****
Nr.16 - B-
Gjyqi ndaj poetëve "armiq"
Dëshmitarët në sallën e gjyqit
Dëshmitarët futen në sallën e gjyqit dhe pohojnë atë që kishin deklaruar për poetët "armiq" Genc Leka e Vilson Blloshmi. Të akuzuarit që kundërshtojnë, nuk lejohen t'u bëjnë pyetje. Ja si i rrëfen këto momente Bedri Blloshmi, vëllai i Gencit, që u dënua në këtë gjykim me heqje lirie: "...Të gjithë dëshmitarët u futën një e nga një. Shumë prej tyre nuk na njihnin. Ata thoshin porosinë sipas instruktazhit dhe dilnin jashtë. Gjykatësi vetëm hesht, pa kërkuar asnjë shpjegim. Nuk na lejuan të replikonim me asnjë. Kryetari i seancës i drejtohej sekretares, të shkruante ato fjalë që i diktonte ai. Mbaruan të gjithë, vetëm një nga mësuesit, që kishte qenë në shkollë bashkë me Vilsonin, në Elbasan, i drejtohet prapë trupit gjykues mbasi kishte dëshmuar se kishte diçka për të shtuar. Një bisedë që ishte bërë në vitin 1964, në Elbasan, në ambientet e shkollës, ose më saktë, në një orë mësimi. Mbasi profesori e kishte pyetur Vilsonin për mësimin që e shpjegoi shumë mirë, ai i kërkoi të bënte një paralelizëm. Bëhej fjalë për një familje shumë të varfër, e cila kishte shumë fëmijë dhe nuk mund t'i ushqente dot. Një ditë burri i thotë të shoqes, se do të shkonte të kërkonte fatin e fëmijëve, se kështu nuk jetohej më. Gjatë rrugës takon profetin. Mbasi i tregon për hallin që kishte, profeti i thotë: "Vazhdoje rrugën që ke nisur, atë ç'ka do të gjesh në fundin e rrugës, është kësmeti yt".
Rruga e çoi në një shpellë të errët. Tek hyrja u ndal. Shikoi rreth e rrotull dhe s'gjeti gjë. Vazhdoi deri në fund të shpellës, po priste. Aty dëgjoi se në çdo një orë, pikonte nga një pikë ujë. Ky u mërzit shumë, tha me vete: "Pse, ky qenka kësmeti im?". Mori pak baltë dhe e zuri vrimën ku pikonte. "Unë nuk e dua fare, as edhe këtë pikë ujë që bie një herë në orë".
Profesori e falënderoi, i tha të ulet.
Sa herë që unë e takoja, apo shkoja në shtëpinë e këtij, ma tregonte rastin e këtij fatkeqi.
-Kaq shoku gjykatës,- tha mësuesi.
Pasi del jashtë ky mësues, e merr fjalën prokurori gjithë inat: "Shikoni se ç'ka bërë qysh në shkollë! Vrer ka vjellë edhe me shokët e tij. Por mos ki merak i pandehur, se dhe ne do ta zëmë fare atë gojën tënde, ja, shumë shpejt!...".
Ekskluzive / Nga dosja origjinale dhe gjyqësore Nr.48 e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, edhe në këtë numër, po japim vazhdimin e procesverbalit origjinal të gjykimit e vendimit të dhënë në të, për poetët Blloshmi e Leka që u dënuan ditën e 6-të të gjyqit me "vdekje me pushkatim", ndërsa bashkëpunëtorët e tyre, me 70 vjet burg gjithsej.
Nga Kujtim Boriçi
--------------------------------------
Gjashtë ditëve të gjyqit "shembullor" ndaj poetëve "armiq", Genci Leka e Vilson Blloshmi, u vjen fundi. Mes duartrokitjeve frenetike për "Partinë e Enverin" nga të pranishmit në sallë, jepet vendimi për "Grupin armiqësor të Bërzeshtës". Ja vazhdimi i këtij vendimi, shkëputur nga dosja Nr.48 "Blloshmi-Leka": "Për të pandehurin D.Blloshmi, megjithëse ka kryer dy krime të rënda, por duke patur parasysh se në hetuesi e në gjyq është treguar i sinqertë në tregimin e veprimtarisë kriminale të tij dhe, nga ana tjetër, ka ndihmuar në njëfarë mase edhe në zbërthimin e procesit për të zbuluar veprimtarinë e të pandehurve të tjerë, ka vend që ndaj tij të jepet një masë dënimi në përshtatje me këto rrethana.
Për të pandehurin R.Dashi kihet parasysh përbërja e keqe klasore e tij, format e kryerjes së përvetësimit, dhe se nuk është treguar i sinqertë në gjyq dhe hetuesi, është përpjekur të zvogëloj fajet e tij.
I pandehuri R.Çerri, ka përbërje të mirë politiko-shoqërore, por se është ky dhe bashkëshortja e tij, që duke u bërë vegla në duart e sabotatorëve e vjedhësve të tjerë, u dhanë mundësi të zhvillojnë veprimet armiqësore e keqbërëse në dëm të diktaturës së proletariatit e pronës socialiste.
Qëndrimi jo plotësisht pendues që ka manifestuar në hetuesi në gjyq dhe në hetuesi flet për rrezikshmëri të madhe.
Për të pandehurin R.Sula, se ka origjinë e përbërje politike të mirë, ka nivel të ulët arsimor e kultural, dhe se është ky që ka ndihmuar së tepërmi organet e diktaturës në zbulimin e goditjen e grupit armiqësor të vjedhësve.
Në hetuesi e në gjyq mbajti qëndrim mjaft pendues, prandaj ka vend të aplikohet neni 44 i Kodit Penal, për uljen e dënimit nën minimumin e parashikuar nga dispozitat penale përkatëse.
Për të pandehurin A.Goçi kihet parasysh shuma e përvetësuar, si dhe fakti që ka qenë i dënuar dhe më parë.
Për këto arsye
Gjykata, në bazë të neneve 278-279 të Kodit Penal
Vendosi:
1-Të deklarojë fajtor të pandehurin Genci Bardho (Feim) Leka për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Të deklarojë fajtor të pandehurin Genci Bardho (Feim) Leka për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 10 vjet heqje të lirisë.
Duke bërë bashkimin e krimeve, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, përfundimisht e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
2- Të deklarojë fajtor të pandehurin Vilson Blloshmi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Të deklarojë fajtor të pandehurin Genci Bardho (Feim) Leka, për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 10(dhjetë) vjet heqje të lirisë.
Duke bërë bashkimin e krimeve, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, përfundimisht e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
3- Të deklarojë fajtor të pandehurin Bedri Sami Blloshmi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me 25 (njëzet e pesë) vjet të heqjes së lirisë, dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Vuajtja e dënimit i fillon nga data e paraburgimit, 03.04.1976
4- Të deklarojë fajtor të pandehurin D.Blloshmi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet të heqjes së lirisë, me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Të deklarojë fajtor të pandehurin D.Blloshmi, për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 5 (pesë) vjet heqje të lirisë.
Duke bërë bashkimin e krimeve, në bazë të nenit 48 të Kodit Penal, përfundimisht e dënon me 20 (njëzet) vjet heqje të lirisë, me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.
Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit, 10.06.1976
5- Të deklarojë fajtor të pandehurin R.Çerri, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste, të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal e dënon me 12(dymbëdhjetë) vjet heqje lirie e konfiskimin e pasurisë.
Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit, 05.08.1976
6- Të deklarojë fajtor të pandehurin R.Dashi, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal e dënon me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie e konfiskimin e pasurisë.
7- Të deklarojë fajtor të pandehurin R.Sula, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal dhe 44 të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie.
Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit, 10.06.1976
Edhe të pandehurit R.Dashi i fillon dënimi nga dita e paraburgimit, datë 11.06.1976
8- Të deklarojë fajtor të pandehurin A.Goçi, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në shumë të vogël dhe në bazë të nenit 81 e 42 germa "a" të Kodit Penal e dënon me 2 (dy) vjet heqje të lirisë.
Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit, 06.05.1977
Detyrimin e të pandehurit D.Blloshmi që t'i paguajë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën prej 1105 (njëmijë e njëqind e pesë lekë).
