Kujtime të të akuzuarit Bedri Blloshmi
Poetët "armiq" në sallën e gjyqit
Kryetari i seancës lexoi Akt-Ekspertizën deri në fund. Vazhdonte akuza ndaj Gencit. Rrinim mes rrethimit të policëve.
-Fol i pandehur, për helmin që ke vjellë! Për kë aludohet?- tha gjyqtari.
-Unë jam dakord që ato poezi janë shkruar nga unë, por jo me atë qëllim që komentohet në akt-ekspertizë, interpretimi nuk është ai që mendoni ju.
-Po ju s'keni se si t'i mohoni, se këto janë marrë gjatë kontrollit të banesës. Ndërsa, përsa i përket frymës dekadente që përmbajnë këto poezi, vlerësimi është yni. Shpejt do ta marrësh vesh, të siguroj se nuk ke për të shkruar më. Në vend që të ulje kokën, të shlyeje gjynahet e babait, merresh me shkrime, libra të ndaluara. Mirë, mirë, ulu. I pandehuri Vilson Blloshmi, çohu në këmbë, të porosis të ndryshosh qëndrim! Mos u sillni kaq kokëfortë se është në dëmin tuaj.
-Drejtues të seancës! Unë ju thashë që ditën e parë, nuk kam asgjë për të shtuar.
-I pandehur, ju po rëndoni veten më shumë me kokëfortësinë tuaj. Duhet të shpjegoheni për çfarë do të pyeteni.
-Jo, jo, nuk jam dakord me asnjë gjë. Ashtu siç e keni përgatitur planin tuaj, vazhdoni.
-I pandehuri Bedri Blloshmi, çohu në këmbë!
-Jo,-i them.- S'kam për të thënë asnjë gjë, se s'kam faj. Ju e dini, s'kam marrë as akt-akuzën sepse nuk e pranoj, nuk është fajësia ime.
-I pandehur, pak rëndësi ka kjo.
Gjeta momentin, pashë nga vëllai me vështirësi, se nuk të linin policët, rrinin në këmbë me qëllim që të mos shiheshim apo komunikonim me njëri-tjetrin me ndonjë shenjë. Vili ma aprovoi mendimin me një lëvizje të lehtë të kokës: të mos ndryshoja qëndrim.
Gjykatësi pasi nuk arriti të komunikonte me ne, iu drejtua një të pandehuri tjetër, ishte arrestuar qëllimisht me premtimin se, sa të mbaronte gjyqi, do ta lironin. Ai shpjegoi siç e kishin porositur, u tregua fajtor, i penduar. Duke përfunduar, shtoi se gjykata duhet të merrte parasysh se kishte shumë fëmijë, ishte shtresë e varfër, kishte besim te trupi gjykues. Kishte folur disa minuta Genci.
...Hetuesi i drejtohet Kryetarit të Gjykatës:
-Në rregull tani?
-Po, po.- ja kthen kryetari i gjykatës.
Dolën jashtë të ndjekur nga pas nga hetues të tjerë. Në këtë moment, vëllai gjeti mundësinë e më dha sinjale. Mblodhi buzët, që dha të kuptojë se çdo gjë mori fund dhe pse ne mendonim që me qëndrimin tonë mohues mund ta prishnim gjyqin.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------
Ekskluzive / Nga dosja origjinale dhe gjyqësore Nr.48 e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, edhe në këtë numër, po japim vazhdimin e procesverbalit origjinal të gjykimit e vendimit të dhënë në të, për poetët Blloshmi e Leka, mënyrën e bashkëpunimit të pjesëtarëve të grupit në dëmtimet në ekonomi dhe fatura e këtij dëmi.
