Premte, 29 Gusht 2008 01:25:42

Lexoni versionin Print

Gjyqi i poetëve. Leka e Blloshmi, "armiq" si Lubonja e Paçrami

Nga dosja origjinale dhe gjyqësore Nr.48 e poetëve, Vilson Blloshmi e Genci Leka, në këtë numër, po japim vazhdimin e procesverbalit origjinal të gjykimit e vendimit të dhënë në të

Nga Kujtim Boriçi
Premte, 14 Mars 2008 11:10:00

Nr. 12

"Provë" për "armiqësinë" e Vilson Blloshmit

Veprimtaria "armiqësore" në ditarin e poetit


16 mars: - Unë takova në Qukës miq... Unë shëtita me... mbi hekurudhë, deri tek urat... Unë prita për disa gjëra në xhami shokun tim... Natë...


17 mars:- Elbasan... Gjithnjë e njëjta gjë. Unë pashë "Gronues", film franko-anglez.


19 mars: - Kthimi në shtëpi... Shpesh e urrejmë, se e duam nga mëshira...


22 mars:- Unë isha në Qukës. Unë udhëtova me "atë", deri tek Tre Urat.


3 prill- Librazhd. Raport mjekësor për nëntokë (shkruar në shqip). Unë e di tani atë, se njeriu fiton kur humbet! (Frëngjisht).


7 prill:- Stravaj. Shkëputje komplet. Sheherezade. Të kthesh Hygonë në ndonjë gjuhë, d.m.th., ta kthesh atë përmbys! (shqip).

9 prill:- Unë fillova punë në galerinë e Minierës së Përrenjasit. .............................(V) Për mungesë fjale, më sipër janë vënë pika...

12 prill:- Turni i dytë në barkun e tokës. Jetojmë se nuk mund të vdesësh. Vdes se nuk mund të jetosh.

15 prill:- Turni i parë. Nganjëherë njerëzit mbajnë mbi vete emra false njerëzish!

21 prill:- Tiranë. Unë lexova disa pjesë të "Divina Comidin" (Komedia Hyjnore) e Dante Aligierit.

22 prill:- U ktheva në shtëpi. Natë. Të gjithë flenë; dhe të vdekurit, dhe varret dhe...

23 prill:- Në punë, turni i dytë. Unë lexova Teofil Gëte. Faqe të mrekullueshme.

24 prill:- Pasnesër mbi shpinën time do të jenë 26 vjet. Kjo ditë nuk do të festohet nga unë, as tani, as kurrë. Humnera të gëlltit. Jetë, ditë të tmerrshme...

28 prill:- Ka njerëz të cilët janë si hija ime. Ata nuk më ndjekin, veçse në ditët me diell.

16 maj:- Dhe dashuria e përjetshme zgjati tre ditë...................

17 maj:- Nga erdhi ky njeri?... Ai iku në një botë tjetër dhe doli këtej...

26 maj:- Me atë. Shëtitje e mrekullueshme në pyll. Ditë lumturie e vërtetë. Në mbrëmje unë jam i sëmurë... Temperatura 39 gradë.

27 maj:- ...Sëmurë. Ethe të tmerrshme, 39.8 gradë. Tri ditë qetësi...

28 maj:- I sëmurë akoma. Në shtëpi. Ditë e bukur. Asgjë e madhe. Jetë për të jetuar...

29 maj:- U ktheva në punë. Prapë pushime mjekësore...

30 maj:- Turni i dytë. Unë fillova punën. Ladi, vëllai i madh, erdhi në dhomën time dhe ne diskutuam për literaturë...

6 qershor:- Në qoshe të një fushe me grurë, mesditë... Diell, dashuri, ëndrra, jetë e gjallë, ëndrra të gëzueshme. Me Edin.

8 qershor:- Vajzë e vogël me sy blu/ Më jep mua dashurinë tënde/ Vajzë e vogël me sy blu/ Ti je e bukur si dita. (Nga një këngë franceze).

