Olta Boka bën sot prezantimin e parë në skenën e Beogradit. Nga të dhënat e deritanishme kënga shqiptare ka fituar mbështetjen e disa shteteve votuese
Mbërritën dje dhe sot pritet të kenë përballjen e parë me skenën. Delegacioni i "bollshëm" shqiptar që shoqëron këngëtaren përfaqësuese në Festivalin Evropian, zbriti në Beograd ku zhvillohet edicioni i 53-të i Eurosongut. Mësohet se Olta Boka dhe grupi që e shoqëron, (autorët e këngës, regjisorë, përfaqësues të RTSH-së dhe familjarë) janë pritur në masa të rrepta sigurie, për të mënjanuar çdo përplasje të mundshme me ndonjë grup ekstremist serb. Ndërsa shqiptarët e kanë shfrytëzuar ditën e djeshme për të mbledhur forcat e për t'u njohur me "terrenin", në skenën serbe të Evropianit konkurrentët kanë nisur provat e para. Nisën qysh në datën 10 maj, por dje, provat ishin më të programuara. Kanë provuar skenën përfaqësuesit e Andorës, që sipas faqes zyrtare të festivalit sollën një performancë të kënaqshme. Boshnjakët po ashtu që këtë herë premtojnë diçka ndryshe nga prurjet e viteve të kaluara.
U prezantuan përfaqësuesit e Rusisë, Polonisë, Armenisë, Holandës, kënga metal e finlandezëve, romanca dyshe e rumunëve, performanca "luksoze" e grekes Kalomira, e cila këndoi në një sfond zemrash me trëndafila. Po dje, mbërritën në Beograd edhe grupi turk, ndërkohë që për shqiptarët ende nuk ka ndonjë lajm të fundit. Nga burime pranë grupit shqiptar mësohet se "prova e zjarrit" është sot, nga do të dalin edhe komentet e para nga kritikët që kanë pushtuar Beogradin. Përvojat e viteve të mëparshëm kanë treguar se nuk të "falin". Në shënjestër është jo vetëm kënga, këngëtarja, po edhe performanca skenike, veshja e koreografia. Megjithatë deri më sot kënga shqiptare "Zemrën e lamë peng" me muzikë të Adrian Hilës dhe tekst të Pandi Laços nuk ka mbetur jashtë blogjeve dhe debateve të internetit. Edhe pse jo ndonjë këngë e fuqishme, shpërthyese ka nga ata që e kanë pëlqyer këtë baladë, kanë vlerësuar muzikën dhe zërin e 16-vjeçares. Ndërsa votuesit "on line" nuk janë treguar indiferentë ndaj saj.
Organizatat mbështetëse të festivalit (OGAE), të shpërndara në gjithë Evropën kanë dhënë vendimet paraprake dhe duket se nuk jemi edhe aq keq sa mendohej. Janë disa shtete si Portugalia, Turqia, Izraeli, Polonia, Qiproja, Sllovakia, madje edhe Serbia që e kanë renditur këngën shqiptare në 10 më të mirat e festivalit. Olta Boka do të këndojë në natën e dytë gjysmëfinale më 22 maj. Do të jetë e shoqëruar nga një bandë instrumentistësh dhe në sfond do të ketë një zemër (fatkeqësisht do të na duhet të "konkurrojmë" me grekët në këtë pikë) ku janë shkruar fjalë dashurie në gjuhë të ndryshme. Veshja e Bokës është stiluar nga Mirela Nurçe.