Pas kërkimit dramatik të ekzistencës së njeriut tek "Loteu i stinëve", kompozitori Aleksandër Peçi prezanton për herë të parë për publikun katër krijime. Sot në orën 19.00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit zhvillohet recitali simfonik me vepra të Peçit. Janë veprat "Diellësia", "Omaggio a Puccini", Koncert nr 2 për violonçelë dhe orkestër dhe Koncerti nr. 2 për piano dhe orkestër. Një kolanë veprash premierë që interpretohen nga orkestra e TKOB nën drejtimin e dirigjentit Vittorio Parisi, solistë në piano Dimitri Vassilakis nga Parisi, në violonçel Astrit Selita. Me pjesëmarrjen e sopranos Mariana Leka. Recitali hapet me veprën "Diellësia" e shkruar me rastin e 95-vjetorit të Pavarësisë. Sipas vetë autorit, vepra nënvizon idenë se "Pavarësia është diellësia e çdo vendi" dhe pa të gjithçka është në terr. "Omagio a Puccini" është një hyjnizim i veprës së Puccinit në vitin përvjetor të tij. Koncerti për violonçelë na kthen 25 vjet pas kur kompoziori ishte vetëm 30 vjeç.
Një retrospektivë që i lë vendin transfiguracionit të nocionit "ujë" në 7 seksione; ajsberg, det, kondensim, re, shi, ujëvarë dhe ylber. I gjithë ky cikël në Koncertin nr. 2 për piano dhe orkestër. "Recitali Simfonik" është koncerti i radhës në vazhdën e "Peçi Festival '08", që nisi ditën e shtunë me Ansamblin koral të Prishtinës "Okteti Plus" dhe vijoi të dielën me "Loteun e stinëve". Një spektakël i muzikës dhe i fjalës me regji të Mehmet Xhelilit. "Loteu i stinëve" është muzikim i poezive të Migjenit e Agollit, të interpretuara nga sopranoja Mariana Leka. Ndërsa aktori Dritan Boriçi solli vargje nga Homeri, Ovidi, Sofokliu deri tek Shekspiri. "Peçi Festival" nuk është një festival sezonal, ai do të vijojë përgjatë gjithë vitit me koncerte të ndryshme, jo vetëm me vepra të Peçit, por dhe autorëve të tjerë shqiptarë.