Sarandë/ Më në fund pas 60 vjetësh, Teatri Kombëtar e ka një vepër të antikitetit. Të premten, në skenën antike të Butrintit, ishte “Trojanet” e Euripidit premiera absolute që hapi edicionin e nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit. Regjisori grek Vangelis Theodoropuolos zgjodhi pikërisht këtë ndër veprat e tragjedianit, sepse sipas tij, Troja është Ballkani, është një vaj e gjëmë në shkrumbin e luftës, po edhe nënshtrim ndaj fatit. Hyrja është paksa e gjatë, e heshtur, një Poseidon i veshur alla frënga vërtitet në skenën me stola të gjatë të përmbysur, një Athina e veshur në të bardha, që fliste shumë më bukur me gjuhën e trupit, se sa në dialogun patetik me tjetrën hyjni, nuk të krijonte entuziazëm për pjesën e shumëpritur. Por trojanet e mblodhën veten shpejt. Hekuba, nëna mbretëreshë, mori në dorë situatën, për të mos e lëshuar deri në fund të tragjedisë. Një Margarita Xhepa që ka çuditur gjithë publikun me energjinë e pashtershme. Ajo, gruaja e pushtetshme e Trojës, kishte shumë për të qarë. Që nga i shoqi i therur, mbreti Priam, tek i biri Hektor zulmëmadhi i vrarë në dyluftim, e bija Polikseni e therur si bagëti mbi varrin e Akil Pelidit, tek pallati i shkatërruar, tek shorti i mbrapshtë, për t’i shërbyer Odiseut, tek kuja më e zezë, tek flijimi i Astianaksit, nipit të dashur. Vaji i Hekubës mbante gjithë tragjedinë, duke u gërshetuar me ato vetanaket e Kasandrës së marrë, apo Andromakës. Ai shuhej për një çast, tulatej, për t’u ngritur sërish si një Feniks nga hiri. Kishte të drejtë regjisori grek, kur pas shfaqjes tha se Margarita Xhepës i puthte duart. “Margarita Xhepa mbajti gjithë Trojën”, - tha Maks Velo, gjatë konferencës për shtyp. “Trojanet” ishte një shfaqje e mirë, e rrallë në llojin e vet në repertorin e Teatrit Kombëtar. Vepra kishte aksion. Regjisori kishte futur bukur gjuhën e trupit, për të plotësuar fjalën që shpesh është e varfër për të dëshmuar përjetime të thella. Theodoropouos kishte bërë kërkime për të vendosur aktorët e duhur në vendin e duhur, që nga Xhepa, që me gjithë moshën dëshmoi energji të pashtershme. “Ndoshta ishte mosha që e plotësoi më shumë këtë rol”, - tha aktorja e cila kishte vite që e dëshironte Hekubën dhe mundi ta ketë vetëm pas moshës 70-vjeçare. Në rolin e Andromakës vjen Luiza Xhuvani, me qëndrimin e saj të ftohtë në dukje, statike që mbart tragjizëm. Ema Andrea nuk mund të ishte veçse një Kasandër që në çmendurinë e saj parashikon fatet e akejve. Falë një të kaluare si balerinë Andrea nuk e ka problem “të vallëzojë” në skenë dhe t’i bindë trupin botës së çuditshme të Kasandrës. Në rolin e Helenës, Theodoropoulos ka zgjedhur në të vërtetë një nga aktoret më të bukura shqiptare, Rajmonda Bulkun. Ajo nuk është leshverdhë dhe nuk është e veshur me fustanin jakërrëzuar, por me një shik, me dekolte dhe me sandale me takë e me vathë e xixa. Lajkatare dhe shkatërruese deri në fund. Diku nga mesi i shfaqjes në skenë hyn edhe Menelau. Ky gjysmëburrë që rrënoi një qytetërim për një grua. Arben Derhemi i qëndron më së miri këtij roli që edhe në letërsinë që vjen nga kohërat nuk është se krijon ndonjë simpati të madhe. Të dy këta janë personazhe ironikë. Nuk ka asgjë heroike tek Menelau. Regjisori tha se nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka respektuar “vullnetin” e Euripidit, që bën humor me këto dy figura. “Është një pushim i çuditshëm në mes shfaqjes, në këtë udhëtim tragjik”, - thotë Theodoropouos. Edhe Neritan Liçaj, flokëgjatë si një figurë që vjen nga antikiteti, është mirë në pozicionin e lajmëtarit kobzi të akejve. Këto personazhe që komunikojnë me njëri-tjetrin përmes Hekubës, përbëjnë vetëm njërin shtresëzim të veprës. Një tragjedi greke nuk mund të kuptohet pa korin. Grupi i vajzave që përveç recitimit, që nuk i shpëtonte dot epizmit patetik të shkollës sonë të aktrimit, kishin edhe një minimum vesh muzike. Ndërhyrjet e korit ishin konceptuar në formën