Një ditë para festivalit, aktorja shqiptare përflitet si konkurrente për kategorinë e aktores më të mirë në Festivalin e Kanës. Me rolin e Lornës në filmin "Heshtja e Lornës" e vëllezërve Dardenne, emri i Dobroshit vërtitet në listën e 10 pretendenteve si Xhulian Mur, Katerinë Dënëv apo Anxhelinë Zholi
Me rolin e Lornës në filmin "Heshtja e Lornës" e vëllezërve belgë Dardenne, Arta Dobroshi është e para shqiptare që shkel "si e barabartë" në tapetin e kuq të Festivalit të Kanës. Është protagoniste dhe duhet të mbajë mbi supe gjithë filmin e Luc dhe Jean-Pierre Dardenne-ve i cili është futur në konkurrimin zyrtar të festivalit, ndërmjet 18 të tjerëve. Dobroshit i është besuar roli i një shqiptareje që përgatit një plan diabolik përtë fituar me çdo kusht shtetësinë belge dhe për të përmbushur ëndrrën për të blerë një dyqan në Ljezh. E nxitur nga i dashuri i saj Fabio, ajo vendos të kryejë një "martesë për letra" me Klodin, një burrë që është në varësi të drogës (Jeremie Renier). Lorna shpreson se Klodi nuk do ta ketë të gjatë, por ndodh që atij t'i kthehet dëshira për jetën dhe t'i shpëtojë varësisë nga droga.
Lorna thur plane që kur të ketë marrë shtetësinë të martohet me mafiozin rus që edhe ky të zgjidhë problemet e emigracionit. Por kjo martesë e dytë është e mundur vetëm nëse realizohet plani i Fabios për të vrarë Klodin. A do të heshtë Lorna në prag të krimit? Sërish vëllezërit Dardenne si dhe në filmat paraardhës, janë fokusuar tek një dilemë morale.
Në "Heshtjen e Lornës" janë përfshirë Jérémie Renier aktor që Dardenne-t e kanë pasur në filmat "Premtimi" dhe "Fëmija"; Fabrizio Rongione aktor në filmat "Rozeta" dhe "Fëmija" dhe Dobroshi, aktorja kosovare e cila është zbuluar nga suksesi që ka patur në filmin "Syri magjik" i regjisorit shqiptar Kujtim Çashku, ku ka interpretuar së bashku me Alban Ujkën, mikun e saj që e shoqëron edhe tek "Heshtja e Lornës".
Për Luc dhe Jean-Pierre Dardenne që janë edhe autorë të historisë, ky është filmi i gjashtë artistik i xhiruar në Wallonia, aty ku janëndërtuar gjithë filmat e tyre.
Luc Dardenne pat shkruar për karakterin e Lornës: "Ndoshta filmi ynë i ardhshëm do të jetë për një vajzë e cila i ka të gjitha arsyet që të jetë e dëshpëruar dhe që vazhdon të besojë se gjithçka është e mundur. Një lloj besimi, edhe pse zoti ka vdekur... Si ka mundësi që një grua që nuk beson në zot mendon se gjithçka është e mundur? Nga i vjen kjo shpresë e çmendur? Ajo është çuditshme, jo e rëndomtë. Një karakter i krijuar që duket sikur gjithmonë noton kundra rrymës."
Është një bashkëprodhim belgo-franko-italian i realizuar me një buxhet prej 4 milionë eurosh. Është xhiruar në 12 javë. Zgjat 105 minuta.
Filmi përfaqëson Belgjikën. Është hera e katërt që vëllezërit Dardenne konkurrojnë në Festivalin prestigjioz të Kanës, pas filmave "Rozeta", "Fëmija", "Premtimi". Asnjëherë nuk kanë dalë duarbosh nga këtej. Me "Rozetën" më 1999, fituan Palmë të Artë për aktoren më të mirë (Emilie Dequenne);me "Biri" më 2002 fituan çmimin për aktorin më të mirë (Olivier Gourmet) dhe me "Fëmijën" më 2005 fitojnë Palmën e Artë për filmin më të mirë.
