Nuk ka më akullore a aranxhata 1 lekëshe, as duhan “Partizani”, madje as kafe “Flora” nuk ekziston më.Ishte njëherë një kohë kur burrat veshur me këmisha dhe pantallona terital dilnin shëtitje përkrah bashkëshorteve, të gjitha veshur me fustanë. Ishte njëherë një kohë ku bëheshin vizita tek miqtë e kur në mbrëmje shoqërish vallzohej vals a tango. Ishte njëherë një kohë kur Blloku i Tiranës ishte i izoluar, e ku ushtarët e shtetit nuk të linin të shëtisje si sot. Ishte ndryshe në vitet ’50-’60. Aq ndryshe sa të rinjtë nuk vërshonin kafeneve e ku më të frekuentuarat ishin kinematë.
***
Jazo Bejo ishte djalë fare i ri, tek të 16-at kur erdhi të banonte në Tiranë, nga Tragjasi i Vlorës. E mban mend mirë rininë e tij. Edhe pse mban mbi supe 81 vjeç, të tregon me detaje se Tirana ishte e bukur. I bukur ishte edhe pazari i vjetër i kryeqytetit, ku qëndronin zanatçinjtë e ku ofrohej për të ngrënë gatime tradicionale. Vendin këtij kujtimi të shtrenjtë të Jazos, ia ka zënë Pallati i Kulturës. Edhe kafenenë “Flora”, disa vjet më pas, kur shkonte me bashkëshorten a miqtë e tij, ka nisur ta harrojë. Por ajo që mban mend është se tiranasit ishin njerëz të dashur, mikpritës e të qetë.
Kur e pyet se çfarë të mungon nga rinia, Jazo hesht për pak por nuk stepet për të dhënë një përgjigje. “Më mungon rinia ime, se e desha shumë atë kohë që jetuam. Ishte rini e bukur dhe e mirë, e pastër dhe pa vese. A e sheh se çfarë kohe ka ardhur sot?”, shprehet 81-vjeçari, i cili tymos një duhan të fortë.
Do të mjaftonin vetëm pak vite që Jazo të njihte bashkëshorten e tij të ardhshme, Fitneten, bija e një prej familjeve me emër në Tiranë, Balla. “Si në atë kohë, u pëlqyem, biseduam për herë të parë, përshëndeteshim dhe më pas e bëmë lidhjen tonë familjare. Fitnetja, e cila punonte rrobaqepëse në gardë, ishte 3 vjeç më e vogël nga unë, por atëherë ishte më e lehtë të krijoje familje. Gjithçka ishte e qetë në Tiranën e 100 mijë banorëve”, rrëfen Jazo, i cili punonte në administratë në ato kohë. Filluan të banojnë në një shtëpi karakteristike tiranase, në Rrugën e Kavajës, ku lindën 4 fëmijë. “Tani jemi bërë stërgjyshër dhe fare mirë e kuptojmë ndryshimin e brezave. Por ajo që vlerësoj më shumë tek brezi i sotëm është lirija që ka. Gjithkush mund të bëjë atë që do dhe mund të bëhet dikush nëse punon, ndryshe nga si ndodhte në kohën tonë”, të thotë 81-vjeçari, i cili ka plot 60 vjet bashkëjetesë më gruan e tij.
E DIKURSHMJA TIRANË
Sheshi “Skënderbej”, apo Bulevardi i Madh, siç i thotë Jazo, ishin dy nga pikat e takimit mes tij e miqve. Pa harruar sigurisht Rrugën e Kavajës, Parkun “Rinia” a lulishten para Parlamentit. “Por shkonim edhe në kinema, tek “Partizani”, pas 15-katëshit, apo tek kinema “Republika”, në rrugën e Kavajës. Përveç se dilja me shokët e mi, me të cilët përgjithësisht luaja shah, dilja edhe me time shoqe. Shihnim në kinema edhe filma të huaj. Mbaj mend ,për shembull, filmin “Igli”, një film italian. Sepse në ato vite përgjithësisht jepeshin filma të huaj, filma të luftës së dytë botërore dhe disa vite më pas filma sovjetikë.Por më pas ne shihnim edhe filmat shqiptarë që nisën të prodhoheshin si “Përballimi” apo “Tana”. Dhe për të gjitha filmat paguanim nga 1 lek deri në 2 lek, sipas filmit”, vijon të tregojë 81-vjeçari. Por, rrëfyer nga stërgjyshi Jazo, në rininë e tij nuk mungonin as mbrëmjet e organizuara me shoqërinë e punëss, ku vallzonin vals apo tango. “Por ajo që më duket se nuk funksionon kështu në ditët e sotme është regjimi ditor i të rinjve. Në atë kohë unë zgjohesha çdo ditë në orën 6 të mëngjesit, kurse sot të rinjtë duan të bëjnë edhe nja 4 a 5 orë më shumë gjumë”, thotë Jazo, i cili dikur lexonte romanin “Nëna” të Maksim Gorkit, a “Lufta e Spanjës”, të Petro Markos.