e këngë-vajeve të jugut, me elementë të polifonisë, (hedhja, marrja, pritja). U pranua nga të gjithë, edhe nga vetë regjisori, që kori ka nevojë për më tepër përpunim. Duke qenë se kjo është e para vepër antike në TK, regjisorit iu desh ta krijonte çdo gjë nga e para, që nga gjetja e aktoreve tek mësimi i të kënduarit. Kishte edhe stonime, por fatkeqësisht në shkollat tona nuk “prodhohen” nga ata aktorë që mund t’i bëjnë të gjitha. Për përshtatjen e tekstit me muzikën një punë të mirë ka bërë këngëtari polifonik Alket Zaimi, i cili kishte krijuar edhe motivet bazë të vajeve. Nga të pranishmit të konferencën e shtypit ishte dukur jo e gjetur përshtatja e një kënge të njohur të veriut në vajin që Hekuba bën mbi trupin e njomë të Astianaksit. Bëhet fjalë për Këngën e Rexhës. “Nuk gjej asgjë që nuk shkon në fjalët e këngës. Ma kanë përkthyer mirë përpara se ta përdorja”, - tha Theodoropoulos, duke shtuar gjithashtu se nuk kërkon të shfajësohet për asgjë dhe është shumë i kënaqur nëse vepra është pëlqyer në një masë prej 70%. E duket se i ka rënë në të me përqindjet. “Trojanet” ka rrugë për të bërë, pa dyshim që ka nevojë që të piqet dhe të lëmohet, sidomos në drejtim të korit. Pas shfaqjes së Butrintit, vepra shfaqet në Greqi në Festivalin e Vironës përballë veprave të tjera të këtij lloji. Publiku i Tiranës ka për ta parë në sezonin e ardhshëm të Teatrit Kombëtar, në fillim të vjeshtës.
Publiku kërkon Butrintin
Festivali i Butrintit nuk ka parë aq shumë spektatorë sa në premierën e tragjedisë “Trojanet”. Teatri antik u mbipopullua dhe shumë njerëzve iu desh të kthehen mbrapsht. Dukej si një protestë e heshtur e publikut ndaj përgjysmimit të festivalit për shkak të kufizimit të fondeve dhe të vëmendjes nga ana e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ministria mbetet financuesja kryesore e “Butrinti 2000”, por asnjë ekspert i saj nuk është i pranishëm siç do të ishte e udhës, për të këqyrur se si shpenzohen paratë që ajo jep. Nuk dihet nëse mbrëmja e së premtes do t’u kishte pëlqyer përderisa Festivali i Butrintit përkufizohet një ngjarje “me pak spektatorë”. Po kjo nuk është diçka e re. Ministrat e kanë të vështirë të vijnë deri në Butrint për një shfaqje teatri. Edhe Bashkia e Sarandës që do të duhej të kontribuojë më shumë, përderisa në pikun e sezonit turistik, në këtë vend të begatë, nuk ofrohet tjetër gjë veç natyrës, që edhe atë po e shkatërrojnë vendasit me ndërtesa të larta të shëmtuara. Për shkak të kësaj thatësire ndodh edhe zbarkimi i aq shumë spektatorëve në Butrint. Mbrëmë festivali vijoi me trupën serbe. Teatri Kombëtar i Nishit solli shfaqjen “Dundo Maroje” me regji të Irfan Mensur.
Maks Velo, rekuiem për Sarandën
Maks Velo nuk ka nevojë t’i thërrasë kujtesës për Sarandën e para dyzetë viteve, kur bregdeti qarkohej nga ca ndërtime të bukura karakteristike, 2-3 katëshe. I ka të hedhura në telajo dhe më mirë se kaq nuk mund të të tregojë për përjetimin e dikurshëm dhe keqardhjen e tanishme. Në ditët e Festivalit të Butrintit, në ambientet e hotelit me të njëjtin emër në Sarandë, piktori improvizoi një ekspozitë personale. Janë 20 punë të realizuara në dekada. Pesë prej tyre i kushtohen qytetit në vitet ’59-’73 dhe tregojnë Sarandën piktoreske, kur ende nuk ishte shndërruar në një bunker të madh të betonuar, buzë detit. Pjesa tjetër janë vizatime të vona që lidhen me teatrin. Velo është një vëzhgues i mirë karakteresh të cilët i jep në përjetime e sipër. “Kjo nuk është një rastësi. E kam dashur përherë teatrin dhe janë shtresa në subkoshiencë ato që krijojnë marrëdhënie të kodifikuar. Më ka interesuar marrëdhënia njerëzore në teatër. Ndonjëherë personazhet janë të shndërruar edhe në shenja, në simbole që flasin për gjendjet e njerëzve. Pra ka qenë gjithmonë zbërthimi i marrëdhënieve njerëzore që mua më ka interesuar në art”, - thotë Velo. Pjesa më e mirë e punëve të ekspozuara janë të gjitha krijime të viteve ‘90-‘98.