Edhe një herë për Beratin në Listën e Trashëgimisë Botërore-UNESCO
Ose “dhëntë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres”
Sot përfundon punimet në Kebek të Kanadasë sesioni i 32-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore, i cili vendosi ndër të tjera edhe për futjen në listën botërore të monumenteve edhe të qytetit muze të Beratit. Ajo që ishte paralajmëruar ndodhi: Berati, kjo perlë e trashëgimisë sonë kulturore, për shkak të paaftësisë menaxhuese të MTKRS-së, mundi që të regjistrohet në listë jo si monument më vete, por në një zë me qytetin muze të Gjirokastrës, trashëgimi botërore (2005). Duke përshëndetur të gjithë ata që kanë kontribuar për të përfaqësuar vlerat e Beratit në instancat ndërkombëtare (në mënyrë të veçantë këtu përmend ish-Drejtorin e Monumenteve të Kulturës së Beratit, specialistin dhe njeriun e jashtëzakonshëm Ajet Nallbani, sot i pushuar nga puna nga Ministri i TKRS; Prof. Emin Rizën; kryetarin e Bashkisë së Beratit Z. Fadil Nasufi, intelektualin Pandeli Çina; gjithë deputetët e Beratit; Zj. Tatjana Gjonaj, Ambasadoren e Shqipërisë në UNESO si dhe Ish-Presidentin Alfred Moisiu), për hir të transparencës me publikun dhe me qytetarin beratas, dëshiroj të pohoj të vërtetat që fshihen pas kësaj zgjidhjeje kompromisi të çështjes.
Dosja e Qendrës Historike të Beratit, ishte gati për shqyrtim dhe aprovim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore qysh në sesionin e 31, i cili u mbajt në Zelandën e Re, në vitin 2007. Siç e kemi pohuar edhe në shkrimet tona të vitit të kaluar, për shkak të paafësisë së MTKRS-së në lobingun ndërkombëtar që duhej t’i paraprinte mbledhjes së Komitetit të Trashëgimisë Botërore, çështja e Beratit u kalua në plan të dytë dhe Komiteti votoi me përparësi hyrjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të Qëndrës Historike të Korfuzit, Greqi.
Në ndryshim nga regjistrimi i qytetit muze të Gjirokastrës në Listën Botërore të Unesco-s (kryesisht për ndërtimet popullore karakteristike të shtëpive); dosja e Beratit, mrekullia që quhet Berat, ishte projektuar nga ana e jonë që të regjistrohej në listë për vlerat që paraqiste si një qendër e multikulturave (lindje-perëndim) dhe e bashkëjetesës ndërfetare me ndërtimet e kishave, xhamive, kulteve pagane, teqeve, kodikëve etj, këto krahas vlerave të ndërtimeve popullore të lagjeve si Mangalemi, Kalaja, Gorica etj. Për këtë kishim rënë dakord edhe me të gjitha instancat ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, të cilët, edhe ata e çmonin Beratin si një rast unikal në këtë drejtim. Me gjithë kujdesin e veçantë dhe të bërë publik të UNESCO-s për Beratin, MTKRS e braktisi në vitin 2007 këtë kandidim të Beratit si një hyrje e përveçme në listë, krahas Butrintit, Gjirokastrës dhe Iso-Polifonisë. Asnjë përfaqësues i saj apo i institucioneve shqiptare të trashëgimisë nuk ishte prezent gjatë mbledhjes dhe asnjë letër dhe lobing ndërkombëtar nuk u bë nga MTKRS gjatë gjithë vitit 2007, ndërkohë që nuk lanë turist pa numëruar kur hynte apo dilte nga Shqipëria! Sot jemi para faktit që vëmendja dhe kujdesi permanent i UNESCO-s për vlerat tona na ka dhënë këtë zgjidhje kompromisi për Beratin, e cila e bërë me dije qysh vitin e kaluar, i rezervoi Beratit vendosjen e tij në listë në krah të Gjirokastrës, pra si një zgjatim i tipologjisë së vlerave ndërtimore popullore të këtij qyteti dhe jo si një hyrje më vete. Kjo është shkurtimisht e gjithë e vërteta, e cila nxjerr zbuluar të gjithë ata të cilët me paaftësinë për të drejtuar nuk i siguruan Beratit statusin më të mirë, atë që ai realisht meritonte dhe që sot na kujtojnë atë shprehjen popullore: “Dhëntë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres”!