Premte, 29 Gusht 2008 01:13:38

Lexoni versionin Print

Berati në UNESCO, si binjak

Për shkak të ngjashmërisë në arkitekturën otomane, qyteti i Beratit nuk mund të hynte në Listën e Trashëgimisë Botërore përveçse “në seri” me Gjirokastrën. Si do të administrohen trashëgimitë “binjake” të UNESCO-s?

Elsa Demo
Merkure, 09 Korrik 2008 08:48:00

 

Për shkak të ngjashmërisë në arkitekturën otomane, qyteti i Beratit nuk mund të hynte në Listën e Trashëgimisë Botërore përveçse “në seri” me Gjirokastrën. Si do të administrohen trashëgimitë “binjake” të UNESCO-s?

Deri dje në mbrëmje nuk ka pasur lajm për Beratin nga faqja zyrtare e Oganizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën. Sepse emri i Beratit nuk duhet kërkuar në listën e 13 siteve të klasifikuara Trashëgimi Botërore nën patronazhin e UNESCO-s për vitin 2008.

Ndërsa në Tiranë lajmi për pranimin e qytetit muze në listën e trashëgimisë botërore të njerëzimit, ka pasur për burim kreun e bashkisë Fadil Nasufi, dhe ca më vonë, ministrin e Kulturës, Ylli Pango. Në Kebek ku është mbledhur Komiteti i Trashëgimisë Botërore, Shqipëria është përfaqësuar me drejtorin e Monumenteve të Kulturës Lorenc Bejko dhe me ambasadoren në UNESCO Tatjana Gjoni. Në pamundësi për t’u lidhur me Bejkon, mësojmë nga specialistët e IMK se fakti që Berati nuk është afishuar ndër listën e siteve botërore ka të bëjë me klasifikimin e veçantë që ai ka, duke u futur në “sqetullën” e Gjirokastrës e shpallur trashëgimi botërore që prej vitit 2005.

Pra klasifikimi është ky: “qendra historike e Beratit dhe Gjirokastrës, qytete të Shqipërisë jugore, dëshmi të veçanta të ndërtimeve otomane mirë të konservuara nërajonin e Ballkanit”.

Takimi i 32-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore që drejtohet nga Christina Cameron është hapur në Kebek të Kanadasë më 3 korrik duke festuar me ceremonial 400-vjetorin e qytetit, trashëgimi botërore që prej vitit 1985.

Gjatë sesionit që do të zgjasë deri më 10 korrik, të 21 anëtarët e Komitetit do të rishohin gjendjen e ruajtjes së 30 siteve të trashëgimisë botërore në rrezik. Dje ka qenë dita e miratimit të 13 siteve të reja që janë: Tempulli Preah Vihear në Kamboxhia, Shkëmbinjtë fosilë në Kanada, Parku Kombëtar i Malit Sanqingshan në Kinë, Qendra Historike e Kamagejit në Kubë, Lagunat e Kaledonisë së Re në Francë, Ishulli vullkanik Surtsey në Islandë, Stepa dhe liqene të Sariarkës në Kazakistanin Verior, Pyjet Mijikenda Kaya në Kenia, Fondi Biosferë Monarch Butterfly në Meksikë, qyteti i Shën Mikelit dhe Faltorja e Jezusit në Atotonilko po në Meksikë, Hekurudha Raetiane në Albula në kufirin Zvicër-Itali, Arena tektonike zvicerane në Sardona dhe Arkipelagu i Sokotrës në Jemen.

Që prej vitit 1972, Konventa e UNESCO-s për Mbrojtjen e Kulturës Botërore dhe Trashëgimisë Natyrore, mbron 851 trashëgimi me “vlerë universale të padiskutueshme”, përfshi 660 trashëgimi kulturore, 166 natyrore dhe 25 të përziera në pothuajse 141 vende.

Kështu, me Beratin ndodhi ajo që pritej që nga vjeshta e 2007-ës kur në mbledhjen e Zelandës së Re, Komiteti i Trashëgimisë Botërore, nëpërmjet një projektvendimi përgatiti njohjen e Beratit bashkë me Gjirokastrën, sipas përcaktimit “Trashëgimi botërore në seri” në seksionin “pasuri natyrore kulturore dhe e përzier”. Komiteti ka marrë në konsideratë të dhënat e ICOMOS-it që e vlerëson qytetin shembull të veçantë të vlerave arkitekturore dhe urbane të rajonit ballkanik, në kontekstin e një vazhdimësie historike madhështore dhe nga ana tjetër e fusin në njëjtit grup historik-kulturor me Gjirokastrën, “në njëjtin tip trashëgimie që është karakteristikë për zonën gjeografike dhe që do ta ndihmonte kandidimi si trashëgimi në seri”. Edhe përgatitja e dosjes nga specialistët shqiptarë me në krye studiuesin Emin Riza ka mbajtur parasysh “shenjat binjake” të qyteteve si ndërtimet e kultit, zhvillimi urbanistik i qyteteve dhe banesat. Për syrin e lirë Berati nuk është parë pothuajse kurrë si qytet binjak me Gjirokastrën. Në një kuptim kjo hyrje në UNESCO nuk është një fitore me të drejta të plota për Beratin.

Berati është qytet ku kanë lënë gjurmë periudhat ilire, romane, bizantine dhe otomane, i pasur me kisha të vjetra që nga shekulli XIII – XIX, me piktura të mrekullueshme murale, ikona dhe gdhendje në dru. Arkitektura popullore është pjesë e çmuar e pasurisë së qytetit që është i ndarë në tri lagje “Kala”, “Mangalem” dhe “Goricë” në formën e ansambleve gati të paprekura që i përkasin shekujve XVIII - XIX. Më 1961 qyteti u vu në mbrojtjen e shtetit dhe u shpall qytet muze.

Dje në mbrëmje, ministri i Kulturës, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ka përshëndetur hyrjen e Beratit në UNESCO, dhe ka kujtuar se kësaj i kanë paraprirë strukturat që MTKRS ka ngritur për qytetin. Është krijuar Komiteti për koordinimin e planit të menaxhimit të qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës dhe pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës “Agjencia për Qendrën Historike të Beratit që do të supervizojë mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrës historike dhe të mbrojtur, si dhe kriteret shkencore të ndërhyrjeve.”

Pango ka rreshtuar në letrën përshëndetëse dhe falenderuese edhe “arritjet e punës me qytetin” duke përmendur 22 banesa karakteristike të restauruara gjatë vitit 2007, 27 banesa të miratuara për restaurim për vitin 2008 dhe ndërtimi i një ure të re në lumin Osum që do të reduktojë trafikun e mjeteve në Urën e Goricës.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML