Fotografitë e fëmijëve kosovarë të Krushës po shëtisin qendrat e Evropës. Janë personazhet e Mimoza Veliut në ekspozitën personale në Berlin, portrete të fëmijëve jetimë pas Luftës së Kosovës
“Do buzëqeshni për mua?” iu drejtohej fëmijëve që me një lloj droje, por edhe kureshtje nuk mëtonin të pozonin përpara aparatit fotografik. Nëntë vjet pas masakrës së Krushës, fotografja Mimoza Veliu ndërmerr një “ekspeditë” fotografike në këtë kënd të Kosovës, ku ndihet ende era e shkrumbit të luftës. Fokusi janë portretet e fëmijëve që “tregojnë histori më shumë se mijëra fjalë”. Në një intervistë për “Shekullin”, 29-vjeçarja Veliu tregon për “operacionin” fotografik në Krushë, ku çdo rrudhë në ballin e ngrysur të një fëmije ishte një histori. Edhe pse banon në Berlin, fotografja, shqiptare e Maqedonisë tenton vazhdimisht të shprehë origjinën e saj përmes këtij arti. “T’i ikësh origjinës nuk është mënyrë e mençur e të jetuarit”, - thotë ajo.
Pse Krusha dhe pse fëmijët e saj?
Krusha e Madhe përjetoi në vitin 1999 një tragjedi që ka goditur në radhë të parë të vegjëlit. Një pjesë e tyre përjetoi edhe direkt masakrën, kështu që ajo mbeti si një dhimbje e madhe që të përcjell me vite. Çmenduria e luftës u ngul thellë në jetët e tyre si një shok i pashpjegueshëm. Këtë e sheh menjëherë në portretet që kam realizuar atje. Vijat e fytyrës tregojnë shumë histori dhe spektatori i ka më të përafërta të përjetuarat. Megjithatë fuqia që kanë këta fëmijë për të dhuruarbuzëqeshje është e pashpjegueshme. Tek ata fshihet kaq shumë durim, përballje, dhe shpresë. Ekspozita në Berlin është e dyta me këto fotografi. Më 9 maj isha e ftuar nderi e qytetit Boras, Suedi, me rastin e festimit të Ditës së Evropës. Në vjeshtë, po këto fotografi do të ekspozohen në Goteborg, ndoshta edhe në Zvicër. Një torturë e vërtetë organizimi i këtyre udhëtimeve, por që më bën të lumtur, sepse janë fragmente nga të vërtetat tona historike, që duhen treguar.
Në Krushë duhet të ketë qenë e vështirë, duhet të përballeshit së pari me njerëz që ende vuajnë pasojat e luftës.
Isha në fund të marsit për një javë në Kosovë. Bashkë me mikun tim, fotografin që e çmoj shumë, Agron Dragajn, pa ndihmën e të cilit nuk do kisha mundur ta realizoja këtë projekt, vizituam Krushën. Një eksperiencë e pasur që ia dëshiron vetes çdo fotograf. Na pritën me buzëqeshje. Kur je i armatosur me kamera dhe stativë është gjithnjë frika se mund të shihesh me skepticizëm. Por si duket ata ishin mësuar me vizita të tilla nga mediat elektronike. Tek varrezat e të rënëve të zë syri vetëm lule, që të afërmit kanë sjellë, megjithëse trupat e të masakruarve nuk u gjendën (u dogjën). Aty pranë kalon një vajzë e re që afrohet tek varri i kushëririt të saj. Dhe lutet. Një motiv që Agroni e realizoi më pas me shumë profesionalizëm dhe ndjenjë. Një mesazh dhimbjeje për botën që sheh më pas këto foto. Më tutje një grup burrash që kuvendojnë mes tyre. Na mirëpresin dhe na rrëfejnë për ngjarjet e përjetuara, për fatin që kanë pasur për t’i shpëtuar së keqes dhe për përditshmërinë e familjeve të mbetura pa burra. Nëpër këmbë na futet një djalosh që sapo ka mbushur 3 vjet dhe të fton në lojë. Unë e fiksoj atë me aparatin tim dhe rrethohem nga një numër fëmijësh, të cilët vijnë kureshtarë për të zbuluar arsyen tonë të vizitës. Ato fytyra të sinqerta dhe plot rrudha brengash janë një magnet për syrin e fotografit. “Do buzëqeshni para kamerës sime?”, u them dhe ja ku realizohen portrete që flasin shumë më shumë se një milion fjalë që shpesh mbeten pa thënë. Jam shumë e lumtur nga vizita ime atje dhe nga fotografitë që kanë dalë si rezultat i një komunikimi të jashtëzakonshëm me banorët e Krushës.
