Si e konceptojnë hapësirën 12 artistë që ekspozojnë në Galerinë e Akademisë së Arteve. Hapësira private dhe hapësira publike në foto dhe video
Tepër i gjerë koncepti “hapësirë” për ta përkufizuar me pak fjalë apo pamje. Kur janë 12, atëherë hapësira kufizohet, sidomos kur bëhet fjalë për hapësira “vetjake”. Mund të kuptohet ajo brenda një qyteti, një lagjeje, një dhome, madje edhe brenda një kornize shenjtori. “My space” (Hapësira ime) quhet ekspozita e hapur dje në Galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore, një projekt shqiptaro-gjerman.
Në galerinë e sapolyer ku të shpon hundët era e gëlqeres, janë ekspozuar punët e 12 artistëve të rinj, fotografi dhe video, kuruar nga Adela Demetja dhe Julie August. “Çdo fotografi, seri fotografish, apo video tregon një pjesëz historie, ose jete të një individi, shoqërie, qyteti, ose vendi të zgjedhur”, - thotë Demetja e cila ka zgjedhur galerinë e AA meqë të gjithë pjesëmarrësit kanë dalë nga kjo akademi. Në dukje fotografitë nuk kanë lidhje me njëra- tjetrën. Udhëtimi nëpër hapësirën e të dymbëdhjetëve nis nga kolazhi fotografik i Nikolin Bujarit, një seri fotosh të përgjakura nga bagëti të theruara. Pamjet që të kujtojnë më së shumti një thertore apo një festë fetare, për artistin tregojnë një hapësirë personale. Është riti i “të bërit gjak” në themelet e një shtëpie të re që do të thotë se një hapësirë e dhënë tashmë i takon dikujt.
Me formate të mëdha, Silva Agostini ofron ca ndërtime të pabanuara që nuk u është hequr ende mbulesa e gjelbër. Të japin idenë e një skene teatri ku shfaqja nuk ka nisur të luhet.
Shpëtim Kërçova tenton të ndajë kufirin mes hapësirave publike dhe private. Një kolazh fotografish realizuar në Parkun “Rinia”, në qendër të Tiranës, ku jo rrallë herë sheh njerëz të kalojnë vapën të shtrirë në bar.
Syabhit Shkreli vijon me kolazhet dixhitale mbi hapësirën ku jeton, që nga dhoma e gjumit, salloni i ndenjjes ku nëna lexon një gazetë, atelieja e punës, deri tek tualeti. Qindra shkrepje aparati për të sjellë perceptimin e syrit të njeriut, për t’i bashkuar më pas të gjitha pjesëzat në një pamje të plotë.
Disa elementë të mbledhur në mënyrë rastësore në të njëjtën panoramë, i krijojnë Leonard Qylafit terrenin e duhur për të përkufizuar hapësirën vetjake. Përpara një pallati në ndërtim e sipër, mbi tarracën e të cilit shquhen siluetet e punëtorëve, kalon një makinë nuseje. Dielli në perëndim ka ngjyrosur qiellin, duke i dhënë pamjes ca nota romantike. Artisti bën një lidhje të shkurtër mes elementëve. Dy të rinj të sapomartuar (“Just married” quhet puna) që ëndërrojnë të kenë një hapësirë krejt të vetën e që mund të materializohet në pallatin pas shpine.
Irgin Sena preferon videon për të treguar për kufijtë mes hapësirës së brendshme (brenda shtëpisë) dhe të jashtme. Kufiri nuk është thjesht një mur apo një dritare, por edhe drita që shformon pamjet dhe krijon figura të ndryshme ditën dhe natën.
Puna e Gentian Shkurtit nuk ngjan me asnjë tjetër. Ai sajon një lojë kompjuterike, ku qëllimi është të kalosh Adriatikun me gomone, pa u kapur nga Rojet bregdetare italiane. Liri, emigrim, hapësira të reja.
Heldi Pema riekspozon një punë të vjetër - Një komunikim mes artistit dhe etapave të ndryshme të artit.
Violana Murataj luan me parullat “bashkëkohore”. Absurditet dhe kontrast. Mbi “banesën” prej kartoni të një lypësi shkruhet “Ju lutem mos urinoni këtu!”, ndërsa diku tjetër tregohet me një shigjetë se diku pas 10 metrash mund të gjenden formularët për të aplikuar në Llotarinë amerikane. Dy të rinjtë nga Pogradeci, Ledia Kostandini dhe Andi Mulla frymëzohen në qytetin e lindjes. Përmes reflektimit në një orë të thyer, ku paraqitet një skenë biblike, Kostandini ofron botën e një të moshuare. Kurse Mulla tregon historinë e Nëna Letës, gruas pa shtëpi. E shoqëruar nga një qen, ajo këkon një strehë në qytetin e të gjithëve. Mbi këtë ide hulumton edhe Dritan Mesareja tek “udhëtarët” e natës. Tek të pastrehët, që ndryshe nga të gjithë ata që kanë mundësi të shijojnë ngrohtësinë e një shtëpie, kanë për shoqëri dritat e ftohta të qytetit dhe një zjarr, që duket sikur të fut më tepër të dridhurat. Ekspozimi i këtyre punëve shoqërohet nga një tjetër në Galerinë Zeta, me punë të artistëve gjermanë. Shpërndarja e ekspozitave në galeri të ndryshme, i përket gjithashtu idesë së hapësirës. Në një tjetër dimension, do të ekspozohen së shpejti në Berlin punët e të dyja ekspozitave, në kuadër të Muajit të Fotografisë Evropiane, në Studiogalerie në Haus am Lutzoëplatz.