Shtypi perëndimor në vitet kur Shqipëria qeverisej nga Ahmet Zogu, jepte lajme kureshtare mbi personin e tij
“Mbreti Zog është një nga njerëzit që punon më shumë se çdokush tjetër në botë”, - shkruante “New York Times” në fillim të viteve '30. “Ai deklaron se punon 18 orë në ditë dhe se bën gjatë të gjithë ditës vetëm dy pushime nga dhjetë minuta”.
“Anëtar i një fisi shqiptar nga Mati, i biri i një kreu lokal, post që trashëgohej, Ahmet Zogu pati vesin tipik të politikanëve të Ballkanit, vende ku krerët duhet të sundojnë për të gjithë jetën. Dikur ai u detyrua të arratisej, por arriti të kthehej, u bë president dhe më pas u bë mbret më 1928”, shkruante “Times” e Londrës ditën kur Zogu u largua për herë të fundit nga Shqipëria.
Më 1929, një shoqatë e luftës kundër duhanit, këshilloi mbretin Zog të ulte dietën e tij të cigareve, sepse ajo sakaq i kishte shkaktuar humbjen e zërit. Në perëndim qarkullonin zëra se ai konsumonte 150 cigare në ditë ose 55 mijë në vit.
Media e kohës qe veçanërisht e tërhequr nga Mbreti Zog. Ata e ndoqën hap pas hapi. Shkruajtën kur Zogu dha shembullin i pari për kthimin e vendit nga Perëndimi, duke shkurtuar mbiemrin e vet e duke i hequr një germë emrit, në mënyrë që të largonte konotacionin oriental. Shkruajtën kur më 1929, filloi ndërtimin e pallatit të ri mbretëror, me kosto prej 1 milionë dollarësh të kohës, pasi zotëronte edhe katër të tjerë të tillë dhe deklaronte se do të ndërtonte edhe një të gjashtë në Krujë. Shkruajtën kur u përfol se ai do të shpallej mbret me titullin Skënderbeu i Tretë.
Artikulli i Time më 1929
“Hekurudhat, rrugët, anijet me avull, kanalet, janë të gjitha shenja të qytetërimit, por ato kushtojnë para. Javën e kaluar, zeshkani Ahmet Bej Zogu Mati, Mbret i Shqipërisë, bëri një shenjë efektive dhe të pakushtueshme drejt perëndimizimit të mbretërisë së trazuar, duke dekretuar se në të ardhmen, të gjithë nënshtetasit e tij duhet të heqin dorë nga zakonet e vjetra Muhamedane të marrjes së emrit të qytetit apo fshatit në të cilin jetojnë dhe duhet të adoptojnë emra të mirë Europianë. Duke krijuar modën, mbreti hoqi emrin e Matit nga emri i vet, hoqi U-në nga Zogu (vulosi monedhat shqiptare nën emrin Amet Zogu), dhe i dha vetes emrin kumbues Mbreti Zog”, shkruante “Time” më 17 korrik 1929, në një artikull me titull “Zog, jo Skënderbej”.
Pasioni për pallate
Megjithëse Shqipëria nuk ka rrugë, ajo nuk do të vuajë kurrë për pallate mbretërore. Javën e kaluar, punëtorë italianë dhe inxhinierë, të dërguar nga mbrojtësi i Mbretit Zog, Diktatori Musolini, hodhën themelet e një pallati të ri mbretëror, i pesti për mbretin Zog, në të dalë të kryeqytetit të zbehtë Tiranë. Ndërtesa do të kushtojë më shumë se 1 milionë dollarë, por pasioni i tij për pallate duket se nuk është plotësuar, pasi ka planifikuar të ndërtojë një të gjashtë në qytetin antik të Krujës, shtëpia e heroit shqiptar të shekullit të 15, Skënderbeut të Madh. Për vendësit, pasioni i Zogut për pallate është i kuptueshëm. Ata e dinë se shumë shqiptarë me sy të uritur janë betuar se do ta vrasin dhe Zogu i kujdesshëm shumë rrallë del nga pallatet e tij. Për një njeri të gjallë si ai, jeta në brendësi të edhe pesë pallateve, është shumë e kufizuar.
-------------------------------------------------
Artikulli i “Time” kur Zog u martua
Times: Martesa e Zogut me “Jerry”
Mijëra malësorë të varfëruar por me fytyrë krenare veshën javën e kaluar bluzat e bardha më të pastra, xhaketat e Skënderbeut dhe fustanellat, i hipën gomerëve të tyre ngordhalaq dhe kapërcyen malet për në Tiranë, kryeqytetin e tyre që mban erë të keqe. Ata erdhën të festonin martesën e mbretit të tyre 42-vjeçar Zog I, me gjysmë-amerikanen 22-vjeçare, Konteshën Geraldine Apponyi të Hungarisë. E ëma dhe i ati i Konteshës, që parapëlqen nofkën e vet të Budapestit “Jerry”, janëGladys Virginia Stewart e Manhatanit dhe Konti Anton Apponyi i Budapestit.
Bashkë me traditën e gjakmarrjes është edhe tradita e të pirit rëndë në raste të tilla feste dhe Mbreti Zog që është finok, e di se shumë malësorë me emër janë betuar ta vrasin, e për këtë arsye i mbajti ata të zënë me tre ditë të tëra festime. Gegë krenarë nga veriu dhe toskë të zbathur nga jugu i harruan hallet me raki. Por kur entuziazmi mungoi për ditën e dytë radhazi, qeveria miratoi një ligj për martesën masive të 150 çifteve në mënyrë që rakia të vijonte të derdhej.
Dasma mbretërore shkoi në ditën e tretë, ndërkohë që askush nuk kishte arritur ta shihte mbretin. Ndërsa muezinët këndonin në minare, Kontesha e gjatë dhe me flokë të zi, e veshur me të bardha hipi në karrocën e tërhequr nga katër kuaj të bardhë, dhuratë nga qeveria Hungareze, eci përgjatë rrugëve të pluhurosura të Pallatit Mbretëror. I mbrojtur nga një trupë prej 1 mijë ushtarësh, Mbreti Zog e priti nusen, e shoqëroi te biblioteka ku i tregoi koleksionet me armë antike.
Hiqmet Delvina, zëvendëskryetari i Parlamentit u bashkua me çiftin në një ceremoni të thjeshtë civile, për shkak se Zogu është mysliman, ndërsa Mbretëresha është Katolike. Jake Koçi, njeriu që kërkonte nuse për mbretin, pati kaluar javë shumë të ngarkuara deri sa mori frymë lirshëm javën e kaluar. “Është e shkëlqyer”, deklaroi ai, “ju e dini se monarku i një vendi të vogël si ky i yni duhet të tregohet shumë i kujdesshëm që të mos përzihet në politikën ndërkombëtare përmes martesës.” Në fakt, Zogu prej shumë kohësh ka qenë në ujërat ndërkombëtare.
Që nga viti 1927 ai ka qenë një kukull e Musolinit. Kreditë italiane që nuk jepen për të fituar interesa kanë majmur financat shqiptare, ushtria është e gjitha e drejtuar nga italianët dhe Italia është klienti më i mirë i Shqipërisë. Për këtë arsye, martesa duhet të marrë miratimin e Musolinit. Duçe tregoi se ai e miratoi me forcë këtë lidhje italiano-shqiptaro-hungareze, duke dërguar dhëndrin e tij, ministrin e Jashtëm Konti Galeazzo Ciano, i cili ndërpreu bisedimet Franko-Italiane në Romë, për të bërë dëshmitarin e dasmës në Tiranë.
Kur mbërritën dhuratat, u bë e qartë se komplikimet ndërkombëtare nuk patën kaluar pa u vënë re. Adolf Hitleri i dërgoi një Mercedes-Benz sportiv. Musolini i dërgoi katër vazo bronzi, që dikur i përkisnin Napoleonit; një statujë dragoi erdhi nga Mbreti Vittorio Emanuele; Tapete orientale nga diktatori Metaxas i Greqisë dhe një skrivani e përpunuar nga Generalissimo Franco i Spanjës.