Arkiva / Shqipëria në syrin e Shërbimeve Sekrete Britanike dhe Amerikane, SOE dhe OSS. Një vështrim i detajuar në sekretet e arkivave të këtyre shërbimeve.
Zbarkimi italian në Durrës, më 7 prill 1939, raporte të panjohura arkivore për viktimat e para. Britanikët ruajnë influencën në Greqi dhe sulmin italian në Shqipëri e shohin si kërcënim serioz
Kush i solli në pushtet komunistët. Një pyetje që akoma dhe sot debatohet mjaft në qarqet historike të shërbimeve sekrete britanike dhe amerikane
Pushtimi Italian dhe SIS
Invazioni italian drejt Ballkanit më 7 Prill 1939 nuk e ndryshoi sadopak politikën e Jashtme Britanike në drejtim të Shqipërisë apo edhe vendeve të tjera rreth saj.
Raportet e fundit të dërguara nga Legata Angleze në Shqipëri tregojnë se ushtria shqiptare bëri rezistencë vetëm në Durrës kur një numër ushtarakësh humbën jetën në përpjekje me italianët.
Në raportin e Atasheut Ushtarak të Marinës Britanike me qendër në Romë thuhet se dëshmitarët i kanë konfirmuar që "italianët kanë humbur rreth 400 vetë gjatë zbarkimit në Portin e Durresit". Është kjo një shifër e ekzagjeruar apo jo akoma nuk e dimë pasi raportet zyrtare italiane konfirmojnë humbjen e vetëm 12 ushtarakëve gjatë zbarkimit në Durrës. Gjithsesi ky raport nuk ka përse të mos merret parasysh kur shikojmë se Atasheu Ushtarak i Marinës Britanike kishte ardhur vetë në Durrës për të mbledhur informacion menjëherë pas zbarkimit të ushtrisë italiane. Ndoshta arkivat e Shërbimit Sekret Italian do të hedhin një dritë më të qartë mbi rezistencën e vërtetë që u bë në Durres më 7 Prill 1939.
Është e kuptueshme se në kushtet e një Gjermanie shumë të rëndësishme në planin ushtarak, askush në Europë nuk do të donte të shkonte në luftë me aleatin e saj Italinë Fashiste vetëm për të mbrojtur çështjen e një vendi të vogël dhe të parëndësishëm si Shqipëria në atë periudhë. Megjithëse shtypi europian dhe ai britanik i kushtuan faqen e parë këtij pushtimi pakkush kërkoi që Qeveria Britanike të ndërhynte ndaj këtij pushtimi. Ajo nuk dëshironte në asnjë mënyrë të provokonte ndjenja anti-britanike nga italianët të cilët nëpërmjet kanaleve konfidenciale kishin shpallur neutralitetin e saj ndaj një konflikti të mundshëm britaniko-gjerman. Britanikët kërkonin me çdo kusht të ruanin kontrollin e Kanalit të Suezit si dhe rrugëve të saja në kolonitë e Lindjes së Mesme dhe një konflikt me Musolinin do t'i kërcënonte seriozisht këto pika strategjike pasi Italia kontrollonte në një menyrë apo një tjetër rrugët detare të Lindjes. Për këtë arsye Qeveria Britanike u kishte dhënë urdhër specifik të gjitha agjencive të saja përfshirë edhe Shërbimet Sekrete se në asnjë mënyrë nuk duhej të planifikohej ndonjëndërhyrje anti-italiane në rajonin e Ballkanit. Për sa Greqia ishte jashtë planeve pushtuese të Italisë, britanikët nuk kishin asnjë arsye për të dëmtuar neutralitetin e premtuar nga italianët. Sipas dokumetacionit të Foreign Office, letrave private dhe dëshmive të botuara nga një numër personash të përfshirë në ngjarjet e pragluftës së Dytë Botërore, kuptohet qartë se politika britanike për Ballkanin ishte ajo e ruajtjes së një neutraliteti sa më të qëndrueshëm për të mbajtur larg çdo interesi gjermanët në këtë rajon si dhe mundësinë ekrijimit të një fronti ballkanik i cili do t'i qëndronte invazionit të mundshëm gjerman.
Fakti që anglezet nuk protestuan për pushtimin e Musolinit në Shqipëri në Prillin e vitit 1939, tregon qartë se Foreign Office i kishte mbetur besnik kësaj politike.
Interesimi serioz i Shërbimeve inteligjente britanike ndaj Shqipërisë e ka fillesën e saj në Qershor 1940 kur Franca kapitulloi përpara armëve gjermane. Për të kuptuar interesimin e befasishëm të SIS për Shqipërinë në radhë të parë, duhet kuptuar politika britanike në Balkan dhe në veçanti në Jugosllavi dhe Greqi. Anglezët e kuptuan fare mirë se tashmë situata europiane po ndryshonte me shpejtësi. Italianët sapo kishin filluar pregatitjet për të sulmuar Greqinë dhe këto përpjekje tregonin qartë se Musolini nuk do të mjaftohej vetëm me pushtimin e Shqipërisë por me anë të forcës do të donte të ndryshonte hartën ballkanike. Britanikët të cilët jo më pak se një vit më parë kishin qenë për ruajtjen e një neutraliteti ballkanik tashmë po mendonin ndryshe.
Në fakt nga dokumentacionet tepër sekrete të cilat sapo janë hapur për studiuesit, shikohet qarte se nëpërmjet përgjimeve telefonike dhe rrjetit të informimit që britanikët kishin në Romë, ishte bërë e mundur që të kuptohej qartë se Musolini ishte gati të mbështeste një konflik të mundshëm të gjermanëve me anglezët. Për një kohë të gjatë liderët e Partisë Fashiste ishin munduar me çdo kusht që të ruanin një lloj neutraliteti ndaj anglezëve duke bërë paqe të heshtur mbi zonat e tyre të influencës. Por kapitullimi i Francës i dha të kuptojë Musolinit se ai duhej të ishte përfundimisht në krahun e Hitlerit si triumfatori i një Europe të re. Ndryshimi i politikës italiane ndaj britanikëve bëri të mundur që të ndryshonte edhe politika angleze ndaj Ballkanit.
Për britanikët ruajtja me çdo kusht e influencës së tyre në Greqi si pozita strategjikekyçe në Mesdhe, i bëri që ta shihnin sulmin italian si kërcënim serioz.
Po kështu, planet italiane për Jugosllavinë e bënin të vështirë ruajtjen e një lloj koalicioni ballkanik midis Jugosllavisë Greqisë dhe Turqisë në rastin e një konflikti me gjermanët.
Diplomacia britanike po punonte mjaft për të krijuar një pakt të tillë midis vendeve Ballkanike por mesa duket politika vendase e bënte këtë synim mjaft të vështirë.
Gjithsesi një pjesë e politikës jugosllave e dinte se me pushtimin italian të Shqipërisë dhe infiltrimin gjerman në Hungari, situata e tyre do të ishte mjaft e vështirë, dhe për këtë arsye një pjesë e Shërbimit Jugosllav bashkëpunoi ngushtë me britanikët. Ky bashkëpunim do të ishte edhe një prej fillimeve të interesimit serioz të MI6 (SIS) ndaj Shqipërisë duke shfrytëzuar rrjetin dhe kontaktet që jugosllavët kishin vendosur në Shqipëri gjatë periudhës së Mbretit Zog.
Me ndryshimin radikal në politikën europiane, lidershipi anglez kuptoi qartë se një luftë me Gjermaninë naziste ishte e pashmangshme. Në këtë kohë Shërbimet Sekrete Britanike iu nënshtruan një riorganizimi për tu përshtatur me situatën e re që pritej të ndodhte në Europë. () Për këtë arsye Ministria e Ekonomisë së Luftës me dekret të posaçëm krijoi një forcë të re e cila do të përfshinte disa seksione dhe në veçanti Seksionin e Luftës jokonvencionale e cila do të përfshinte spiunazhin, sabotimin dhe në veçanti ndihmën për popullsitë lokale në krijimin e një lufte guerile ndaj ushtrisë së rregullt gjermanë. Ky shërbim i ri i krijuar nga Ministri i Ekonomisë së Luftës Hugh Dalton do të hynte në histori si e famshmja S.O.E. Operacionet Speciale Ekzekutive.
SOE që në fillimet e saja do të hynte në lojë me plane gati diametralisht të kundërta me politikë tradicionale të Foreign Office. Në krye të saj u vendosën oficerë të rinj të cilët ishin të etur për aksione në prapavijat armike. Shumica e tyre ishin të rinj të dalë nga shkollat elitare angleze apo nga repartet speciale dhe lufta guerile ishte një tërheqje mjaft e madhe por edhe një mundësi për tu ngjitur në shkallët e karrierës ushtarake. Një pjesë e madhe e oficerëve të parashutuar në Ballkan të cilët luftuan dhe jetuan me popullsinë vendase kanë lënë kujtimet dhe ditaret e tyre të cilat janë një dritare e shkëlqyer për të kuptuar më mirë mentalitetin e oficerëve britanike ndaj vendeve ku ata shërbyen. Kujtimet dhe ditaret janë gjithashtu një kronike e detajuar e jetës së oficerëve britanikë në malet e Ballkanit si dhe detaje të rëndësishme mbi politikën e disa prej liderëve të mëvonshëm të lëvizjeve komuniste apo nacionaliste në Ballkan.
Gjithsesi nëse do të kthehemi sërisht në kohën e interesimit të zbulimit britanik ndaj Shqipërise do të kuptojmë qarte se ky interesim i madh ishte në kuader të një plani sekret që SOE e sapokrijuar kishte për Jugosllavinë dhe Greqinë, ku Shqipëria do të luante një rol të rëndësishëm.
Kumbari i SOE, Ëinston Churchill, sëbashku me një grup shumë të ngushtë bashkëpuntorësh po përpunonin një politikë shumë sekrete e cila kishte si synim final krijimin e një konflikti gjermano-rus në Balkan si dhe mundësinë e angazhimit të këtyre dy forcave në teatrin ballkanik. Britanikët mendonin se përplasja e këtyre dy fuqive të mëdha ushtarake do të sillte një ndryshim në politikën europianë duke i shndërruar ata në një faktor serioz përballë kundërshtarëve të cilët do të kishin shpenzuar shumë energji në konfliktin e tyre.
Ndoshta pakti i famshëm i mossulmimit Ribentrop-Molotov duhet parë në këtë këndvështrim të ri dhe duhet gjykuar në dritën e dokumenteve të reja. Ka shumë mundësi që shërbimet gjermane apo ato ruse janë njohur me Planin Sekret të Churchillit dhe për të shuar çdo iluzion anglez ndaj një përplasje të mundshme gjermano-ruse dhe vendosën të firmosin Traktatin e famshëm të Mossulmimit.
Megjithatë sipas dokumenteve të kohës politika Sekrete e Churchillit ishte për "futjen e Jugosllavisë me çdo mënyrë në teatrin ushtarak" (A K (PRO HS5/166).
Kjo politikë sekrete ishte mbajtur e tillë edhe nga një numër i anëtarëve të qeverisë dhe në veçanti nga Foreign Office.
Situata në Jugosllavinë e kohës ishte shumë e ndërlikuar ku një pjesë e politikës vendase ishte pro-gjermane. Politika britanike në Jugosllavi ishte e ndarë më dysh pasi Ministria e Jashtme Britanike nëpërmjet Legatës së saj dhe Konsullatave mbante kontakte me një elitë të ngushtë të politikës jugosllave me pikëpamje pro-britanike.
Sipas dokumenteve në dispozicion, Seksioni D/SOE dhe SIS kishte krijuar një rrjet të gjërë kontaktesh në shoqërinë Jugosllave, kontakte të cilat përfshinin jo vetëm pjesë të errëta të shoqërisë jugosllave por edhe grupe me pikpamje të hapura pro-komuniste por që megjithë përpjekjet e SIS "nuk kishte zbuluar dot emrat e liderve të tyre" (AK HS5/398).
Këto kontakte shqetësonin seriozisht Legatën Britanike në Beograd si dhe Ambasadorin Anglez Ronald Cambell i cili nuk dëshironte që një pjesë e personelit të tij të përfshihej në operazione sekrete apo të mbanin kontakte me shtresa të dyshimta të shoqërisë jugosllave. Sipas dokumentacionit të SOE, në Ambasadën Britanike në Beograd kishte një tension midis SD/SOE dhe trupit diplomatik. Për këtë arsye, politika e ndjekur nga Foreign Office e cila nxiste një politikë neutrale të Greqisë dhe Jugosllavisë binte ndesh me përpjekjet sekrete të Ministrisë së Luftës Britanike (frymëzuar nga Churchilli) e cila në mënyrë të fshehtë po krijonte një atmosferë lufte sekrete.
Por gjithsesi duhet thënë se në Jugosllavinë e vitit 1940 seksioni D/SOE (Sektori Ddrejtori e metodave jo konvencionale) si dhe SISkishin njohuri më të mira mbi gjendjen reale të politikës dhe ekonomisë së vendit.
Foreign Office ndërmjet Ambasadorit Cambell udhëzonte Qeverinë Jugosllave për të ruajtur me sa mundeshin neutralitetin me italianët, tashmë fqinjët e rinj në Ballkan. Ndërkohë SOE kërkonte me çdo kusht që Jugosllavia të krijonte kushtet për një sulm ndaj shpinës italiane në Shqipëri.
Se çfarë mendonin oficerët e SOE mbi rolin e vendeve ballkanike, shikohet mjaft qartë në një prej dokumenteve të drejtuar Qendrës në Londër. Nga ky dokument duket qartë se vendet ballkanike e në veçanti Jugosllavia dhe Greqia shikoheshin si pjesë e lojës së politikës sekrete të Ministrisë së Ekonomisë së Luftës për të provokuar një konflikt ruso–gjerman.
Dokument PRO HS5/938
Raporti i D/H2 nga Beogradi. 2 Gusht 1940
"SOE në Beograd beson se është e qartë që vendet ballkanike nuk duhet të kenëinteresa të veçanta, por duhet që interesi i tyre t'i nënshtrohet interesit të Qeverisë së Madherise se Tij për te provokuar një konflikt midis USSR dhe Gjermanise"
Gj`ate kesaj përiudhe MIR (MIR dega ushtarake e sabotimeve), nën udheheqjen e Sir John Sheakishte studiuar në mënyrë të gjërë kapacitetet ushtarake Jugosllave si dhe mundësinë e rezistencës ndaj një sulmi italian. Ndërkohë SIS kishte një rrjet kontaktesh shumë të mira në Shtabin Jugosllav, ushtrinë, Forcat Ajror si dhe përdorte për qëllime spiunazhi konsullatat në Zagreb, Split, Dubrovnik, Lubjanë, Shkup.
Kontaktet në nivele shumë të larta në fakt inspironin jo vetëm një lloj besimi në influencën britanike të qeverisë së Regjenti Paul por në fakt Shërbimet Angleze po mendonin edhe për pozicionin e influencës angleze edhe pas Lufte. Në një Memo Sekrete të dërguar nga George Taylor, zv/Drejtori i SO/2 , (SOE) në raportin e tij PRO HS57912 shkruan se "kontaktet e vendosura do ta vendosnin Britaninë në një pozicion shumë të favorshëm në qeveritë e pas luftës". Ky raport i shkruar nga një funksionar i rëndësishëm i Shërbimit Sekret tregon qartë se britanikët kishin mundur të angazhonin në favor të tyre një pjesë të mirë të shoqërisë politike Jugosllave".
Ndërkohë Sektori D po pregatiste planet mbi një lufte eventuale në Balkan duke përpunuar edhe një sërë metodash jo konvencionale të cilat do të implementoheshin nga rrjeti i agjentëve të saj sekretë. Deri në çfarë ekstremesh Sektori D ishte i gatshëm të shkonte mund të kemi një ide nga një pasazh i shkurter i Memorandumi Top Sekret të Nëndorit 1940 me titull "Funksionimi dhe Organizimi i Sektorit D".
"Helmimi i burimeve të ujit si dhe përhapja e bakterieve si mënyrë sabotazhi nuk rekomandohet por përhapja e sëmundjeve te bagëtia, drithrat, patatet inkurajohet dhe natyrisht çdo mënyre sabotazhi ndaj stacioneve elektrike, rrjetit të komunikimi si dhe qëndrave të prodhimit" PROHS5/935.
Somario
Qeveria Britanike u kishte dhënë urdhër specifik të gjitha agjencive të saja përfshirë edhe Shërbimet Sekrete se në asnjë mënyrë nuk duhej të planifikohej ndonjëndërhyrje anti-italiane në rajonin e Ballkanit.
Gjithsesi nëse do të kthehemi sërisht në kohën e interesimit të zbulimit britanik ndaj Shqipërise do të kuptojmë qarte se ky interesim i madh ishte në kuader të një plani sekret që SOE e sapokrijuar kishte për Jugosllavinë dhe Greqinë, ku Shqipëria do të luante një rol të rëndësishëm.