Arkivat dhe dëshmitë
Poetët në sallën e gjyqit
"Gjyqi vazhdoi gjashtë ditë. Seanca e parëparaqiti përbërjen e trupit gjykues. Seancën e drejton jo kryetarja e gjykatës, por gjykatësi S. Sulçe. Pranë tij është dhe një gjykatës nga Tirana. Asnjë nga të afërmit e të akuzuarve nuk ishin lejuar të vinin në sallën e kinemasë. Në sallë janë aparatçikët e administratës së rrethit, hetues, nxënës, mësues, ushtarakë, njerëz të zgjedhur nga Bërzeshta, vendlindja e të akuzuarve dhe nga gjithë krahinat e tjera të rrethit Librazhd.
Menjëherë pas njoftimit të atyre që do ta drejtojnë këtë gjyq, e marrin fjalën njerëzit e përgatitur nga salla. Lexojnë në letër ato që u janë thënë. I pari flet një mësues nga Bërzeshta. Nuk e duam të birin e Bardho Lekës. Nuk duam të na ngjallet edhe një herë mbi kalë të bardhë Bardho Leka... pastaj një nxënëse e gjimnazit, një oficer i kufirit, një kryetar kooperative... Retorikë, sharje, kërcënime, betime e premtime para partisë dhe udhëheqësit të madh. Fjalë nga ato që të ngrijnë gjakun. Gjyqi do t'u merrte jetën dy të rinjve, por këta që janë në sallë, duke u bërë pjesëmarrës në këtë vrasje, do ta mbronin më pas vendimin që do të jepte ky gjyq.
Fjala e prokurorit është një fjalim politik. Të pandehurit nuk e pranojnë akuzën. Seanca mbyllet për t'u hapur prapë mbasdite.
Në qelinë e Gencit hyn kryehetuesi S. Caka. Dëgjohen të bërtitua. Fjalë të vrazhdëta dhe me zë të lartë. Pastaj me zë më të ulët.
Pasdite Genc Leka do ta pranojë akuzën: kemi bërë sabotim ekonomik, kemi qenë grup sabotator...Nuk dihet çfarë kanë bërë me Gencin, ç'i kanë premtuar atij. Ajo që nuk ndodhi në kaq muaj hetuesi, kur i rrihnin, i linin pa gjumë, i masakronin, u thyenin gishtërinjtë e dorës me thundrën e këpucës, ndodhi tani...
Akuzat për sabotimin ekonomik ishin të tilla: "U keni thënë njerëzve mos punoni", "Ky shtet po u shfrytëzon", "Popunoni shumë dhe nuk po merrni asgjë" etj... Nga kjo propagandë në fshat janë kalbur patatet, është kalbur misri. Kjo se njerëzit i dëgjonin këshillat e Gencit dhe të Vilsonit. Ata janë të demoralizuar nga falët e tyre. I kanë nxitur për të dëmtuar ekonominë. Është groposur nitrati, në vend që t'i hidhej grurit. Është flakur në Shkumbin plehu superfosfatik etj.Fara e grurit është trajtuar me helme më shumë se sa nevoitej që të sterilizohej...
...Vilsoni me krahun e majtë të varur, si të tharë, që e merrte me dorën tjetër për ta vënë mbi gjunjë, u qëndroi akuzave. Nuk i pranoi. I dolën dëshmitarë gjithë turp e djersë disa nga mësuesit e fshatit...
Një infermiere e internuar në ndërmarrjen pyjore flet për librat e ndaluar që i kërkonte Vilsoni. Një shofer, që nuk kishte lexuar kurrë libra, thotë se Vilsoni i ka dhënë libra me gra lakuriqe.
Pastaj ai gjykatësi nga Tirana do të flasë për vjershat dhe përkthimet e Vilsonit. Prokurori vë në dukje se në bibliotekën e tij me mbi 700 libra, nuk kishte asnjë vepër të Enver Hoxhës, por kishte gjithë farë "plehrash të borgjezisë e të reaksionit" si Lamartin, Shatobrian, Bodler etj. Seancat me vjershat e përkthimet ishin më të gjatat. Lexoheshin disa herë ekspertizat e ardhura nga Tirana. Pastaj gjykatësi i Tiranës i pyeste një për një për vargjet. Për përkthimet nga Bodleri, Remboja dhe S. Prydhomi. Me këto dilnin në përfundim se këta kanë patur në kokë dhe kanë shprehur në letër mendime armiqësore. Dhe si armiq dhe me të tilla mendime armiqësore, i kanë bërë edhe sabotimet për ta dëmtuar pushtetin popullor.."
Ekskluzive / Nga dosja origjinale dhe gjyqësore Nr.48 e poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, edhe në këtë numër, po japim vazhdimin e procesverbalit origjinal të gjykimit e vendimit të dhënë në të, për poetët Blloshmi e Leka, mënyrën se si këta rekrutonin pjesëtarët e "grupit armiqësor" në veprimtarinë kriminale.
-----------------------------------------------------------------------------
(Vijon nga numri i kaluar)
Në funksion të "dënimit të merituar" për dy poetët dhe bashkëpunëtorët e tyre në "veprimtarinë armiqësore", në akuzë dhe argumentimin e vendimit të pritshëm, siç del nga dosja gjyqësore, është formuluar dhe kërkohet përgjegjësia për akuzën e "sabotimit ekonomik" në dëm të ekonomisë së përbashkët e pushtetit popullor. Në përligje të akuzës së mësipërme, siç do të shohim në pjesët në vazhdim të procesverbalit origjinal, janë dhe një sërë të akuzuesish e bashkëpunëtorësh, për të cilët jepet në detaje mënyra e realizimit të "sabotimit ekonomik", futja në lidhje me njeri-tjetrin, mënyra e komunikimit dhe marrjes së udhëzimeve nga të cilësuarit si krerë të "Grupit armiqësor të Bërzeshtës". Gencit e Vilsonit.
Ja vazhdimi i dokumentit të mësipërm:
"Aty nga mezi i vitit 1973, secili nga këta dy të pandehur vihen në dijeni për grupin e personave që kryente përvetësime në këtë kooperativë bujqësore, nga i pandehuri D. Blloshmi. Ky i pandehur, i cili ishte martuar me të motrën e të pandehurit Genci, pasi ishte zhytur thellë në veprimet e përvetësimeve në dëm të kooperativës bujqësore, në muajin qershor të vitit 1973 shkon në shtëpinë e këtij të fundit për t'u këshilluar se si të vepronte.
I pandehuri D. Blloshmi e vuri në dijeni se në sektorin e Bërzeshtës ishte në aktivitet e kryente vjedhje një rrjet i tërë personash, kush ishin ata, si dhe forcat e mënyrat me të cilat i kryenin vjedhjet. I pandehuri Genci, menjëherë e shfrytëzon këtë për qëllimet e tij të errëta ndaj pushtetit popullor. Ai, menjëherë vihet në krye të këtij grupi vjedhësish, duke e drejtuar me anë të të pandehurit D. Blloshmi. Pasi mësoi për ekzistencën e rrjetit të madh të vjedhjeve të pronës së kooperativës,i pandehuri Genci i jep udhëzime herë pas here të pandehurit D.B, që të zgjerojnë më tej përvetësimet dhe personat, dhe i shpjegon qëllimet armiqësore që do të arrinin: "Të dobësojmë ekonominë e kooperativës,të ulen e të pakësohen të ardhurat e anëtarëve që të bëhen sa më tepër njerëz të pakënaqur e kështu të shtohen radhët e të pakënaqurve ndaj pushtetit popullor".Ky i pandehur, duke udhëzuar e nxitur të pandehurin D. Blloshmi që të vazhdojë vjedhjet i ka thënë: "Vazhdoni që të vidhni, mirë bëni që vidhni, veç kini kujdes se mos ju kapin, këta të marrin shpirtin. Mbajeni mirë me Mihane Çerrin, se tek ajo nuk dyshon njeri". Po në shtëpinë e të pandehurit Genc Leka, ku kanë qenë të grumbulluar dhe disa persona të tjerë me përbërje të keqe politike, të afërm të tij, midis të cilëve dhe A. Leka..........................., i cili do të gjykohet në një çështje të veçantë për krimin e nenit 73/1, ka qenë dhe i pandehuri D.B. Aty është vjellë vrer ndaj pushtetit popullor nga të gjithë të pranishmit dhe u bisedua edhe çështja e përvetësimeve që kryente rrjeti i gjerë i personave që është në aktivitet. Aty, i pandehuri Genci e udhëzoi më tej të pandehurin D.B për të vazhduar veprimtarinë armiqësore dhe sabotuese në dëm të kooperativës, i shpjegon edhe një herë për qëllimet armiqësore që do të arrinin me anë të përvetimeve e shpërdorimeve që po kryheshin.
Po në vitin 1975, në një bisedë tjetër që është bërë midis të pandehurve Genci Leka, D. Blloshmi e Bedri Blloshmi...është menduar që të punësoheshin si kafsharë, në mënyrë që të realizonin sa më lehtë detyrën...
...Pas kësaj, ai përsëri e porositi të pandehurin D.B që të vazhdonte më tej vjedhjet, të ruanin lidhjet me M.C se tek ajo nuk dyshon njeri për vjedhje, meqë është komuniste. Kurse i pandehuri Bedri i është përgjigjur: "Se si e kemi rregulluar ne me M., o Genc, nuk ka perëndi që të na shkatërrojë!". Këto shprehje të këtij të pandehuri flasin për vendosmërinë që të vazhdonte më tej veprimet armiqësore, në dëm të ekonomisë së kooperativës bujqësore, për lidhjet e ngushta që kishin vendosur midis tyre e në veçanti me ish-magazinieren e sektorit Bërzeshtë M. Ç., e cila përvetësonte dhe u krijonte kushte të favorshme këtyre sabotatorëve që të dëmtonin pasurinë e përbashkët.
Në bisedat e takimet që bënin, i pandehuri Genci me të pandehurin D.B, i pari i frymëzonte dhe i nxiste më tej si këtë, ashtu dhe pjesëtarët e tjerë të grupit, të hajdutëve, me anë të tij për të vazhduar e zgjeruar veprimtarinë kriminale të vjedhjeve. Siç e pohuan edhe vetë në hetuesi e seancë gjyqësore, të dy të pandehurit përdornin shpesh parullat "vidhni se mall kooperative është, ne nuk kemi sesi të dëmtojmë ndryshe kooperativën vetëm me anë të vjedhjeve".
Po kështu, dhe i pandehuri Vilson Blloshmi, në vitin 1973, mësoi për rrjetin e gjerë të përvetësuesve që vepronin në Bërzeshtë, sepse në të bënte pjesë dhe vëllai i tij, i pandehuri Bedri Blloshmi, me të cilin jeton bashkë në një familje. Edhe ky armik i Popullit e i Partisë, i shfrytëzon veprimet që kryheshin, për qëllimet armiqësore të tij, për sabotimin e ekonomisë të kooperativës bujqësore, të ulej vlera e ditës së punës e të shtoheshin radhët e të pakënaqurve ndaj pushtetit popullor, siç ëndërronte ai.
Fillimisht, ky i pandehur, duke përfituar nga niveli i ulët arsimor e kulturor dhe vështirësitë e përkohshme ekonomike që kishte i pandehuri R. Sula, që punonte kafshar me të, qysh në vitin 1971, e komprometuan dhe e futën në rrugën e përvetësuesve. Meqë i mungonin tre thasë doku nga ato që kishte në ngarkim për transportime me kafshët e kooperativës, i pandehuri Vilson i thotë që t'i merrte në magazinën e sektorit Bërzeshtë fshehurazi magazinieres, dhe kështu vepruan. Ai(Vilsoni), e gënjen dhe nxjerr jashtë magazinieren, kurse i pandehuri Rexhep merr dy thasë doku fshehurazi dhe një ia jep i pandehuri Vilson. Përsëri, në një rast në magazinën e sektorit Karkavec,i pandehuri Vilson e nxiti të pandehurin Rexhep dhe që të dy përvetësuan nga një thes bezeje.
Në vitin 1972, kur transportonin lëndë ndërtimi për kooperativën nga mali, i pandehuri ka përvetësuar 6 copë kolona ahu me dërrasa. Dhe kur e pyet i pandehuri tjetër R. Sula, ai i përgjigjet: se kështu e duan, nuk të paguajnë shpërblimin e punës... Ata vidhnin më pas nëpërmjet magazinieres.. Genci Leka i porosiste që "me atë të mos e prishin në mënyrë që të vazhdonin vjedhjet, ndihmojeni M.C, siç e keni ndihmuar për ndërtimin e shtëpisë dhe Bedriu e ndihmon në krahun tjetër" . Ndërsa në një rast tjetër, në vitin 1974 po ky i pandehur i ka thënë të pandehurit D.B, tek vendi i quajtur "Farka e Jevgut: "Ju me Bedriun jeni shumë të fortë, se edhe unë kafshar isha në kooperativë, por nuk e rregullova dot me magazinieren për të vjedhur aq mirë sa e keni rregulluar ju. E keni mirë, por tani mos e prishni më, mbajeni këtë terezi që keni".
Këto biseda të bëra nga i pandehuri Vilson me një nga anëtarët e grupit të sabotatorëve, të pandehurin D.B, flasin qartë se ai ka qenë në dijeni të grupit të vjedhësve të pronës së kooperativës dhe se më vonë, kur u sigurua për zgjerimin që kishte marrë, me organizimin që ekzistonte mes pjesëmarrësve, si dhe për faktin se në të marrin pjesë edhe njerëz me përbërje të mirë politike siM. Çerri, magaziniere e sektorit, bashkëshorti i saj R. Çerri, që shërbenin si mburojë e veprimeve kriminale të vjedhjeve, sepse tek këta nuk dyshonte njeri dhe se ata ishin korruptuar e zhytur thellë në veprimet që kryente grupi i vjedhësve, e shfrytëzuan për qëllimet e tija këtë veprimtari. Ky i pandehur, sikundër dhe i pandehuri Genci, e përpunojnë më tej grupin e vjedhësve, e orientojnë, e organizojnë dhe zgjerojnë për të thelluar veprimtarinë keqbërëse.
Kështu, në rrjetin e vjedhësve, që me kalimin e kohës po zgjerohej e po merrte përpjesëtime të mëdha, në vitet 1973-1974 u përfshinë edhe shumë persona të tjerë si roja i lëmit, punonjës të magazinës, transportues dhe mullixhiu i fshatit. Mullixhiu i fshatit u kthye në një vend për të lehtësuar sa më shumë përvetësimet, sepse mbuloheshin. Drithi nga lëmi ose magazina në shumë raste dërgohej në mulli, gjoja për t'u bluar, dhe natën merrej prej andej dhe çohej në persona të tjerë të cilëve u shitej.
Pra, edhe i pandehuri Vilson Blloshmi së bashku me të pandehurin tjetër Genci Leka janë kokat drejtuese të kësaj veprimtarie të gjerë armiqësore që është zhvilluar kundër pronës socialiste, për minimin e pushtetit popullor, domethënë për sabotim.
Fajësia e këtij të pandehuri është me tërësinë e fakteve dhe rrethanave që u përmendën më lart. Me atribuimet e të pandehurit D. Blloshmi, R. Sula, me të cilin ai ka pasur marrëdhënie shumë të mira,dhe nuk kanë asnjë interes të rëndojnë pozitën e tij, siç pretendoi ai në seancën gjyqësore. I pandehuri D.B ka shpjeguar se në bisedat që bënte me Vilsonin, ai e mësonte dhe e shtynte për të vazhduar më tej veprimtarinë kriminale, ai i jepte kurajë për këtë,...
... Këto të dhëna, si dhe fakti që i pandehuri Vilson pas thirrjes së vëllait të tij në hetuesika marrë pjesë në dy mbledhje, që kanë bërë disa nga pjesëtarët e grupit të përvetimeve dhe veprimtarisë sabotuese, ku ai ka udhëzuar e mësuar me çfarë qëndrimi duhet të mbajnë në qetësi, nuk lë asnjë dyshim se ai është koka drejtuese e sabotatorëve të ekonomisë së Bërzeshtës. Jo vetëm kaq, por ky i pandehur pas fillimit të ndjekjeve penalekundër të pandehurit Bedri Blloshmi, më 4.4.1976, duke arritur deri aty sa të bashkëpunojë me mashtruesin profesionist Ferit Çotra, i cili është dënuar me 5 vjet heqje lirie, për të korruptuar punonjës të organeve të diktaturës. Për këtë qëllim i ka dhënë të dënuarit F.C, të cilin e ka pasur shok të ngushtë, 6000 lekë që t'i jepte mitë personave që do të mbulonin çështjen penale në ngarkim të vëllait të tij.
Edhe veprimet e kryera nga i pandehuri Bedri Blloshmi, që kanë filluar përvetësimet në dëm të pasurisë së kooperativës në bashkëpunim me të pandehurin D. Blloshmi, M. Çerri, R. Çerri, R. Sula etj., në fillim kanë pasur karakterin e përfitimit personal, por më vonë, e në vitin 1973 i kanë ndryshuar me veprime e pikësynime armiqësore për sabotim. Kështu, ky i pandehur, ka bashkëpunuar me të pandehurin Bedri Blloshmi, armik e sabotator, si dhe me të pandehurit e tjerë. Vjedhjet e kryera prej këtij të pandehuri nga viti 1973 e deri në arrestimin e tij më 4.4.1976, janë bërë me qëllim të posaçëm armiqësor.. Ai, si me të pandehurin Demir Blloshmi dhe me të pandehurin R. Sula, përdorte shpesh shprehjet: Vidh se mall dërzhave është", "T'i biem mallit të kooperativës, ta vjedhim atë". Kur këshillohej me të e kërkonte ndihmë, i pandehuri D.B, ai(i pandehuri Bedri) i thotë: "Ti paske qenë gomar, ne mallin e kooperativës po vjedhim, nuk kemi si ta dëmtojmë ndryshe kooperativën".
(Vijon nesër)
Po kështu, dhe i pandehuri Vilson Blloshmi, në vitin 1973, mësoi për rrjetin e gjerë të përvetësuesve që vepronin në Bërzeshtë, sepse në të bënte pjesë dhe vëllai i tij, i pandehuri Bedri Blloshmi, me të cilin jeton bashkë në një familje. Edhe ky armik i Popullit e i Partisë, i shfrytëzon veprimet që kryheshin, për qëllimet armiqësore të tij, për sabotimin e ekonomisë të kooperativës bujqësore, të ulej vlera e ditës së punës e të shtoheshin radhët e të pakënaqurve ndaj pushtetit popullor, siç ëndërronte ai.
Në bisedat e takimet që bënin, i pandehuri Genci me të pandehurin D.B, i pari i frymëzonte dhe i nxiste më tej si këtë, ashtu dhe pjesëtarët e tjerë të grupit, të hajdutëve, me anë të tij për të vazhduar e zgjeruar veprimtarinë kriminale të vjedhjeve. Siç e pohuan edhe vetë në hetuesi e seancë gjyqësore, të dy të pandehurit përdornin shpesh parullat "vidhni se mall kooperative është, ne nuk kemi sesi të dëmtojmë ndryshe kooperativën vetëm me anë të vjedhjeve".
Aty nga mezi i vitit 1973, secili nga këta dy të pandehur vihen në dijeni për grupin e personave që kryente përvetësime në këtë kooperativë bujqësore, nga i pandehuri D. Blloshmi. Ky i pandehur, i cili ishte martuar me të motrën e të pandehurit Genci, pasi ishte zhytur thellë në veprimet e përvetësimeve në dëm të kooperativës bujqësore, në muajin qershor të vitit 1973 shkon në shtëpinë e këtij të fundit për t'u këshilluar se si të vepronte.