TIRANA E SOTME
Kreshnik Rama, 22 vjeç punon në një nga dyqanet që shesin ushqim të shpejtë në kryeqytet. Edhe pse studion në degën e Ekonomikut, ka zgjedhur të punojë, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tjerë të tij. “Për çudi, ndryshe nga shokët e mi, zgjohem herët, rreth orës 7 të mëngjesit, sepse paradite më duhet të shkoj në shkollëdhe pasdite të punoj. Kështu koha ime është shumë e programuar”, të thotë Kreshniku, i cili shton se puna e ka ndryshuar, e ka bërë me këmbë në tokë. Thënë nga ai, rinia e sotme të cilës i përket kërkon më shumë të shfaqet e veshur bukur dhe të dalë nga Blloku. “Më duket sikur kemi nisur të jemi shumë materialistë, ndryshe nga gjyshërit tanë, kur çdokush vlerësonte tek tjetri karakterin dhe virtytet. Shpresoj që të kuptojmë shpejt se të jetosh bukur rininë nuk do të thotë të vishesh në mënyrë estravagante dhe të dalësh rrugëve të Tiranës”, thekson 22-vjeçari, të cilit i pëlqejnë më shumë shëtitjet në natyrë apo të udhëtojë nëpër Shqipëri. Por, i riu, është edhe shumë i lidhur me librat epiko-lirikë si “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës, shkrimtari i tij i preferuar. “Dëgjoj muzikë R&B dhe Hip-Hop, por më pëlqen edhe ajo popullore, por origjinalja dhe jo e përpunuara”, rrëfen Kreshniku, i cili përdor mjaft mirë kompjuterin dhe kalon çdo ditë kohë me internetin.“Bisedoj çdo ditë me dy vëllezërit e mi që janë emigrant por e shfrytëzoj internetin edhe për detyrat e kursit, për të cilat është i detyrueshëm”, shprehet 22-vjeçari, i cili shton se teknologjia tashmë është bërë mani për bashkëmoshatarët e tij. Dhe për të, kur jeta kulturore është e vakët në Tiranë, të rinjtë e brezit të tij ose do të frekuentojnë kafenetë apo pabet, ose do të zhyten në botën e pafundme të internetit.
KU BASHKOHEN BREZAT
Pa hezitim tek dashuria që kanë për qytetin e tyre. Jazo Bejo dhe Kreshnik Rama e vlerësojnë shumë Tiranën. “ Sot Tirana është e pastër dhe e gjelbëruar. Ka shumë për t’u vizituar në Tiranë”, të thonë të dy.Por mbi të gjitha, cilësuar nga të dy, mbetet liria e madhe që gëzojnë të rinjtë e sotëm. “Ndjehemi të lirë, të vishemi bukur, të dalim kur e ndjemë se duhet të dalim dhe mbi të gjitha të përpiqemi për të realizuar vetveten”, shprehet 22-vjeçari, i cili pas mbarimit të shkollës do nisë të punojë në profesionin e tij. Por për 81-vjeçarin, liria nuk duhet të ketë lidhje me abuzimin. “Koha në të cilën jeton rinia e sotme është e zorshme sepse ndonjëherë fëmijët ndihen të lirë të shkojnë kur të duan në kinema, kafene, apo vendet të cilat I quajnë pabe. Por me pabet dhe diskot, tek të cilat venë u duket vetja sikur po fluturojnë, sikur po shkojnë në hënë pa qenë realist se nuk duhet abuzuar”, thekson 81-vjeçari. Megjithse sipas tij, të rinjtë nuk mund të heqin dorë kurrë nga rebelizmi, të paktën duhet ta kenë nën kontroll këtë prirje. “Edhe unë nuk u jam bindur prindërve të mi, por kur deshën të më ndalonin për të dalë vullnetar në luftë”, të tregon Jazo. Nga ana tjetër, sipas tij, të rinjtë duhet të mësojnë të punojnë, sepse mosha që kanë ose do i ndihmojë për të ecur në jetë, ose do t’i lërë dembelë gjithë jetën. Por kur e pyet 81-vjeçarin se a e ka kuptuar se si funksionon një kompjuter dhe a di ta përdorë, ai buzëqesh dhe shpejt e shpejt të tregon një histori të shkurtër. “Një ditë m’u desh që t’i dorëzoja një mikut tim një faqe, ku kisha të shkruar diçka. Ai më tha se duhet t’ja dorëzoja në një vend, që ta lidhte me kompjuterin. Unë shkova në një Internet, por aty më ndihmoi një djalosh i ri”, të tregon Jazo, ku pjesa që do lidhej me kompjuterin quhet “CD” dhe që Jazo, e pati shumë të vështirë ta shqiptonte. Ajo që nisi të thotë me ëndje më pas, është se brezi i tij, ashtu si të rinjtë e sotëm, fliste shumë gjuhë të huaja, gjuhën italiane, sllave, ruse, angleze e franceze.