Detyrimin solidarisht të të pandehurve D. e Bedri Blloshmi e R.Dashi t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 1927 (njëmijë e nëntëqind e njëzet e shtatë) lekë.
Detyrimin solidarisht të të pandehurve D. e Bedri Blloshmi e R.Dashi t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 870 (tetëqind e shtatëdhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D. e Bedri Blloshmi e R. Sula t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 1122 (njëmijë e njëqind e njëzet e dy) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Çerri, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 1336 (njëmijë e treqind e tridhjetë e gjashtë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Çerri e R.Dashi, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 1350 (njëmijë e treqind e pesëdhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Çerri e B. Blloshmi , solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 502 (pesëqind e dy) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi dhe A.Goçi, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 497 (katërqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi, A. e R.Dashi, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 690(gjashtëqind e nëntëdhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Dashi, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 602 (gjashtëqind e dy) lekë.
Detyrimin e të pandehurve Bedri Blloshmi në veçanti t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 560 (pesëqind e gjashtëdhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve D.Blloshmi e R.Sula, solidarisht, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 310 (treqind e dhjetë) lekë.
Detyrimin e të pandehurve R.Sula, në veçanti, t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë 6 copë shina në vlerën 457 (katërqind e pesëdhjetë e shtatë) lekë, t'i paguajë R.H. Elbasan 3 copë hekur betoni 3 ml gjatësi 20 ml, me vlerë 132 (njëqind e tridhjetë e dy) lekë, një karrocë dore me vlerën 80 lekë dhe dy blloqe betoni me vlerë 90 lekë. Dhe, kooperativës bujqësore Bërzeshtë t'i paguajë vlerën 3320 (tremijë e treqind e njëzet lekë)
Detyrimin e të pandehurve R.Sula dhe R.Dashi t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 137 (njëqind e tridhjetë e shtatë) lekë.
Detyrimin e të pandehurit R.Çerri t'i paguajnë kooperativës bujqësore Bërzeshtë shumën 4025 (katërmijë e njëzet e pesë) lekë.
Konfiskimin e provave materiale jashtë qarkullimit e blloqet e shinat që janë gjetur në shtëpinë e të pandehurve Genci Leka e Vilson Blloshmi. Ndërsa librat që janë pronë e Ndërmarrjes Bujqësore Librazhd, t'i kthehen kësaj ndërmarrje.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim ose protestë në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë Tiranë brenda 6 ditëve nga e nesërmja e shpalljes së tij; për të pandehurit Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, çështja për shqyrtim në shkallë të dytë Gjykatës së Lartë Tiranë. Dërgohen në bazë të neneve përkatëse të Kodit Penal.
U shpall në Librazhd, më 13.06.1977
Sekretarja: A.Xhani (Firma)
Gjyqtari: S.Sulçe (Firma), Vula e Gjykatës.
Shënim: Me Vendimin Nr.22, datë 02.07.1977, të Gjykatës së Lartë Tiranë, është vendosur: Lënia në fuqi e Vendimit Nr.25, datë 13.06.1977, të Gjykatës së Rrethit Librazhd.
Ky vendim, për të dënuarit Genc Leka e Vilson Blloshmi, në bazë të nenit 349, të Kodit të Procedurës Penale, nuk do të vihet në zbatim derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
K/Sekretarja: A.Xhani (Firmë, vulë)".
(Vijon nesër)
Për të pandehurin D.Blloshmi, megjithëse ka kryer dy krime të rënda, por duke patur parasysh se në hetuesi e në gjyq është treguar i sinqertë në tregimin e veprimtarisë kriminale të tij dhe, nga ana tjetër, ka ndihmuar në njëfarë mase edhe në zbërthimin e procesit për të zbuluar veprimtarinë e të pandehurve të tjerë, ka vend që ndaj tij të jepet një masë dënimi në përshtatje me këto rrethana
Të deklarojë fajtor të pandehurin Genci Bardho (Feim) Leka për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me vdekje, me pushkatim dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Të deklarojë fajtor të pandehurin Genci Bardho (Feim) Leka për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënon me 10 vjet heqje të lirisë.