Monumentet e kulturës në Gjirokastër
Gjirokastër - Rreth 28% e godinave në zonën muzeale të qytetit të Gjirokastrës apo e thënë ndryshe 1/3 e tyre, paraqesin rrezikshmëri të lartë dhe shumë të lartë nga lëkundjet e tokës. Në këtë listë përfshihen pothuajse të gjitha objektet që mbajnë statusin “Monument Kulture” të kategorisë së parë. Të dhënat janë publikuar nga specialistët italianë, të cilët prej gati 1 viti punojnë për vlerësimin e rrezikut sizmik në brendësi të kësaj zone. Sipas inxhinierit të projektit Transizmik, Bruno Bonifacci, në analizë janë marrë të gjithë elementët që përbëjnë qendrën e mbrojtur të qytetit të Gjirokastrës. “Duke ekzaminuar në veçanti gjendjen e godinave dhe numrin e kateve kemi identifikuar sa janë ndërtimet që paraqesin problem përsa i përket rrezikut sizmik. Të gjitha të dhënat e mbledhura gjatë punës për krijimin e hartografisë, të rilevimit të ndërtesave etj. janë përpunuar dhe prej tyre janë prodhuar analizat për godinat dhe infrastrukturën në tërësi”, ka theksuar Bonifaci.
Është hera e parë që një projekt i tillë i rëndësishëm zbatohet jo vetëm në Gjirokastër, por është një risi për zonat e mbrojtura në të gjithë vendin. “Ky është ekzaminimi i qendrës historike nga një pikëvështrim i ndryshëm përsa i përket arkitektonikës dhe bukurive, por kemi parë gjendjen e konservimit të godinave dhe gjendjen e përgjithshme të saj. Nga 982 ndërtesa të marra në shqyrtim, rreth 250 prej tyre paraqesin rrezik të lartë dhe shumë të lartë sizmik. Ajo që na surprizoi ishte fakti se pothuajse të gjitha shtëpitë e kategorisë së parë paraqesnin gjithashtu rrezik të lartë sizmik. Një pjesë e mirë e tyre janë shumë të larta dhe gjatë ndërtimit të tyre, teknikat nuk e kanë parashikuar këtë rrezik. Njëkohësisht një pjesë e tyre janë restauruar gjatë viteve të fundit sërish pa u bazuar mbi ndonjë studim të tillë. Ky projekt duhet të merret në konsideratë për hartimin e planit rikuperues të qytetit të gurtë”, është shprehur koordinatori i projektit, arkitekti Fabrizio Torresi.
Një tjetër risi e “Transizmik”-ut është fakti se të gjitha të dhënat e grumbulluara dhe të analizuara janë hedhur në një sit të posaçëm në internet, duke e bërë qendrën muzeale të Gjirokastrës të parën në Europën Juglindore me një bazë kaq të pasur të dhënash online, që mund të shfrytëzohet për të marrë informacion nga të katër anët e globit. Projekti i vlerësimit të rrezikut sizmik financohet nga programi Interreg III I Komunitetit Europian dhe kap shifrën e 550 mijë eurove. Ai është një ndër bashkëpunimet e shumta ndërmjet specialistëve italianë e shqiptarë pikërisht përsa I përket qendrës muzeale të qytetit të gurtë.