(Vijon nga numri i kaluar)
Para shqiptimit të vendimit për dënimin e poetëve "armiq", trupi gjykues, në argumentim të fajësisë rendit, rast për rast, dëmin ekonomik të secilit dhe atë në bashkëpunim, shoqëruar dhe me faturën financiare përkatëse. Ja vazhdim i këtij vendimi nga origjinali, shkëputur nga dosja Nr.48 "Blloshmi-Leka":
"Duke avancuar më tej në veprimet e hapura armiqësore e sabotuese në dëm të pronës së kooperativës bujqësore ky i pandehur në dy raste të veçanta, kur ka transportuar pleh e çimento, bashkë me të pandehurin R.Sula, ka hedhur në lum një thes me çimento e një thes me pleh kimik. Dhe kur i ka bërë vërejtje i pandehuri tjetër, ai i është përgjigjur: "Mos bëj llafe ti, ç'të duhet ty, ti po merr vetë sende në kooperativë", ose "ti mos bëj llafe shumë po vazhdo të vjedhësh se nuk është malli jot, që të vjen keq".
Nga ana tjetër, siç u provua në seancë gjyqësore, veç këtyre formave, ky i pandehur, për të dëmtuar sa më shumë pronën socialiste shpeshherë kur shkarkonte ose ngarkonte kafshë me thasë me drithë, i lëshonte të binin në tokë me forcë, që të çaheshin thasët e të derdhej drithi. Dhe kështu ka vepruar në disa raste, atij i është tërhequr vëmendje nga drejtuesi i sektorit për "pakujdesi" ndaj pasurisë së kooperativës.
Vepra e kryer nga ky i pandehur në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, Genci Leka, Vilson e D.Blloshmi, përmban plotësisht elementët e krimit të sabotimit, të parashikuar nga neni 72 e 12 të Kodit Penal.
Megjithëse i pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues në hetuesi dhe seancë gjyqësore, fajësia e tij u provua me atribuimet e të pandehurve D.Blloshmi, R.Sula, R.Dashi, R.Çerri dhe dëshmitari R.Gurra.
Po kështu, u provua se të pandehurit e tjerë, R.Çerri, R.Sula, R.Dashi kanë përvetësuar pasurinë socialiste në grup të organizuar, krim i parashikuar nga neni 80/1 i Kodit Penal, kurse i pandehuri A.Goçi ka përvetësuar pasurinë socialiste në bashkëpunim në shuma të vogla, krim i parashikuar nga neni 81 i Kodit Penal.
Siç u vërtetua gjatë gjykimit, ndonëse veprimet e përvetësimeve të kryera nga këta të pandehur, nuk kanë motive kundërrevolucionare, sepse nuk kanë qenë në dijeni të veprimeve armiqësore sabotuese të katër të pandehurve të parë, këto veprime keqbërëse të tyre, në pjesën më të madhe, janë kryer nën influencën e veprimeve sabotuese të të pandehurve armiq e sabotues.
Përvetësimet nga të pandehurit R.Çerri, R.Dashi dhe R.Sula janë kryer kryesisht në ditët gjatë fushatave të mbjelljeve, duke çuar më pak për mbjellje nga sa nevojitej e shënohej në dokumente. Vjedhjet, në këtë mënyrë, janë kryer në magazinën e sektorit, në brigadat ku bëhej mbjellja, në lëmë gjatë shirjeve, si dhe në brigadën e blegtorisë ku transportohej ushqim për kafshët, si tagji, etj. Pra, vjedhjet janë kryer në kohë dhe vende të ndryshme, domethënë në objekte të ndryshme, por të së njëjtës ekonomi bujqësore.
I pandehuri R.Çerri, ka përvetësuar herë pas here në grup të organizuar, që nga viti 1972 e deri në vitin 1975, në disa objekte të kooperativës bujqësore Bërzeshtë, në veçanti mallra dhe të holla në një shumë prej 1180 lekësh, kurse në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të grupit dhe disa persona të tjerë, produkte dhe materiale ndërtimi në vlerën prej 5977 lekësh. Shuma totale e përvetësimeve të kryera në veçanti e bashkëpunim, arrin në 7157 lekë. Pretendimi i të pandehurit se duhet të zbritet vlera e 32 copë kolonave të ahut, që ka marrë tek çajra në mal, sepse i ka patur me damkë, nuk është e bazuar. Është e vërtetë se ai, për nevojat e shtëpisë së tij (ndërtimin), ka marrë në vitet 1972-1975 leje-damkë për disa drurë, por kjo sasi ka qenë e pakët. Kjo lëndë është prerë e çuar në shtëpi përveç atyre që akuzohet nga ta pandehurit D. Blloshmi e R.Dashi. Sasia prej 32 copë kolonash ahu, siç doli e vërtetuar nga tërësia e rrethanave të çështjes, janë pronë e kooperativës bujqësore. Këto kolona kanë qenë çarë për kooperativën nga të pandehurit D.Blloshmi e R.Dashi, por i janë dhënë atij si "shpërblim" për drithin që ai u jepte nga magazina sipas marrëveshjes që kishin arritur më parë mes tyre.
I pandehuri R.Sula, ka përvetësuar pasuri socialiste, prodhime bujqësore, lëndë ndërtimi, të holla e të tjera pasuri të kooperativës bujqësore Bërzeshtë, në një shumë totale prej 5704 lekësh. Vjedhjet, ky i pandehur... i ka kryer si në magazinë, në farërat në kohën e fushatës, si dhe vende të tjera..., vepra e kryer përmban elementët e krimit të parashikuara nga neni 80/1 i Kodit Penal. Ky i pandehur ka përvetësuar në veçanti mallra në një shumë prej 1898 lekësh dhe në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë e persona të ndryshëm, një shumë prej 3833 lekë. Vlera e mallrave të përvetësuara në total arrin 5704 lekë.
I pandehuri R.Dashi, ka përvetësuar pasurinë socialiste herë pas here dhe në objekte të ndryshme gjatë viteve 1973-1975, në një shumë prej 3282 lekë, si produkte bujqësore, lëndë ndërtimi, gëlqere etj.
Përvetësimet, i pandehuri R.D., i ka kryer në bashkëpunim me të pandehurin D.Blloshmi, R.Çerri, A.Goçi dhe M.Çerri. Çështja penale e kësaj të fundit, është e veçuar nga organet hetimore dhe do të gjykohet më vete.
Është e vërtetë se ky i pandehur për një pjesë të produkteve bujqësore, 4 kv grurë, nga i cili 1 kv grurë farë, 330 kg misër dhe një sasi gëlqere që u ka paguar lekë të pandehurve R.Çerri, D.Blloshmi e A.Goçi, por edhe për këto mallra, ai duhet të përgjigjet për përvetim të pasurisë socialiste. Në rastin konkret, blerjet e produkteve bujqësore dhe mallrat e tjera prej të pandehurit R.Dashi, nga të pandehurit D.Blloshmi, R.Çerri etj., kanë shërbyer si nxitje për këta të fundit, që të kryenin përvetësime të tjera.
Vepra e kryer prej tij duhet cilësuar në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal, sepse shuma e përvetësuar nuk është e vogël. Nga ana tjetër, ajo është bërë në një ekonomi bujqësore ku në të njëjtën kohë me vjedhjet e kryera nga ky i pandehur, zhvillonte veprimtari sabotuese grupi i sabotatorëve dhe deri në një farë shkalle i ka shërbyer kësaj veprimtarie. Jo vetëm kaq, por dëmet që ka pësuar sektori dhe kooperativa bujqësore ku është zhvilluar veprimtaria e përvetësimeve të sabotuesve, janë relativisht të mëdha.
Fajësia e këtij të pandehuri u provua me atribuimet e të pandehurve D.Blloshmi, R.Çerri, A.Goçi, thëniet e dëshmitarit H.Zagolli dhe Sh.Dashi, si dhe me pohimet e pjesshme të tij.
I pandehuri A.Goçi ka përvetësuar pasurinë socialiste, herë pas here, në objekte të ndryshme; vetëm materiale ndërtimi, si gëlqere, dërrasa, patavra, etj., që nga viti 1969 e deri në vitin 1975, në bashkëpunim, në një shumë prej 1187 lekë. Vepra e kryer përmban elementët e krimit të parashikuar nga neni 81 i Kodit Penal.
Fajësia u provua me pohimet e tij, në atribuimet e të pandehurve D.Blloshmi, R.Dashi, me dëshmitë e dëshmitarëve A.Sina, P.Leka, S.Vasku etj.
I pandehuri D.Blloshmi, në kuadrin e veprimtarisë kundërrevolucionare të sabotimit, ka kryer përvetësime në bashkëpunim me të pandehurin B.Blloshmi, R.Çerri, R.Sula, R.Dashi, A.Goçi e persona të tjerë, në një shumë prej 9200 lekë.
Ndërsa i pandehuri Bedri Blloshmi, gjithmonë në kuadrin e veprimtarisë sabotuese ka kryer përvetësime në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë të përmendur më lart, në shumën e 7229 lekëve.
Si rezultat i veprimtarisë sabotuese të kryer me anën e përvetimeve nga të pandehurit Genc Leka, Vilson Blloshmi, Bedri Blloshmi, D.B., dhe katër të pandehurit e tjerë, përvetësues të pasurisë socialiste, është munduar të evidentohet se dëmi arrin në 20793 lekë. Po siç e pohuan vetë të pandehurit D.Blloshmi, R.Çerri, R.Sula dhe siç del nga tërësia e fakteve, dëmet ekonomike janë shumë më të mëdha se shuma e mësipërme. Vetëm në magazinën e këtij sektori ku është kryer veprimtaria, mungesat në drithëra bukë, raki etj., arrijnë shumën 67000 lekë. Por dhe kjo shumë nuk është e plotë, sepse dëmet janë akoma më të mëdha. Gjatë viteve që është kryer kjo veprimtari armiqësore e përvetimeve, rendimentet kanë qenë të ulëta e si rrjedhim, të ardhurat janë realizuar jo në masën e mundshme. Kjo, për shkak se pjesa dërrmuese e përvetimeve është bërë në kohën e fushatave të mbjelljeve, në farat e grurit, misrit, fasules etj. Dhe si rrjedhim, fara nuk ka shkuar në sasitë e nevojshme por më pak, prandaj janë marrë dhe rendimente më të ulëta.
Veprimtaria kriminale, armiqësore e sabotuese e të pandehurve Genci Leka, Vilson, D., e B.Blloshmi, si dhe ajo e të pandehurve të tjerë përvetësues, paraqesin rrezikshmëri të theksuar në kushtet aktuale, kur vendi ynë ndodhet i rrethuar nga imperialistët e revizionistët dhe bllokadës së egër të këtyre vendeve. Rrezikshmëria e veprave të kryera është tepër e madhe edhe për faktin se në stadin në të cilin ndodhet vendi ynë, ndërtimin e socializmit, që kërkon një mobilizim të të gjithë forcave dhe burimeve njerëzore e materiale, në zbatim të detyrave të mëdha historike që shtroi Kongresi i 7-të i PPSH, si dhe porosive shumë të vlefshme që ka dhënë shoku Enver në Aktivin e Komitetit të Partisë të rrethit të Vlorës.
Në frymën e këtyre materialeve të Partisë e të shokut Enver, duke u thelluar më tej në studimin e përvetësimin e tyre, duhet të nxjerrim mësimet e tyre nga ngjarjet e rënda në kooperativën bujqësore të Bërzeshtës. Të rritim e të kalitim vigjilencën revolucionare, të thellojmë vijën e masave, të dëgjojmë me kujdes zërin e tyre, të ngrehim e mobilizojmë opinionin shoqëror kundër çdo gjëje negative e të shkeljeve të ligjeve; duke arritur të krijojmë një ambient mbytës me të vërtetë për çdo shkelës të ligjeve.
Gjithashtu duhet të forcojmë e përsosim më tej diktaturën e proletariatit dhe bazën ekonomike të tij e t'i ruajmë e mbrojmë me fanatizmin më të madh. Duhet të mbajmë qëndrim klasor të mirë kundër njerëzve të deklasuar e atyre që kanë kryer shkelje të ligjeve tona.
Por duhet theksuar se, pas zbulimit e asgjësimit të grupit të armiqve e përvetuesve dhe demaskimit të bashkëpunëtorëve të tyre, që janë mbi 40 persona, të cilët nuk i kanë kaluar organeve përkatëse për ndjekje penale dhe masave të marra nga Partia e Pushteti në rreth, gjendja në kooperativën bujqësore Bërzeshtë ka filluar të shëndoshet e në veçanti në sektorin e Bërzeshtës ku ka patur qendrën e veprimtarisë, grupi i armiqve dhe vjedhësve. Është forcuar uniteti, si në gjirin e popullit dhe rreth Partisë. Kjo duket në frymën e lartë revolucionare që ka shpërthyer dhe në rezultatet e ndjeshme që janë arritur në drejtim të prodhimeve bujqësore blegtorale. Në vitin 1976, rendimenti në drithëra e prodhime të tjera bujqësore, është rritur mjaft në krahasim me vitin e kaluar kur kryhej veprimtaria armiqësore e grupit.
Rrezikshmëria shoqërore e veprave dhe secilit autor, që për të pandehurit Genc Leka e Vilson Blloshmi që janë kokat udhëheqëse të të gjithë kësaj veprimtarie kundërrevolucionare që është kryer, është tepër e madhe. Por më e theksuar është rrezikshmëria, qoftë e veprës, qoftë si person e të pandehurit Vilson Blloshmi, si dhe e vëllait të tij, të pandehurit Bedri Blloshmi, që edhe në hetuesi, edhe në seancë gjyqësore ka mbajtur qëndrim thellësisht armiqësor. I pandehuri Vilson Blloshmi, në Hetuesi dhe në gjyq, në disa raste manifestoi qëndrim të hapur armiqësor. Dhe, nga ana tjetër, edhe pse të ndodhur para fakteve të shumta që i demaskojnë dhe i venë me shpatulla për muri, lidhur me fajin e tyre, ata (Vilsoni e Bedriu) u përpoqën t'i shmangen përgjegjësisë, duke ngritur lloj-lloj pretendimesh, sa të pabazuara, aq edhe absurde".
(Vijon nesër)
Rrezikshmëria shoqërore e veprave dhe secilit autor, që për të pandehurit Genc Leka e Vilson Blloshmi që janë kokat udhëheqëse të të gjithë kësaj veprimtarie kundërrevolucionare që është kryer, është tepër e madhe. Por më e theksuar është rrezikshmëria, qoftë e veprës, qoftë si person e të pandehurit Vilson Blloshmi, si dhe e vëllait të tij, të pandehurit Bedri Blloshmi, që edhe në hetuesi, edhe në seancë gjyqësore ka mbajtur qëndrim thellësisht armiqësor
I pandehuri Vilson Blloshmi, në Hetuesi dhe në gjyq, në disa raste manifestoi qëndrim të hapur armiqësor. Dhe, nga ana tjetër, edhe pse të ndodhur para fakteve të shumta që i demaskojnë dhe i venë me shpatulla për muri, lidhur me fajin e tyre, ata (Vilsoni e Bedriu) u përpoqën t'i shmangen përgjegjësisë, duke ngritur lloj-lloj pretendimesh, sa të pabazuara, aq edhe absurde".
Veprimtaria kriminale, armiqësore e sabotuese e të pandehurve Genci Leka, Vilson, D., e B.Blloshmi, si dhe ajo e të pandehurve të tjerë përvetësues, paraqesin rrezikshmëri të theksuar në kushtet aktuale, kur vendi ynë ndodhet i rrethuar nga imperialistët e revizionistët dhe bllokadës së egër të këtyre vendeve. Rrezikshmëria e veprave të kryera është tepër e madhe edhe për faktin se në stadin në të cilin ndodhet vendi ynë