Si reagon publiku para këtyre fotove?
Pas zhvillimeve të fundit në Kosovë, opinioni gjerman është shumë i vëmendshëm në drejtim të njohjes së kulturës, historisë, mentalitetit si dhe përditshmërisë kosovare. Instituti ku qëndron e hapur akoma ekspozita ime, Qendra e Evropës Juglindore, merret me shoqëritë e dala nga lufta, kështu që prezantimi i fotografive me interesin dhe kureshtjet e publikut, përshtateshin. Numri i vizitorëve ishte i konsiderueshëm dhe mediat gjermane nuk e lanë pa shënuar këtë prezantim, gjë që e bëri kënaqësinë e punës edhe më të madhe. Ajo që i kam vënë vetes për qëllim, është të sjell momente nga jeta shqiptare tek publiku evropian.
“Specialiteti” juaj është portreti, nuk ju tërheqin subjekte të tjera?
Janë shumë pak ato fotografi që kam realizuar e në të cilat nuk ka një frymë njeriu. Motivet që kërkoj gjithnjë janë pjesë nga jeta e njerëzve. Ëndrra ime më e madhe është, jo të paraqes vende që ka krijuar Zoti, apo dora e një arkitekti, sepse në ditët esotme nuk ka mbetur pjesë e rruzullit pa u dokumentuar në internet, por për të ndalur kohën në botën e njerëzve. Për të gjetur dhe kapur atë momentin e Henri Bressonit, për të ngrirë emocionet e ndryshme që përjetojmë çdo ditë e që nuk përsëriten më. Fotografitë pa një krijesë të gjallë në të, më duken kopje false të natyrës apoteknologjisë. Origjinaliteti qëndron tek detajet nga jeta e njerëzve. Së paku për shijen time.
Kryesisht bardhë e zi?
Bardhë e zi është teknika ime e preferuar. Kam shumë fotografi me ngjyra që nuk funksionojnë në bardhë e zi, por reportazhi e ka fuqinë aty, tek magjia dhe efekti që jep ky lloj kontrasti. Një dimension tjetër kohor, që e bën fotografinë të përjetshme.
Jetoni ne Gjermani, por vazhdoni të keni si pikë referimi vendlindjen tuaj, Maqedoninë, apo edhe Kosovën...
T’i ikësh origjinës nuk është mënyrë e mençur e të jetuarit. Për të pasuruar jetën tënde si njeri dhe artist, mendoj se duhet të gjesh mesin e asaj nga vjen dhe asaj ku shkon. Jam shumë e lumtur që jetoj mes dy kulturash dhe që kam fatin të mbledh të mirat e të dyjave dhe të lë mënjanë dobësitë që vijnë si nga vendi ku unë jam rritur, ashtu edhe ato që ndodhin këtu, ku jetoj. Kam shumë pika referimi dhe gjithandej dua të jap maksimumin tim.
Si u lidhët me fotografinë?
E kam dashur artin gjithnjë. Poezia ka qenë shoqëruesja ime e parë netëve të adoleshencës, piktura ka ardhur herë pas here aty për të lënë shenjat e saj, dhe së fundi fotografia si një mënyrë për të kapur segmente jete, ashtu siç i shoh unë. Megjithëse kamera është e drejtuar tek të tjerët, çdo fotografi flet shumë për jetën time. Për mënyrën time të jetesës, ëndrrat apo traumat, reminishencat, vizionet. Më duket se fotografitë janë një autobiografi e imja nga A-ja deri tek Zh-ja. Nuk më kujtohet kur kam marrë kamerën për herë të parë në dorë, por më kujtohen fotografitë e para analoge, që mezi kam pritur t’i zhvilloj për të parë rezultatet. Një ndjenjë që të mbush përplot energji dhe kjo është ajo që përjetoj çdo ditë. Edhe tani. Nëse do flisja për drogën time, varësinë time, ajo do të ishte fotografia. Emocioni para shkrepjes, emocioni gjatë konceptimit, gjatë realizimit, gjatë përpunimit të fotografive dhe kënaqësia e madhe pastaj që vjen nga miqtë fotografë. Një “adrenalinë e pastër”.