Ka edhe orkestra ekskluzivisht për të rinjtë, orkestra e Tirana Music Festival dhe “Camerata e Tiranës” të krijuara së fundmi nga muzikantë që jetojnë jashtë vendit
Duket se të rinjtë duhet t’i presin shanset vetëm nga jashtë. Edhe kur bëhet fjalë për muzikën, e më konkretisht për orkestrat, duhet të vijë dikush nga jashtë, qoftë ky i huaj apo ndonjë shqiptar që ka mundur t’ia dalë mbanë, të bëjë pak karrierë dhe me ndonjë projekt nën sqetull të ngrejë diçka. Janë të rralla ato raste kur një vendas të ketë marrë iniciativën për të ngritur një strukturë të tillë dhe në fakt është e kuptueshme. Për të mbajtur këto formacione duhen para çka nuk është e thjeshtë për t’i gjetur. Ndërkaq, në kryeqytet krijohen edhe dy orkestra të reja, ajo e Tirana Music Festival dhe “Camerata e Tiranës”, të dyja të ngritura me iniciativën e të “ardhurve”. Këto ditë të nxehta, në një nga sallat e mëdha të Akademisë së Arteve bëhen prova. Që jashtë dëgjohen tek luajnë Beethoven, Mendelson…
Janë mbi 30 studentë të Akademisë së Arteve, nga viti i parë deri në të katërtin, dhe pak të sapodiplomuar, që formojnë orkestrën e TMF-së. Më 19 korrik ata nisen drejt Italisë, për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar “Umbria Estate” (që zhvillohet nga Akademia Ndërkombëtare Muzikore e Umbrias). Deri më 2 gusht do kenë një tur koncertesh në Peruxha, Asizi, Todi, Bastia Umbra, etj., nën drejtimin e dirigjentit të laboratorit-orkestër të TMF-së, Marco Pontini.
Janë parashikuar edhe 4 ditë master me muzikantin Robin O’Neil. Dy klarinetat e orkestrës do të qëndrojnë disa ditë më shumë në Itali, për të marrë pjesë në Clarinet Choir, që drejtohet nga klarinetisti Piero Vincenti.
Orkestra e TMF-së u themelua tri vjet më parë, por edicion pas edicioni rritet në numër, duke u pasuruar me elementë të rinj në radhët e harqeve, apo të instrumenteve të frymës.
Për drejtoreshën artistike të TMF-së, pianisten Marsida Koni, këto koncerte përbëjnë një provë për orkestrantët e rinj. Edicioni tjetër vjen shumë shpejt dhe nëse nuk kapin dot ritmin e punës, sigurisht do të duhet t’ua lënë vendin të rinjve më të vullnetshëm. Presidenti i festivalit, Piero Vincenti, thotë se arsyeja pse ngritën një orkestër të tillë në Tiranë, është që t’u vijë në ndihmë të rinjve. “U dedikohet vetëm të rinjve dhe ka karakter didaktik”, - thotë Vincenti, teksa shton se në varësi të arritjeve të kësaj orkestre, parashikohen koncerte jo vetëm në zonën e Umbrias, po dhe më gjerë, përtej kuadrit të “Umbria Estates”. Ai thotë se orkestra nuk lindi si konkurrencë ndaj orkestrave të mëdha të Tiranës, pasi ajo nuk është vazhdimisht aktive. Dhe kjo jo se nuk është e mundur, por ngaqë qëllimi i organizatorëve nuk është ky.
Përkundër qëllimit didaktik të orkestrës së TMF-së, “Camerata e Tiranës” është për ata instrumentistë të sapodiplomuar që nuk gjejnë një derë të hapur në orkestrat e RTSH-së apo TKOB-it. “Camerata” është një ide e violonçelistit Arben Skënderi i cili prej vitesh jeton në Paris. I mbështetur nga shoqata kulturore “ARTHEMA- Shqipëri” (bijë e shoqatës me qendër në Paris), Skënderi ngriti në këmbë një orkestër me rreth 30 instrumentistë, unike në llojin e vet. E quajtur “Camerata”, sipas gjetjes gjeniale të Mozartit. Prej shumë vitesh të gjitha formacionet e këtij lloji luajnë kryesisht muzikën e kompozitorit të madh. Koncertin e parë ky formacion e dha më 21 qershor me solistë violinistët Klodiana Skënderi dhe Raphael Aubry. Mendohet që në të ardhmen të shoqërojë solistë të huaj apo shqiptarë që zhvillojnë karrierën jashtë vendit. Fatmirësisht të dyja këto formacione me një numër të konsiderueshëm të rinjsh, kanë gjetur mbështetjen e institucioneve shqiptare. Orkestra e Tirana Music Festival nuk mund të kuptohet pa Akademinë e Arteve, nga rrjedh dhe karakteri mësimor i tij, ndërsa “Camera e Tiranës” pa mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në ambientet e së cilës janë zhvilluar edhe audicionet e të rinjve që formuan “Cameratën”. Pra, nxitjet duhet të vijnë gjithnjë nga jashtë, në të kundërt nuk ndodh asgjë.