Premte, 29 Gusht 2008 01:43:14

Lexoni versionin Print

Pas tylit të gjakut

Një qendër shqiptare iu afrohet fëmijëve të ngujuar jo për t’i ndihmuar me tuta dhe ushqime. Me “TYL” të Bevis Fushës i tregon botës dramën e turpshme shqiptare të shekullit XXI që për paradoks gëzon mbështetjen e shtetit

Elsa Demo
Diel, 20 Korrik 2008 09:28:00

 

L. P, 50 vjeç, është një nga 80 mësuesit e komunave në rrethinat e Shkodrës që u japin mësim në shtëpi fëmijëve të ngujuar. L. P ka humbur të atin pas viteve nëntëdhjetë nga një gjakmarrje e ringjallur në krye të 20 viteve. Kur i ati i L. P mori lajmin se kërkohej borxhi i vjetër i gjakut, i dha fund një ditë ankthit dhe kërcënimit të djemve të tij. Për dy ditë i ra qark me biçikletë sheshit përballë shtëpisë së gjaksit. Aty u bë fli.

L. P ka vite që shkon shtëpi më shtëpi për t’u dhënë mësim djemve dhe vajzave që për shkak të vrasjeve që ka bërë mashkulli i familjes së tyre, ka raste dhe ndonjë i afërm i tyre, janë izoluar mes mureve.

“L. P është hero” thotë Bevis Fusha i cili ka fotografuar mësues, fëmijë dhe familje të ngujuara në rrethina të qytetit të veriut dhe në Shkodër ku kanë ardhur në këto 18 vjet dhe jetojnë në banesa me qira afro 2000 familje.

L. P mbetet hero me zemër edhe pse figura e tij është shërmbëlltyrë e paradokseve të shtetit. Është në radhën e atyre mësuesve që kanë arsimuar mbi 70 fëmijë në shtëpitë e të ngujuarve, sipas një projekti të Ministrisë së Arsimit të quajtur “Shansi i Dytë”. “Është njëlloj si legalizimi i pronave të vjedhura”, thotë Eralda Çani, drejtore ekzekutive e Shoqatës “Fëmijët Sot” (Organizatë shqiptare jofitimprurëse e themeluar më 2007, me partner kryesor Plan International dhe Plan Albania) e cila i është afruar fenomenit të gjakmarrjes në një formë tjetër: me një album fotografik që ka në fokus fëmijët. Quhet “Tyl” dhe është realizuar nga fotografi Bevis Fusha.

Lule, rrjeta, gardhe, mësues dhe fëmijë përkundër, armëve, thikave, shotave dhe pozave të grave-burra me të cilat mediat e huaja i kanë treguar botës dramën e turpshme shqiptare të shekullit XXI, fytyrën e gjakmarrjes dhe të Kanunit, “kushtetutës 500-vjeçare që rregullon sot e kësaj dite jetën e malësorëve”, të cilënshteti shqiptar në pamundësi për ta pasur nën kontroll “e legalizon”, e njeh dhe ndihmon me projekte të tipit “Shans i dytë”.

Bevis Fusha është fotograf që nuk e lëvron lirikën dhe as dramatikën në formë të hapur. Ai njihet për “agresivitetin” e të vërtetave në përmbajtje (jeta urbane, religjioze, tregtia e të dukurit) dhe në stil. Ai fotografon spontanisht dhe kjo iu jep “figurave” të tij një tendencë që tregon humbjen e ekuilibrit.

Në ciklin e fotove që janë përfshirë në albumin “Tyl” personazhet e Fushës i jepen gjërave të natyrës, tokës, zogjve, luleve, por ama është një copë natyrë e kufizuar brenda rrezes që lejojnë të tjerë njerëz. Një dramë poetike, jo sentimentale, përkundrazi, shokuese. Një perde e hollë i ndan ata nga jeta e përditshme, prandaj ky album quhet “tyl”.

Historia fotografike e 14-vjeçarit Mark zë vend kryesor tek “Tyl”. Marku është lulishtar, zanat që nuk e ka zgjedhur, në kishën e fshatit. Është i vetmi vend ku gjaksi nuk mund ta prekë, t’i bëjë keq me një plumb në gjoks apo në shpinë.

“Janë si ne, janë njerëz që s’kanë asgjë më shumë apo më pak se ne të jemi të lirë. Vetëm se kanë të paqarta format e sistemit që ata kanë vetëvendosur”,- thostë Bevisi. Ai donte të ishte një album që s’ka të bëjë me gjakderdhjen, por me poetikën dhe fëminoren. “Ti nuk mund të parashutohesh në jetën e tyre kur ata kanë vite të ngujuar. Ti si fotograf ndihesh i huaj për ta. Prandaj mësuesi i këtyre anëve që për mua është vërtet një hero, dhe në besëdhënien e familjeve armiqësore shërbeu si guida jonë.”

Kjo ide e Fushës funksionoi sipas këkesës së drejtuesve të Shoqatës “Fëmijët sot” të cilët donin t’i afroheshin fenomenit nga një këndvështrim tjetër, duke ruajtur etikën, dhe në fund të realizohej një “album politik” në kuptimin e ngacmimit të politikave për këta fëmijë që “s’kanë të drejtë për zhvillim”.

Albumi është i pajisur me poezi të shkruara nga fëmijët e ngujuar, të botuara me shkrim dore, me gabimet gjuhësore dhe në dialekt, duke ia shtuar më shumë vlerën, ndjeshmërinë e pazakontë që përcjell ky libër modest. Ja çfarë shkruan një nga fëmijët: “Po e vrave ti i mjerë ç’fitove

Asgjë veçse fike një jetë

Me vu drejtsi u mundove

Po kjo nuk asht drejtsi gjithmon krim ka me mbet.”

Projekti “Kam të drejtë të jetoj me të drejta” pati bashkëpunëtorë strukturat arsimore të Qarkut Shkodër që mundësuan vizitat dhe takimet me fëmijë dhe familje të ngujuara në zonën e Velipojës, Bardhajt, Bushatit, Dajçit e Shllakut.

“Albumi politik” mund të gjendet në librarinë “Adrion” dhe pranë Shoqatës “Fëmijët sot”. Po shpërndahet në institucionet qendrore të shtetit, që nga ministritë deri në kryeministri dhe presidencë. “Fenomeni është i tyre, është pjesë e zgjidhjes së tyre”,- thotë Eralda Çani. “Ne s’mund ta zhdukim fenomenin, s’e bëjmë dot. Por ama mund t’ia kujtojmë presidentit, kryeministrit, shoqërisë që këta njerëz do të vazhdojnë të bëjnë vetëgjyqësi për aq kohë sa institucionet tona do të nuk funksionojnë.”


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML