Premte, 29 Gusht 2008 23:56:57

Lexoni versionin Print

Më mirë nën tokë

Arkeologia dhe studiuesja Shpresa Gjongecaj, tanimë drejtoreshë e Institutit të Arkeologjisë, e di mirë se çfarë problemesh rëndojnë më së shumti mbi arkeologjinë shqiptare.

Alma Mile
Premte, 11 Korrik 2008 12:24:00

Sipas drejtoreshës së Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongecaj, problemi për ruajtjen e objekteve do të vazhdojë për aq kohë sa nuk ka një Laborator qendror dhe muzetë janë jashtë standardeve

Gjongecaj përgënjeshtron denoncimet e restauratorëve

Arkeologia dhe studiuesja Shpresa Gjongecaj, tanimë drejtoreshë e Institutit të Arkeologjisë, e di mirë se çfarë problemesh rëndojnë më së shumti mbi arkeologjinë shqiptare. Pasi është njohur me “denoncimin” e Shoqatës së Restauratorëve Shqiptarë, me disa gabime të procesit të restaurimit të objekteve arkeologjike, Gjongecaj thotë se problemi qëndron tek mungesa e strukturave, tek pamundësia e laboratorit ekzistues për të përballuar volumin e punës. Sipas saj, jo vetëm objektet e sapozbuluara, por koleksione të tëra muzeumologjike, si ai i Etnografisë dhe Arkeologjisë rrezikojnë të shkatërrohen. Ajo e mohon faktin që në ekspeditat arkeologjike veprojnë të huaj të palicensuar dhe se ekipet miratohen nga këshilli shkencor i Institutit.

Jeni njohur me denoncimet e Shoqatës së Restauratorëve për ndërhyrjet e parregullta në zbulimet arkeologjike?

Problemi që ngre Shoqata e Restauratorëve është i hershëm dhe nuk lindi sot. Do të kishte qenë mirë që të gjitha objektet që zbulohen t’i nënshtrohen një restaurimi të plotë, por kjo është e pamundur. Kemi vetëm një laborator restaurues i cili mbahet nga dy punonjës dhe është e pamundur që të përballojnë kapacitetin e madh të punës. Mund t’ju them që ne zhvillojmë rreth 18 ekspedita në vit dhe janë rreth 80 mijë objekte arkeologjike që presin të restaurohen.

Thuhet se gabimet më të shumta në restaurimet e viteve të fundit janë bërë nga të huajt. Si përfshihen ata në ekspeditat tona?

Ekipet që punojnë nëpër ekspedita miratohen nga Këshilli Shkencor i Institutit të Arkeologjisë. Të dyja palët, qoftë ajo shqiptare, apo e huaj, paraqesin projektin me ekipin përkatës. Çdo anëtar i ekipit është i pajisur me dokumentacionin, ku përshkruhet puna që ka bërë. Kuptohet kjo ndodh në vitin e parë të bashkëpunimit, më tej ekipet kanë të drejtë në shtimin e numrit të bashkëpunëtorëve.

Si i shpjegoni gabimet e bëra?

Restaurimi është proces i vështirë, mund të ketë ndonjë gabim njerëzor, ashtu si edhe në mjekësi. Por nuk mund ta mohojmë që bashkëpunëtorët e huaj kanë bërë një punë shumë të mirë në vendin tonë. Ne vetë do ta kishim të pamundur. Kemi shumë mungesa në sektorë të ndryshëm. Nuk kemi antropologë, kemi mungesa të mëdha në njohës të gjuhës latine dhe greqishtes së vjetër, pa të cilët nuk mund të studiosh epigrafinë, numizmatikën apo qoftë edhe historinë antike. Ata janë të domosdoshëm për deshifrimin e shkrimeve që gjenden mbi objektet e zbuluara. Meqë tanimë nuk mësohen më këto gjuhë në shkolla, kemi menduar ta zgjidhim përmes specializimit të disa studentëve shumë të mirë.

Kryetari i Shoqatës së restauratorëve sjell si shembull një thesar monedhash që po shkatërrohet në Butrint…

Por nuk rrezikojnë vetëm ato. Është i gjithë fondi i Etnografisë dhe ai i Arkeologjisë, fond i jashtëzakonshëm i cili ruhet në kushte të papërshtatshme klimatizuese e që rrezikon të shkatërrohet nëse nuk do t’i qëndrojmë mbi kokë. Këtë s’mund ta bëjnë dy njerëz. Problemi nuk qëndron vetëm tek restaurimi, edhe tek ruajtja e objekteve. Nëse do të marrim shembullin e thesarit mesjetar të Butrintit, me të drejtë shefi i Laboratorit, Frederik Stamati, thotë se ato po shfaqin shenja gërryerjeje. Por faji nuk është i restauratores, e cila me sa di ka një formim të mirë dhe vjen nga British Museum, por i kushteve në të cilat ato ruhen. Muzeu Arkeologjik i Butrintit nuk është në parametrat e duhur të lagështirës dhe klimatizimit. Kondicionerët jo gjithnjë punojnë, për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe me gjeneratorë është e pamundur të kesh kushte optimale. Pasojat janë ato që kemi sot.

Atëherë mos do të thotë kjo se deri në gjetjen e një zgjidhjeje, është më mirë të ndalen ekspeditat e reja?

Ne jemi munduar të bëjmë pikërisht këtë. Të parandalojmë shkatërrimin, duke bërë restaurimin në terren. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për objekte të vogla, të cilat mund të sillen në Tiranë, por edhe për objekte të mëdha, si banesa, mure, etj, që duan ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar dëmtimin si pasojë e ekspozimit me ambientin. Momentalisht po punojmë në këto kushte në rreth 14 ekspedita. Janë punë në vazhdim, pra nuk kemi hapur asnjë fushë të re. Dhe nuk do të lejoj një gjë të tillë, nëse ekspedita nuk ështe pajisur me restauratorin përkatës.

Për Laboratorin e Restaurimit, ka ndonjë projekt për zgjerimin e tij?

Me ristrukturimin e institucionit na është premtuar ngritja e një Laboratori Qendror, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, i cili do të mund të përballojë ngarkesën e punës. Që tani është hapur një vend pune po që nuk i jep fund nevojës që kemi për restauratorë, pasi përveç objekteve të reja, që zbulohen, duhen restauruar edhe ato mbi të cilat është punuar në vitet ’70 dhe që po shkatërrohen. Janë restauruar me metodat e asaj kohe dhe tani kanë nevojë për t’u riparë.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Template Page


Rifillon procesi gjyqësor ndaj Karaxhiçit

Ai pritet të paraqitet në Gjykatë për t'u deklaruar fajtor ose

Sot detajet zyrtare për rrëzimin e avionit në Ohër

Në Shkup sot pritet të zbardhen detajet e para zyrtare nga hetimet e

LAJME TE NGJASHME

PODCAST

Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML