Restauratorët shqiptarë denoncojnë dëmtimet që kanë pësuar disa monumente kulture në Shqipëri pas ndërhyrjeve nga restauratorë të huaj
Vijnë, gërmojnë, eksperimentojnë, ikin dhe pasojat mbeten këtu. Thua se janë në mall pa zot apo se prania e tyre është e pazëvendësueshme. Gjatë viteve të fundit nuk kanë qenë të paktë projektet, arkeologët apo restauratorët e huaj, që kanë marrë pjesë në ekspedita, apo ndërhyrje konservuese në monumentet e kulturës në Shqipëri. Këtu nuk ka asgjë të keqe, aq më tepër që Shqipëria ka nevojë për pak asistencë të huaj, po sigurisht për të ndrequr e jo për të shkatërruar. Shoqata e Restauratorëve Shqiptarë e ka ngritur edhe më parë këtë shqetësim, por tani që rastet nuk janë më sporadike, i rikthehen edhe një herë problemit të ndërhyrjeve të pakontrolluara nga të huajt në monumentet shqiptare.
Vetëm pak ditë para, gjatë një vizite në Muzeun Arkeologjik të Butrintit, shefi i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, Frederik Stamati, ka vënë re që një thesar mesjetar me monedha kupace kishin nisur të shkatërroheshin. Nga të dhënat e marra pranë këtij muzeu, Stamati mëson se ato i janë nënshtruar restaurimit paraprak nga një skuadër restauratorësh të huaj, dy apo tri vjet më parë (askush nuk thotë asgjë më shumë se nga vijnë). “Gjysma e tyre shfaqte “sëmundjen” e bronzit, gërryerje aktive dhe rrezikojnë të humbasin tërësisht. Fatkeqësisht ato nuk shoqërohen nga një dokument që dëshmon ndërhyrjet e kryera”, - thotë Stamati i cili e quan akt të papërgjegjshëm. Duke shprehur shqetësimin e gjithë Shoqatës së Restauratorëve, Stamati në pozicionin e kryetarit, thotë se fatkeqësisht ky nuk është një rast i veçuar. Numërohen raste të tjera ku pas ndërhyrjeve prej “specialistësh” të huaj, në objekte janë shfaqur dëmtime edhe më të rënda se më parë. Ai sjell rastin e Kalasë së Lëkurësit, ku një afresk shfaq rënie të shtresave piktorike. I njëjti fenomen është vënë re edhe në Kishën e Pllanës, ku gati 5 vjet më parë, një restauratore italiane ndërhyri për të nxjerrë në dritë shenjtorët e kësaj kishe. Voskopoja është gjithashtu një rast më vete. Prej vitesh flitet për projektin shpëtues të “Patrimoine sans frontieres”, i cili do të ringjallte qytetin mesjetar. Çuditërisht specialistët thonë se nuk ka asnjëfarë shpëtimi në Voskopojë. Sipas restauratorit Mustafa Arapi, kjo shoqatë ka ngritur në Voskopojë një shkollë-kantier dhe si e tillë nuk ka të drejtë të ndërhyjë me restaurime në monumentet e Voskopojës. “Këtë çështje e kam ngritur edhe tek ministri i Kulturës, edhe në Këshillin Kombëtar të Restaurimit”, - thotë Arapi. Sipas tij, janë bërë të gjitha përpjekjet për të parandaluar ndërhyrjet nga ana e këtyre specialistëve të huaj, pasi dhe në të vetmen ndërhyrje që ata kanë bërë, ka rezultuar e dështuar dhe me pasoja të rënda. Bëhet fjalë për zhvendosjen e një afresku prej 5 metrash katrorë që i ka kaluar “afati” i rivendosjes.
Ka edhe raste në të tjera operacione në ekspedita arkeologjike. Në këto kushte, Shoqata e Restauratorëve kërkon që të vendosen kritere të rrepta në pranimin e stafeve që kryejnë ekspedita, apo restaurime, qofshin këta shqiptarë, apo të huaj. “Në Ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” parashikohet edhe licensimi i subjekteve restauruese. Ne prej kohësh i kemi kërkuar ministrit të Kulturës (që në kohën e Leskajt) që edhe të huajt të paraqesin një dokument që të vërtetojë aftësitë e tyre, sepse po ndodh që në ekspeditat shqiptare të merren njerëz që nuk janë të licensuar, subjekte private, që nuk dihet se sa të aftë janë për të kryer këtë punë”, - thotë Stamati dhe e vë theksin tek rëndësia e punës ndërhyrëse që kërkon përgatitje të plotë shkencore sepe ka të bëjë drejtpërdrejt me trashëgiminë kombëtare, dhe për shkak të një gabimi mund të rrezikojë të zhduket përfundimisht.
Nuk ka shumë kohë që Stamati ka denoncuar një gabim studimor të bërë po nga të huajt për datimin e disa monedhave të Butrintit. Pas rindërhyrjes në Laboratorin e Arkeometrisë dhe Konservimit në Tiranë dolën të tjera të dhëna: rezultoi se ato ishin 4 shekuj më të hershme se datimi i nxjerrë nga “studiuesit” e huaj. Pa dashur të mbrojnë thjesht punën e tyre, restauratorët thonë se pavarësisht kushteve, numrit të punonjësve dhe financimeve të pakta, operacionet shpëtuese të realizuara nga shqiptarët janë më të sigurta.
Strategji e re
Sipas kryetarit të Shoqatës së Restauratorëve, Frederik Stamati gabimet e bëra nëpër ekspedita justifikohen me “ndërhyrjet e shpejta në momentin e gërmimit”. Ai thotë se kjo është absurde, sepse nuk është e nevojshme të bëhet kjo ndërhyrje, për tu pasuar më tej nga një tjetër në Laborator, që rezulton të jetë edhe ndreqja e gabimeve të paraardhësve(nëse kjo është e mundshme). Sipas tij duhet ndryshuar strategjia e punës, në mënyrë që të mos ketë edhe shpenzime të kota.
Voskopoja nuk ka shpëtuar
Restauratori Mustafa Arapi thotë se “Voskopoja nuk ka shpëtuar”. Zhurma e madhe për ndërhyrjet në kishat e këtij qyteti, nuk është veçse një “fushatë” për të marrë sa më shumë fonde. Problemi qëndron tek kushtet jo të barabarta të kontratës mes shoqatës franceze “Patrimoine sans frontieres” (Trashëgimi pa kufi) dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, bashkëpunim që jo rrallë herë është kundërshtuar nga specialistët.