13 qershor:- Ajo shkoi në shtëpi. Stefan Cvaik. Letra e një të panjohure. Unë shkova nga shtëpia.

20 qershor:- Zbor. Breg-Plep. Më kujtohet koha e shkuar që unë nuk e di tani...

21 qershor:- Punë... Vargje të bukura, shkruar nga unë, lexuar për mikun tim Genc...

22 qershor:- Shëtitje në pyll................!!!????!!!!??????

23 qershor:- Punë e zgjim me mua, miku i dashur. Ne pimë verë në Breg-Plep.

24 qershor:- Punë e shëtitje në Giovamë me Gencin.

25 qershor:- Ne folëm për muzikën...

26 qershor:- Gjithnjë bashkë, ditë e natë. Diskutime.

27 qershor:- "Ti ikën, ikën, dhe bie në një hon/ Ç'ke çdo ditë, çdo ditë të mungon......" (Shkrim, shkrim tjetër!)

28 qershor:- Pogradec. Qytet i bukur, liqeni. Unë e dua këtë liqen dhe në qoftë se është thënë, ai do të jetë shtrati im i përjetshëm.

29 qershor: - ..............................................................................................

.................................................................................. Unë mendoj për ictyosames dhe rolin e tyre.

1 Korrik:- Unë u njoha me Li. Beth inteligjent dhe shpirt të pastër.

6 korrik:- Librazhd. Vetëm. Punë. Shpirt shumë i mërzitur (Frëngjisht). Ndarja fillon atje ku fillon bashkimi, ashtu siç fillon vdekja, atje ku fillon jeta (Shqip).

7 korrik:- Punë. Turni i parë. Me dy mësuese nga Tre Urat deri në Përrenjas. "Auxit"

8 korrik:- Ditë e bukur. Pyll. Fundi i "Auxietë". Ajo dhe unë, jemi ne që jemi. Uvertura e "Berberit të Seviljes".

15 korrik:- Turni i tretë. Pyll. Dashuri. Ajo Myrton e reja Ferentine.

23 korrik:- Unë isha në Tiranë.................!!!!!??????

27 korrik:- Zbor...........!!!

5 gusht:- Fundi i shërbimit ushtarak.

25 gusht:- Pyll. Të mira. Dashuri. Shqetësime. Ndarje.

Përkthyer materiali në bazë të origjinalit të kalendarit të Vilson Blloshmit:

Përkthyesi: Theofan Nishku

Librazhd më 15.07.1976

Ekskluzive / Nga dosja origjinale dhe gjyqësore Nr.48 e poetëve, Vilson Blloshmi e Genci Leka, në këtë numër, po japim vazhdimin e procesverbalit origjinal të gjykimit e vendimit të dhënë në të, ku Blloshmi e Leka u dënuan me vdekje me pushkatim, ndërsa të cilësuarit bashkëpunëtorë, u dënuan me gjithsej 70 vite burg.

 

 

(Vijon nga numri i kaluar)


Është dita e fundit e gjykimit njëjavor të poetëve Blloshmi e Leka në Gjykatën e Librazhdit, përkatësisht 13 qershori 1978. Pretenca e prokurorit dhe diskutimet e porositura nga salla (gjashtë të tilla), i kanë lënë vendin vendimit të gjykatës. Ja pjesë në vazhdim nga vendimi i trupit gjykues, marrë te procesverbali origjinal i dosjes hetimore "Blloshmi-Leka" me Nr.48:


