Premte, 05 Dhjetor 2008 00:10:27

Lexoni versionin Print

Krenaria e Tironës, kontenier plehrash

Gjatë ditëve të nxehta pamja duket akoma më e mjerë. Ndërsa mundohesh t’i shpëtosh asaj cope rruge nën diell, sytë të shkojnë tek busti cung i Fan Nolit, vështrimi i të cilit duket sikur ndjek fluturimin e një qeseje plastike bojëqielli, që pas ca piruetash shkon të shoqërojë “shoqet” e veta.

Alma Mile
Marte, 22 Korrik 2008 08:30:00

 

Prej muajit mars, kur u zbuluan, puna pranë mureve të Kalasë së Tiranës ka ndalur. Në pritje të një vendimi qeveritar, kanalet e gërmuara janë mbushur me plehra

Gjatë ditëve të nxehta pamja duket akoma më e mjerë. Ndërsa mundohesh t’i shpëtosh asaj cope rruge nën diell, sytë të shkojnë tek busti cung i Fan Nolit, vështrimi i të cilit duket sikur ndjek fluturimin e një qeseje plastike bojëqielli, që pas ca piruetash shkon të shoqërojë “shoqet” e veta. Qese plastike, gazeta me intervista e fotografi politikanësh, apo kronika rozë, deri tek rrobat e vjetra mbushin kanalet e hapura prej nga dalin muret e Kalasë shekullore të Tiranës.

Disa muaj më parë, (në muajin mars) me bujë të madhe, rrëzë mureve të Kalasë në rrugën “Murat Toptani” u zbuluan të tjera rrënoja, që mendohet t’i përkasin antikitetit të vonë dhe jo thjesht një kalaje mesjetare. Edhe pse gjurmët diheshin prej kohësh, arkeologët dhe specialistët e monumenteve u entusiazmuan së tepërmi, kur dhëmbët e ekskavatorëve që rrëmonin në rrugën që po rikonstruktohej, nxorën në dritë ca mure me blloqe të mëdha gurësh, që sipas gjasave mund të ishin ndërtuar vetëm në periudhën romake. Me kërkesë të Institutit të Monumenteve, Bashkia e Tiranës jo pa keqardhje ndërpreu punimet e rrugës. Kalaja e Tiranës u kthye në një lajm dite.Menjëherë Këshilli Kombëtar i Restaurimeve e njohu si zonë arkeologjike nën mbrojtjen e shtetit. Nuk ishin të paktë qytetarët që shkonin për t’i parë muret e dala në dritë me një krenari të dukshme për qytetin shekullor.

Ndërsa politikëbërës, specialistë e shoqëri civile nisën debatet për të ardhmen e kalasë dhe të rrugës. Përpos takimeve të urbanistëve të Bashkisë me specialistët e monumenteve, Shoqata “Tirana” mblodhi në një tryezë të përbashkët të gjitha palët e “interesit”. U hodhën lloj-lloj idesh mbi mënyrën sesi kjo kala që “mbiu” nga dheu t’i shërbejë më mirë kryeqytetit, si të jetë më e dukshme dhe në harmoni me panoramën e ndërtimeve përreth. U nënshkrua edhe një deklaratë, ku si përfundim, si një ide e hedhur nga specialistët e monumenteve dhe e mbështetur nga Bashkia e Tiranës, rruga “Murat Toptani”, përgjatë së cilës shtrihet muri i zbuluar i kalasë, “si pjesë e këtij kompleksi historik kulturor, në të gjithë skenarët e zhvillimit të qytetit duhet të jetë një rrugë “pedonale” (këmbësore), pavarësisht nga kostoja e këtij vendimi”. Gjithashtu u ra dakord që institucionet përkatëse të marrin masa për zhvendosjen e rrjetit inxhinierik të zonës, duke filluar nga segmenti i rrugës “Murat Toptani”. Duke qenë se asgjë nga këto nuk është e mundur pa mbështetje financiare, nënshkruesit e deklaratës kërkuan që trajtimi i mëtejshëm i Kalasë të ketë mbështetje financiare nga institucione qendrore, vendore dhe të shoqërisë civile. Për këtë qëllim u propozua edhe hapja e një fondi kontributesh për qytetarët që duan të ndihmojnë për ruajtjen e monumentit të kulturës. Më 24 prill në këtë tryezë u vendos ngritja e një grupi pune që do të merrej me të gjitha procedurat e nevojshme. Po atë ditë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, premtoi t’i kthejë tiranasve “një borxh të vjetër”, atë pjesë të historisë që i është “mohuar” për shekuj me radhë.

Që atëherë ka rrjedhur ca kohë. Pranë mureve të zbathura nuk sheh më specialistë, arkeologë, as ekskavatorë, madje as njerëz kureshtarë. Punimet janë ndërprerë me kohë. Pranë kalasë nuk gërmohet më, është prerë në mes edhe projekti për ndërtimin e rrugës. Sigurisht nuk ishin parashikuar fonde për këto gërmime, ndaj pritet hapja e një buxheti të veçantë. Mësohet se projekti për vijimin e gërmimeve është miratuar në Këshillin e Kombëtar të Restaurimit dhe punimet do të kryhen nga Qendra “Frashëri” për Studime Arkeologjike. Megjithatë pritet një vendim zyrtar për fatin e rrugës dhe të mureve të kalasë. Shiritat në ngjyra të kuqe e të bardhë valëviten në erë, ndërsa hapësira e gërmuar është kthyer në një kontenier plehrash. E krenarisë historike nuk i mbetet asgjë.

Kush ka ndër mend të bashkëpunojë

Duhet që KESH-i apo Ujësjellësi të zhvendosin rrjetin inxhinierik

Kur muret e vjetra të kalasë dolën në dritë, specialistët hodhën variante mbi datimin e tyre. Disa thanë se i përkasin Mesjetës së vonë, disa periudhës romake. Por shumë ishin të mendimit se ky zbulim hodhi një dritë të re mbi historinë e Tiranës, që do të thotë se ndërtimi i saj nuk nisi me Sulejman Pashën. Pavarësisht vlerave historike, puna për nxjerrjen e saj në dritë është ndalur. Specialistët thonë që përpara se të vijojnë gërmimet, duhet që institucionet përkatëse si KESH-i, apo Ujësjellësi të ndërhyjë për zhvendosjen e rrjetit inxhinierik (elektrik dhe ujësjellës kanalizimeve) që kalon aty pari. Kjo ishte një nga pikat e nënshkruara në deklaratën e muajve më parë, megjithatë deri më tani nuk është bërë asgjë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Rrëzët e mureve te kalase te mbushura me plehra

Thaçi: Zgjerimi i EULEX-it nuk mund të pengohet

04/12/08 20:35:00 | Nuk do të ketë pengesë që do të mund të ndalojë zgjerimin e..

Bakojanis paralajmëron takim të ri për emrin e Maqedonisë

04/12/08 14:50:00 | Negociuesit e përfshirë në kontestin ndërmjet Greqisë dhe..

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML