Në Pallatin e Luksemburgut në Paris paraqitet vepra për kishën e Shën Thanasit në Voskopojë dhe veprat e saj murale të cilësuara kryevepra ballkanike të artit postbizantin
Fshati i vogël i Shqipërisë së Juglindjes, Voskopoja, dikur qyteti më i rëndësishëm i Ballkanit, prej vitesh është vënë në qendër të vëmendjes së strukturave ndërkombëtare të trashëgimisë, sidomos për pasurinë kulturore të pesë kishave dhe një manastiri, për veprat madhështore të artit dhe të panjohura që ruhen brenda tyre, pikturat postbizantine. Ndërmjet këtyre ndërtesave, kisha e Shën Thanasit, e ndërtuar më 1724, është më mbresëlënësja e kthyer në qendër studimore verore për organizatën “Trashëgimi pa kufi”. Muret e saj, kupolat e saj janë të gjitha të pikturura nga Konstandin dhe Thanas Zografi, dy artistë të formuar në Malin Athos. Kjo është kryevepra e vëllezërve Zografi të cilët krijuan një stil të veçantë duke ndërthurur traditat bizantine dhe evropiane me ato të Perandorisë otomane dhe të botës islamike.
Pikërisht kësaj kishe dhe pikturat e saj murale i kushtohet “Sikstina e Ballkanit”, vepra që po i jepet lexuesit francez, botim i “Patrimoine sans Frontières” dhe Botimeve të artitSomogy. Vepra prezantohet më 22 korrik, në Palais du Luxembourg.
Shoqata “Trashëgimi pa kufi” u paraqit në Shqipëri më 1999 me qëllim ruajtjen dhe studimin e sitit të Voskopojës, që u regjistrua nga UNESCO si një nga 100 trashëgimitë botërore në rrezik. E vendosur në rrugën që lidhte Kostandinopojën me Venedikun, qyteti i Voskopojës kishte qenë një qendër e rëndësishme ekonomike, intelektuale dhe artistike e Ballkanit, në shekujt XVII-XVIII. Nga kjo e kaluar e lavdishme kanë mbetur vetëm gjashtë ndërtesa religjioze.
Pas restaurimit dhe angazhimit për ruajtjen e tyre, “Trashëgimi pa kufij” e të cilës nuk ka kaluar pa u kritikuar nga restauratorët shqiptarë, ndërmerr sot, në kuadrin e Programit Europaid i Komunitetit Evropian, në projekt për zhvillimin afatgjatë dhe integrimin e sitit të Voskopojës.
Botimi i “Sixtine des Balkans” kushtuar kryeveprave të artit ballkanik post-bizantin është në këtë kuadër.
Më 20 gusht, vepra me 120 faqe, 100 ilustrime dhe që kushton 30 €, hidhet në qarkullim. Është një vepër kolektive e hartuar nën drejtimin e Maximilien Durand, drejtor shkencor i “Trashëgimisë pa kufij”