Shtune, 06 Shtator 2008 02:04:30

Lexoni versionin Print

Si udhëhiqte poeti Blloshmi "sabotimin ekonomik" të "Grupit armiqësor të Bërzeshtës!"

Nga dosja origjinale hetimore e arrestimitnë këtë numër po japim vazhdimin e ballafaqimit të poetit "armik" Vilson Blloshminë hetuesi, pyetjet e hetuesve, ballafaqimi me dëshmitarët lidhur me një akuzë tjetër ndaj tij

Nga Kujtim Boriçi
Hene, 10 Mars 2008 12:34:00

Numer. 8/1

Pjestarët e grupit "armiqësor" të Bërzeshtës

Dy të pushkatuar dhe 70 vite burgim

1 prill 1976. Bedri Blloshmi, 25-vjeç, vëllai i poetit Vilson Blloshmi, thirret për një "sqarim"në polici ku i vihen prangat. Një ngjarje jo e zakontë për kohënnë qytetin e vogël kufitar, por që shpejt do të bëhej e bujëshme në gjithë vendin. Pas tij prangat do i provonin dhe dy poetët e talentuar Genci Leka e Vilson Blloshmi, si dhe 5 persona të tjerë. Akuza, referuar dosjes gjyqësore e penale "Blloshmi-Leka"(Nr.23) është "Sabotim ekonomik" dhe "Agjitacion e propogandë kundër pushtetit popullor!". Hetimet intensive ndaj të pandehurve përcaktuan si krerë të "grupit armiqësor" dy poetët, Vilsonin dhe Petritin. Ndërsa nga Partia në qendër(referuar procesverbalit "sekret" Nr. 23 datë 28.IV. 1977, dosja e cituar më sipër) ishte dhënë porosia që veprimtaria e tyre të cilësohej "Vepër penale në grup" dhe përveç dënimit ekstrem të "armiqve", vetë gjyqi të kthehej në një gjykim shembullor në funksion të "edukimit të masave".

Në pak kohë, pas gjykimit politik të "Grupit armiqësor të Bërzeshtës", nisin seancat gjyqësore në gjashtë dit radhasi. Në përfundim, dy poetët dënohen me pushkatim, ndërsa pjestarët e tjerë të grupit me dënime të ndryshme në shumën 70 vite .

1-Genci Leka, për krimin e sabotimit, në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal dhe për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1, të Kodit Penal, dënohet me vdekje, me pushkatim, me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

2- Vilson Blloshmi, për krimin e sabotimit, në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal dhe për krimin e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe në bazë të nenit 73/1, të Kodit Penal, dënohet me vdekje, me pushkatim, me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

3- Bedri Blloshmi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me 25 (njëzet e pesë) vjet të heqjes së lirisë dhe me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

4- Demir Blloshmi, për krimin e sabotimit dhe në bazë të nenit 72 e 12 dhe 28 të Kodit Penal e dënon me 18 (tetëmbëdhjetë) vjet të heqjes së lirisë, me konfiskimin e pasurisë, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë.

5- Rustem Çerri, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal e dënon me 12 (dymbëdhjetë) vjet heqje lirie e konfiskimin e pasurisë.

Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e paraburgimit 05.08.197

6- Rustem Dashi, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal e dënon me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie e konfiskimin e pasurisë.

7- Rexhep Sula, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste të kryer më shumë se një herë dhe në bazë të nenit 80/1 të Kodit Penal dhe 44 të Kodit Penal e dënon me 3 (tre) vjet heqje lirie.

8- Ali Isuf Goçi, për krimin e përvetësimit të pasurisë socialiste në shumë të vogël dhe në bazë të nenit 81 e 42 germa "a" të Kodit Penal e dënon me 2 (dy) vjet heqje të lirisë.

Vendimi u shpall në Librazhd, më 13.06.1977

Vilsoni dhe Genci u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut 1977

Ekskluzive / Nga dosja origjinale hetimore e arrestimitnë këtë numër po japim vazhdimin e ballafaqimit të poetit "armik" Vilson Blloshminë hetuesi, pyetjet e hetuesve, ballafaqimi me dëshmitarët lidhur me një akuzë tjetër ndaj tij, atë të sabotimit ekonomik, akuzë e cila refuzohet prerazi nga poeti

(Vijon nga numri i kaluar)

Hetuesit ia lënë radhën njëri-tjetrit, ndërkohë që përballë tyre, në seancat e njëpasnjëshme, vihet poeti "armik", Vilson Blloshmi. Pas akuzave të "agjitacionit e propagandës", Blloshmit i duhet të përballet dhe me një akuzë tjetër, atë të sabotimit ekonomik. Kështu, më datë 9 maj 1977, hetimin për këtë akuzë e drejton S.Caka. Nga Dosja origjinale hetimore "Blloshmi-Leka" (faqja 240-243), po japim në vazhdim pjesë të kësaj seance hetimore.

Tjetër akuzë, "Sabotim ekonomik!

Hetuesi:- Çfarë keni biseduar ju i pandehur me të pandehurin Genc Leka, lidhur me jetën në kooperativë?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Unë kam folur edhe një herë për këto probleme, edhe kur jemi ballafaquar me Gencin dhe nuk kam çfarë t'u shtoj tjetër atyre që kam thënë. Me Gencin kam diskutuar tema të lira që nuk përbëjnë asgjë armiqësore dhe nuk di që t'i kem thënë atij ndonjë gjë armiqësore qoftë për jetën në kooperativë apo tema të tjera.

Hetuesi:- Ju i pandehur keni biseduar me të pandehurin D.B., pas arrestimit të vëllait tuaj dhe në qoftë se po, çfarë keni biseduar?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Unë nuk kam takuar Demirin dhe nuk i kam thënë asgjë atij qoftë për vëllanë që u arrestua, dhe për asgjë tjetër, pavarësisht se ç'mund të thotë ai. Me D., si përpara dhe pas arrestimit të tij (Bedriut) nuk kam biseduar për asnjë problem armiqësor.

Hetuesi:- (I lexon Vilsonit procesverbalin e pyetjes së dëshmitarit të mësipërm, të datës 2.5.1977). Ç'keni për të thënë?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Unë e dëgjova këtë dhe kam për të thënë se nuk janë të vërteta ato që ka deponuar ai....

Hetuesi:- Sa kohë keni punuar ju i pandehur me të pandehurin tjetër R.S., si kafshar dhe në çfarë transportimesh keni marrë pjesë me të?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Unë kam punuar kafshar kur jam kthyer nga ushtria, pra nga muaj prill 1970 deri në muajt e parë të vitit 1973. Por të kuptohemi, nuk kam punuar gjithë kohën si kafshar, sepse kam kryer edhe detyra të tjera në bujqësi. Unë kam punuar si kafshar në brigadën e Sh.Blloshmit, ndërsa R.S ishte si kafshar në një brigadë tjetër, kështuqë puna nuk na lidhte në transportim, përveç kur takoheshim në rrugë. Unë kam transportuar nga të gjitha llojet e transportit, si prodhime bujqësore, artikuj ndërtimi, plehra etj., por bashkë me të nuk kam transportuar.

Hetuesi:- Keni transportuar ju me këtë të pandehur libra dhe në qoftë se po, kur dhe ku?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Unë vetë nuk kam transportuar libra , por me R., nuk kam transportuar asnjëherë.

Hetuesi - I lexohen më tej procesverbalet te të pandehurit R.S, datë 23.8.1976, 24.8.1976, 27.1.1977 dhe datë 2.5.1977). Çfarë keni për të thënë?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Unë i dëgjova se çfarë paska thënë ai dhe nuk pranoj aspak fjalët e tij, sepse nuk janë të vërteta...

Hetuesi:- Ju i pandehur keni biseduar për vjedhje me dëshmitarin F.C dhe nëse po, për çfarë vjedhjesh keni biseduar me të?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Unë nuk kam folur asnjëherë me këtë njeri për vjedhje, apo për gjëra të tjera të kësaj natyre.

