Kujton poeti Ylber Merdani
Ja si e hoqën nga arsimi Genc Lekën
Fund korriku 1960. Seksioni i Arsimit Librazhd bënte Mbledhjen Plenare me arsimtarët e rrethit. Unë dhe motra ime, Beatriçja, e kishim vitin e dytë në Zdrajsh të Çermenikës. Në mbarim të mbledhjes, më afrohet mësuesi Rrahman Gjorga dhe më prezanton me Genci Lekën: “Është mësuesi ri dhe e kanë emëruar në Zdrajsh Katund”. I dhashë dorën Gencit, duke u prezantuar: “Ylber Merdani, mësues në Zdrajsh Katund!”.
Unë dhe motra, ishim të parët mësues korçarë që vinim në Çermenikë. I ftoj për një kafe tek klubi i “Buqes” dhe kur konstatova hezitimin e Gencit, duke bërë humor i thashë: “Mos u tremb, se do i paguaj unë kafetë!”. E qeshura e Gencit më la një përshtypje të ëmbël. U bëmë shokë që në kafenë e parë dhe kjo shoqëri u kthye në miqësi familjare.
Megjithëse e emëruan në Zdrajsh, kur doli kuadri i dytë, e çuan në shkollën 7-vjeçare të Gur-Gegës (Orenjë), shumë më larg, ndërsa unë vazhdoja në Zdrajsh Katund. Takoheshim çdo fundjavë nëse nuk shkonim në shtëpi, megjithëse në Korçë shkoja një herë në dy muaj. Zakonisht, vinte ai tek unë në Zdrajsh. Më pas, ai erdhi në Zdrajsh Katund me bashkëshorten e tij.
Pasioni i përbashkët për poezinë, në veçanti për poetët e vargut klasik, na lidhi aq ngushtë me njëri-tjetrin. Nëse unë deklamoja dy vargje të Lasgushit, “Vështroni si shket sipër valash, e tundet anija me nge`”, Genci, aty për aty, do plotësonte: “Me krisma e prush prej stërkalash, mbi të shkreptin një rrufe”. Kështu, vazhdonim me Ali Asllanin apo Fishtën, me poetët e huaj, Eseninin, Isakovski apo Bërns...
Nuk mund të harroj ndodhinë me Jonuz K., një katundar që nuk donte të futej në kooperativën e Zdrajshit. Ishte mesi i dimrit dhe megjithëse kish fëmijë të vegjël, partiakët dhe pushtetarët vendas i kishin vënë kusht që të hynte në kooperativë, ndryshe nuk e ndihmonin. Genci më erdhi në mbrëmje vonë dhe më kërkoi një autorizim për mua e për motrën, në emër të Jonuz K., që të merrte racionin tonë të grurit në qytet. Po kështu i dha edhe autorizimin e tij dhe të gruas së tij, Zhulit. Jonuzi fisnik ju thoshte fëmijëve të tij të vegjël: “Ja shpëtimtari juaj, mos e harroni”, dhe tregoi Gencin.
Sinqeriteti i Gencit shkonte deri në naivitet. Ai kujtonte se të gjithë njerëzit kishin shpirtin e tij. Unë shpesh i thosha se në aspektin e kurtheve që ka jeta, mëso nga unë, kurse ti je profesori im për poezinë! Nga ajo kohë, ruaj nga Genci disa strofa poezish të pabotuara.
Dorëshkrimet i firmoste me pseudonimin “Lankomeliku” që ishte ndërrimi i vendit të rrokjeve të fjalës “Melankoliku”.
Por poeti i talentuar Genc Leka, si një intelektual me “cen” në biografi, kishte kohë që ndiqej nga Sigurimi e masa e parë, ishte heqja nga arsimi e dërgimi punëtor. Ai dhe shokët e tij të ngushtë e përjetuam dhimbshëm këtë fakt (pa ditur se tragjedia ishte pranë), por pa mundur ta ndihmonim.
Gjatë hetuesisë time (u arrestova në vitin 1969) hetuesi më shqepi në dru dhe për shkak se nuk pranoja akuzën e bashkëpunimit dikur me poetin e pushkatuar, Genc Leka.
…Ishte mesi i vitit 1976 kur në burg, i burgosuri Hysni Palla, kushëri i nënës së Gencit, më thotë se Gencin e kanë arrestuar. Më pikoi në zemër. U lirova në vitin 1977 dhe për çudi, internohem në Shtyllë të Vithkuqit. Data e internimit, 17 Korrik 1977. Më pas u informova se po atë ditë ishte pushkatuar dhe shoku im, Genci Leka.
Ekskluzive / Nga dosja origjinale dhe gjyqësore Nr.48 e poetëve Vilson Blloshmi e Genci Leka, në këtë numër, po japim vazhdimin e procesverbalit origjinal të gjykimit e vendimit të dhënë në të, pjesë të vendimit ku jepet mënyra se si poetët Leka e Blloshmi drejtonin “Grupin armiqësor”
(Vijon nga numri i kaluar)
Vendimi që lexohej nga kryetari i trupit gjykues, me një “mal” argumentesh për poetët “armiq” e bashkëpunëtorët e tyre, nuk kishte të sosur atë mesditë të 13 qershorit 1978. Ja vazhdim i këtij vendimi, shkëputur nga dosja Nr.48 “Blloshmi-Leka”:
“I pandehur Vilson Blloshmi, veprimtarinë kryesore kundër pushtetit popullor e ka filluar në formën e agjitacionit dhe propagandës, me anë të thirrjeve që ju ka bërë disa personave për të dobësuar dhe minuar pushtetin popullor, si dhe me anën të përgatitjes së mjaft shkrimeve të përhapura tek persona të ndryshëm, me përmbajtje thellësisht armiqësore. Këtë veprimtari që formon krimin e parashikuar nga neni 73/1 i Kodit Penal, ai e ka filluar qysh në vitin 1966, kur ishte nxënës në Shkollën Pedagogjike të Elbasanit, dhe e ka vazhduar e thelluar më tej, duke e gërshetuar edhe me kryerjen e veprimeve të tjera kriminale të drejtuara kundër bazës ekonomike të rendit tonë socialist, për minimin e saj, d.m.th., për sabotimin, të parashikuar nga neni 72 i Kodit Penal.
I pandehur Vilson Blloshmi, ashtu si dhe i pandehuri Genci Leka, ka ushqyer urrejtje të tërbua kundër pushtetit popullor e rendit tonë socialist. Ai ka lidhje fisnie me të pandehurin Genci, sepse atin e këtij të fundit d.m.th., armikun e popullit, tradhtarin B.Leka e ka dajë. Por ajo që lidhte dhe afronte më shumë këta të pandehur ishte përbërja e tyre klasore e njëjtë që u përmend më lart, prandaj edhe kanë mendime të njëjta dhe kanë bashkëbiseduar veprimtarinë kriminale, kundër Partisë e Pushtetit Popullor.
Në bisedat që ky i pandehur ka bërë me persona të ndryshëm, si me S.Hykën, H.Bardhoshin, E.Dikën, A.Lepenicën, F.Blloshmin dhe të të pandehurit Genci Leka dhe D.Blloshimi, ai dhe me shkrimet, përkthimet që ka bërë nga gjuhë të huaja dhe literaturat jashtë qarkullimit që ka përhapur tek të tjerët, ka bërë thirrje për minimin e dobësimin e pushtetit popullor të regjimit tonë socialist.
Ka shkruar mjaft poezi që janë në kundërshtim të hapur me realitetin tonë dhe me frymë të theksuar armiqësore, siç janë “Sahara”, “Një ankth i llahtarshëm”, “Dhe Koha shkon”, “Jehonë vjeshte”, “Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë”, “Poezi pa titull” etj. Veç këtyre, ka mbajtur në shtëpi, lexuar e përhapur librat jashtë qarkullimit, si “Njerëz të rinj e tokë e lashtë” të Bilal Xhaferrit, i arratisur jashtë, librat fetarë “Thelbi i qëllimit, udha e shpëtimit”, “Muhamedi, profeti ynë”. Ka bërë përkthime nga autorë të huaj dekadentë e reaksionarë. Kështu, ka lexuar e përkthyer pjesë nga shkrimtarët dekadentë në gjuhën frëngjishte, si Shatobriani, Le Martini, Rembo, Bodler, Syli Predan etj., etj. Gjithashtu, ka nxjerrë nga autorë të huaj dekadentë e ka përkthyer fragmente të shkëputura ose vjersha të shkruara në shtatë blloqe shënimesh, si dhe ka mbajtur shënime në një bllok në formë kalendarike në gjuhën frëngjisht, pa përmendur këtu dy thasë me libra jashtë qarkullimit e me shënime armiqësore, që mundi t’i zhdukë gjatë kontrollit të banesës që iu bë.
Siç u tha edhe më lart, në të gjitha këto shkrime, shënime e përkthime të përgatitura nga ky i pandehur përshkruhen fund e krye, në pjesën më të madhe, nga përmbajtja reaksionare ndaj realitetit të sotëm socialist të vendit tonë, i kundërvihen atij.
Në këto materiale të shkruara ose të përkthyera, ai është munduar të helmojë ndërgjegjen e personave të ndryshëm me të cilët ka biseduar, kurse me të pandehurit, Genci Leka e D.Blloshmi, ka pasur qëllim që t’i nxitë, stimulojë e frymëzojë më tej ata, për t’u thelluar në veprimtarinë kriminale e sabotuese. Dhe me këta dy të pandehur ia ka arritur qëllimit.
Si nga përmbajtja e këtyre shkrimeve e shënimeve që ka pasur, dhe akt-ekspertimet letrare të ekspertëve kompetentë, del se ata janë me frymë thellësisht armiqësore. Disa të tjera kanë përmbajtje nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme etj. Pra i bëhet jehonë çdo gjëje të shëmtuar, negative, regresive me këto shkrime e shënime.
Ja se çfarë thuhet në disa nga këto shkrime: “S’ka asgjë më të vërtetë të bukur, përveç asaj që nuk shërben për asgjë. Gjithçka është e dobishme, është e shëmtuar” ose “koha shkon dhe koha ikën/ dhe ne “ecim”/ dhe qeshim kur qan jeta/ dhe kur qesh varri vdesim”. Por dispozicioni i madh i këtij të penduari për t’i ngritur e bërë jehonë çdo gjëje të huaj e negative, del edhe nga një fakt tjetër, sepse edhe kur ka lexuar shkrimtarë të huaj përparimtarë, si Shekspirin, Hygonë, Gorkin etj., ka gërmuar e ka nxjerrë aty pjesët që janë më negative, ose ka lexuar edhe veprat e tyre me përmbajtje jo të shëndoshë, të cilat edhe këta autorë i kanë mohuar në shkrimet e mëvonshme. Kështu p.sh., nga Gorki ka nxjerrë citatin “nuk ka njeri që të jetë egoist më i madh se i sëmuri”. Nga poeti ynë i Rilindjes, Naim Frashëri, ka marrë citatin: “Mos u bëj mjaltë se të hanë mizat” e shumë të tjera si këto, me të cilat janë mbushur plot blloqe e kalendarë, të cilat i shërbenin si ushqim i ideologjisë së tij, si dhe për të infektuar personat e tjerë të cilëve ua lexonte.
Për më tepër, në mjaft shkrime e shënime të tjera të përgatitura nga i pandehuri pasqyrohet urrejtja dhe ligësia e tërbuar e tij që ushqen ndaj realitetit tonë socialist dhe fitoreve të mëdha që janë arritur në vendin tonë nën udhëheqjen e Partisë, siç është poezia “Sahara” me të cilën ai bën aluzion për vendin tonë, se “ka ngelur pa miq e pa shokë”… Pra, e konsideron vendin tonë të “izoluar”, pa miq, “shkretëtirë”. Është e qartë se realiteti ynë i mrekullueshëm flet për të kundërtën. Ne kemi plot miq, partitë Marksiste-Leniniste dhe popujt përparimtarë të botës. Vendi ynë gëzon një autoritet dhe prestigj të lartë, që çdo ditë po ngrihet e po shkon më tej. Për këtë flet më mirë jehona që kanë bërë punimet e materialeve të Kongresit të 7-të të PPSH, në shumë vende të botës etj.
I pandehuri Vilson, si armik i tërbuar, ka ëndërruar e shpresuar për ndryshimin e situatës në vendin tonë; d.m.th., për përmbysjen e pushtetit popullor. Jetën ekonomike, politike e shoqërore, në bisedat që ka zhvilluar e nxjerrë në kundërshtim të hapur me realitetin e gjërave. Se, sipas tij, gjoja jeta është e rëndë, normat (në kooperativë) të larta, shpërblimet të ulëta e nuk mund të përballohet jetesa. Përmbysjen e pushtetit popullor ai e ka pritur nga ndërhyrja e imperialistëve amerikanë dhe revizionistët sovjetikë.
Ka lavdëruar e ngritur lart, rendin politik shoqëror të Jugosllavisë e të vendeve të tjera kapitaliste, se atje jetohet më mirë, me liri veprimi e mendimi, kurse tek ne, sipas të pandehurit, njerëzit nuk janë të lirë të veprojnë si të duan.
Fajësia e tij për krimin e agjitacionit e të propagandës, megjithëse u përpoq ta mohojë, u vërtetua me provat materiale (shkrimet, përkthimet e shënimet), me dëshmitë e dëshmitarëve të përmendur më lart, si dhe me atribuimet e të pandehurve, Genci Leka dhe Vilson Blloshmi.
I pandehuri D.Blloshmi, njeri me mbeturina të së kaluarës, egoist dhe llafazan, i prirë nga interesi personal, fillimisht ka përvetësuar pasurinë socialiste, në bashkëpunim me të pandehurin A.Goçi, R.Dashi e persona të tjerë, që nga viti 1971. I prirë nga ndjenja për të përfituar nga shoqëria sa më shumë e të rrisë të ardhurat jo me djersë, ka kryer disa përvetësime në vitet 1971 dhe 1972, me të pandehurin A.Goçi; dhe ky person, me të njëjtat dobësi të karakterit, është përpjekur të zhvatë nga shoqëria. Kështu, në këto vite, ata kanë përvetësuar gëlqere dhe lëndë ndërtimi, që prodhonin për kooperativën bujqësore, duke e shitur me lekë në dorë e të hollat i përdornin për nevojat e tyre. Me kalimin e kohës, veprimtaria kriminale në dëm të pronës bujqësore është zgjeruar gradualisht; po kështu, edhe numri i personave që kanë marr pjesë në këtë veprimtari, është shtuar.
Veprimtaria kriminale e të pandehurit D.Blloshmi, bashkë me persona të tjerë, është shtrirë në aktivitete të tjera të kooperativës bujqësore. Ai dhe personat e tjerë filluan të përvetësonin produkte bujqësore si grurë, misër, fasule etj. Dhe, nga ana tjetër, gradualisht filluan të bashkëpunonin edhe me personat e tjerë në përvetësimet që kryenin, si me të pandehurin R.Çerri, B.Blloshmi, R.Sula, M.Çerri etj.
Përvetësimet u zgjeruan e u shtrinë sidomos në produktet bujqësore, e në veçanti në farën që destinohej për mbjellje si grurë, misër, fasule etj.
Të korruptuarit, nga përvetësimet e paligjshme që po siguronin me anë të vjedhjeve, si i pandehuri Demir e Bedri Blloshmi, R.Çerri, R.Sula, humbën çdo ndjenjë dashurie për punën e pronën socialiste dhe një pjesë e tyre, siç janë dy të parët, u thelluan më tej në veprimtarinë kriminale, duke arritur deri aty sa të kalojnë në veprimtari armiqësore, për të minuar bazën ekonomike të rendit tonë socialist dhe predikojnë e dëshirojnë përmbysjen e rendit socialist.
Këtë situatë të krijuar në kooperativën bujqësore të Bërzeshtës e në veçanti në Sektorin e Tretë, e nuhatën dy armiqtë e tërbuar të Partisë e Pushtetit Popullor, për të thelluar e avancuar më tej veprimtarinë kriminale në përvetësimet që kryheshin nga të pandehurit e tjerë, për të minuar ekonominë bujqësore të kësaj kooperative, për të dobësuar pushtetin popullor, domethënë, për të sabotuar.
(Vijon nesër)
I pandehur Vilson Blloshmi, ashtu si dhe i pandehuri Genci Leka, ka ushqyer urrejtje të tërbua kundër pushtetit popullor e rendit tonë socialist. Ai ka lidhje fisnie me të pandehurin Genci, sepse atin e këtij të fundit d.m.th., armikun e popullit, tradhtarin B.Leka e ka dajë. Por ajo që lidhte dhe afronte më shumë këta të pandehur ishte përbërja e tyre klasore e njëjtë që u përmend më lart, prandaj edhe kanë mendime të njëjta dhe kanë bashkëbiseduar veprimtarinë kriminale, kundër Partisë e Pushtetit Popullor.
Në bisedat që krerët e “Grupit armiqësor të Bërzeshtës” Genci Leka e Vilson Blloshmidhe me shkrimet, përkthimet që kanë bërë nga gjuhë të huaja dhe literaturat jashtë qarkullimit që kanë përhapur tek të tjerët, kanë bërë thirrje për minimin e dobësimin e pushtetit popullor të regjimit tonë socialist.
I pandehuri Vilson, si armik i tërbuar, ka ëndërruar e shpresuar për ndryshimin e situatës në vendin tonë; d.m.th., për përmbysjen e pushtetit popullor. Jetën ekonomike, politike e shoqërore, në bisedat që ka zhvilluar e nxjerrë në kundërshtim të hapur me realitetin e gjërave. Se, sipas tij, gjoja jeta është e rëndë...Ka lavdëruar e ngritur lart, rendin politik shoqëror të Jugosllavisë e të vendeve të tjera kapitaliste, se atje jetohet më mirë, me liri veprimi e mendimi, kurse tek ne, sipas të pandehurit, njerëzit nuk janë të lirë të veprojnë si të duan.