Në edicionin e 61-të Festivalit të Kanës, marrin pjesë në konkurrim 19 filma: "Tre shejtanët" i regjisorit të njohur turk Nuri Bilge Ceylan, "Një përrallë Krishtlindjeje" i francezit Arnaud Desplechin, "Këmbimi" i Clint Eastwood-it, "Adhurimi" i Atom Egoyan-it, "Vals me Bashirin" i regjisorit Ari Folman nga Izraeli, "Kufiri i agimit" i regjisorit francez Philippe Garrel, "Gomorra" i italianit Matteo Garrone, "Qyteti 24" i regjisorit kinez Jia Zhangke, "Synecdoche, New York", i regjisorit amerikan Charlie Kaufman, "Magjia ime" i Eric Khoo-së nga Singapori, "Gruaja pa kokë" i regjisores nga Argjentina Lucrecia Martel, "Serbis" i Brillante Mendoza nga Filipine, "Delta" i Kornel Mundruczo-s nga Hungaria, "Kufijtë e udhëtimit" i Walter Salles dhe Daniela Thomas-it nga Brazili, "Che" i regjisorit amerikan Steven Soderbergh, "Divi"i italianit Paolo Sorrentino, "Leonera" i Pablo Traperos nga Argjentina dhe "Gjahu i Palermos" i regjisorit të njohur gjerman Wim Wenders.
Është garë e fortë për oskarët e ardhshëm. Garë e fortë edhe për aktoret për të cilat jepet gjithnjë një Palmë e Artë për interpretimin më të mirë femëror. Një ditë para hapjes së festivalit 14-25 maj, kanë nisur komentet edhe për këtë kategori. Përmenden emra të njohur e të panjohur. Në listën e kandidateve të përfolura janë aktoret Julianne Moore, Angelina Jolie, Amy Ryan, Franka Potente, Catalina Sandino Moreno. Aktorja më e mirë është ndër çmimet kryesore të Festialit të Kanës juria e të cilit për këtë vit kryesohet nga aktori dhe regjisori Sean Penn, me anëtarë aktoren franceze Jeanne Balibar, regjisor Rachid Bouchareb, aktorin italian Sergio Castellito, regjisorin Alfonso Cuaron; aktoren gjermane Alexandra Maria Lara; aktoren Natalie Portman; regjisoren Marjane Satrapi dhe regjisorin Apichatpong Weerasethakul.
Xhulian Mur shihet si pretendente e fortë për interpretimin tek "Blindness". Martian Gusmanit, po ashtu i jep paraprakisht shanse të mëdha. Në vijim është aktorja franceze Anne Consigny e cila interpreton përballë Catherine Deneuve-it dhe kjo e fundit është një kandidaturë e fortë. Nuk mund të përjashtohetr treshja e aktoreve kineze Joan Chen, Tao Zhao, Liping Lu, as amerikania Angelina Jolie në filmin "Këmbimi".
Në listat e fansave të kinemasë është klasifikuar në vend të tetë aktorja shqiptare Arta Dobroshi për rolin e Lornës duke e vlerësuar pozitivisht faktin që Dobroshi vjen tek ky rol protagonist pas interpretimit nëdisa filma shqiptarë, "Syri magjik" i Kujtim Çashkut, "Lutje dashurie" i Artan Minarollit apo "Trishtimi i zonjës Shnajder" i Piro Milkanit. Kandidatura e saj cilësohet "E favorshme". Pozitiv për të është fakti që personazhi i saj duket tamam për t'u vlerësuar me çmim edhe ngase është realizar nga regjisorë të cilët janë kurorëzuar më parë në Kanë me Palmën e Artë në veçanti për aktorët.
Njëlloj si protagonistja e filmit "Fëmija", edhe Dobroshin e quajën rishtare, prandaj është përgjegjësi e madhe që duhet të mbajë me personazhin e Lornës.