ai standard, elektronik, brazilian, kuban, etj.
Pavarësisht artistëve pjesëmarrës, çdo mbrëmje ka për të qenë i pranishëm pianisti shqiptar Markelian Kapedani, i cili vlerësohet nga organizatorët për origjinalitetin dhe vitalitetin. Festivalin e hapin mitikët “Defunkt”, për të vijuar me “San Francisco Collective”. Mbrëmja e së shtunës i përket trios së drejtuar nga pianisti izraelit Yaron Herman, i cili debuton në Itali. Të dielën interpreton grupi “Yelloëjackets”, ku interpreton kitaristi Mike Stern. Festivali vijon me muzikën braziliane të pianistit Stefano Bollani, i ndjekur nga kubani Omar Sosa, në muzikën e të cilit gërshetohet xhazi elektronik me ritmet afrikane dhe kubane. Në datën 30 korrik është radha e kuartetit të pianistit Joey Calderazzo. Ndërsa nata e fundit i takon mjeshtrit të xhazit evropian Michel Portal.