Hetuesi:- Ju i pandehur akuzoheni për krimin e sabotimit të ekonomisë kooperativiste, parashikuar nga neni 72-12 të Kodit Penal.

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Unë akuzën që më bëhet nuk e pranoj në asnjë mënyrë, ajo për mua është e rreme dhe si e tillë, doemos, është e pa pranueshme....

Procesverbali lexohet e kërkohet firmosja

Hetuesi: S.Caka(Firma) I pandehuri Vilson Blloshmi(Refuzon firmën). (Firmosin dhe dëshmitarët A.O dhe T.B.)

Pakënaqësitë e të pandehurit ndaj pushtetit popullor

Procesverbal : "Mbi pyetjen e të pandehurit). Datë 08.08.1976

Unë hetuesi i Degës së Punëve të Brendëshme M.Hasa mora në pyetje të pandehurin Vilson Blloshmi.

Hetimi fillon ora 12:00 dhe mbaron në orën 16:00

Hetuesi:- Na shpjegoni i pandehur rreth veprimtarisë suaj armiqësore kundër pushtetit popullor dhe nëse e pranoni akuzën për të cilën akuzoheni?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Në vitin 1967-1970 kam kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Lezhës, në NBU-Tale. Në këtë kohë kam filluar të lexoj ku gjeta libra të ndryshëm me autorë të ndryshëm. Këtë e bëja me qëllim që të shtoja njohuritë e mia kulturore. Veç këtyre që shpjegova, tjetër unë nuk di të kem zhvilluar ndonjë veprimtari armiqësore kundër pushtetit.

Hetuesi:- Që kur ke filluar të ndjesh pakënaqësi kundër pushtetit dhe pse?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Në vitin 1966 mbarova shkollën pedagogjike në Elbasan. Pas kësaj nuk ushtrova profesionin tim si arsimtar, megjithëse kërkova që të shërbeja si arsimtar, nuk më emëruan. Dhe unë, duke ditur se prejardhja dhe qëndrimi im politiko-shoqëror ishte i keq, pasi babai im Sami Blloshmi është dënuar me 7 vjet burg për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, dhe xhaxhai im, Hetem Blloshmi, dënuar me 15 vjet burg të diversantit B.L, të cilin e ka dajë. Duke qenë kështu, unë kam ndjerë pakënaqësi kundër pushtetit popullor, por nuk kam zhvilluar ndonjë veprimtari armiqësore. Tjetër, veç këtyre, unë nuk kam ç'të shtoj...

(Firmoset procesverbali nga i pandehuri, në prezencë të hetuesit M.Hasa dhe asistuesit N.Vila)

Hetimi në një seancë tjetër

Hetuesi:- Po, si ke reflektuar pakënaqësinë ndaj pushtetit popullor...?

I akuzuari Vilson Blloshmi:- Në vitin 1966 mbarova shkollën e mesme pedagogjike, ishim 2008 veta në maturë, unë u ndava, nuk m'u dha punë për të ushtruar profesionin si arsimtar. Kjo e drejtë nuk më jepej. Në këto rrethana unë kam shkruar poezinë: "Nëse nuk munda brengës t'i bëj ballë/ Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur/ Nëse një i vdekur jam nga çdo i gjallë/ Mirë pra, më i gjallë jam se çdo i vdekur!" Me këto vargje kam dashur të shpreh këto mendime:

Së pari, kam shprehur mërzinë dhe dëshpërimin tim për mossistemimin tim në punë, pasi vitet kalonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. Këtë e konsideroja si thyerje para dëshirës sime, u bëra pesimist. Unë, Vilsoni, porsa i përket sistemimit tim në punë nuk u llogarita midis njerëzve e shokëve që mbaruam bashkë, por u llogarita midis klasave të vdekura, njerëzve të vdekur, sepse siç e thashë, merrej për bazë e kaluara e familjes simedhe qenia kulak. Për poezinë e mësipërme unë kam dashur të them se unë jam më i gjallë se të vdekurit. (Firmoset procesverbali nga i pandehuri, në prezencë të hetuesit M.Hasa dhe asistuesit S. Musaj)

(Vijon nesër)


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML