Poetët Nr.4
28 prill 1987. Mbledhja "sekrete"
Vendimi partiak për dënimin e poetëve
Në qytetin e Librazhdit është mbledhur Komiteti i Partisë për të analizuar punën armiqësore në Bërzeshtë, për rreth 10 persona, të drejtuar nga poetët Vilson Blloshmi e Genci Leka, të vënë në pranga, të cilët prej kohësh kanë zhvilluar veprimtarinë armiqësore të sabotimit ekonomik e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor.
Referuar dokumenteve arkivore origjinale (AQSH dhe Arkiva e Ministrisë së Rendit, Dosja Blloshmi-Leka), nga lart (KQ e PPSH) është dhënë porosia që pas zbulimit të grupeve armiqësore në ekonomi e kulturë në Tiranë (Ministrinë e Kulturës dhe Ekonomi), zbulimi të vazhdonte dhe në rrethe. Në këtë mbledhje (28 prill1987), që e drejton kreu lokal i PPSH-së, marrin pjesë kryehetuesi, kryeprokurori, kreu i gjykatës dhe funksionarët më të lartë partiak që drejtojnë strukturat partiake në këto institucione dhe vetë këto institucione. Pas raportimit të specialistëve (origjinali: Protokoll, Nr.23, datë 28.04.1977) se "veprimtaria armiqësore e vërtetuar" e të arrestuarve, është individuale, drejtuesi më i lartë Partiak kërkon që veprimtaria të cilësohet "në grup" e si e tillë të gjykohet.
Referuar dokumenteve arkivore, ky vendim partiak zbatohet dhe për pasojë, pjesëtarët e "Grupit armiqësor të Bërzeshtës" jepet ndëshkimi i rëndë: Dy të pushkatuar (poetët Blloshmi e Leka), një (Bedri Blloshmi) i dënuar me 25 vjet burg, e 5 të tjerë me 70 vite burgim gjithsej.
Për koincidencë(!!), Partia në këtë mbledhje, në vend të 8 "armiqve", merr vendimin për pranimin në Partinë e Punës të tetë anëtarëve të rinj.
Ekskluzive / Nga dosja origjinale gjyqësore e ajo hetimore e arrestimit, si dhe pushkatimit të poetëve të talentuar, Vilson Blloshmi e Genc Leka, sot po japim të plotë vendimin "Sekret" të Komitetit të Partisë Librazhd ku diskutohet e vendoset që veprimtaria"armiqësore" e Bërzeshtës nuk është individuale, por në grup, e drejtuar nga poetët Vilson Blloshmi e Genci Leka.
(Vijon nga numri i kaluar)
------------------------------------------------
Para se poetët Blloshmi e Leka, të vënë në pranga për nën akuzën se prej kohësh kanë zhvilluar veprimtarinë armiqësore të sabotimit ekonomik e agjitacionit, si dhe propagandës kundër pushtetit popullor, mblidhet Sekretariati i Komitetit të Partisë për kërkesë llogarie krerëve të drejtësisë (polici, gjykatë, prokurori) e për të përcaktuar detyra në mbarëvajtjen e hetimit e dënimit të "armiqve". Nga dosja gjyqësore "Blloshmi-Leka" po japim të plotë këtë vendim (Nr.23, datë 28.04.1977), që parapriu dënimin çnjerëzor të dy poetëve intelektualë.
Dokumenti: Mbledhja e Sekretariatit Librazhd:
"Sekret" Ekzemplar Nr.1
Partia e Punës së Shqipërisë
Komiteti i Partisë rrethit
Librazhd
Protokoll
Nr. 23 datë 28.04. 1977
I MBLEDHJES SË SEKRETARIATIT TË KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT LIBRAZHD
Sekretariati i Komitetit të Partisë Librazhd, në mbledhjen e tij, datë 28.04.1977, mori në shqyrtim këto çështje:
1-Informim me gojë nga shokët e Gjykatës së Rrethit për procesin e grupit armiqësor të Bërzeshtës.
2- Raport mbi gjendjen moralo-politike dhe rritjen e vigjilencës revolucionare të popullit në zonën kufitare.
3- Disa konkluzione që dalin nga diskutimi masiv në ndërmarrjet bujqësore Librazhd, organizuar gjatë muajve shkurt-mars 1977.
4- Pranime në Parti.
5- Lëvizje komunistësh.
A- Marrin pjesë në mbledhjen e Sekretariatit shokët: Sotir Koçollari, Alush Çekrezi, Faik Hoxha, sekretarë të Komitetit të Partisë së Rrethit, Hekuran Rezhda, Merdar Hasa, sekretar i byrosë së Partisë Degës së Brendshme dhe kryetar i Degës.
B- Marrin pjesë në pikën e parë shokët: Hysen Faqolli, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, Qani Lavdari, prokuror i rrethit, Sybi Sulçe, gjyqtar, Nevrije Fistaj, kryetare e Gjykatës së Rrethit.
C- Për pikën e dytë marrin pjesë shokët: Andon Shkëmbi, sekretar i Komitetit të Rinisë së rrethit, Ismail Lila, instruktor në komitetin e Partisë së rrethit, Luan Gaba, komisar i repartit ushtarak Përrenjas, Bilbil Resuli, komandant i kufirit Librazhd, Hysen Karaj, sekretar o organizatës bazë të Partisë të fshatit Skënderbe, Petro Qiriazi, sekretar i organizatës së Partisë Rrajcë, Sami Çerri, sekretar i Organizatës Bazë të Partisë, i postës Qarrishtë.
D- Për pikën e tretë marrin pjesë të ftuar shokët: Fatmir Kodra, agronom në Ndërmarrjen Bujqësore, Skënder Poçi, sekretar i organizatës bazë të Partisë ndërmarrjes bujqësore.
Mbledhjen e drejton Sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit, shoku Sotir Koçollari.
Zhvillim:
Informim me gojë nga shokët e Gjykatës së Rrethit për procesin e grupit armiqësor të Bërzeshtës.
Sh. Sotir: Na informoni mbi çështjen penale të sabotatorëve dhe përvetësuesve të Bërzeshtës.
Sybi Sulçe:- Në këtë çështje bëjnë pjesë 8 persona, të cilët i janë dërguar gjykatës për gjykim.
I pandehuri Genci Leka, i biri i Bardho Lekës, në moshën 36 vjeçe, me arsim të mesëm pedagogjik, i akuzuar për krimin e sabotimit në bashkëpunim me atë të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të parashikuar nga nenet 72 e 12 dhe 73/i i Kodit Penal.
Veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor e ka filluar qysh në vitin 1968, ndërsa në formën e sabotimit në ekonomi për dobësimin e pushtetit popullor e ka filluar në qershor të vitit 1973, dhe ka vazhduar deri në momentin që u arrestua më 31.8.1976
Agjitacionin e propagandën e ka filluar në formën e bisedave të ndryshme që ka bërë kundër pushtetit popullor, në krijimet letrare, poezitë me përmbajtje armiqësore, ka mbajtur dhe mjaft libra në shtëpi, të ndaluar. Bisedat armiqësore i ka bërë me Vilson Blloshmin e me një person me banim në Lushnje që quhet Bilbil Cani e një person tjetër nga Cërriku, Nazmi Seitin me banim në Cërrik, si dhe me dëshmitarët Dilo Omeri dhe Emine Duka. Në bisedat armiqësore që ka zhvilluar është shprehur për trajtimin e keq që i bëhej atij e pjesëtarëve të tjerë të familjes nga Partia dhe pushteti popullor. I është kundërvënë masave për revolucionarizimin e shkollave, si dhe e ka folur kundër ideologjisë së partisë….
I pandehuri Vilson Blloshmi: Person me përbërje të keqe politike, kulak. Të pandehurin Bedri Blloshmi që akuzohet për krimin e sabotimit, e ka vëlla. Siç del nga material i dosjes, është person tepër i rrezikshëm. Ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim i parashikuar nga neni 73/i i Kodit Penal. Veprimtarinë armiqësore e ka filluar që në banjat e shkollës së mesme pedagogjike në vitin 1965, kur ishte nxënës dhe e vazhdoi derisa e arrestuan në vitin 1976. Veprimtarinë armiqësore e ka zhvilluar në këto forma: Ka bërë biseda me përmbajtje armiqësore me dëshmitarët Sami Hyka, Haki Bardhoshi, Fetah Blloshmi, Emine Diko dhe Afërdita Lepenica, si dhe me të pandehurit Genc Leka e Demir Blloshmi.
Sh. Alush:- Si do të quhej grupi?
Sybi Sulçe:- Nga të dhënat, del se nuk janë të organizuar, sepse disa prej tyre kanë bërë edhe propagandë.
Sh. Sotir:- Forma e tyre e organizuar del plotësisht, pasi secili prej tyre, në mënyrë të vetëdijshme kanë dashur të rrëzojnë pushtetin popullor dhe të sabotojnë ekonominë e kooperativës bujqësore.
Sybi Sulçe:- Atëherë të 8-të të pandehurit do të futen në një nen.
Merdari:- Pse thua që Vilson Blloshmi nuk hyn në këtë grup. Ai hyn, dhe kjo vërtetohet nga thëniet e të tjerëve që ky ka përvetësuar.
Sh. Sotir:- Kush konsiderohet më kryesori?
Sybiu:- Genc Leka. Nga të dhënat e dosjes del se Vilson Blloshmi është për agjitacion e propagandë, me sa ka dosja. Prova nuk kemi për përvetësim, nuk ja vërtetojmë dot.