"Por zhvillimi i gjykimit vërtetoi se nga disa komunistë e kuadro në fshatin Bërzhitë, nuk është pasur parasysh sa e si duhet ky mësim i shokut Enver sepse ndryshe nuk ka se si shpjegohet ulja e vigjilencës revolucionare, indiferentizmi i theksuar, opinioni e korruptimit i tyre nga njerëzit e deklasuar, vendosja e personave me përbërje të keqe politike, në punë e detyra që kanë të bëjnë me administrimin e pasurisë së përbashkët. Në këtë sektor ishte krijuar një situatë e vështirë dhe opinioni shoqëror nuk qëndronte në lartësinë e duhur. Këtë gjendje e shfrytëzuan të pandehurit armiq e sabotatorë, Genci Leka, Vilson Blloshmi e Bedri Blloshmi, sepse ju krijua terren i përshtatshëm për të kryer veprimtari armiqësore për minimin dhe dobësimin e ekonomisë bujqësore të kooperativës në Bërzeshtë, si dhe të pandehurve të tjerë, R.Dashi, R.Çerri, R.Sula dhe A.Goçi, hajdutë e përvetësues që i kanë kryer një sërë përvetësimesh, sidomos në prodhimet bujqësore, e në veçanti në farat e mbjelljes. Pra, këta të pandehur kanë drejtuar veprimtarinë e tyre keqbërëse në dëm të pronës socialiste, e cila është baza e paprekshme e rendit socialist, burimi i mirëqenies së popullit dhe i fuqisë së Atdheut dhe ka mbrojtje të veçantë nga shteti, neni 17 i Kushtetutës së RPS të Shqipërisë.

Gjithashtu rezultoi se zbulimi, ndërprerja dhe asgjësimi i veprimtarisë së theksuar kriminale të të pandehurve armiq, sabotatorësh dhe hajdutësh, është rezultat jo i dëshirës së tyre por i forcës së shtetit tonë të Diktaturës së Proletariatit, i vigjilencës së lartë revolucionare dhe i mbështetjes së masave ta gjëra punonjëse që kanë ndihmuar në zbulimin e demaskimin e kësaj veprimtarie.



Gjatë gjykimit të çështjes, veprimtaria armiqësore e kriminale e secilit të pandehur u konkretizua si vijon:


I pandehuri Genci Leka, siç u përmend me lart, ka pasur predispozicion armiqësor të theksuar, prandaj ka ushqyer urrejtje të tërbuar kundër Parisë dhe Pushtetit Popullor. Qysh në vitet e Shkollës së Mesme Pedagogjike kur ka qenë nxënës e më vonë, kur ka dalë e punuar ai arsimtar për disa vjet, deri në vitin 1968, ai, mendimet dhe botëkuptimin e tij të huaj e ka manifestuar në disa shkrime që ka bërë në formë poezie, shkrimefkëto, me formë poezie, që nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me frymën e shëndoshë revolucionare që ekziston në vendin tonë.

Por, në veçanti ai ka hyrë në rrugën kriminale, duke e shfaqur hapur urrejtjen e armiqësinë ndaj rendit tonë socialist qysh nga viti 1968, në formën e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor.



Këtë veprimtari kriminale e ka vazhduar e thelluar më tej, duke kryer dhe veprime që synonin të minonin ekonominë bujqësore të kooperativës Bërzeshtë, që nga muaji qershor i viti 1973 pra, që nga ky vit e deri në momentin e arrestimit të tij më 31.08.1976, ky i pandehur, agjitacionin dhe propagandën e tij e ka gërshetuar me veprimtari kriminale, armiqësore e sabotuese, drejtuar bazës ekonomike të vendit tonë.

Duke filluar nga viti 1968 i pandehuri Genci ka agjituar dhe propaganduar duke bërë thirrje për të minuar e dobësuar pushtetin popullor, ashtu dhe me anën e përgatitjes dhe përhapjes së shkrimeve me përmbajtje armiqësore.

