Orkestra frymore e Shkodrës është fituese e edicionit të tretë të festivalit të bandave në Shqipëri. Ky ishte vendimi që mori të dielën në mbrëmje juria me kryetar Thoma Gaqin dhe anëtarë Agim Krajkën, Ilir Gjonin, Fatos Jahon, Panajotis Vlahosdhe Pasionare Nikën. Në vend të dytë u rendit orkestra frymore e qytetit të Korçës dhe në vend të tretë banda e Beratit. Në këtë vlerësim të jurisë ka ndikuar historia dhe tradita e pandërprerë që kanë këto banda qytetëse. Nga ana tjetër, një orkestër e re si ajo e Sarandës është shpërblyer me çmim inkurajues.
Në dy netët e fundit të festivalit ishin ftuar për të konkurruar grupe e kuintete me instrumentistë karriere po edhe të rinj, studentë të Akademisë së Arteve, të drejtuar nga pedagogët e tyre.
Manifestimi muzikor ballkanik u shfaq në interpretimin e përbashkët me orkestrat greke të Athinës, të suitës së Çesk Zadesë dhe të të mirënjohurës melodi “Kur më vjen burri nga stani”.
Surprizë ishte ardhja e dy orkestrave nga Athina apo këngëtarët e ftuar si Frederik Ndoci intepretimet e këngëve tëtë cilit si “Granada” u shoqëruan nga “Tirana Band” me dirigjent Edmond Dokon.
Pas ndarjes së çmimeve nata ishte e tëra për “Fanfarën e Tiranës” e drejtuar nga instrumentisti Xhemal Muraj, muzikë që e përfshiu Sarandën në ritme të gëzueshme. Prokop Nishku, mjeshtri i mësimit të veglave të frymës, sot pensionist, dikur pjesë e kësaj fanfare tha “Fanfara e Tiranës ka arritur sot aty ku ne, brezi më i vjetër e kishim ëndërr.” Kjo fanfarë dje është nisur për një turne në Austri.
Virtuoze ishte paraqitja e të ftuarës speciale, Orkestra Frymore e Ushtrisë e drejtuar nga majori Halim Teqja.
Fituesja e këtij edicioni ka të kaluar për t’u admiruar. Orkestra Frymore e Shkodrës është e para orkestër shqiptare e themeluar më 1878. Në fillimet e saj është drejtuar nga i shquari Palok Kurti, trashëgimtar i familjes Kurti. Në vitin 1898, Frano Ndoja krijoi të dytën orkestër frymore po në këtë qytet. Më 1918 krijohet shoqata kulturore “Rozafa” dhe një vit më vonë “Vllaznia”. Më 1932Dom Mikel Koliqi krijoi orkestrën frymore të shkollës françeskane. Deri më 1944 pothuajse gjithë qytetet kryesore të Shqipërisë kishin bandat e tyre frymore.
Në konkursin kombëtar të orkestrave i zhvilluar në Tiranë më 1930, orkestra frymore e Shkodrës zuri vendin e parë. Më 1962 në Takimin Kombëtar, në Vlorë u nderua me çmimin e lartë “Laureat i Festivalit”. Janë të shumtë vlerësimet që merr në festivalet e llojit të vet në Korçë, Elbasan etj.
Më 2003, Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës, për kontributin e dhënë në vite i akordon titullin e mirënjohjes “Krenaria e Qytetit”.