Leci Nr 28
5 tetorit 1982-1 shtator 1983
Pas gjyqit politik, dënimi me vdekje i Kadri Hazbiut
Pas gjyqit politik në Byro që nisi më 5 tetor 1982, prangat për ministrin e Mbrojtjes, "armikun" Kadri Hazbiu, ishin një formalitet. Disa muaj në hetuesi, ku provoi dhe torturat, Hazbiu dënohet me vdekje nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë më 1 shtator 1983. Ja si thuhet mes të tjerave në këtë vendim të Kolegjit, shkëputur nga arkivi i Ministrisë së Brendshme, Dosja "Hazbiu":
"Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, prej datës 22 gusht gjer më datën 1 shtator 1983, gjykoi në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura çështjen penale që u përket të pandehurve:
1-Kadri Hazbiu: I biri i Hazbiut dhe i Xhevos, lindur në vitin 1922 në Mavrovë të Vlorës dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i pasur dhe me gjendje shoqërore nëpunës (ish-ministër i Mbrojtjes), i martuar me katër fëmijë, i përjashtuar nga Partia, i padënuar më parë, nuk mban tituj e dekorata, i arrestuar më 15 tetor 1982, 2-Feçorr Shehu… 3- Mihallaq Ziçishti, 4- Llambi Peçini..., 5- Gani Kodra..., 6-Ali Çeno...,
7- Xhavit Ismailaga...., të cilët akuzohen se:
Kanë tradhtuar Atdheun duke u vënë në shërbim të zbulimeve të huaja, duke kryer detyrat e ngarkuara nga ata dhe në drejtimin e poliagjentit Mehmet Shehu, kanë marrë pjesë në përgatitjen e një puçi ushtarak për përmbysjen e diktaturës së proletariatit në Shqipëri. Kanë marrë pjesë aktive në organizatën kundërrevolucionare komplotiste e puçiste, kanë kryer veprime përgatitore për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të KQ, kanë sabotuar vijën politike të partisë në fusha të ndryshme dhe në ekonomi duke i sjellë shtetit një dëm pasuror me vlerë 1.219,764 lekë, si dhe kanë zhvilluar agjitacion e propagandë për dobësimin dhe minimin e shtetit të diktaturës së proletariatit.Trupi gjykues i bazuar në rrethanat e faktet e çështjes, vëren:
Të pandehurit, për të arritur qëllimin kriminal të përmbysjes së pushtetit popullor në Shqipëri, e kanë realizuar veprimtarinë e tyre në disa drejtime:
Së pari: Të pandehurit duke qenë agjentë të zbulimeve të huaja, kanë zhvilluar aktivitet të gjerë spiunazhi në favor të këtyre të fundit.
Poliagjenti Mehmet Shehu që ka qenë edhe kreu i organizatës është rekrutuar nga shërbimet e huaja që në kohën e luftës nacionalçlirimtare... Ndihmësi më i afërt i poliagjentit Mehmet Shehu ka qenë i pandehuri Kadri Hazbiu, i cili është vënë në shërbim të Zbulimit jugosllav qysh gjatë luftës nga Dushan Mugosha... I pandehuri tjetër, Mihallaq Ziçishti, është vënë fillimisht në shërbim të Zbulimit jugosllav dhe më vonë në shërbim të Zbulimit sovjetik. Sipas dëshmisë së Fiqrete Shehut, këta të pandehur janë vënë nga mercenari Mehmet Shehu në shërbim të agjenturave të huaja.
Së dyti: Nga gjykimi i çështjes rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga e Mihallaq Ziçishti janë pjesëtarë aktivë të organizatës kundërrevolucionare të krijuar nga armiku Mehmet Shehu, e cila ka kryer veprime të shumta duke synuar të godasë Partinë dhe Udhëheqësin e saj, si dhe të përmbysë diktaturën e proletariatit e të vendosë në Shqipëri rendin borgjezo-revizionist...