Masat e marra nga Partia e Pushteti Popullor për revolucionarizimin e gjithë jetës së vendit mbas vitit 1966 i pandehuri Genci nuk e priti mirë. Prandaj dhe iu kundërvu atyre dhe mendimet armiqësore i pasqyroi në disa shkrime në formë poezish që bëri dhe i përhapi tek të tjerët, për të helmuar ndërgjegjen e tyre. Shkrime me përmbajtje të tilla janë, "Poezi pa titull", "Vjeshta", "Këngë për miqtë e parë", "Fillimi i pranverës", "Kjo rrugë", "Oxhaku", "Rrethi i hënës", "Harabelat", etj. Të gjitha këto, janë shkrime me frymë të theksuar armiqësore, ato janë me përmbajtje ideore të huaj, janë pesimiste. Në disa prej tyre, siç është ajo "Këngë për miqtë e parë", "Kjo rrugë", i thuret himn e ngrihet lart figura e tradhtarëve të popullit, armiqve dhe agjentëve në shërbim të vendeve të huaja, që kanë ardhur në vendin tonë si diversantë, midis të cilëve dhe i ati i tij, Bardho Leka, duke i cilësuar si njerëz që kanë parë shumë nga jeta dhe janë trima me fletë.


Këto shkrime e të tjera si këto, që i janë gjendur me rastin e kontrollit të banesës në shtëpi, ai i ka shkruar me frymë armiqësore, sepse shpreh pakënaqësi e urrejtje ndaj rendit tonë e pushtetit popullor dhe ëndërron të kaluarën, si dhe ndryshimin e situatës së vendit tonë, mbasi realitetin që ekziston në vendin tonë e konsideron të rëndë.

Por është fakt se këto shkrime me përmbajtje të huaj me frymën e realitetit tonë socialist, kur ua ka lexuar personave të ndryshëm, pjesa dërrmuese e tyre e ka hedhur poshtë me përbuzje. I vetmi person që ia ka pranuar si "shumë të mira", që "pasqyrojnë një realitet që ndodh" dhe që e ka frymëzuar dhe nxitur për të shkruar të tjera, është i pandehuri Vilson Blloshmi.

Gjithashtu, në biseda që ka bërë ai me persona të ndryshëm, ai ka shprehur armiqësi të theksuar kundër Pushtetit Popullor. Kështu, ai biseda me karakter të tillë ka zhvilluar sidomos me të pandehurin Vilson Blloshmi, me të cilin siç është shprehur vetë në hetuesi dhe në gjyq kanë qenë "shokë" sepse kanë përbërje të njëjtë klasore dhe të njëjtin botëkuptim armiqësor për realitetin e sotëm socialist që ekziston në vendin tonë. Biseda të tilla, gjithashtu, ka bërë me të pandehur D.Blloshmin, dëshmitarët D.Osmëria, E.Diko e persona të tjerë.



Në takimet e shpeshta dhe bisedat e shumat që ka bërë, sidomos me të pandehurin Vilson e D.Blloshmi, dëshmitari i është kundërvënë masave të marra nga Partia për revolucionarizimin e shkollës, për luftën kundër burokratizimit për luftën e klasave, për ngritjen e gruas në përgjegjësi dhe emancipimin e mëtejshëm të saj. Gjendjen ekonomike në vendin tonë e ka paraqitur në kundërshtim me realitetin, se "normat janë të larta e shpërblimet të ulëta, saqë mezi jetohet".

Figurën e të rinjve tanë të revolucionarë të edukuar nga Partia, ai është përpjekur për ta ulur e poshtëruar. Disa shfaqje të huaja e intime të mënyrës së jetesës e modës së huaj që u vunë re tek-tuk tek ndonjë i ri, para viteve 1973, që ishin pasojë e veprimtarisë së grupit të armiqve në ideologji, F.Paçrami e T.Lubonja, i ka përgjithësuar tek e gjithë rinia në bisedat që ka bërë.

Po kështu, masat e marra nga Partia e Pushteti Popullor kundër grupeve të armiqve në ideologji, F.Paçrami e T.Lubonja dhe armiqve në Ushtri, B.Ballukut, P.Dumes, Hito Çakos, nuk i kanë pritur mirë. Ka simpatizuar këta armiq dhe ka shprehur keqardhje për zbulimin e asgjësimin e veprimtarisë së këtyre grupeve.