Sh. Sotir:- Unë kam mendimin se këta janë grup i organizuar, bile edhe në bazë të një platforme në bindjen e tyre. Zbulimi i këtij grupi është meritë e punës së organeve të punëve të brendshme, rritja e vigjilencës së tyre etj. Ky grup ka vepruar në mënyrë të tillë deri tani për mungesë të vigjilencës së kuadrove në kooperativë, në organizatën bazë të Partisë. Këta e kanë bërë këtë për prishjen e pushtetit popullor. Imagjinata se do të hidhej në erë Ura e Bushtricës ishte një dëshirë e të pandehurit Vilson Blloshmi dhe ky e dëshiron të ketë, dhe nuk e realizoi vetë, por kurdisi këtë plan imagjinar. Kreu i këtij grupi them se janë Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, pjellë e armikut të klasës të cilët e kanë kurdisur të gjithë grupin. Këto jo vetëm i kanë mbajtur këto libra, por i kanë lexuar dhe frymëzuar prej tyre. Kanë pasur dhe shkrime të tyre për përmbysjen e pushtetit popullor dhe jo vepra e poezi. Vilsoni është më i zgjuar nga të tjerët dhe aktin nuk e pranon se e di që e pret pushkatimi. Ndërsa për Rexhep Sulën mund të bëhet shkallëzimi; këta pas një burgu, do të kthehen për ndërtimin e socializmit.
Ky grup të konsiderohet si grup sabotatorësh. Në krye të grupit Genci e Vilsoni, sepse këta kanë nxitur këta të tjerët, i kanë frymëzuar. Argumente për këtë ka dhe përmbajtja e problemit është e qartë se ky është nxitës, si dhe i sjell dëm diktaturës së proletariatit. Për shkallën e dënimit ju gjykojeni vetë dhe mos u nisni se aprovohet apo jo lart, por nga krimi që kanë kryer secili.
Jam dakord që gjyqi të bëhet këtu, të përgatitet mirë, të ngrihet me forcë lufta e klasave, të jetë një pretencë e fortë politike ideologjike dhe e përgatitur mirë. Gjykatat të ruajnë plotësisht ngjyrën e katit e qëllimit që kishin për minimin e pushtetit popullor. Megjithëse do e zhvillojmë këtu, masat e sigurimit nuk duhen nënvleftësuar.
Problemi i implikimit të mos dalë kaq apo aq veta. Edhe ata që do demaskohen, duhet kujdes të ngrihen të bëjnë autokritikë dhe të pranojnë gabimin. Në gjyq të vijnë njerëz që i shërbejnë gjyqit dhe jo kush të mundë.
Pranime në parti
Sekretariati i Komitetit të Partisë së rrethit, pasi shqyrtoi vendimet e paraqitura nga organizatat bazë të Partisë, mbi pranimet në kandidatë për anëtar Partie, vendosi t'i aprovojë ato si më poshtë:
1- Elverije Qyra, të pranohet kandidate partie.
2- Refije Balla të pranohet kandidate partie.
3- Faik Faik Bregu të pranohet kandidate partie.
4- Haziz Faqolli të pranohet kandidate partie.
5- Selime Çuku të pranohet kandidate partie.
6- Muhamet Mënalla të pranohet kandidate partie.
7- Aishe Gjurra të pranohet kandidate partie.
8- Sotir Atgjergji të pranohet kandidate partie.
Lëvizje komunistësh
Sekretariati i Komitetit të Partisë së rrethit, pasi shqyrtoi projektvendimin mbi lëvizje komunistësh, vendosi ta aprovojë atë sipas Vendimit Nr.130, datë 27.04.1977, që i bashkëngjitet këtij protokolli.
Mbajtëse e protokollit
M.Hysi (Firma)
Sekretar i Parë i Komitetit Partisë së rrethit, Sotir Koçollari. (Firma)
(Vijon nesër)
Pas raportimit të specialistëve (origjinali: Protokoll, Nr.23, datë 28.04. 1977) se "veprimtaria armiqësore e vërtetuar" e të arrestuarve, është individuale, drejtuesi më i lartë Partiak kërkon që veprimtaria të cilësohet "në grup" e si e tillë të gjykohet.
Referuar dokumenteve arkivore, ky vendim partiak zbatohet dhe për pasojë, pjesëtarët e "Grupit armiqësor të Bërzeshtës" jepet ndëshkimi i rëndë: Dy të pushkatuar (poetët Blloshmi e Leka), një (Bedri Blloshmi) i dënuar me 25 vjet burg, e 5 të tjerë me 70 vite burgim gjithsej.
Në zyrat e Komitetit të Partisë merret vendim: "Ky grup të konsiderohet si grup sabotatorësh. Në krye të grupit Genci e Vilsoni, sepse këta kanë nxitur këta të tjerët, i kanë frymëzuar. Argumente për këtë ka dhe përmbajtja e problemit është e qartë se ky është nxitës, si dhe i sjell dëm diktaturës së proletariatit. Për shkallën e dënimit ju gjykojeni vetë dhe mos u nisni se aprovohet apo jo lart, por nga krimi që kanë kryer secili.."
I pandehuri Genci Leka, në moshën 36 vjeçe, me arsim të mesëm pedagogjik, i akuzuar për krimin e sabotimit në bashkëpunim me atë të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të parashikuar nga nenet 72 e 12 dhe 73/i i Kodit Penal. Veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor e ka filluar qysh në vitin 1968, ndërsa në formën e sabotimit në ekonomi për dobësimin e pushtetit popullor e ka filluar në qershor të vitit 1973, dhe ka vazhduar deri në momentin që u arrestua më 31.08.1976