Shërbimi sekret kroat ka hapur një webfaqe në internet, përmes të cilës kërkon punëtorë. Agjentët e ardhshëm duhet të plotësojnë një formular, ku dominojnë pyetjet bizare (“A ju pëlqen seksi në grup?” apo “A keni përvoja të pazakonta seksuale?”). Tani së paku gjysma e Kroacisë është duke qeshur me shërbimin sekret SOA.
I.
Është një legjendë e cila u mbijeton të gjitha stuhive e kohës dhe ka të bëjë me spiunët e shërbimeve sekrete. Agjentët, sipas legjendës, disponojnë një licencë për vrasje, e vringëllojnë me shkathtësi revolen, bartin syze dielli të shtrenjta, ngasin vetura të shpejta dhe shpesh janë të shoqëruar nga femra të bukura. Këto legjenda burimin e kanë kryesisht në filmat e James Bondit, i cili gjen rrugëdalje edhe kur gjendet në situatat më të rrezikshme, madje edhe atëherë kur i shtrirë në shtrat me një femër vëren dorën e saj duke shkuar drejt thikës apo revolës. Asgjë s’i shpëton syrit vigjilent të James Bondit. Asnjë tradhti, asnjë mashtrim, asnjë kurth. Legjenda për agjentin jo rrallë bazohet edhe në romanin ”Vrasje në Orient-Express” të Agatha Christie. Siç dihet vrasja në trenin e famshëm, i cili udhëtonte nga Stambolli në Paris, kishte ndodhur mes Vinkovcit dhe Sllavonski Brodit, pra në Kroacinë e sotme. Agjenti Hercule Poirot është njëri nga pasagjerët e “Orient-Express-it”; ai ishte ftuar urgjentisht nga Siria në Londër për të hetuar një rast, por diku në rrethinën e Beogradit situata eskalon, dyert e kabinave bllokohen, një njëri bërtet me zë të lartë, pas pak, pikërisht mes Vinkovcit dhe Sllavonski Brodit, treni ndalet para një orteku bore. Në kabinën e afërt Hercule Poirot gjen të therur me thikë trupin e një milioneri. Kush është vrasësi? Kjo është një punë për agjentin Poirot.
Agatha Christie është shkrimtarja me numrin më të lartë të librave të shitur në botë. Supozohet se deri më sot janë shitur rreth dy miliardë ekzemplarë të romaneve të saj – vetëm William Shakespeare dhe Bibla e tejkalojnë këtë autore. Për çdo vit nga shitja e librave të saj mblidhen disa milionë euro. Në të gjallë të saj Agatha Christie ka shkruar 73 romane kriminalistike, 19 pjesë teatrale dhe mbi 100 tregime, të cilat janë përkthyer në 44
gjuhë, mes tyre edhe në shqip. Megjithatë, romani “Vrasje në Orient-Express” është, në fund të fundit, vetëm një fusnotë në historinë e letërsisë.
II.
Rastësisht apo me dashje Shërbimi Sekret i Kroacisë (Sigurnosno-Obavjestajna Agencija, SOA) ka ngjallur kujtime për filmat e James Bondit dhe romanin e Agatha Christie. Këtë javë SOA është paraqitur për herë të parë me një webfaqe në Internet – duke kopjuar shembujt e tjerë, Mosadin e Izraelit, CIA e Amerikës dhe BDN-në e Gjermanisë. Të gjitha këto agjenci zbulimi, kundërzbulimi dhe spiunazhi tashmë kanë faqet e tyre prezantuese në rrjetin global. Faqja e SOA (ëëë.soa.hr) ofron të dhëna elementare mbi punën e shërbimit, mbi dispozitat ligjore dhe historinë e shkurtër të veprimit.
Po ashtu në faqe mund të shikohet edhe një galeri fotografish me mjete të vjetra përgjimi, të cilat, siç njoftohet, kanë qenë në përdorim në vitet 70-të, 80-të, 90-të dhe në fillim të këtij shekulli. Mes aparateve radiofonike është edhe modeli Nagra nga Zvicra, i cili, sipas agjentëve të SOA, është tepër i përshtatshëm për “incizimin e bisedave”.
III.
Brenda pak ditësh faqja e SOA është klikuar prej gati 14 mijë shfrytëzuesve të Internetit. Interesin më të madh e ka zgjuar rubrika “Punë në SOA”. Shërbimi sekret kroat prej kësaj jave po kërkon bashkëpunëtorë dhe agjentë përmes Internetit. SOA ka njoftuar se prej të hënës deri të mërkuren 7 mijë shfrytëzues të Internetit e kanë shkarkuar pyetësorin për agjent të ardhshëm të Kroacisë. Derisa shërbimet e tjera sekrete si BND gjerman apo MI6 britanik përmes Internetit dhe me fushata publike të informimit kërkojnë talentë me njohje të gjuhës arabe për të infiltruar më lehtë nihilistët dhe terroristët islamikë, shërbimi i fshehtë kroat SOA kryesisht interesohet për preferencat seksuale të konkurrentëve për punë. Formulari i SOA përmban pyetje bizare, të cilat kanë provokuar humor në opinion. Për shembull zyrtarët e shërbimit kroat dëshirojnë të dinë nëse agjentëve të ardhshëm u pëlqen “seksi grupor”, a vizitojnë “klube të natës”, a kanë përvojë me prostituta, a kanë prirje për “veprime homoseksuale” dhe a kanë “përvoja të pazakonshme seksuale”. Një dreq e di se çfarë mendohet me këtë pyetjen e fundit.
IV.
Natyrisht shërbimi interesohet edhe për pikëpamjet politike. Agjentët e ardhshëm duhet të tregojnë cilat gazeta i lexojnë, a kanë ndonje lidhje dashurie “me persona të nacionaliteteve të tjera” dhe a kanë marrë pjesë në luftën për pavarësi. Natyrisht në pyetësor nuk mungon as pyetja mbi preferencat letrare. Agjentët potencialë mund të zgjedhin mes romaneve kriminalistike, thrillerëve të spiunazhit, prozës së dashurisë, udhëpërshkrimeve dhe enciklopedive.
Përgjigjja duket e lehtë: “Vrasje në Orient-Express”. Ky roman përmban gjithçka nga pak. Revista “Globus” në numrin më të ri shkruan se faqja e SOA i përngjan mjaft ëebsite-it të shërbimit sekret serb (BIA). Por, për dallim prej kolegëve të tyre kroatë spiunët serbë nuk e kanë publikuar pyetësorin për punësim. Sidoqoftë: webfaqja e shërbimit sekret kroat ka bërë që së paku gjysma e Kroacisë të qeshet krejt rastësisht dhe pa dashje.