... Ekzistenca e kësaj organizate kundërrevolucionare dhe veprimtaria e gjerë, si dhe e gjatë e saj përbën një pjesë të rëndësishme të komplotit të madh të kurdisur nga imperializmi e social-imperializmi revizionist, dhe në përgjithësi nga reaksioni botëror kundër shtetit dhe popullit shqiptar. Mehmet Shehu qysh në vitin 1942, i urdhëruar nga agjencitë e Zbulimit amerikan dhe anglez erdhi në Shqipëri me qëllim që të futet në radhët e Partisë e të marrë pjesë në LANÇ për ta dëmtuar e minuar nga brenda këtë. ...Pasi mëson nga Dushan Mugosha pozicionin armiqësor të Fiqrete Sanxhaktarit, Mehmet Shehu vihet në bashkëpunim e madje martohet me të. E qysh atëherë këta dy armiq të egër e dinakë nisin luftën e tyre për përmbysjen e pushtetit popullor. Ata dhe pjesëtarët e tjerë të kësaj organizate, pas çdo goditje që u ka dhënë partia grupeve armiqësore kanë përdorur të njëjtën taktikë për të mbuluar gjurmët e tyre armiqësore: Nga njëra anë godasin me forcë armiqtë e demaskuar, e nga ana tjetër punonin në prapaskenë për të shpëtuar këdo që mundnin. Dhe kështu studionin kandidatët e përshtatshëm për të shtuar radhët e tyre, siç kanë bërë me të pandehurit Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Llambi Ziçishti etj. Sikurse doli, qëndrimi përfundimtar i kësaj organizate ishte kthimi i vendit tonë në një shtet kapitalist me anën e një puçi ushtarak...
Së treti: Nga zhvillimi i gjyqit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga e Mihallaq Ziçishti, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, kanë kryer veprime terroriste për likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror... Të pandehurit Kadri Hazbiu e Feçor Shehu së bashku me të pandehuri Llambi Peçini, nuk e pranojnë gjithë këtë veprimtari terroriste...
Së katërti: Nga gjithë zhvillimi i hetimit dhe i gjykimit u vërtetua plotësisht se një nga drejtimet kryesore të kësaj organizate, të drejtuar nga tradhtari Mehmet Shehu, ka qenë sabotimi i zbatimit të direktivave të partisë në fushat e ndryshme të zhvillimit të vendit.
Të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga e Mihallaq Ziçishti kanë përmbushur detyra të posaçme për të penguar e shtrembëruar zbatimin e vijës së partisë dhe për të sabotuar sektorët që mbulonin...
Së pesti: U vërtetua gjithashtu se të shtatë të pandehurit kanë kryer krimin e agjitacionit e të propagandës kundër partisë dhe shtetit tonë të diktaturës së proletariatit. Të gjithë anëtarët e kësaj organizate kundërrevolucionare i janë kundërvënë vijës marksiste-leniniste të partisë sonë në të gjitha fushat, duke agjituar e propaganduar me njëri-tjetrin kundër të gjitha fitoreve të arritura në vendin tonë...
Të pandehurit Kadri Hazbiu e Feçor Shehu në bashkëpunim me të tjerët kanë sabotuar qëndrimin e Partisë tonë për ngjarjet e Kosovës dhe i kanë quajtur zhvillimet aty si të shpejtuara... Gjykata, duke analizuar të gjitha provat e administruara në hetuesi e në gjykatë, arrin në përfundimin se akuzat në ngarkim të të pandehurve Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga e Mihallaq Ziçishti, janë të drejta e të bazuara. Për këto arsye, Trupi gjykues në mbështetje të neneve 149 dhe 150 të Kodit të Procedurës Penale të Shqipërisë, vendosi: Të deklarojë fajtorë të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga e Mihallaq Ziçishti për krime e tradhti ndaj Atdheut, pjesëmarrje aktive në organizatë kundërrevolucionare, veprës terroriste të ngelur në fazën e përgatitjes, sabotimit dhe agjitacionit e propagandës kundër shtetit, dhe i dënon:
1-Kadri Hazbiun, me vdekje dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për pesë vjet, 2- Feçorr Shehu me vdekje dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për pesë vjet, 3- Mihallaq Ziçishti me 25 vjet të heqjes së lirisë dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për pesë vjet, 4- Llambi Peçini, me vdekje, me heqjen e dekoratave dhe me heqjen e së drejtës së zgjedhjes për pesë vjet, 5- Ali Çenon, me 10 vjet heqje të lirisë, me heqjen e dekoratave dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjeve për 5 vjet, 6- Gani Kodrën me 10 vjet heqje të lirisë, me heqjen e dekoratave dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjeve për 5 vjet, 7- Xhavit Ismailagën me 10 vjet heqje të lirisë, me heqjen e dekoratave dhe me heqjen e të drejtës së zgjedhjeve për 5 vjet..!"
(Arkiva e Ministrisë së Brendshme. Cituar më lart)
K.Boruiçi
----------------------------------------------------------------------------
Ekskluzive/ Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci sjell dokumente të tjera arkivore dhe dëshmi lidhur me gjyqin politik ndaj Kadri Hazbiut në mbledhjen e Byrosë Politike të 5 tetorit 1982, akuzat e Enverit e anëtarëve të tjerë të Byrosë, për Hazbiun si bashkëpunëtor i "poli-agjentit Mehmet Shehu", shkarkimin si ministër dhe ndjekjen penale.
Gjykimi i Kadri Hazbiut si "armik" në Byronë Politike të 5 tetorit 1982 shkon drejt fundit. Sipas procesverbalit origjinal të kësaj mbledhjeje(AQSH, Dosja "Hazbiu"), si masë paraprake është shkarkimi i tij si ministër dhe analiza në Plenumin e KQPPSH. Ja pjesë të këtij dokumenti "tepër sekret" lidhur me këtë fakt:
(Vazhdimi i mbledhjes së Byrosë Politike)
"Llambi Gegprifti: Mjaft prej tyre kanë qenë bashkëpunëtorë të lidhur me agjenturën sovjetike deri në vitin 1960. Si mund të miratonte Byroja Politike në këto funksione kaq të rëndësishme të ushtrisë këta persona? Kurrë nuk do ta miratonte Byroja Politike Kristaq Qarrin drejtor të Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, në qoftë se do të dinte që ky, gjatë periudhës së studimeve në Bashkimin Sovjetik ka mbajtur lidhje të rregullta si bashkëpunëtor me organet e Sigurimit vendës. Byroja Politike e miratoi këtë person, si dhe mjaft të tjerë, si Mendu Tetovën, Shefqet Mezinin, etj... si këta sepse ju, Kadri, mbajtët një qëndrim të heshtur.
Përse ju, që i njihnit mirë këta persona, nuk ia bëtë të ditur lidhjet e këtyre kuadrove Byrosë Politike? Këtë e dini vetë ju. Për mendimin tim kjo përbën në vetvete një gabim, një faj të madh e të pafalshëm për ju. Ju thatë këtu se nuk mund të mbani mend gjithë agjenturën! Ne ta pranojmë këtë që thoni, megjithëse këtu është fjala për kuadro të rëndësishëm të ushtrisë.
Kur ju i dërguat shokut Hysni listën e tyre, si nuk u kujtuat t'i thoshit Byrosë Politike që ata të hiqeshin? Kristaq Qarri filloi punën si drejtor i Drejtorisë Operative në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore dhe punoi në këtë funksion për disa vjet, u njoh në detaje me planin operativ të mbrojtjes së vendit, i cili përbën një nga sekretet më të mëdha shtetërore.
Më vonë, kur doli në skenë lista e këtyre bashkëpunëtorëve, dhe kjo nuk e kuptojmë si doli, Kristaq Qarri u shkarkua nga ky funksion në Byronë Politike me motivin "se është i sëmurë dhe nuk është në gjendje të përballojë vëllimin e punës që ka kjo drejtori" dhe u caktua përsëri shef i shtabit të grupimit të Elbasanit, të kësaj njësie operative të madhe të ushtrisë, e cila ka detyrë tepër të posaçme e mjaft të rëndësishme për mbrojtjen e atdheut. Byrosë Politike kur ai u shkarkua nuk iu bë i njohur fakti që Kristaq Qarri ishte bashkëpunëtor i sovjetikëve, megjithëse ai zuri përsëri një vend tjetër shumë të rëndësishëm.
Akoma më flagrant është emërimi i Mendu Tetovës, i cili po nga Byroja Politike u caktua komandant i Akademisë Ushtarake që mbante emrin e famëkeqit e kryebanditit Mehmet Shehu. Për këtë, siç del nga korrespondenca e bërë midis shokut Hysni dhe armikut Mehmet Shehu, bërë para emërimit të tij, shoku Kadri kishte dhe të dhëna se ai mbante lidhje akoma me agjenturën sovjetike dhe se ua kishte dërguar atyre materialin e zi të Beqir Ballukut.
Si dhe përse ju Kadri nuk e vutë në dijeni Byronë Politike për këto fakte të rëndësishme? Dhe këtu është fjala pas shpartallimit të grupit puçist të Beqir Ballukut. Këtë ne nuk e kemi të qartë, por, krejtësisht të errët, prandaj po ju kërkojmë sqarime të cilat ju s'po na i jepni këtu.
Enver Hoxha: Komitetit Qendror ne do t'i bëjmë të njohur vendimin që thashë më parë dhe në mbledhje të plenumit Kadri Hazbiu duhet të bëjë një autokritikë të shëndoshë, një autokritikë të thellë, ku të reflektohet sinteza e vendimit të Byrosë Politike, me përjashtim të çështjes shumë të rrezikshme, ku e kanë vënë Ministrinë e Punëve të Brendshme shoku Kadri dhe agjenti Mehmet Shehu me të tjerë, me dorëzimin sovjetikëve të dosjeve të të dënuarve antiparti, me dhënien e rezidenturës, të listave të bashkëpunëtorëve e vënien e tyre në vëzhgim direkt dhe indirekt të KGB-së sovjetike, si dhe të organeve të Sigurimit të Ministrive të Brendshme e të shteteve të tjera revizioniste. Kjo punë nuk duhet të figurojë në autokritikën e Kadri Hazbiut, për arsye se jo vetëm që Plenumi i Komitetit Qendror do të irritohet jashtëzakonisht shumë e do të kërkojë dënime të rënda për të, por edhe Partinë ne do ta vëmë në situatë kritike, pasi do të shikohen me një sy të dyshimtë të gjithë kuadrot, civilë dhe ushtarakë, që kanë mësuar në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera revizioniste. Kjo do të ishte një katastrofë për ne, po këtë do të përpiqemi ta evitojmë me ndërgjegje. Ne do të bëjmë çmos që kjo të mos bëhet "çështje", por të mbetet vetëm në dijeni të Byrosë Politike, se kështu e kërkojnë interesat e Partisë e të shtetit…
… Kështu ngjet, shokë, edhe me vdekjen e shokut Hysni Kapo. Është përhapur në të gjithë Shqipërinë sikur shoku Hysni nuk ka vdekur nga kanceri, po e kanë vrarë me urdhër të Mehmet Shehut dhe me këtë tentojnë që Hysni Kapon ta bëjnë një martir të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut. Por nuk është ashtu. Hysni Kapo është një hero i popullit, një luftëtar i lavdishëm i Partisë, por s'ka asnjë dyshim që ai vdiq nga kanceri. Po pse hapen atëherë këto fjalë? Kush i hap këto? Ka edhe pjesëtarë nga të familjes së Hysniut që kanë pasur dyshime në këtë çështje dhe këto i kanë shprehur, po ua kemi luftuar, i kanë rishprehur, por ka midis tyre edhe kushërinj, ka edhe armiq që kërkojnë t'i krijojnë vështirësi Partisë. Çfarë të bëjmë ne për këtë? Të mbaj një fjalim të veçantë unë, ku të them se shoku Hysni Kapo s'është e vërtetë se është vrarë, por vdiq nga kanceri? Jo, unë nuk e bëj këtë, po e mbroj shokun Hysni Kapo për meritat e mëdha që ka pasur, për shërbimet e mëdha që i ka bërë Partisë, por që vdiq nga kanceri, e vërtetuar kjo nga mjekët…
Mbledhjen e Byrosë e mbaruam. Tani Kadri Hazbiu do japë llogari në plenum!"
(Vijon nesër)
Nga zhvillimi i gjyqit rezultoi plotësisht e provuar se të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga e Mihallaq Ziçishti, në bashkëpunim me agjenturat e huaja, kanë kryer veprime terroriste për likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror...
Kështu ngjet, shokë, edhe me vdekjen e shokut Hysni Kapo. Është përhapur në të gjithë Shqipërinë sikur shoku Hysni nuk ka vdekur nga kanceri, po e kanë vrarë me urdhër të Mehmet Shehut dhe me këtë tentojnë që Hysni Kapon ta bëjnë një martir të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut. Por nuk është ashtu. Hysni Kapo është një hero i popullit, një luftëtar i lavdishëm i Partisë, por s'ka asnjë dyshim që ai vdiq nga kanceri
Nga gjithë zhvillimi i hetimit dhe i gjykimit u vërtetua plotësisht se një nga drejtimet kryesore të kësaj organizate, të drejtuar nga tradhtari Mehmet Shehu, ka qenë sabotimi i zbatimit të direktivave të partisë në fushat e ndryshme të zhvillimit të vendit.
Të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Gani Kodra, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga e Mihallaq Ziçishti kanë përmbushur detyra të posaçme për të penguar e shtrembëruar zbatimin e vijës së partisë dhe për të sabotuar sektorët që mbulonin...