Çdo vit më në shumë se 10 mijë romane publikohen në Britaninë e Madhe. Me një vlerësim bujar, ndoshta 1500 prej tyre tërheqin vëmendjen e medias kombëtare; shumë më pak se kaq arrijnë të bëjnë reklamë kombëtare.
Harroje JK Rowlings dhe Stephen King të cilët shesin miliona kopje; shumica dërrmuese
e librave shesin më pak se një mijë dhe harrohen brenda një viti.
Zhgënjyese apo jo? Unë dyshoj se jo. Pavarësisht statistikave, Britanikët janë një komb shkrimtarësh aspirantë optimist.
Në 2001, për të konfirmuar besimin se brenda secilit prej nesh ka një shkrimtar, dikush bëri një sondazh dhe zbuloi se 50% e britanikëve mendojnë të shkruajnë një roman. Një industri e tërë ka lindur për të ushqyer këtë dëshirë. Në vitet '70 u themelua programi i parë universitar mbi krijimin letrar. Sot më shumë se 80 universitete ofrojnë kurse të
tilla, ndërsa një libër guidë "Si të shkruash një roman në një vit" ka shitur më shumë se 4 mijë kopje që kur u publikua, vitin e kaluar.
Por përtej kurseve mbi librat dhe krijimtarinë letrare, zhvilluesit e softeve kompjuterike kanë krijuar në 15 vite punë një gamë të gjerë programesh për të ndihmuar aspirantët. Ata këshillojnë mbi sinopsin, strukturën dhe rendin e skenave, sugjerojnë emra për personazhet, tiparet e personalitetit të tyre si dhe vendndodhjet e ngjarjeve; ata ofrojnë një template, së paku në teori, mbi të cilën shkrimtarët mund të shkrijnë aftësinë e vet krijuese. Programe të tilla kanë dalë sakaq në shitje. Ata ofrohen për 30-40 dollarë dhe i lejojnë shkrimtarëve të hyjnë në aplikime të ndryshme brenda nje dritareje, duke hapur harta e enciklopedi që i hyjnë në punë shkrimtarëve konvencionalë. Një program i tillë i quajtur writer's Café ka shitur sakaq 3500 kopje.
Por a është e domosdoshme përdorimi i një programi të tillë për t'u bërë shkrimtar?
Çarls Dikensi krijoi më shumë se 1 mijë personazhe përgjatë jetës së vet, pa pasur ndihmën e kompjuterit për t'i organizuar. Por Arthur Conan Doyle ndoshta do
të kishte nevojë për programin e kërkimit, në mënyrë që të mos bënte gabime.
Në fakt, personazhi i tij i famshëm dr. Uatson, del i plagosur në kofshë në një roman dhe në gju në një tjetër.
Por ndërsa disa nga të mëdhenjtë e kohës sonë ia dalin të shkruajnë pa përdorur programe
të tilla, disa romancierë bashkëkohorë pranojnë me gëzim se teknologjia po i ndihmon shumë. Vikram Chandra thotë se ka përdorur një program të quajtur Microsoft
Project për të organizuar romanin e saj të vitit 2006 "Lojëra të shenjta", të cilën e pati
shkruar në gjashtë vjet duke mbushur 900 faqe. Të tjerë kanë përdorur kompjuterin për punë të ngjashme, por deri më sot, nuk ka asnjë që të pranojë se ka shkruar një roman duke përdorur një program template. Hartuesit e një programi të tillë gjithsesi pretendojnë se kanë shitur 100 mijë njësi për 30 stërlina angleze që kur e hodhën
produktin në treg në vitin 2001.
Disa ekspertë të fushës pranojnë se në fund të fundit, ndonëse programe të tilla nuk prodhojnë automatikisht një roman, apo nuk përbëjnë një linjë industriale prodhimi
romanesh, janë të nevojshme për të organizuar më me lehtësi një projekt romani.
"Vetëm pas dy klikimesh, programi kërkon titullin e romanit, llojin e organizimit mes disa llojeve popullore të skemave, listën e personazheve, karakteristikat
e tyre etj".
Në botën e sotme, shumë shkrimtarë të "supershitur" arrijnë të prodhojnë disa romane në
vit duke mbajtur sekretarë që krijojnë pambarim ngjarje e personazhe, sipas sugjerimeve të përgjithshme të shkrimtarëve, gjë që shkurton kohën për prodhimin e romanit. Dhe përderisa shkrimtarë të tillë arrijnë gjithsesi të shesin miliona kopje, nuk ka asgjë të çuditshme që në ndihmë të tyre të vijnë edhe programe kompjuterike.
Në fakt, çdo program nga ato që janë në shitje, ka stilin e vet të punës. Njëri prej tyre, bazohet në idenë e Aristotelit që thotë se çdo ngjarje e shkruar mund të kategorizohet
në një skemë të caktuar.
Ndërsa studiuesit i përdorin këto ide për të analizuar letërsinë, të tjerë sugjerojnë se ato mund të përdoren si skema shabllon për të shkruar romane. Studiuesit janë të ndarë kur pyeten nëse programet kompjuterike do të ndihmojnë në rritjen e krijimit letrar, apo do të jenë një produkt i përkohshëm industrial. "Me një program kompjuteri nuk do të
krijohet kurrë as një roman i nivelit të mesëm", - thotë Maggie Boden, profesoreshë e shkencave konjiktive në Universitetin e Saseksit. Megjithatë, ajo pranon se programet do të ndihmojnë njerëzit të kenë ide më të qarta se çfarë po bëjnë, kur marrin përsipër
të shkruajnë një roman. Kështu që nuk është e çuditshme. Një ditë, do të mund të krijojmë romane duke përdorur një program kompjuterik. Dhe çdokush mund të shkruajë një roman.