Në rrethin e Fierit ka patur tre zona nga ato që dikur quheshin Kampe Internimi. Midis tyre ishte edhe ai i Sektor – Semanit, fshat i cili sot njihet me emrin Sektor Seman i Ri. Për të shkuar deri në këtë fshat të duhet të udhëtosh rreth 18 kilometra në një rrugë me kalldrëm. Gjatë vitit 1955 kjo zonë ka shërbyer si kamp qëndrimi për 300 shqiptarë të Kosovës, atëherë shtetas të ish-Federatës Jugosllave. Gjatë vitit 1962 pas largimit të tyre, zona u shndërua në kamp internimi për rreth 200 persona kryesisht nga kryeqyteti. Njëri prej banoreve të kësaj zone 70 vjecari Nuri Duraj tregon: “Të ardhurit e parë nisën të sillen këtu në vitin 1955 dhe ishin shqiptarë kosovarë. Ne i quanim emigrantë. Thuhej se kishin probleme të ndryshme politike apo hasmëri. Me ardhjen e tyre janë ndertuar disa baranga ku ata janë strehuar dhe ruheshin me forca të policisë. Ishin njërëz që shikonin hallet dhe problemet e tyre dhe asnjëherë nuk kanë patur probleme me banoret. Më pas kampi u shperbë dhe disa prej tyre morën nënshtetësinë shqiptare. Shumë prej këtyre jetojnë sot në qytetin e Fierit...”.
Të ardhurit e atëhershëm nuk ishin të detyronte të punonin. Kush dëshironte punonte në fermë (ku edhe kishin një brigadier të vecantë nga sektori), kush nuk donte merrte 2000 lekë pension nga shteti i asaj kohe. Ajo që banorët e sotëm kujtojnë ishte se të ardhurit kishin privilegjin të furnizoheshin me bukë gruri, ndërsa për fshatin përdorej si kudo buka e misrit. Për nevojat e tyre, sëmundje etj, shkonin në Fier, por gjithmon të shoqëruar me policë.. Edhe pse gëzonin respect nga fshatarët asnjë prej tyre nuk bëri krushqi me të ardhurit. “Emigrantet” u larguan nga Sektor Seman në vitin 1961.
***
Një vit më pas në vitin 1962, vëndin e tyre e kanë zënë rreth 200 të internuar nga qyteti i Tiranës. Banorët kujtojnë se ata erdhën me autobusë, të shoqëruar nga policia dhe janë sistemuar po në ato baraka ku më parë jetuan “emigrantët”. Ishin familje të tëra, shumica ët internuar për shkak të “gabimeve” të fëmijëve të tyre. “Fillimisht e kishin të vështirë të integroheshin në jeten e fshatit po me kalimin e kohës u mësuan dhe lëviznin lirshëm në fshat, - tregon Nuriu, duke shtuar: “Në shumë raste familjet e këtij fshati ose familjet e internuara shkonin per ngushëllime ne rast vdekje dhe në disa raste midis tyre ka patur edhe lidhje krushqie..”. Në mbrëmje nga ana e policisë u bëhej apeli ashtu siç u bëhej edhe “emigrantëve”. Një pjesë e tyre akoma edhe sot kanë pashaportizimin në Gjendjen Civile të Semanit
***
Në këtë fshat akoma edhe sot jetojnë tre vëllezër të këtij kontigjenti. Dy prej tyre Todi dhe Llazi Shanko sot janë respektivisht të moshës 81 dhe 64 vjeç. Ata janë internuar për shkak të vëllait të tyre më të madh Dhimitër Shanko (sot i moshës 86 vjeç) ish-oficer artilerie, në Komandën e Përgjithshme të Ushtrisë në Tiranë. Ky i fundit ka bërë 25 vjet burg për agjitacion e propogandë. Dënimi u ndërpre dhe ai u soll si i internuar në në Sektor Seman. Banorët kujtojnë ende që ai asnjëhere nuk pranonte të punonte: “..Sa të jetë Enver Hoxha gjallë nuk shkoj në punë, - u thoshte autoriteteve lokale të asaj kohe.
Të tre vëllezërit duken jetëgjatë. Të tre të të moshuar, ata jetojnë sot në një shtëpi gati në të rrëzuar një varfëri të tejskajshme. “Marr një pension të miratuar kur ishte kryeministër Aleksandër Meksi ashtu si të persekutuarit e tjerë, që nuk më del për asgjë...”, - thotë Dhimitri.
Në këtë “shtëpi” – kasolle, ai jeton qysh prej 40 vjetësh me dy vëllezërit e tjerë. “Këta janë të pafajshëm dhe kanë vuajtur gjithë jetën për hatrin tim...”. Vëllai Llazi është martuar. Ka tre fëmijë, por jeta e tyre është skëterë. Ata jetojnë në një nga dhomat e kësaj kasolleje të ngritur jo me mure por me kallëma të mbushura më dhe.. “Unë kërkoj ndihmë, të paktën të kem një shtëpi ku të vdes si njeri, - janë fjalët përcjellëse të 86 vjeçarit që sfidoi ligjet e diktaturës. ..