Ka dëshiruar ndryshimin e situatës në vendin tonë, d.m.th., rrëzimin e pushtetit popullor dhe këtë ndryshim e priste nga veprimet e armiqve e tradhtarëve të brendshëm. Ja si ka pohuar në hetuesi dhe seancë gjyqësore ky i pandehur. "Me Demirin dhe Vilsonin kam biseduar edhe lidhur me goditjen e grupit të tradhtarëve F.Paçrami e T.Lubonja, në fushën e ideologjisë. Këta të dy i simpatizoja për veprimtarinë e tyre, që në letërsi dhe ne art, në vitet e fundit fryn një erë e re, era e liberalizimit, e futjes së rrymave të reja që u pasqyruan në veprat e ndryshme, si të Fadilit dhe të autorëve të tjerë apo Festivali i 11-të është vepër e Todi Lubonjës dhe më tej vazhdon: "Simpatinë për ta (F.Paçrami e T.Lubonja) e kam shprehur dhe në veprat e mia letrare që kam bërë, të cilat kanë pasur përmbajtje të rrymave të reja letrare". "Kur mësova goditjen e tyre, mua më erdhi keq...".



Lidhur me grupin e armiqve në Ushtri, i pandehuri ka pohuar: "Në bisedën që kanë bërë me Demir Blloshmin, në Gusht 1974, ku mësova për goditjen e grupit të armiqve në Ushtri, B.Balluku me shokë, i thashë se po të kishte fituar ky grup, do të kishte bërë të mundur të ndryshonte situata në Shqipëri në favorin tonë, e ne do të kishim të gjitha të mirat që nuk i kemi sot, sepse pushteti do të ishte i joni, por ç'e do që nuk fitoi".

Siç shihet i pandehuri Genci në bisedat e tij që ka bërë, ka prekur të gjitha sferat e veprimtarisë së pushtetit popullor. Ato kanë përmbajtje të theksuar armiqësore e janë bërë me qëllim për të minuar e dobësuar pushtetin popullor. Vepra e kryer formon krimin e parashikuar nga neni 73/1 i Kodit Penal".

(Vijon nesër)

I pandehuri Genci Leka, siç u përmend me lart, ka pasur predispozicion armiqësor të theksuar, prandaj ka ushqyer urrejtje të tërbuar kundër Parisë dhe Pushtetit Popullor. Qysh në vitet e Shkollës së Mesme Pedagogjike kur ka qenë nxënës e më vonë, kur ka dalë e punuar ai arsimtar për disa vjet, deri në vitin 1968, ai, mendimet dhe botëkuptimin e tij të huaj e ka manifestuar në disa shkrime që ka bërë në formë poezie, shkrimefkëto, me formë poezie, që nuk kanë pasur asgjë të përbashkët me frymën e shëndoshë revolucionare që ekziston në vendin tonë.



Duke filluar nga viti 1968 i pandehuri Genci Leka ka agjituar dhe propaganduar duke bërë thirrje për të minuar e dobësuar pushtetin popullor, ashtu dhe me anën e përgatitjes dhe përhapjes së shkrimeve me përmbajtje armiqësore.

Lidhur me grupin e armiqve në Ushtri, i pandehuri ka pohuar: "Në bisedën që kanë bërë me Demir Blloshmin, në Gusht 1974, ku mësova për goditjen e grupit të armiqve në Ushtri, B.Balluku me shokë, i thashë se po të kishte fituar ky grup, do të kishte bërë të mundur të ndryshonte situata në Shqipëri në favorin tonë, e ne do të kishim të gjitha të mirat që nuk i kemi sot, sepse pushteti do të ishte i joni, por ç'e do që nuk fitoi".


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML